| E merkure, 13.10.2021, 06:52 PM |
Pjesa II
SHËNIME MBI ÇAMËRINË (1) RADHUER
LUFTE Nr. 5. VITI 1940
Nga Fahri Dahri
GJEOGRAFIJA
Pjesa e Çamërisë
që ndodhet nën tiraninë greke kufizohet në Veri me malet e Nemërçkës, Muratit,
Strugarës, Tsamantias, Konispolit dhe zbret në det gjerë në Kepin Stillo; në
Lindje me N/Prefekturën e Konicës dhe Janinën; në Jug me N/Prefekturën e Artës
dhe shkon gjerë në Gjirin e Prevezës, kudrejt gjuhëzës lingueta së Aktis; në
Perëndim me detin Jon.
Vëndi është malor
dhe është vazhdim i maleve politikisht dhe etnikisht shqiptare të Nemërkçës,
Strugarës dhe Tsamantas.
Lumë me rëndësi
është ay i Kalamasë që, duke kaluar nëpër Kumenicë (Gumenicë-FD) dhe Filat,
përbën fushën e këtyre dy zonave dhe në të derdhen prroskat dhe përrënjtë e
Çamërisë Qëndrore.
Në dimër ky lumë
nuk është i kalueshëm (guadabile); lumi Lluri i maleve Olizka derdhet në
Prevesan (Prevezë-FD), duke kaluar nëpër Çamërinë e mesme gjatë fushave të
Filipiadhës dhe të Prevezanit. Fusha e Filipiadhës është e gjerë sepse ajo ka
një masë prej 30 x 18 km., ajo e Llahe-Sulit ka një masë prej më shumë se 18
km.
Komunikatat
rrugore janë këto: Prevezan-Filipiadhë km. 43; Filipiadhë-Janinë km. 62;
Filipiadhë-Artë km. 14.
Janë duke u
ndrequr rrugët Kumenicë -Janinë, Prevezë-Paramithi, Paramithi -Mininë,
Mininë-Filat, Filat-Sajadhë. (Flitet për gjëndjen në vitin 1940-FD).
POPULLSIJA
Çamët të racës
ilirike, d.m.th.
shqiptarë gjaku të thjeshtë, janë me paraqitje të lartë dhe të bukur, veshin
kostume leshi të bardhë, qeleshe të larta të vardha në formë fesi dhe opinga,
mbathja klasike e maleve. Gratë mbajnë rrobe dhe këmisha të gjata të bardha me
çorape të gjata po të bardha dhe të qëndisura në pjesën e lartme me lloj lloj
lule; në kokë lidhin një shami me ngjyra. Porse veshja e burrave po humbet dalë
nga dalë
sepse
t'ashtuquajturat "tesha allafranga" (perëndimore) kushtojnë më lirë.
Gjer në vitin 1780
popullsia e Çamërisë ka qënë e tëra ndjekëse e fesë greko-orthodhokse
(saktësim: shumica ishin katolikë -FD), myslimanizmi filloi më vonë, dhe u
përhapë sidomos, ashtu siç e thanë, në kohën e Ali Pashës.
Është e njohur
tragjedia e popullatës së Pargës, e cila emigroi, duke i zbrazur vatrat
stërgjyshore shekullore, që të mos heqë dorë nga feja e Krishtit, dhe u
shpërnda në 7 ishujë që n'atë kohë ndodheshin nën zotërimin e Francës (një
pjesë e saj vajti edhe në Korfuz).
Është e njohur dhe
admirohet kudo bukurija heroike e grave të Sulit, të cilat me veshje nusërie,
që të mos binin në duart e turqëve dhe të mos hiqnin dorë nga feja e krështerë,
duke kënduar këngë atdhetarie, i-u dhanë vdekjes duke u hedhur në greminën e
fshatit të tyre (saktësim: gratë u hodhën për të mos rënë në duart e Ali Pashë
Tepelenës- FD).
Me gjithë
zotërimet e huaja, nuk ka qenë e mundur për turqit, dhe as për grekërit më
vonë, që t'i çrrënjosin ndjenjat Kombëtare të çamëve dhe zakonet e prindërve të
tyre(2).
Hyrja e
propagandës greke filloi në 1880 me anën e Kishës greke të Stambollit, qendër e
panelenizmit, dhe u përhap me sistemet që dihet mbas 1913 (kupto masakrat,
vjedhjet, çpronësinet, dëbimet tërësore-FD).
Simbas
statistikave të vitit 1933-1934 u hapën 205 shkolla fillore me 14.050 nxënës
dhe 7 shkolla të mesme me795 nxënës (bëhet fjalë për shkolla në gjuhën
greke-FD).
Me këto mjete me
propagandën sistematikke dhe me persekutimet çnjerëzore grekërit harrijtën t'a
infiltrojnë gjuhën greke, t'a shtien në popull, por jo dhe t'i bëjnë t'a
harrojnë gjuhën e të parëve, d.m.th.shqipen (gratë, fëmijët dhe pjesa më e
madhe e burrave nuk flisnin greqisht. Disa burra në qytete dhe ata që merreshin
me tregti e flisnin greqishten-FD)
Me të gjithë
këto, fshatrat greke janë të pakta dhe përbëhen nga fshatarë të sjellun si
bujqër në tokat e tyre nga bejlerët shqipëtarë, si mbas nevojave; këta
katundarë janë bërë sot të zotërit e tokave, mbas aplikimit të Reformës Agrare
në lidhje dhe me persekutimet e auktoriteteve greke, kryeneçe dhe të
pamëshirëshme në veprimtarin e çkombëtarizimit të Çamërisë. Fshatra
me popullsi të përzjerë nuk ka, por ndodhen vënde me pooullsi të përzjerë,
myslimanë dhe të krishterë, të tërë të Kombësisë Shqiptare.
N/Prefejtura e
Filatit ka 79 fshatra me 32,024 banorë, në mes të cilëve 3.500 q'i përdorin
gjuhërat shqipe dhe greke (bilingui); N/Prefektura e Paramithisë ka 47 fshatra
me 15,486 banorë, në mes të cilëve 5000 q'i flasin të dyja gjuhërat;
N/Prefektura e Pogonit ka 33 fshatra me 13,888 banorë, në mes të cilëve 6200
grekofonë, por janë edhe këta shqiptarë të greqizuarë me forcë; N/Prefektura e
Margëllëçit ka 43 fshatra me 14,531 banorë, që të gjithë shqiptarofila;
N/Prefektura e Prevezanit ka 46 fshatra, me 21,160 banorë, nga të cilët 10,000 janë
grekofonë, edhe ata me origjinë shqiptare; N/Predektura e Filipiadhës ka 31
fshatra me një popullsi prej 15,530 nga të cilët 4000 grekofonë si të parët.
Gjithsej janë 279
fshatra me 112,619 banorë, nga të cilët vetëm 20,200 janë grekofonë, por
origjinë shqiptare.
Sidoqoftë, simbas
statistikave greke të vitit 1937, 92.419 banorë janë shqiptarë njëmijë për
mijë, ndërsa 8.500 janë folës të të dyha gjuhërave. Nga këta banorë, 33.000
janë shqiptarë myslimanë.
BUJQËSIJA
Çamëria siç e
thamë, është malore dhe e pasur me drurë ulliri që japin prodhime shumë të mira
ulliri për të ngrënë dhe një vaj shumë të mirë; prodhon duhan të mirë dhe
kafshë të një race që s'është për t'u përçmuar; prodhon grurë dhe misër.
Mbillen dhe hardhinjtë që prodhojnë rrush të mirë.
Para 1913 çamët
rronin me prodhimet e tyre bujqësore, dhe eksportonin edhe në Korfuz.
RËNDËSIJA DETARE
DHE USHTARAKE
Brigjet e Çamërisë
në të cilat shtrihen shkëmbenjtë e maleve, përbëjnë lugina të rëndësishme si
ajo e Prevezanit. Kumenicës. Murtit (Volës -FD), Pargës e Sajadhës, në mes të
cilave kryesojnë Preveza dhe Kumenica (Gumenica-FD), nga të cilat zotërohet
Kanali i Korfuzit dhe hyrja e Adriatikut.
I çmoi këto
gjenija e Napoleonit të I° dhe grabitësit inglezë, të cilët në fillim të
shekullit të kaluar i pushtuan ato brigje detare.
Bën pjesë të
Çamërisë, për arësye strategjike dhe për ato demografike, edhe qyteti i Janinës
me rrethet e tijë.
BIBLIOGRAFIJA
Mbi Çamërinë kanë
shkruar shumë auktorë, neve po tregojmë ata më pak të njoftunit. Interesante
janë studimet e Valentino Chirol-it, që përshkruan një udhëtim të tijë të
bërë në Epir me 1880 dhe në të cilën mburr patriotizmin shqipëtar të çamëve;
Hanry Holland, në librin e tij ne titull "Travels in the Jonian isles,
Albania, Thesaly, Macedonia", Byron, etj.
Nuk janë për t'u
hedhur në harresë Odhiseja XXX-315-385; Thuqidhidi, Gjeografija botnore
greke, volumi B 1937; Enciklopedia Madhe Greke në Kapitujtë Epir-Janinë, ku,
sado që është përpjekur të fallsifikohet e vërteta, ajo duket qartazi për atë
që studjon me pa anësi e drejtësi.
[Është ruajtur origjinaliteti i
Radhuerit. Nr.5]
***********
Shënim (1): I
sigurtë kombi ynë, dajma i ka respektuar dhe toleruar besimet e ndryshme
fetare, por asnjëherë nuk është pajtuar me shtetet që pushtojnë në emër të
ndonjë besimi fetar. Ky qëndrim përcaktues i shqiptarizmës, është i vërtetuar
historikisht, sikundër bën ferk (duket) edhe aktualisht me veprimet
ekspansioniste etno-fetare të shteteve fqinjë.
Shënim(2): Të
nderuar lexues!,
Krahas
përshëndetjes, sqaroj se në shkrimet e mia, mbahet parasysh ndarja madhore e
qendrimeve ndaj dashurisë për atdheun dhe popullin, gatishmëria për t'u shërbyer
atyre me besnikëri; me patriotizmin e fetishizuar fetar.
Është e drejtë e
priftërinjëve dhe e imamëve që në shkrimet dhe predikimet t'u përkushtohen
ndjenjave të tyre të kultivuara fetare; por ato, në të shumtën e rasteve nuk
mund të njësohen me qendrimet e popullit ndaj kushdo qofshin pushtuesit; kurse
në shkrimet e mia, i përkushtohem ndjenjës së trashëguar të patriotizmit,
dashurisë për Atdheun dhe për bashkëatdhetarët.
Fund
Fahri
Dahri. Itali, më 13/tetor/2021.