E enjte, 28.03.2024, 10:49 PM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: “Demokracia dhjetoriste” brenda shinave të Ramiz Alisë

E merkure, 13.10.2021, 05:00 PM


“Demokracia dhjetoriste” brenda shinave të Ramiz Alisë

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Ka shumë të drejtë intelektuali i njohur Mentor Serjani për gjithçka që shkruan në analizën e vet, me titull “Kishim nevojë për demokraci, por humbëm virtytet”, të botuar në numrin  e sotëm (10 tetor 2021) të Portalit “Fjala e Lirë”. Në atë analizë ai shpërthen me trishtim:

“Demokracia nuk erdhi nga poshtë, nga populli, por nga lart, nga individët”.

Sigurisht, demokracia në Shqipëri duhej të vinte nga poshtë, pas atij terrori dhe sundimit të egër të diktaturës së përbindshme të kryekriminelit Enver Hoxha, të cilën populli e pati hequr mbi kurriz për gati gjysmë shekulli. Por një gjë e tillë ishte e pamundur. Sepse ajo diktaturë  kriminale, me atë kryekriminel në krye, e pati depersonalizuar popullin  në maksimum, e pati  zhveshur tërësisht nga dinjiteti personal, ia pati shuar krejtësisht aftësitë vetorganizuese, duke e shndërruar në një robot në shërbim të shportës së karavidheve, të mbyllura brenda Bllokut famëkeq që mbrohej nga bajonetat e Gardës së Republikës.

Në këto kushte, ishte kotashpresë ta mendoje se demokracia mund të vinte nga poshtë. Prandaj ajo erdhi nga lart, duke ndjekur piketat që pati vendosur krimineli Ramiz Alia në dy fjalimet e veta, të mbajtura në mbledhjet e Byrosë Politike të nëntorit 1989 dhe të 13 dhjetorit 1990. Ideja themelore që shprehte ai kriminel, përmblidhet në rreshtat në vijim:

“… brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme...”.

Duke pasur parasysh pikërisht këto orientime të kriminelit Ramiz Alia, lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe ngjarjet që pasuan pas saj, në analizat e mia i kam vlerësuar dhe vazhdoj t’i vlerësoj si demoshëmti dhjetoriste. Nisur nga fakti se ç’individë u katapultuan në pushtet pas demoshëmtisë dhjetoriste, e cila, në përputhje me piketat e vendosura nga krimineli Ramiz Alia, s’ishte gjë tjetër, veçse zëvendësim i pushtetit të komunistëve veteranë me pushtetin e neokomunistëve, populli duhej të kishte reaguar nëpërmjet votës, për të mos lejuar që ligjin ta bënin pasardhësit e nomenklaturës komuniste. Por, për arsyet që u parashtruan më lart, populli, i robotizuar në maksimum në diktaturë, iu përshtat plotësisht neodiktaturës, çka do të thotë se varfëria dhe vuajtjet e shkaktuara prej saj gjatë diktaturës, qenë bërë pjesë e pandarë e formatit të tij shpirtëror, me gjurmë të thella në vetëdijen e tij, pra, edhe në kushtet e neodiktaturës. Që lexuesit e nderuar të binden plotësisht se varfëria, me pasojat e saj të dhimbshme, qe rrënjosur në formatin shpirtëror të popullit tonë, le të sjellin në kujtesë deklaratat publike të atyre dy grave (të cilat nuk e meritojnë t’i quash zonja), militante të partisë socialiste në Berat dhe në Vlorë. Ajo beratasja, duke iu drejtuar Fatos Nanos dhe Ilir Metës, deklaroi:

“Ne nuk duam as ujë, as drita, vetëm ju të dy të shkon i mirë me njëri-tjetrin”.

Kurse ajo vlonjatja lëshoi një deklaratë edhe më të fortë:

“Edhe pa bukë të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”.

Këto dy deklarata dëshmojnë më së miri se militantizmi partiak majtist është aq i verbër, saqë, në raport me mirëqenien, parapëlqen vuajtjen, varfërinë.

Duke pasur parasysh që elektorati i majtë përbën shumicën në radhët e popullit tonë, dy deklaratat e mësipërme, kohë pas kohe më sjellin në kujtesë dy personalitete të njohura të kulturës ruse, shkrimtarin Fjodor Dostojevski (1818-1881) dhe shkrimtarin dhe publicistin Ivan Shmelov (1873-1950).

Në librin me titull “Ditari i një shkrimtari”, të botuar në vitin 1873, Dostojevski shkruan:

“Mendoj se kërkesa më kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje, për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë...Në vuajtje populli rus sikur gjen kënaqësi”.

Në veprën që titullohet “Dielli i të vdekurve”, të botuar për herë të parë në Paris në vitin 1923, Ivan Shmelovi shkruan:

“Rusët janë një popull        që e urren lirinë      dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet...”.

Intelektuali Mentor Serjani i flak tutje ne neveri petët e lakrorit neokomunist me mbulojë socialiste. Ai shkruan:

“Shqiptarët i diskreditoi klasa e tyre politike. Çdo gjë është e krimbur, që nga Partitë, nga lart deri poshtë. Që nga administrata, që nga lart deri poshtë… Pa futur në burg që nga luanët e mëdhenj e deri tek çakejtë e dhelprat, ky vend do vuajë shumë”.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se burgosja që përmend intelektuali Mentor Serjani është një utopi e kulluar. Sepse agallarët e politikës i kanë kopsitur punët për bukuri, duke gëzuar edhe mbështetjen e brukselizmit Një burgosje e tillë mund të bëhej fakt i kryer sikur demokracia të ringjallej nga poshtë, në mënyrë që të kryhej një përmbysje a la francaise, si ajo e vitit 1789. Por kjo është një ëndër në diell. Megjithatë, sikur populli të kishte sadopak aftësi vetorganizuese, kastën politike që e ka krimbur vendin fund e krye, mund ta hiqte qafe fare kollaj: ditën e zgjedhjeve politike askush të mos shkonte të votonte dhe kryeoligarkët e politikës do të shporreshin nga skena politike si me frymën e shenjtë. Po hajde t’u mbushësh mendjen militantëve partiakë të mos shkojnë të votojnë! Rama e njeh mirë psikologjinë e militantëve socialistë, prandaj edhe e ka shndërruarr vendin në domenin e vet.

San Diego Kaliforni

10 tetor 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora