E premte, 29.03.2024, 04:59 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Hija e Arkanit vazhdon të endet gjithandej veriut të Kosovës

E enjte, 14.10.2021, 06:55 PM


Blerim Latifi:

Samuel Johnson, shkrimtar anglez i shekullit të 18, i harruar përgjithësisht për veprat e shumta të tij, sot kujtohet dhe citohet gjerësisht për një thënie të vetme : Patriotizmi është streha e fundit e horrave!

Janë të pafundëm shembujt që e konfirmojnë saktësinë e këtij konstatimi. Dhe, sot, ekziston një shembull tjetër i shquar që hyn në katalogun e këtyre konfirmimeve : Veriu i Kosovës. Kriminelë të të gjitha llojeve, vrasës, kontrabandistë, narkodilerë, trafikantë të qenieve njerëzore e të armëve, veprojnë atje, ditën dhe natën, të mbuluar me petkun dhe retorikën e patriotizmit serb. Ky mbulim u mundëson atyre që çdo veprim policor të shtetit të Kosovës kundër kriminalitetit të tyre të organizuar ta shesin si veprim të motivuar etnikisht dhe politikisht kundër serbëve të pjesës veriore të Kosovës. Natyrisht, këtë e bëjnë me ndihmën vendimtare të autokratit në Beograd dhe me mirëkuptimin e herë pas hershëm të burokratëve të Brukselit, si Borell. Edhe me ndihmën e partnerëve shqiptarë në krim të këndej Urës së Ibrit, një numër krejtësisht i papërfillshëm i të cilëve u arrestuan dje.

Si të emërtohet kjo gjendje në terma të izmave politikë?

Mbase termi më adekuat është ai i nacional-banditizmit. Ky term shpreh pikërisht atë që e mendonte edhe Johnson në thënien e tij: horra dhe kriminelë të portretizuar e të vetëportretizuar si heronj nacionalë.

Dihet fare mirë që nacional-banditizmi ka qenë një komponentë tejet e rëndësishme në fushatat ushtarake të Millosheviqit. Kur ai nisi luftërat për krijimin e Serbisë së Madhe, kriminelë serbë të të gjitha llojeve nga brenda Serbisë dhe nga e gjithë bota u rreshtuan në formacionet e tij ushtarake. Arkani, padyshim, ishte ikona e tyre. Ai u vra në vitin 2000, por hija e tij vazhdon të endet gjithandej veriut të Kosovës.

_________

Kryepolici serb! Me siguri e njihni të gjithë. Dhe nuk ka se si të mos e njihni. Është njëra nga figurat më të pranishme në portalet tona. Çdo ditë. Gjatë gjithë vitit.Vuçiqi e përdorë si vegël që flet për t'i kërcënuar e fyer në baza ditore shqiptarët, kroatët e malazezët. Dhe portalet tona kujdesen që çdo kërcënim e fyerje fashiste të tij ta mbulojnë medialisht.

Çfarë mazohizmi medial!

Sindromi i Stokholmit, do të thoshin psikologët.Dhe marketing falas, gjithashtu!

_________

Policia nuk duhet ta luftojë krimin e kontrabandën në veri në kohë zgjedhjesh! Sepse ndikohet rezultati elektoral. Afatet e operacioneve policore në veri duhet të mos përputhen me afatet elektorale! Pra, logjikisht i bie se krimi dhe kontranda mund të lulëzojnë të lira atje sa herë ne kemi zgjedhje.

Këso argumentesh të marra dëgjohen në Kosovën e vitit 2021.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora