E premte, 19.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu VI)

E diele, 07.12.2008, 03:26 AM


Kreu VI

SOCIALIZIMI I TË RINJVE-MISION  RËNDËSISHËM

Të rinjtë dhe historia e një pyetësori

1.Një ndodhi dhe disa probleme

Një ditë më erdhi në zyrë mjaft i revoltuar, një i ri i cili quhet Kristi. Ai me shumë kurajo më paraqiti disa shqetësime, në trajtën e pyetjeve, që lidheshin me punën mësimore në shkollën e tij. Pyetjet mbartnin edhe një farë mëdyshjeje që kishte të bënte jo thjeshtë me përgjigjet, të cilat mund të jepja unë, por, kryesisht, me qëndrimin dhe ndërhyrjen për të ndikuar sado pak në zgjidhjen e problemeve që shqetësonin të rinjtë e shkollës së tij. Në fillim Kristi kërkoi të dinte nëse kisha njohuri për disa mendime të të rinjve që ishin botuar në faqet e gazetës rinore. Pastaj përmbajtja e gjithë bisedës sonë u përqendrua në këto drejtime: A kisha informacion për disa mësues, të cilët sillen në mënyrë të pakontrolluar me nxënësit, që më shumë harxhojnë kohë duke artikuluar fyerje se për të dhënë mësim. A duhet që mësuesit të bëjnë kurse private me nxënësit e tyre, duke i detyruar ata me forma të pandershme për këtë gjë? A nuk do të ishte më mirë që mësuesit e shkollës së mesme të përzgjidhen me konkurs, ku mund të merret edhe mendimi i nxënësve dhe prindërve? A është e mundshme të bëhen trajnime për funksionimin e qeverisë së nxënësve dhe të organizmave të tjerë, që të vihen në shërbim të zgjidhjes së problemeve të punëve të shkollës? Ndoshta ishte rastësi, por një orë pas këtij takimi, m’u dha mundësia që të merrja pjesë në analizën semestrale të shkollës, për të cilën ankohej Kristi. Ndonëse i tronditur nga shija e takimit të mëparshëm, u përpoqa të ndjek me vëmendje raportin e analizës semestrale dhe mendimet e mësuesve për punën mësimore-edukative në atë shkollë. Menjëherë binte në sy veçanërisht niveli i pakënaqshëm i kalueshmërisë së nxënësve, e cila lëvizte nga 40 – 49% për çdo klasë. Në këtë analizë u bënë vetëm dy pyetje, të cilat kishin në thelb të njëjtin shqetësim, që lidhej me kriteret e ndarjes së nxënësve të vitit të parë në klasa të veçanta. Dy mësuesit që drejtuan pyetjet, u ngritën të flisnin. Ata bënin sikur flisnin, pasi nuk thanë gjë për cilësinë e punës mësimore, për shqetësimet që kanë nxënësit e prindërit, për marrëdhëniet mësues-nxënës, për kalushmërinë, për punën edukative, për punën e tyre. Ata u përpoqën të argumentonin se vitet e para nuk mund të grupohen sipas niveleve të kalushmërisë së klasës së tetë, sepse krijohen probleme të mëdha në mësimdhënie. Madje ata dhanë mendime edhe për muret e disa klasave (!?), por për analizën konkrete nuk nxorën fjalë. U kërkuam që t’i orientonin diskutimet rreth analizës për të cilën ishim mbledhur, pa i nënvleftësuar problemet, të cilat po ngriheshin. Por jo, asgjë nuk ndryshoi. Bile një mësuese, filloj të ankohej, se po i bëheshin ndërhyrje në diskutim, pra po i cënoheshin të drejtat e saj. Asnjë mësues tjetër nuk shtroi ndonjë problem për cilësinë e mësimdhënies, kalueshmërinë e nxënësvë, që ishte aq e ulët për të gjitha klasat, për shkaqet e verteta të kësaj gjendjeje alarmante që e sundonte këtë shkollë. Interesant, por një rast të ngjashëm është vështirë të ndeshësh në ndonjë shkollë tjetër. Në ndërhyrjen time, pak i nervozuar, veç të tjerash, përcolla edhe mesazhet e Kristit, me bindjen më të plotë se mbyllja e problemeve në këtë këshill mësuesish pasqyrohet qartë në rezultanten e kalushmërisë së nxënësve. Rrumbullakosja e problemeve, druajtja për hapjen e debatit dhe ruajtja e ekuilibrave sipas parimit tërhiq e mos këput, nuk sjell zgjidhjen dhe shëndoshjen e gjendjes. Përkundrazi, ky stanjacion e thellon më tepër krizën e kësaj shkolle. Duke bërë krahasimin e mendimeve që shkëmbyem me Kristin, me gjendjen e përparimit të nxënësve dhe nivelin e analizës së këshillit të mësuesve, pa asnjë dyshim të krijohet bindja se në këtë mjedis janë krijuar artificialisht dy kampe. Në një anë, janë rreshtuar mësuesit. Ndërsa në krahun tjetër, janë nxënësit, dhe nëse vazhdohet më tej të veprohet kështu, klima e punës do të përkeqësohej, do të dëmtohej seriozisht niveli i formimit të nxënësve. Është normale që të kërkohen kushte sa më të përshtatshme në punë, paga më të larta për mësuesit, për këtë duhet të luftojnë të gjitha strukturat, shoqërore dhe shtetërore. Por, pavarsisht nga gjendja në të cilën ndodhemi aktualisht, asgjë nuk e përligj prapambetjen shumëplanshe dhe krizën që po përjeton shkolla dhe sistemi arsimor në vendin tonë. Askush nuk mund të lejohet të abuzojë, të bëjë sikur po punon apo të fshihet prapa vështërsive, t’i përdorë ato si ombrellë për të mbuluar paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe mungesën e korrektesës së tij në punë. Zgjidhje magjike nuk ka, por përvoja pedagogjike, për krijimin e një mjedisi motivues, që përshkohet nga atmosfera, mirëkuptimi, mirëbesimi, gjenden kudo në shkollat tona. Misioni i mësuesit është i madh. Ai nuk mund të krahasohet apo të barazohet me ndonjë profesion të çfarëdo fushe tjetër. Në përputhje me këtë princip, edhe të ushtruarit e tij ka specifikë e përmasa të pamatshme. Prodhimi i këtij misioni, pra qytetari i ardhshëm, ka mjaft vështirësi të vlerësohet në çast. Vetëm pas shumë vitesh mund të arrihet në përfundime të sakta për efektivitetin e procesit. Ky fakt duhet të vërë në mendime dhe në lëvizje jo vetëm armatën e edukatorve, por të gjithë shoqërinë tonë për të kapërcyer sa më parë problemet e mprehta që kushtëzojnë zgjidhjen e krizës në arsim. I nxitur nga të gjitha këto që përmenda, organizuam një pyetësor, të cilin ua drejtuam nxënësve nga klasa e tetë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Pyetjet synonin të nxirnin informacion për marrëdhëniet në familje, në shkollë dhe në jetën e brendshme të adoleshentëve. Pyetësorët u përpunuan në bashkëpunim me psikologët shkollorë dhe iu drejtuan 1 471 të rinjve të moshës shkollore nga 14 deri në 18 vjeç.

2. Jeta vetjake e të rinjve

Për të tërhequr më shumë interesin e të rinjve, pyetësori u mendua ta shtrinte fushën e përmbajtjes në të gjitha problemet e moshës. Në përfundim të tij, në bazë të përgjigjeve të dhëna u bë e mundshme të kemi një material të pasur, një pjesë të të cilit po e paraqes në vazhdim. Pyetjes sesa ndjehen të lirë për të vepruar, 16,5 % e të rinjve të anketuar u shprehën se janë plotësisht të lirë të dalin me një shok ose shoqe, 9 % se janë të lirë të dërgojnë letra dhe mesazhe, 17.2 % se janë të lirë të zgjedhin dëfrimet dhe shoqërinë dhe 57,3 % e tyre se janë të lirë të zgjedhin studimet dhe profesionin që dëshirojnë. Për një pyetje lidhur me ndryshimet fiziologjike që po pësojnë, përgjigjet përmblidhen kështu: 42,4 % e tyre nuk ndihen aspak të shqetësuar, 41 % ndihen pak të shqetësuar, 13 % ndihen shumë të shqetësuar, 2,6 % nuk pranojnë të përgjigjen. Po lidhur me këtë problem, por për mundësinë e komunikimit, ata u shprehën se 13,4 % e të anketuarve komunikojnë në mënyrë normale me shokët, 24,4 % e tyre me shoqet, 25,3 % me nënën, 5,1 % me babain 13 % me motrën, 6,4 % me vëllain dhe rreth 12 % nuk komunikojnë me ndonjë në lidhje me ndryshimet e tyre fiziologjike. Ndërsa pyetjes nëse kanë të dashur, 3,8 % e tyre iu përgjigjen pozitivisht, 60 % iu përgjigjen negativisht, 3,2 % nuk pranuan të përgjigjen. Për probleme të lidhjeve dashurore, 56,4 % e të anketuarve pohojnë se diskutojnë me shoqërinë, 16,5 % e tyre me familjen, vetëm 1,1 % me mësuesit, ndërsa 23 % e tyre nuk diskutojnë me ndokënd dhe 3 % e nxënësve nuk pranuan të përgjigjen. Të dhëna disi të papritura u volën nga pyetja nëse janë të mjaftueshme njohuritë për problemet seksuale që merren në shkollë. 27,5% e të anketuarve u përgjigjën se ato janë plotësisht të pamjaftueshme, 55 % se ato janë pak të mjaftueshme, 14,5 % e tyre se ato janë të mjaftueshme dhe 3 % nuk pranuan të përgjigjen. Këto të dhëna, duke i krahasuar me përgjigjet e dhëna disa vite më pare, tregojnë se është rritur ndjeshëm numri i nxënësve që tregojnë interes për njohuri të tilla. Pyetjes sa vlejnë për jetën shprehitë dhe vlerat e fituara në familje dhe në shkollë, 16,3 % e të anketuarve u shprehën se janë të pamjaftueshme, 81,7 % se ato janë të mjaftueshme, 0,9 % se ato janë fare të pamjaftueshme dhe 1,1 % e tyre nuk dhanë përgjigje. Pyetjes nëse fëmijët do t’i rrisnin ashtu siç janë rritur vetë nga prindërit e tyre, 24,7 % doli se pajtohen plotësisht me këtë mënyrë, 41,6 % krejt ndryshe nga ç’janë rritur vetë dhe nuk e mendojnë fare këtë problem rreth 33,7 % e tyre. Përqindja e lartë e të rinjve që nuk e pranojnë veprimin e prindërve të tyre dhe se vetë ata do të veprojnë ndryshe, tregon se pakënaqësitë ndërmjet brezave janë në një shkallë që duhet të shqetësohemi, si dhe të gjenden forma pune për të ndërhyrë në përmirësimin e marrëdhënive prindër-fëmijë. Siç del edhe nga sa përmendëm më sipër, adoleshentët shprehen me rezerva dhe kjo është e natyrshme. Por duke marrë parasysh përqindjet me luhatjet, pasaktësitë, fiktivitetin etj., prirjet themelore të zhvillimit të kësaj moshe janë të qarta. Po t’i analizojmë përgjigjet me vemendje, mund të themi se shumë të rinj janë të lirë për të vepruar, por siç “duan e kërkojnë prindërit”. Këtu varet se me ç’prindër kemi të bëjmë, ç’niveli e mentaliteti kanë, për të zbuluar se çfarë modelimi kërkojnë të realizojnë. Ndryshimet që ndodhin në adoleshencë, janë të mëdha. Asnjeri prej tyre nuk ndjehet si më parë. Ky proces që ndodh, shkakton frikë, kureshtje e mister për të ardhmen. Shpesh ndodhin nga ato gjëra, që nuk di si t’i shpjegosh. Prandaj në mungesë të një njeriu të aftë për konsultim, fillon mbyllja në vetvete. Së bashku me ndryshimet fiziologjike, të rinjtë përfshihen në tërheqjet seksuale. Por në këtë fushë janë më të mistershëm, rezervohen të shprehen me shokët e shoqet dhe e kanë gati të ndaluar të komunikojnë me më të rriturit. Njohuritë që marrin për këto probleme në familje dhe në shkollë, janë të kufizuara, ndonëse në realitet gjërat rrjedhin e ndodhin krejt ndryshe. Të rinjtë e vlerësojnë rolin e familjes dhe të shkollës, ata i vlerësojnë këto dy institucione si faktorët bazë për t’u futur në “shtëpinë e jetës”, por si funksionojnë e ç’rol luajnë në të vertetë këta faktorë, duhen parë e duhen vlerësuar me vemendje mendimet e nxënësve. Zhvillimi fiziologjik shkakton probleme të mëdha dhe, veçanërisht, përjetimet e gjinive të ndryshme kanë intensitet jo të njëjtë. Disa nga këto ndryshime janë jo vetëm të papritura, por edhe të pashpjegueshme për të rinjtë, gjë e cila mund të shkaktojë edhe alarm. Në përgjigje lexohet qartë se informacioni, që marrin në shkollë dhe në familje, është i kufizuar e shpesh i paorganizuar. Mbajtja larg këtyre dukurive për t’i ruajtur sa më shumë të rinjtë, është shqetësuese, sepse është e ngritur gati në sistem edukimi.

3.Mbi marrëdhëniet prind-adoleshent

Pyetjes nëse prindërit janë të arsyeshëm në marrëdhënie me ta, 71 % e tyre iu përgjigjën pozitivisht, kurse 29 % e tyre negativisht. Por në vazhdim, të anketuarit mendojnë se 71 % e prindërve të tyre janë të qetë në marrëdhëniet familjare dhe vlerësojnë në komunikime moshën e fëmijëve, ndërsa 18 % mendojnë se prindërit veprojnë sikur nuk kanë qenë kurrë të rinj. Prindërit e humbasin menjëherë durimin sipas 11 % të nxënësve. Të anketuarit identifikojnë një numër të ndjeshëm ndryshimesh në marrëdhëniet me prindërit. 71,4 % u shprehën se e shikojnë jetën në një mënyrë të ndryshme nga prindërit e tyre; 11 % janë për ndryshime në përkushtimin ndaj punës; 11,5 % shprehen për divergjenca në mendimet politike; 4 % në rregullat e mirësjelljes etj. Një përqindje e lartë e të anketuarve, plot 80,9 % e tyre kanë përshtypjen se kuptohen nga prindërit dhe vetëm 19,1 % e nxënësve mendojnë se prindërit nuk ndalen në problemet e tyre. Besueshmëria e prindërve te fëmijët sipas mendimit të vetë fëmijëve paraqitet e tillë: aspak 1,8 % e nxënësve, pak për 20,5 %, plotësisht për 70 % të nxënësve dhe nuk mund të shprehen për këtë 7,7 % të tyre. Edhe për besimin që kanë fëmijët te prindërit, shifrat janë të përafërta: aspak 0,4 % , pak 7,7 %, plotësisht 90 % e tyre dhe 1,9 % nuk mundën të shprehen për këtë. Komunikimi me prindërit është i lehtë për 61 % të fëmijëve, i vështirë për 36,8 % të tyre dhe i pamundur për 2,2 % të të anketuarve. Kanë mendimin se ndihmohen nga prindërit për t’u bërë vetvetja 57,2 %, për t’u ngjarë atyre 34,4 % dhe vlerësojnë se i lënë të lire, 4 % e të intervistuarve. Mosmarrëveshjet kryesore me prindërit fëmijët i kanë si më poshtë: 49,5 % për arritjet në shkollë, 11 % për mënyrën e veshjes, 18,1 % për mënyrën e sjelljes, 14,3 % për ndihmën që japin në shtëpi dhe 7,1 % e tyre shmangen në përgjigjen për mosmarrëveshjet me prindërit. Për 11,5 % e të anketuar familja do të ketë prirje për t’u dobësuar, për 48,5 % do të mbetet po aq e lidhur sa sot, 34 % e tyre nuk e mendojnë të ardhmen e familjes dhe rreth 6 % e të intervistuarve nuk japin mendim. Prindërit sido që të jenë, janë të arsyeshëm, krahasuar me të rinjtë. Kështu mund të përkufizojmë e të përcaktojmë marrëdhëniet e një mase të madhe të rinjsh me prindërit e tyre. Jo në pak raste prindërit veprojnë sikur nuk kanë qenë kurrë të rinj. Ndoshta kjo ndodh se në moshën e rinisë kanë bërë shumë gabime dhe tani kërkojnë t’i rregullojnë me fëmijët e tyre. Raporti i sjelljes prind-adoleshent nga si miq në eprorë e vartës është i diskutushëm. Prindërit kërkojnë shumë prova për të dhënë besimin e tyre. Ata japin këshilla të pafundme, ka mjaft vështërsi për të komunikuar me ta, sepse absolutizojnë përvojën që kanë fituar në jetë. Një familje funksionon mirë kur di të përballojë me sukses ndryshimet që ndodhin në këtë moshë. Kur ndodhin probleme në këto marrëdhënie, ajo që shkakton më tepër dhimbje është heshtja pas një numri të pafund këshillash. Të rinjtë kërkojnë nga prindërit e tyre dashuri, mirëkuptim, respekt reciprok, por edhe një mal me këshilla të shoqëruara me një sjellje të rregullt, që ata të kenë një shembull ku të mbështeten për të përballuar dallgët e jetës. Prindërit përpiqen t’i kuptojnë të rinjtë, por jo gjithmonë e realizojnë këtë gjë. Për këtë arsye, ata megjithëse mundohen, nuk arrijnë t’i trajtojnë adoleshentët me pjekurinë e nevojshme. Kjo bën që në shumë raste të humbasë qetësia e mirëkuptimi. Të rriturit ndonjëherë tregohen egoistë me të rinjtë, nuk vlerësojnë mendimet e tyre, nuk marrin parasysh faktin se këta të fundit kanë një mënyrë tjetër të menduari, të vepruari dhe të sjelluri në shoqëri. Ata kanë e përfaqësojnë modele të reja marrëdhëniesh njerëzore. Në një masë të madhe, familjet kanë probleme ekonomike që krijojnë vështirësi për edukimin e fëmijve. Mirëpo më tepër shkaktojnë pasoja indiferentizmi e lënia pas dore e kontakteve me fëmijët se mungesa e të mirave materiale. Marrëdhëniet në këtë periudhë varen jo vetëm nga gjendja ekonomike e familjes, por edhe nga metodat e edukimit, nga gatishmëria dhe aftësia e prindërve për të pranuar se fëmija tashmë është rritur. Të gjitha konfliktet që lindin në marrëdhëniet prind-adoleshent, burojnë nga ushtrimi i kontrollit prej të parëve për veprimtarinë, sjelljen, rezultatet, zgjedhjen e shokëve etj. Kontrolli i rreptë për gjithçka ka të njëjtat efekte negative si lënia pas dore, indiferentizmi dhe vendosja e rastësishme e këtyre marrëdhënieve. Prindërit që i pranojnë të rinjtë ashtu siç janë, që i marrin vendimet së bashku me ta, që tregohen të rregullt, dashamirës dhe që për gjithçka zhvillojnë dialog të barabartë e të drejtë, janë më të suksesshëm.

4.Nxënësi vlerëson mësuesin

A ka objektiva të parashtruar shkolla? Me çfarë strategjie punohet për drejtimin e të rinjve? Cili është sistemi i vlerësimit që praktikohet? A ka ndonjë taktikë disiplinore për mësuesit? Ç’vlerë kanë tekstet dhe materialet plotësuese? Si shfrytëzohen ato? Intervistimi nxori në pah mendime dhe pikëpamje të ndryshme. Ato përmbajnë një strategji efektive për thithjen e një informacioni të thellë, që meriton të respektohet e të zbërthehet me vemendje të veçantë. Ndjenjat e një të riu nuk janë të njëjta me ato të një prindi apo mësuesi, qoftë edhe për të njëjtin problem. Shoqëria jonë përbëhet nga një numër minishoqërish, me rregulla e vlera të veçanta. Të vëzhgosh sa më shumë dhe të ndërhysh në veprimtarinë e të rinjve vetëm kur nuk ke mundësira të tjera, është veprimi më i drejtë pedagogjik. Të pranohen mesazhet joverbale të nxënësve dhe të vlerësohen lidhjet e vazhdueshme me nxënësit janë mënyrat më efektive të komunikimit. Lidhur me faktin nëse mësuesi shpjegon qartë, 64 % e nxënësve të intervistuar u përgjigjen po dhe 36 % u përgjigjen jo. Po kështu, 65 % e të anketuarve u shprehën se mësuesit sillet me takt, 30 % pa takt, ndërsa pjesa tjetër janë në mëdyshje për sjelljen e mësuesit. Për vlerësimet që bëjnë mësuesit, 65 % e të anketuarve shprehen se vlerësojnë drejt, ndërsa 35 % të tyre shprehen se nuk vlerësojnë drejt. Në përgjigjet e nxënësve vërehet se përgjithësisht vlerësohet pozitivisht sjellja e mësuesit, por ngrihen edhe shumë probleme për ta. Më poshtë po rendisim disa nga problemet më shqetësuese të ngritura nga nxënësit: “...mësuesit japin disa mësime njëherësh..”.,” mungojnë shpesh…”, “flasin ne celular gjatë orës së mësimit…”, “ janë të ashpër…”, “nuk falin”, “ ka nga ata që nuk i kuptojmë gjatë shpjegimit…”, “nuk sillen mirë, sidomos kur janë të nxehur për problemet e tyre familjare”, “nuk marrin parasysh arsyen më të vogël”, “të ndëshkojnë me notë…”, “ta bëjnë orën e mësimit ferr”, “bërtasin shumë, të fyejnë”, “denojnë pa të drejtë”, “vlerësojnë me opinion”, “shfrytëzojnë inatet”, “nuk diskutojnë për problemet jashtë mësimit”, “tregohen indiferentë”, “në përgjithësi, sillen me takt me nxënësit që njohin”, “nuk na ndihmojnë”, “mësuesit e matematikës dhe të fizikës vlerësojnë mirë vetëm nxënësit që marrin pjesë në kurse ose i njohin, të tjerët për ta nuk ekzistojnë”, “nuk na jepet shumë mundësia për t’ u pyetur me gojë”, “kur ngrihesh në mësim, të sheh gjithë inat” etj. Ata cituan emra mësuesish që i fyejnë dhe kërkonin me këmbëngulje që të ruhen nga mësues të tillë. Konkretisht, shprehen: “ata na paragjykojnë dhe kjo ndikon edhe në vlerësimin…”, “shumë mësuesve u intereson vetëm të kryejnë detyrën e tyre, duke shpjeguar mësimin dhe nuk u intereson më tej që të jenë më afër me nxënësit…”, “nëse kjo afri do të krijohet, mendojmë që do të ndikojë në rezultatet tona pozitivisht”, “në sjelljen me ne ka dallim ndërmjet mësuesve të rinj dhe të vjetër”, “disa mësues tregohen mjaft arrogantë në marrëdhënie me nxënësit…”etj. Të gjitha këto mendime të nxënësve të udhëheqin drejt përfundimit se në shkollë ka probleme të mëdha komunikimi, pavarësisht nga përmasat e tyre. Ajo që përcaktohet lehtësisht, është fakti se nuk ndërtohen marrëdhënie të drejta partneriteti, prandaj bëhen diferencime për nxënësit si në vlerësim, ashtu edhe në trajtimin e tyre. Mësuesi është figurë e rëndësishme për nxënësin. Ai në shumë raste merret si pikë referimi, si një pasqyrë e gjithë punës së shkollës. Në intervistat e realizuara me të rinjtë, ka vlerësime pozitive për punën e tyre të palodhur. Por ajo që bie më tepër në sy, është fakti se nuk janë të shkëputura rastet kur tek një numër jo i vogël mësuesish shfaqin dukuri të cilat të bëjnë të ndjehesh me turp. Më shqetësuese paraqitet mungesa e idealizmit, arroganca dhe indiferentizmi në marrëdhëniet me adoleshentët. Të rinjtë përmendën e akuzuan mësues me emra e mbiemra për probleme konkrete të ndeshura, që cënojnë figurën morale të edukatorit, por edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Pra, problemet ishin të gjithanshme. E vështruar më gjerë, kjo situatë është alarmante dhe kërkon analizë të thellë për të gjithë komponentët e punës mësimore-edukative. Periudha e krizës në këto marrëdhënie nuk duhet lejuar të zgjatet më tej. Njëkohësisht, i duhet vënë fre eksportimit të saj. U takon, në radhë të parë, vetë mësuesve të vlerësojnë vetveten, qëndrimin e tyre në raport me nxënësit dhe mjedisin, pa lënë jashtë vëmendjes problemet e shumta me të cilat përballen ata çdo ditë. Që të rinjtë të jenë të etur për dije, të jenë aktivë dhe të pavarur në veprimtarinë njohëse, duhet të nxiten, qoftë edhe për një arritje të pjesshme, duke u shmangur nga përqendrimi i tepërt te mossuksesi apo ndonjë dështim i përkohshëm. Në shkollë, qëllimi është gjithnjë human, prandaj kushtet dhe marrëdhëniet duhet të jënë sa më njerëzore, të përshkuara me frymë partneriteti të vertetë shoqëror. Bërthama e personalitetit të të rinjve kërkon të vlerësohen motivet, të cilat vënë në lëvizje dhe nxisin interesat e tyre në të gjitha fushat e jetës. Vlerësimet e mësuesit janë vendimtare. Ato mund të bëhen burim nxitjeje ose frenimi e mosbesimi, krenarie ose fyerjeje, mund të ngrenë gjendjen emocionale ose të shkaktojnë dëshprim. Për këtë arsye, mësuesi duhet të ketë mjeshtëri të lartë pedagogjike, t’i vlerësojë nxënësit në përmbajtje, t’i edukojë ata me parimet e vlerësimit dhe të krijojë sfond emocional pozitiv në çdo lloj vlerësimi, qoftë edhe kur është negativ. Nxënësit e moshës së rritur shkollore fillojnë të përcaktojnë vendin e tyre në gjithësinë e marrëdhënieve njerëzore. Ata vetëpërcaktohen, prandaj shfaqin ndryshime edhe në drejtim të motivacioneve mësimore. Adoleshentët e rivlerësojnë çdo lëndë mësimore për të përcaktuar bazat e veprimtarisë së ardhshme profesionale në jetë. Në këtë përzgjedhje, ata përcaktojnë dhe interesohen për përvetësimin e njohurive më të domosdoshme, gjë e cila shkakton lënien pas dore të ndonjë disipline tjetër. Mësuesit në këtë moment nuk duhet të abuzojnë me prirjen që kanë të rinjtë për të mënjanuar mangësitë në disiplina të caktuara, duke praktikuar në ndonjë rast veprimtari të paligjshme me nxënësit në lëndët e tyre. Përgjegjësitë për zbrazëtitë e të rinjve në disiplina të ndryshme i kanë edhe mësuesit. Prandaj kërkohet të ndryshojë mentaliteti dhe metoda për shmangien e tyre me një kosto të përbashkët. Në përgjigjet e dhëna nxënësit veçojnë si ngjarje me të hidhura në shkollë që u kanë mbetur në kujtesë: rastet e vdekjes së një shoku apo shoqeje, kur kanë marrë një notë më të ulët nga ajo që kanë merituar, qortimin e ashpër përpara klasës, ndarjen me shokët ose shoqet, kur për arsye ekonomike nuk mund të marrin pjesë në ekskursione apo veprimtari të tjera të organizuara nga klasa, kur shoqërohen në komisariatin e policisë, kur janë ndarë me ndonjë mësues, kur ndodh që ta paralajmërojnë ose ta përjashtojnë nga shkolla, kur prishen marrëdhëniet me të dashurit e tyre etj. Të rinjtë përjetojnë ngjarje intensive dhe është normale që disa lënë gjurmë më të thella. Mënyra si i perceptojnë ata këto momente, është e veçantë, por nuk u shmanget ligjësive të kësaj moshe. Këto kujtime përthyhen e pasqyrohen me frekuencë e intensitet të ndryshëm dhe ruhen për një kohë të gjatë. Njohja e këtyre gjendjeve emocionale nga mësuesit, është e domosdoshme, sepse mbi këto shqetësime duhet të ndërtojnë një nga drejtimet e strategjisë edukative për punën e tyre. Edhe lidhur me atë se çfarë u mungon nxënësve, u dhanë mendime të shumta e të larmishme, si, p.sh,: Në familje : komunikimi, toleranca dhe mirëkuptimi me prindërit, kushtet e mira ekonomike, ngrohtësia e prindërve të vërtetë, një motër ose një vëlla, prania e shumë të afërmëve për shkak të emigracionit etj. Mungesat që rreshtohen më lart, janë vertetë të pranishme në jetën e përditshme të të rinjve. Ato kanë efekte të ndjeshme në mosarritjet, janë në shumë raste pengesa serioze për realizimin i vetvetes, për arritjen e synimeve, realizimin e dëshirave, qëllimeve dhe objektivave. Disa nga mungesat e përmendura ndikojnë drejtpërdrejt në frenimin e zhvillimit të prirjeve dhe talenteve. Kjo gjendje shkakton tek të rinjtë dhimbje dhe zhgënjim, të cilat në ndonjë rast bëhen shkak për depresione të pariparueshme. Në shkollë mungojnë: laboratorë dhe mjetet mësimore, komunikimi, toleranca dhe sinqeriteti në bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe me mësuesit e tyre, pastërtia dhe rregulli, notat e mira, siguria, uniformat e duhura, mjediset brenda dhe jashtë shkollës, bibliotekat e pasura etj. Po kështu, brenda shkollës nuk u respektohen disa të drejta, si: e drejta e fjalës, trajtimi i barabartë mes nxënësve, ndihma e mësuesve kur u kërkohet, e drejta e kundërshtimit, të qenit të lirë për të vepruar kur është e mundshme etj. Ata shtojnë se më tepër shqetësim paraqesin marrëdhëniet që sundojnë atmosferën e shkollës, se mungesa e infrastrukturës së saj. Njëkohësisht, ata duan të dine se nëse mungojnë fondet për të blerë laboratorë, për të krijuar mjedise sa më të përshtatshme e funksionale për të krijuar kushte sa më ideale për zhvillimin e mësimit, çfarë pengon për të krijuar partneritet e marrëdhënie të gëzuara dhe motivuese në shkollë. Ndërtimi i marrëdhënieve të drejta, ku të sundojë respekti i ndërsjellë, etika, toleranca dhe humanizmi nuk kërkon investime në të holla, por kushton e peshon shumë më tepër se ato. Adoleshentët kanë dinjitet, të cilin me të drejtë luftojnë për ta mbrojtur, askush më shumë se mësuesi nuk e kupton dhe e ndjen këtë, prandaj ai kërkohet të jetë edhe luftëtari i parë për ta realizuar atë në jetën e përditshme. Po kështu, ende ka qëndrime patriarkale, të cilat shprehen në njërën a tjetrën formë në veprime të tilla, si: vetëvendosja, bashkëbisedimi, e drejta për të shkuar në veprimtari të ndryshme, e drejta për t’u veshur sipas dëshirës, liria e mendimit dhe në disa raste liria e fjalës etj. Ka kundërshtime ndërmjet mendimeve të nxënësve për konceptimin e lirisë në familje. Ata mendojnë, në masën 2/3 e të intervistuarve, se prindërit i trajtojnë mirë. Në përgjigjet e tyre shihet se ka mjaft probleme në këto drejtime, në të njëjtën intervistë vërtetojnë me kundërthënie se kanë një përkujdesje e tutelë, që i pengon për të vepruar siç dëshirojnë në të vërtetë. Në disa raste vërehet mungesa e hapësirave për të vepruar, kjo ka bërë që të zhvillohet një tip i varur, që megjithëse e dëshiron lirinë, nuk lufton për të dhe në një farë mënyre përshtatet me këtë gjendje. Familja vlerësohet dhe shihet si një shtyllë ku duhet mbështetur për shumë kohë, por në këto marrëdhënie ka konformizëm të papërligjur. Të dyja palët janë të rezervuara ndaj njëra-tjetrës, nuk e zhvillojnë sa dhe si duhet dialogun e vertetë dhe mbyllen në vetvete, gjë e cila nuk e zgjidh problemin, përkundrazi i vonon dhe i vështërson më tepër marrëdhëniet ndërmjet tyre. Për të shmangur disa nga problemet që shtrohen, komunikimi i hapur pa asnjë paragjykim është mënyra më e mirë dhe efektive që mund të praktikohet. Ka një numër të pafund rrugësh komunikimi e mirëkuptimi, mjafton që të ekzistojë vullneti, gatishmëria e nevojshme, sidomos nga të rriturit. Duke analizuar intervistat e të rinjve, dallohen qartë edhe tipat e prindërve, të cilët mund t’i klasifikojmë në këto grupe: a.Prindër që vlerësojnë të rinjtë, që bëjnë gjithçka për t’i udhëhequr për t’i bërë të pavarur, ata kontrollojnë zbatimin e detyrimeve pa cënuar të drejtat e tyre. b.Në një grup tjetër mund të përmendim prindërit që kontrollojnë gjithçka me rreptësi, gjë e cila për disa të rinj është e padurueshme, prandaj shpërthejnë konfliktet. Komunikimi në këtë tip familjesh prishet, fëmijët që përshtaten janë të varur, nuk kanë besim në vetvete dhe moralisht krahasuar me moshatarët e tyre janë më të papjekur. c.Më të vështira paraqiten rastet me prindërit që klasifikohen indiferent e dhunues, të rinjtë që rriten nga këta prindër pasqyrojnë mangësi në komunikim, janë të ashpër dhe të prirur për t’u prekur shpejt nga veprime kriminale në të ardhmen.

 5. Larg nga narkotikët

Në ditët tona, sidomos pas viteve ’90, ka gjetur një përhapje të gjerë sëmundja e rëndë e përdorimit të drogave të ndryshme. Format më të frytshme për të luftuar përdorimin e tyre nga moshat e reja ende nuk po japin frytin e duhur. Zgjidhjet duhen gjetur në veprimtarinë e drejtpërdrejtë. Ato nuk mund të jenë moralizimi, kërcnimi, statistika, por ndërgjegjësimi i adoleshentëve për faktin e rrezikun konkret, si këto lëndë veprojnë mbi trupin dhe mendjen e njeriut, ç’pasoja fatale sjellin për jetën e tyre. Orientimi i adoleshentëve nga e ardhmja, duke u dhënë sjelljet e arsyetuara pse duhet bërë ose jo diçka, është njëra ndër rrugët e drejta që duhet ndjekur për edukimin e tyre efektiv. Krijimi i një atmosfere përshtatjeje ndërmjet fjalëve, sjelljes dhe pasojave të drogës ka, gjithashtu, ndikim të madh për të krijuar ide të qarta parandaluese. Adoleshentët duhet të binden se çdo gjë nuk është krejtësisht e mirë apo e keqe, e drejtë apo e padrejtë. Prandaj zgjidhja e problemeve dhe marrja e vendimeve duhet bërë me kujdes e racionalitet. Natyrisht, kjo kërkon kohë, durim dhe energji të shumta dhe, mbi të gjitha, modele nga vetë të rriturit. Nisur nga të dhënat që nxorëm nga pyetësori i mësipërm, menduam se për ta verifikuar më mirë këtë problem, të zhvillonim një anketë tjetër me 1890 nxënës të shkollave të mesme në disa shkolla në zonat veriore të vendit, përmes së cilës u synua të nxirreshin disa përfundime për përmasat e përhapjes së kësaj dukurie, mjediset e përdorimit, faktorët që e nxisin dhe që e frenojnë përdorimin e narkotikëve. Le ta vështrojmë këtë dukuri përmes përgjigjeve të të rinjve, e shprehur kjo edhe në përqindje: 

1. A e njihni drogën dhe efektet e saj negative ?
a-Po 80,8%
b-Jo 19,2%
2. A keni provuar drogë dhe sa here konkretisht?
a- Një herë 6,1%
b- Më shumë se një herë 3,8%
c- Jo 90,1%
3- A përdorni duhan dhe pije alkoolike?
a- Rrallë 38,2%
b- Rregullisht 4,2 %
c- Fare 5,6%
4- A mbani lidhje me përsona që marrin drogë ?
a- Po 16,9%
b- Jo 83,1%
5- A gjendet me vështirësi droga ?
a- Po 58,5%
b- Jo 41,5%
6- Sipas njohurive që keni, ç’lloj droge përdoret ?
a- Cigare me bimë narkotike 68,7%
b- Heroninë 11,1%
c- Kokainë 6, 4%
d- Barna narkotike 13,8%
7- Duke pasur parasysh një përdoruesi droge që ju njihni, është:
a- Mashkull 87%
b- Femër 13%
8- Drogëpërdoruesi konkret që ju njihni, rrjedh nga:
a- Familje normale 11,2%
b- Me prindër të divorcuar 14%
c- Pa prindër ose me një prind 16,8%
d-Me prindër të shthurur, të alkoolizuar 48%
9- Duke u nisur nga një drogëpërdorues konkret që ju njihni, prindërit i ka:
a- Me arsim të lartë 23,4%
b- Me arsim të mesëm 36,6%
c- Me arsim 8-vjeçar 40 %
10- Drogëpërdoruesi konkret që ju njihni, rrjedh nga një familje me nivel ekonomik:
a- Të mirë 47,5%
b- Me nivel mesatar 43 %
c- Të varfër 9,5%
11- Duke ju referuar një droge përdoruesi konkret që ju njihni, është i moshës:
a- 14-18 vjeç 3,8%
b- 18-25 vjeç 54 %
c- Mbi 25 vjeç 13,2%
12- Cilat janë motivet e përdorimit të drogës ?
a- Fatkeqësi familjare 18,4 %
b- Drama vetjake 25,6 %
c- Nga kurioziteti 56 %
13- Cilat momentet ndikojnë më shumë për të filluar drogën?
a- Ekskursionet 10 %
b- Diskoteka 8 %
c- Ditëlindje, festa të ndryshme 24 %
d- Lidhjet me përdorues droge 58 %
14- Kë duhet të fajsojmë për përdorimin e drogës?
a- Vetë individin 46,6%
b- Familjen 9 %
c- Grupin e tij shoqëror 12 %
d- Trafikantët e drogës 18,4 %
e- Shtetin 14 %
15- Ç’ ju trembin më shumë për të ardhmen ?
a- Vështirësitë ekonomike 22,3 %
b- Mungesa e fatit 22,2 %
c- Droga 19,5 %
d- Lufta 26 %
16- A jeni të kënaqur nga gjendja në të cilën ndodheni ju dhe familja juaj aktualisht ?
a- Shumë të kënaqur 27 %
b- Të kënaqur 51,1 %
c- Të pakënaqur 21, 9%
17- Në rast se keni probleme me drogën, kujt do t’I drejtoheshit për ndihmë ?
a- Askujt 8,2 %
b- Familjes 35,1 %
c- Spitalit 24 %
d- Shoqërisë 17 %
e- Policisë 9,3 %
f- OJF-ve 6,4 %
18- Cilat institucione mendoni se luftojnë më efektshëm drogën ?
a- Pushteti vendor 4 %
b- Organet e arsimit 35 %
c- Policia 32 %
d- OJF-të 29 %
Nga analiza e përfundimeve të kësaj interviste dallohet qartë se dukuria është e përhapur edhe në zona, disa të ashtuquajtura të mbyllura, me një nivel jo të lartë të zhvillimit ekonomik. Është kjo arsyeja pse kërkohet vëmendje e veçantë nga të gjithë faktorët shoqërorë, për të ndikuar për parandalimin, mënjanimin dhe luftën kundër narkotikëve. Përmasat dhe shkalla e shtrirjes së përdorimit të drogës është e ndryshme. Ajo varet nga funksionimi i familjes, mjedisi shoqëror ku rriten të rinjtë, shkalla e angazhimit të shkollës, shoqërisë për të parandaluar e për të luftuar këtë sëmundje. Asnjë kategori familjesh nuk ka imunitet të plotë, edhe të varfërit edhe të pasurit i kanë këto probleme, por përmasat janë të ndryshme. Raportet e përdorimit, tipi i familjes nga rrjedhin rëndom këto kontigjente; mosha, gjinia, mjediset që e nxisin më shumë përdorimin e narkotikëve janë evidentuar pothuajse drejt nga të intervistuarit, por ka edhe deviacione, të cilat rrjedhin prej faktorëve specifikë. Rezultatet na rikonfirmojnë se ku janë burimet kryesore të kësaj dukurie, përmasat reale dhe problemet më të mprehta që rrjedhin prej tyre. Problemi qëndron në faktin se pasi kemi zbuluar nga vjen e keqja, të përcaktojmë rrugët efektive për ta mënjanuar atë. Të anketuarit mendoj se janë shprehur saktë se ku besojnë më tepër dhe ku kanë më shumë rezerva, kush ndihmon në të vertetë e kush neglizhon në këtë drejtim. Në këtë frymë po shfaqim ndonjë mendim për faktorët kryesorë të lartëpërmendur. Në shkollë nxënësit kalojnë një pjesë të madhe të kohës, atje marrin informacion, njohuri dhe fitojnë shprehi. Kjo është arsyeja pse shkolla është partneri kryesor i familjes për edukimin e të rinjve dhe nxitjen e tyre në luftë pa kompromis kundër përdorimit të drogës dhe stimulantëve të tjerë të dëmshëm për ta. Mësuesi me punën e tij të vazhdueshme synon t’i edukojë nxënësit e të zhvillojë tek ata shprehi me vlerë që të përballojnë trysninë negative që ushtrohet nga të gjitha krahët. Të rinjtë duhen mbështetur e duhen ndihmuar që të krijojnë një orientim të qartë për të ardhmen e tyre. Kjo do të përmbajë arsye për t’i thënë jo e për të mposhtur tundimet që vijnë nga faktorë të ndryshëm. Dhënia e njohurive për funksionimin e organizmit njerëzor, informacionet për efektet negative të narkotikve etj., ndikojnë dukshëm për të krijuar ide të sakta dhe për ndërgjegjësimin e plotë të të rinjve. Moralizimi i tepruar për rreziqet e mjedisit rrethues, pa u shoqërua me informacion të nevojshëm, nuk jep rezultatin e duhur, sepse adoleshentët priren drejt aksiomës çdo gjë është e mundshme, por asgjë nuk është e sigurtë. Në këtë fazë edhe prindërit duhet të kenë informacion të plotë për narkotikët dhe efektet e tyre. Fakti që adoleshentët fillojnë të harxhojnë më shumë kohë jashtë familjes, duke bërë pjesë në grupe të ndryshme shoqërore, duhet vlerësuar seriozisht. Pjesëmarrja në grupe të caktuara bën që ndikimi i të tjerëve, të rriturve apo moshatarëve, të jetë gjithnjë e më i madh. Në këtë moment prindërit kërkohet të jenë të informuar për fëmijët e tyre, por jo duke bërë survejime, presione e moralizime. Njëra ndër rrugët më të frytshme është edhe pjesëmarrja në jetën e përditshme të të rinjve në forma të përshtatshme, pa ndikuar që të kthehen në të padëshirueshëm, aq më pak në qesharakë. Prindërit kanë rol të rëndësishëm në këtë çast, ata vlerësojnë, nxisin, njohin dhe mbështesin të rinjtë për edukimin normal, duke mbetur burim vlerash për ta. Dhënia e lirisë pa kujdes e ndihmë, pa komunikim të hapur, pa ditur se me kë shoqërohen ata, cilët janë shokët, ç’prejardhje kanë, nuk ka asnjë vlerë, madje mund të jap efekte të kundërta. Konflikti mes prindërve dhe të rinjve është i natyrshëm në adoleshencë, por ai kërkohet të trajtohet me vemendjen e nevojshme. Pa marrë shumë parasysh përgjigjet e të rinjve, ajo që vërehet është se në shkollë nuk bëhet sa duhet për luftën reale kundër përdorimit të narkotikëve. Problemi është urgjent, ai pranohet me dhimbje, me gjysmë zëri, por përmasat e verteta nuk dihen, sepse ka njëfarë ndrojtje për t’u përballur me të vertetën. Për pasojë, taktika dhe strategjitë për të zhvilluar luftë sipas stadeve dhe kategorive të përdoruesve, lë mjaft për të dëshiruar. Për këtë arsye, edhe besimi i të rinjve te shkolla është disi duke u lëkundur. Prindërit janë më të vlerësuar në këtë drejtim, siç dëshmohet nga vetë të rinjtë, por faktorët e tjerë përgjegjës nuk luajnë rolin e duhur për luftën dhe parandalimin e këtyre dukurive. Pozita direktive e shkollës dhe organeve të tjera, mospërballja e mirëfilltë me rastet konkrete etj., ndikojnë në mbylljen, fshehjen dhe zbehjen e luftës për parandalimin e ngacmuesve të rrezikshëm për adoleshentët. Institucionet e mirëfillta edukative nuk mund ta faturojnë këtë mision tek shoqatat, të cilat, për hir të së vërtetës, në shumë raste po përballojnë me mjaft profesionalizëm edhe dobësitë e faktorve të tjerë përgjegjës. Siç shihet nga të dhënat e mësipërme, adoleshenca është jashtëzakonisht e prekshme nga dukuritë negative. Shqetësimi fizik, ankthi për të ardhmen, kërkimi i identitetit janë karakteristika tipike të kësaj moshe, por dhe joshja, presioni nga grupe të ndryshme shoqërore e nxisin çdo të ri të provojë drogën. Me rëndësi është të bëhet dallimi i të rinjve që e përdorin drogën rastësisht për kureshtje, me përdoruesit e saj të përhershëm, që mbi këtë bazë të përcaktohen rrugët e veprimtarisë së frytshme edukative. U përket vetë të rinjve të distancohen nga përdorimi i drogave të ndryshme. Të rriturit më teper se t’i ndalojnë, duhet të gjejnë shkaqet që i shtyjnë drejt drogës për t’u paraqitur atyre jo një përfytyrim, por një realitet të vertetë ku mund të gjejnë e të gjykojnë veten, që ata të mos vazhdojnë në të ardhmen të sillen sikur s’ka ndodhur gjë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora