Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (X)

| E diele, 07.12.2008, 03:34 AM |


Fragmente nga intervista e Komandantit të lartë të UÇK-së Fehmi Lladrovci, transmetuar në kanalin televiziv BBC World

"Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor"

Pas një kohe kaq të gjatë të pritjes dhe të rezistencës paqësore të udhëhequr nga I. Rugova dhe partia e tij (LDK), përse e  patë të domosdoshme t'i merrni armët në dorë?

"Shqiptarët kanë pritur shumë kohë për të kuptuar se nismat dhe veprimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, rezultuan  kundër popullit shqiptar në Kosovë. Sot, ky popull aspiron çlirimin përfundimtar nga fashistët dhe çetnikët serbë. Periudha  e viteve të rënda 1981-1990 është mjaft e njohur edhe për opinionin evropian dhe për atë amerikan. Megjithatë, tragjedia e  mijëra bijve dhe bijave të Kosovës, burgosjet dhe torturimet e tyre nga regjimi jugosllav kaluan në heshtje. Gjaku i  derdhur në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve nuk u muar fare parasysh. Politika "paqësore" kosovare, e udhëhequr nga  Ibrahim Rugova, i cili tash e tetë vjet sillet nëpër zyrat e Evropës dhe të Amerikës, nuk solli gjë konkrete. Nuk ka gjë  prej kësaj politike... Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të  tillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të.

A mendoni se Evropa dhe SHBA mund të angazhohen ushtarakisht në Kosovë?

"...Nëse ndodh diç e tillë, atëherë do të jetë si zakonisht tepër vonë, kur gjaku do të derdhet deri në fyt..."

Për serbët, ju jeni "terrorist"...

"...Mirë, le ta argumentojnë serbët vetëm një akt të "terrorizmit" të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. ...E ne  mund t'i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe, mbi popullin e pambrojtur shqiptar. Le të tregojnë  ata vetëm një njeri të pafajshëm, i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua  kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i morëm në duar për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në  Kosovë. I morëm kundër regjimit çetnik dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë.

Për çfarë luftoni?

"Për çlirimin përfundimtar të Kosovës".

Por sot shqiptarët janë në përgatitje të ekipit negociator. Ka të ngjarë që ky ekip mund të pranojë edhe një trajtë të  autonomisë në kuadër të "RFSJ"-së. Sa do të ishit të gatshëm të pranonit një gjë të tillë?

"Assesi, natyrisht. UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës”.

A synoni të merrni pjesë në bisedime?

"Po, jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë. Por, vetëm për kufijtë. Për asgjë tjetër”.

Përderisa ju luftoni nëpër male, nuk duket të ketë ndonjë krah politik në Prishtinë?

"UÇK-ja në radhët e veta ka drejtues politikë, mirëpo në Prishtinë nuk e kemi krahun politik”.

Keni kaluar një kohë të gjatë në burg politik. A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?

"Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e  kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën. Vdekja për lirinë e Kosovës do të  ishte fati im më i madh jetësor”.

Meqë shumë rrallë mund të dëgjohet ndonjë fjalë nga ju, çfarë do t'i porositnit botës me këtë rast?

"Mendoj se është turp për Evropën demokratike, që sot të ekzistojë një pakicë serbe, e cila synon t'i nënshtrojë 90 për  qind të popullit tjetër në Kosovë; që këtë ta ushtrojë përmes terrorit të paparë. Problemi i Kosovës nuk është problem i  komplikuar, çfarë tentojnë ta paraqesin faktorët ndërkombëtarë. Është problem që mund të zgjidhet fare lehtë: çdo popull i  botës, përmes konventave ndërkombëtare, ka të drejtë për vetëvendosje dhe për pavarësi. Këtë të drejtë e ka edhe populli  shqiptar, i cili në Kosovë ka mbi dy milionë banorë. Nuk kërkojmë as më shumë, as më pak se popujt e tjerë të botës. Do të  shtoja edhe një gjë, meqë edhe Amerika edhe Evropa i adresohen së tepërmi parimit të mosndryshimit të kufijve. Jugosllavisë  tashmë i janë prishur kufijtë. Është themeluar shteti slloven, shteti kroat, shteti boshnjak dhe ai maqedon.

Si u bë e mundur që Maqedonia të dalë aq lehtë nga shteti jugosllav, duke pasur brenda vetes mbi 40 për qind shqiptarë?

Këto i marrim padrejtësi të bashkësisë ndërkombëtare, andaj jemi të vendosur të luftojmë deri në fund për çlirimin e  Kosovës. Nuk ka forcë që të na mposhtë...”

Po aftësinë e armatimit. A nënkupton arsenali juaj edhe armët anti-tank dhe ato kundërajrore?

"I kemi të gjitha armët e nevojshme për vetëmbrojtje. Kemi edhe armatim kundër tankeve dhe sistemeve kundërajrore. Jemi të  bindur se do t'i rrëmbejmë të gjitha armët që gjenden në duart e çetnikëve, meqë arma më e fortë për çlirimin e një populli  është morali. Këtë moral Serbia nuk mund ta vrasë me asnjë armë. Ajo nuk mund ta shuajë vullnetin për liri...”

A po rritet numri i pjesëtarëve të UÇK-së, meqë më herët keni pohuar se morali çdo ditë është më i madh?

"Çdo terror shtetëror ka reaksionin e vet në popull. Populli është i gatshëm që njëzëri t'i përgjigjet thirrjes së atdheut  për shpëtim kombëtar. Vullnetarët tanë arrijnë çdo ditë dhe numri i tyre është maksimal. Vullneti i popullit për liri është  më i madh se kurdoherë, pikërisht për shkak të shtypjes dhe terrorit serb. Pas masakrës së Prekazit, i gjithë populli i  Kosovës u bë i gatshëm të luftojë për atdhe..."

Marsi i luftës: Kosova apo pragu i shtëpisë?

Njeriu që po hynte në Kosovë në mëngjesin e dhjetë marsit të vitit 1998, së bashku me pesëdhjetë shokë të tjerë, kishte në  vete një dhimbje të madhe, që kishte rënduar mbi të më shumë se pesha e dëborës apo hija e rëndë e Bjeshkëve të Namuna. Në  këtë rrugë, pikërisht duke u nisur nga i njëjti fshat, Vlanë, ai kishte filluar rikthimin një vit më parë. Kishte qenë një  ndeshje e dhimbshme, sepse ishte vrarë njëri nga djemtë më të mirë të Kosovës, Luan Haradinaj, "buka dhe pushka e UÇK-së";  por ai kishte tashmë edhe dhimbjen e rënies së një njeriu jashtëzakonisht të vyer, Adem Jasharit. Në vete kishte thënë se,  kur ai e kishte këtë dhimbje që i rëndonte mbi shpatulla, në kraharor e kudo, ai, që ishte mësuar me dhimbjen dhe e kishte  përballur atë; si do të kishte ndodhur me njerëzit e zakonshëm, ata, studentët apo bujqërit e mirë, njerëzit që ishin  mësuar të shihnin idhullin e tyre mitik dhe të cilin nuk e kishin më? Mos vallë kishte filluar, së bashku me rënien e  Jasharëve, edhe rënia e qëndresës së tij? Kishte qenë njëri nga qëllimet më të egra të pushtuesit serb: thyerja e shpresës.  Nëse e ke vrarë shpresën, atëherë ke vrarë gjithçka. A nuk do të ishte e mundur që me rënien e një njeriu si Ademi apo  Hamza të kishte filluar edhe humbja e shpresës...?

Mund të kishte ndodhur edhe ashtu. Nuk do të ishte hera e parë dhe njëkohësisht nuk do të kishte qenë as e fundit. Ai e  dinte këtë, njëzet e dy vite jetë ilegale e kishin mësuar se pas humbjes së prijësit duhej një kohë, nganjëherë e gjatë,  për t'u ringritur. Kjo kishte ndodhur disa herë në lëvizjet atdhetare ilegale, mund të ndodhte edhe tashti. Do të ishte një  cikël i dhimbshëm, por gjithsesi mund të ishte edhe i kuptueshëm. Ai do të bënte gjithçka që do të mundte për të mos e  lejuar thyerjen e shpresës, për të mos patur bjerrje, ai do të dilte, ashtu si kishte qenë përherë, njeriu i shpresës së  madhe. Kishte në krahun e tij Xhevën, është pak të thuash se kishte bashkëluftëtaren e hershme të tij, ata ishin vazhdimi i  njëri-tjetrit dhe plotësimi i secilit njëkohësisht; atë që mund ta linte deri në pragun e përfundimit fjala e vrullshme e  Fehmiut, do ta përmbushte butësia e fjalës së Xhevës. Gjithnjë kishin qenë kështu, që nga 13 gushti i vitit 1985, dy njerëz  që e kishin pritur njëri-tjetrin, për ta gjetur dhe për të mos u ndarë më. Tani në luftë, kjo mosndarje e pazakontë ishte  dyfish e vlefshme; jo vetëm se po rikthehej një grua luftëtare, e cila është bërë tashmë tepër e njohur dhe të cilën  Drenica e kishte bërë bijë të vetën, por mbi të gjitha ishte shembulli i madh i vazhdimit të vetëflijimit të përbashkët  familjar. Sepse ata po vinin për të vënë jetën e tyre në themelin e lirisë së Kosovës. Ky rikthim do të ishte i lidhur me  shpresën.

Shtëpia e Fehmiut ishte Kosova. Secili prag i saj ishte edhe pragu i shtëpisë së tij. Pikërisht në ato ditë, kur  ridimensionoheshin përmasat e reja të luftës, kur ajo kishte filluar të shtrihej më vrullshëm se ishte menduar, kur ishin  një mijë punë për t'u bërë dhe të vinte keq që dita i kishte vetëm njëzet e katër orë, legalistët "institucionalistë", për  të thërrmuar luftën në një mijë e një thërrmiza lëshuan moton "Të mbrojmë pragun e shtëpisë". Dukej sikur ishte një thirrje  humane, por në të vërtetë ishte fundi i luftës çlirimtare dhe fillimi i përgjakimit të ri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës  asnjëherë, e theksoj, asnjëherë, nuk ka patur një nocion të tillë të luftës çlirimtare. Nuk e ka përfytyruar kurrë luftën  kështu, prag më prag, por si një luftë të të gjithëve kundër armikut të njëjtë. Nuk ishte e rëndësishme se ku do të  luftoje; ishte e vlefshme të luftoje ose të ndihmoje luftën. Në mesin e marsit 1998 dhe më pas, në javët që erdhën, zënia  rrënjë e nocionit "Të mbrojmë pragun e shtëpisë", ishte njëkohësisht edhe përmbysja e pragut të Kosovës.

Se cili ishte përfytyrimi dhe ngrehina e atyre që donin "të mbronin pragun e shtëpisë”, ndoshta më shumë se gjithçka  tjetër, dëshmon rasti i mëposhtëm. Njëri ndër ushtarakët e lartë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shok lufte i  Fehmi Lladrovcit, njëkohësisht edhe i martirëve të tjerë si Bekim Berisha, Xhemajl Fetahu etj., në vitet e luftës epror i  lartë në zonën operative të Shalës, Mensur Kasumi, tregon më vonë:

"Kishte filluar ofensiva e madhe serbe dhe lajmet vinin për sulme të mëdha në zonën operative të Dukagjinit. Kishim të  dhëna se ishte sulur për atje një forcë e madhe ushtarake serbe. I mblodha ushtarët dhe u thashë se duhet të bëhemi gati  dhe të shkojmë e të ndihmojmë zonën e Dukagjinit, se kanë nevojë për ndihmën tonë dhe nuk kemi çajre pa shkue. Ushtarët u  grumbulluan, kur shoh nja dhjetë vetë që po rrinin mënjanë.

- "Po ne, që jemi të LDK-së, si do t’ia bëjmë?"

- Kush ju ka thënë se jeni të LDK-së? - i pyeta.

- "Kështu na kanë thënë. Na kanë thënë se ne jemi me mbrojtë veç pragun e shtëpisë dhe mos me shkue në zona të tjera".

- Gabim e keni. Kush është me luftue për partitë, për LDK e kushdo tjetër, le të heqë rrobat e ushtrisë, të dorëzojë armët  e të shkojë. Nuk luftojmë për pragun e shtëpisë, por për krejt Kosovën.

Disa i hoqën unformat, lanë armët e shkuan, të tjerët erdhën pas nesh. Ma qitën namin se nuk po i due të LDK-së. E kishin  gabim, unë doja Kosovën.

Fehmi Lladrovci, atë ditë të dhjetë marsit 1998, kur rihyri në Kosovë, kishte shtatë vite që nuk kishte qenë në shtëpinë e  tij. E kishte mbytur malli për gjithçka në vendlindje, për shtëpinë ku kishte lindur dhe për rruginat e kopshtit, për  luginën që zinte e ngushtohej në fundin e fshatit dhe për pyllin e lisave përballë malit; mbi të gjitha, e kishte mbytur  malli për prindërit e tij. Ai mall e kishte mbuluar të gjithin, edhe kur kishte qenë në burgjet jugosllave, mirëpo mes tyre  kishin qenë hekurat, prangat, gjakimet. Në të gjitha letrat e tij nga burgu ndjehet ky mall, tepër përvëlues, ndjehet  përkushtimi i tij ndaj prindërve dhe, siç e kam thënë, sidomos malli ndaj nënës. Një mall që pikte përditë e më shumë, që  ndjehej tek tingëllimi i zërit të tij, tek ajo rrudhje e veçantë e syve kur i pëlqente të tregonte, megjithëse shkurt, për  letrën e parë që kishte shkruar në jetën e saj nëna e tij dhe atë letër ia kishte shkruar të birit të burgosur; nuk i vinte  turp të thoshte se i kishte puthur ato shkronja; ndjehej se kishte nevojë të bisedonte me të atin, për gjithçka që kishin  dashur të flisnin; të njëjtin mall e kishte edhe Xheva për atë shtëpi, në të cilën kishte shkuar nuse kur i shoqi sapo  ishte burgosur dhe dënuar me dhjetë vite, kishte mall për dhomën ku kishte jetuar disa vite, si në legjendat e hershme, por  jo thjeshtë duke pritur, por duke luftuar për idealin e përbashkët; në ato dhoma ajo kishte shkruar fjalët buçimtare që  ishin lexuar anë e kënd Kosovës se "as tanket dhe as topat nuk e trembin rininë e Kosovës", dhe tash çasti i çmalljes  kishte ardhur; ata ishin në Kosovë, po rrugëtonin drejt Drenicës, aty ishte Gllanasella, aty ishte shtëpia e vjetër, ishin  prindërit, njëri nga vëllezërit, Emriu, aty ishin motrat e nipërit e mbesat. Mund të ecje ndoshta edhe një orë më shumë dhe  do ta ndjenin erën e veçantë të zjarrit në mesin e marsit, që përzihet me erën e pranverës.

Fehmiu dhe Xheva nuk e bënë këtë. Ata nuk kishin ardhur për të qëndruar në shtëpinë e tyre ose për të mbrojtur pragun e  shtëpisë së tyre. Kjo nuk ishte as filozofia politike e as mendimi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njeriu që  kishte kërkuar formimin e Ushtrisë së Kosovës që në fillimin e vitit 1983 dhe kishte tentuar ta bëjë këtë, megjithëse në  një vend të huaj, e dinte fare mirë se kishte para tij një mall më të madh se malli i familjes, se malli i shtëpisë së tij;  këtë ai e kishte të vetëdijshme, e kishte në natyrën e tij, e kishte si diçka të kuptueshme lehtësisht dhe që nuk mund të  bëhej ndryshe.

Fehmiu dhe Xheva u ndalën në Abri. "Fillimisht u vendos në pikën "Guri”, ku bëri një punë të jashtëzakonshme për forcimin  dhe profesionalizimin e pikave, ndërsa AB-ja (Bekim Berisha) erdhi tek unë në Açarevë”, kujton Sylejman Selimi.

Aty ishte detyra e tyre. Aty qëndruan. Nëse do t’i thoshin të shkonin diku tjetër, në Mitrovicë për shembull, ai do të  shkonte, dhe nëse do të ishte i vonuar, pa e ditur se kur do të kthehej, ndoshta nuk do të kalonte fare nga pragu i  shtëpisë së tij. E pra ai i ka dashur prindërit si rrallëkush, është përgjëruar për ta, gjithë letrat e tij e kanë këtë  ndjenjë malli; por ato kanë edhe një ndjenjë më të fuqishme, tepër më të fuqishme se malli për fisin, shtëpinë e familjen e  tij: malli i Kosovës.

Baca Tush:

"Kisha dëgjuar diçka se ka ardhë Feha. Erdh një shok, ishim tuj ndejë në aksham, ishim bashkë me vllezër, u tubuam ashtu,  kur ai shoku më tha se Fehmiu ka ardhë. Kishte ardhë Reshiti, kishte vëllain e plagosur, Sabit Lladrovcin, dhe po më thotë  se Feha kishte kërkue me shkue me e takue. I thashë "për hajr qoftë”. U endte treni atëherë. Kam zbritë prej trenit e kam  shkue për kodrinë. Kam takue Musë Jasharin, Sahitin, i kam njoftë mirë, se kam shkue tek ata vazhdimisht. Po më thotë Musë  Jashari se ka ardhë Feha, Xheva me Saminë dhe me shokë të tjerë. Kemi shkue në pikë, në Likoc. Ishte Sami Lushtaku aty, nuk  e kisha pa qysh kur kishte dalë jashtë Kosovës. Shkuam në pikë, ishte një shok tjetër aty. Më së pari u takova me Xhevën,  kur erdhi Feha përshëndetjen me të e bana pak më të ulët se me Xhevën. Po më shikojnë shokët e po bajnë llaf, qysh po ndodh  kjo. Kah zemra e kah shpirti im ishte Xheva njëlloj me Fehmiun, nuk kam mujtë me e dallue se nuk është e zemrës sime, si  Xheva, si Feha.

Biseduam pse ka ardhë, e dija pse mund të vinte, më tregoi, bëmë llaf me të. Po më pyet se si po shkon, si po sillen  njerëzit, a janë për luftë. Atë ditë po më thotë me pasë kujdes, kanë dëgjue se kam ardhë, nuk kam ardhë fshehtas, me pasë  kujdes. As në Gllogovc mos me dalë. Pas një kohe, dhjetë ditë a dy javë në Likoc, ka ardhë në Abri dhe në Abri ka ndejë  shumë, bukur një kohë të gjatë. Nuk vinte hiç në shtëpi, as me na pa. Këmba e tij nuk ka shkelë në shtëpi, derikur ka ardhë  prej Abrije këtu. Dhe ka ardhë këtu me Xhevën, me Sami Lushtakun, me shokë të tjerë. Ishte aksham, pa ardhë mirë ata, kanë  fillue me ardhë njerëzit.

Unë e falenderoj popullin, e sidomos fshatin Gllanasellë, se iu kanë bashkëngjitë Fehës në luftë, të gjithë. E ka dashtë  populli Fehmiun dhe fort e ka dëgjue...”

Ishte e fundmja gjë që bënë: të shkojnë në shtëpinë e tyre. Ndodh kjo sepse nuk kishin ardhur veç për atë shtëpi; ajo ishte  njëra nga mijëra e mijëra të tilla që kishte Kosova. Përfytyrimi dhe koncepti i tij ishte shumë më i gjerë se kaq. Ai nuk  kalonte nga shtëpia e tij për të shkuar tek Kosova. Në këtë rast, ai kalonte nga Kosova për të shkuar edhe në pragun e  shtëpisë së tij.