E premte, 19.04.2024, 05:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Atdheu në poezinë e Rizah Sheqirit

E diele, 10.10.2021, 12:10 PM


ATDHEU NË POEZINË E RIZAH SHEQIRIT

Rizah Sheqiri: “DEGËZ  E KËPUTUR”, poezi të zgjedhura, botoi “Toena” – Tiranë, 2002

Nga Xheladin MJEKU

Rizah Sheqiri (1961) është sprovuar pothuajse në të gjitha zhanret e krijimtarisë letrare për fëmijë, duke mos lënë anash edhe krijimtarinë në poezi e prozë për të rritur e deri edhe kritikën e herëpashershme, për të krijuar kështu një bagazh të konsiderueshëm të veprve letrare dhe studimeve nga fusha e letërsisë. Ndonëse, jeton në Suedi, krijimtaria e tij na vjen të shumtën në gjuhën amtare. Ka shkruar e botuar edhe në suedisht. Në masë të konsiderueshme ka bërë  prezantimin e kulturës sonë, me krijimtari vetjake dhe me përkthimin e shumë autorëve tjerë, për t’ia paraqitur publikut artdashës suedez arritjet dhe vlerat e letërsisë shqiptare.

Për ta njohur më gjerësisht krijimtarinë poetike për të rritur të Rizah Sheqirit shfletoj vëllimin me poezi të përzgjedhura me përkushtim nga krijuesi dhe profesori i nderuar Osman Gashi, i cili kishte në konsideratë librat paraprak, që këtu vijnë në formën e një kompaktësie të integruar mirë, duke ruajtur kronologjinë e krijimit të kësaj gjinie letrare për një periudhë disavjeçare.

Pema sa më e pjekur të jetë, aq më e shijshme bëhet. Poashtu, edhe poezia sa herë të rilexohet, poaq më i thellë është kuptimi i vargut të saj. Ky mendim krahasimtar me realitetin përmes kësaj thënje popullore, i qëndron mirë edhe krijimtarisë poetike të Rizah Sheqirit, sidomos asaj për të rritur. Poetit sikur i vjen në kujtesë që diçka i është shkëputur nga trungu i tij. Pa e lënduar rrënjën, atë shkëputje e pagëzon “Degëz e këputur”, që në fakt ajo degëz në realitetin që jetojmë sa vjen e zgjerohet gjithandej nëpër botë. Kjo shkëputje e vazhdueshme nga lisi i madh, që në vazhdimësi e tundën kohëra e rrebeshe të shumta, e mbanë veten gjallë nga frymëmarrja e atdheut, me aromën e së cilit mbush dashuri zemrat e mërgatës, për të qëndruar fuqishëm të lidhur për rrënjët shekullore në truallin ilirik.

Shtrirje shumëdimensionale e trajtimit për vendlindjen

Është i madh numri i krijuesve letrar që jetuan dhe vazhdojnë të jetojnë e veprojnë edhe tash jashtë kufinjëve gjeografik të atdheut. Ata parreshtur krijuan vepra dhe i sollën vlera të mirëfillta letërsisë sonë në çdo periudhë kohore, në cilindo kontinent apo vend që u gjendën. Pothuajse e gjithë krijimtaria e tyre shtrihet në tri horizonte të veprimit: ruajtja e lidhjeve të ngushta jetike me atdheun, malli i përhershëm për të dashurit e tyre dhe ëndrra e papërfunduar e kthimit në vendlindje. Këto tri kahe të rrugëtimit jetësor dhe krijues do ta përcjellin edhe Rizah Sheqirin për më shumë se tri dekada, sa vazhdon të qëndroj jashtë vendlindjes së tij. Poezia e tij kryesisht dominohet nga malli për atdheun, për prindërit, sidomos për nënën, me të cilën do të bisedoj shumë herë përmes vargut plot mall e dashuri; pastaj për miqësinë dhe shokët, me të cilët ndërtoi një rini të bukur e plot sfida, me njerëzit që i kujton nga ngjarje të ndryshme, për të pasqyruar kështu një pamje të plotë të prezantimit poetik. Ai, i prirë nga vizioni prej kurreshtari të vazhdueshëm, tashmë i është dorëzuar ndjenjave shpirtërore, që e tundojnë parreshtur në prekjen e mallit dhe dashurisë për njerëzit e tij, që një ditë të takohet me çdonjërin prej tyre. Këtë zbraztësirë shpirtërore mundohet ta përmbush edhe me kujtimet nga fëmijëria, që i shpërfaqen vazhdimisht si hije, dhe e shoqërojnë në çdo pjesë të ditës. Kështu, mund të vlerësojmë se kujtesa nga e kaluara dhe iluzionet e pafund për të ardhmen e përbëjnë koprusin tematik të poezive për atdheun, gjithnjë në përpjekje të sforcimit të idealeve për vendin dhe njeriun e tij, si dy elemente të pandara në frymën e dashurisë së mërgimtarit.

Gjendja emocionale e shprehur në poezinë e Rizah Sheqirit trajtohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga gjendja shpirtërore e subjekteve, nga pozicionet dhe specifikat e tyre në situata të caktuara. Këto përjetime në shumë nga poezitë që trajtojnë mërgimin, si fenomen dhe, dashurinë për atdheun, i përshkojnë nota elegjiake, ndrydhje shpirtërore plot mall, që herë-herë gjenden në bashkëveprim mes shpresave  dhe dilemave, njëkohësisht.

Në këtë shkrim diskursiv për poezinë, me theks të veçantë atë me motive për atdheun, pa e përllogaritur gjithë “arsenalin” tjetër poetik me motive të tjera, do të veçojmë disa nga shumë prekjet sensitive të poetit, prej nga sjell portretin e njeriut të tij të dashur, përmes së cilit lidhen fijet e shumta të jetës, dashurisë dhe ëndrrave për atdheun.

Tematika për mërgimin, e përshkon kryesisht vëllimin peotik “Flutura në erë”, por gjithësesi mërgimtarin e hasim edhe në shumë poezi tjera, të përzgjedhura këtu, që në përmasën e krjimeve për atdheun, si dashuri dhe mall i përhershëm e përbëjnë opusin krijues të përcaktuar për shqyrtim. Pa asnjë hamendësim do të veçoja poezitë: “Këngë vaji”, “Edhe një natë pa gjumë”, “Kur atdheun braktis një fëmijë”, “Faqe ditari e një mërgimtari”, “Natë e gjatë”, “Kur merr botën në sy”, “Degëz e këputur”, etj. ndonjërën prej të cilave do ta “zbulojmë” gjatë rrugëtimit nëpër materjen poetike të këtij vëllimi, që të kemi një ndërlidhje të qëndrueshme tematiko-motivore, që për lajtmotiv kanë atdheun.

Poezitë “Kronikë” dhe “Lagjja ime”, konsiderohen si nistore të këtij motivi, ku preket palca e vendlindjes, për të vazhduar me pasqyrimin e ngjarjeve të shumta, kudoqoftë që të ndodhet poeti. Në bredhjet e tij të përhershme gjithandej trojeve ilirike poeti kërkon parreshtur gjurmë e fakte nga trungu arbëror. Këtë e argumenton edhe poezia “Në Tivar kërkova Migjenin”, që shquhet për veçantinë e kërkimit, ku dhimbja shprehet në mënyrë shumë të ndieshme, derisa poeti përpëlitej ta takonte Migjenin, ai në realitet takon një pjesë të dhimbjes së atdheut. Poeti, në fakt, shtrirjen e atdheut e prek gjithandej nëpër shumë vise të Adriatikut, me gjurmët, toponimet, me shenjat e jetës në hapësirën historike të Ilirisë: “Gjithkah nëpër Tivar e kërkova Migjenin dhe s’e gjeta/ gjithkah e gjeta dhembjen e tij/ gjithkund e gjeta dhembjen për të -/ për rrënjën për gjakun e fisit…” (po aty, fq.11). Gjurmimet e tij do t’i zgjeroi edhe më, duke insistuar që të zbuloi sa më shumë dëshmi për këto vende, që tashmë u kuptua, i konsideron pjesë e pandarë e atdheut që nga epoka e lashtë ilire. Këto plagë që takon gjithandej datojnë nga lashtësia dhe kanë shtrirje shumë më të gjerë, jo vetëm deri në Tivar, si e shpreh me vargjet:

“Plagë paskam në Tivar

e një tjetër atje në Bar

shumë dhembje në Anadoll

në Prishtinë e në Janinë

në Boston, në Aleksandi

në Boletin, në Dragobi…”

(Po aty, fq.13)

Poeti sikur i ka dhënë vetes detyrë parësore të prek çdo cep të atdheut, për të sjellur tek lexuesi imazhin e plotë të tij, me bukuritë natyrore, me ndryshimet, sado të vogla që ishin, dhe  me të gjitha ballafaqimet e njeriut të përvuajtur, duke ngritur vetëdijësimin kombëtar dhe frymëzimin e përkushtuar të brezave në rrugëtimin e pandalur drejt ardhmërisë. Krahasimi i plagëve shekullore të atdheut që kullojnë kohë të gjatë, me ato të Gjergj Elez Alisë, poashtu me lëngim shumëvjeçar, tregojnë sa e madhe është dhimbja shpirtërore e tij: “O vëlla, Gjergj Elez Ali/ zgjohu nga shtrati/ dil nga legjenda/ paskam plagë më shumë se ti!” (po aty, fq. 13). Ai, duke qenë shtegtar i kahershëm, e arsyston shqetësimin e tij për gjithçka ndodh në vendlindje, derisa një ditë do t’i shpërthej “Vullkani i durimit”, nga rrëmbimi i të cilit “diellit do t’i bien syzet, kulçedrës dhëmbët/ mbi një lëndinë me lule të kuqe”, që pastaj në këtë errësirë që e plandos për tokë njeriun e atdheut, papritmas “do të zgjohet ngadalë si në përrallë/ një nuse me vello të bardhë -/ nusja e atdheut” (po aty, fq. 28). Simbolika e bardhësisë këtu vjen me dritën, me ecjet e para të guximshme drejt ardhmërisë, e assesi si një shenjë e dorëzimit, meqë poeti kurrësesi nuk denjon të ngris flamur triumfi, as flamur dorëzimi, po vazhdimisht stimulon ndjenjat patriotike dhe dashurinë e subjektit të tij për çlirimin e atdheut. Në rrafshin e këtyre provokimeve shpirtërore për dalje nga kjo gjendje e rëndë e atdheut kemi edhe poezitë: “Plagëve të mia u duhet diell”, “Kohë të lehurash”, “Anatemë për kohën”, “Buzëqeshje e rreme”, “Baladë”, etj.

Derisa poezia “Parathënia”, hap perden e rrugëtimit të gjatë shtigjeve të panjohura nëpër botë, poeti do të pyeste: “kohë e bukur/  a bën mbi glob/ a çelin lule/ a del pranverë/ ndonjëherë/ për ne – flutura në erë?“ (po aty, fq. 47). Fluturat identifikojnë personalitetin e tij prej mërgimtari, dhe të shumë mërgimtarëve tjerë, në shtegtim për të gjetur një fole, ku do ta presin ardhjen e një pranvere edhe për ata. Po ajo pritje assesi nuk mund të jetë e qetë, meqë shpirti i tij i trazuar gjithnjë është në kërkim të shtigjeve të reja, prej nga do të arrinte të përmbushte synimet, ashtu si edhe gjithë populli i tij i përvuajtur. Me poaq dhembje do ta kujton edhe “Amanetin” e Nënëlokës, që e këshillon për rrugëtimin e tij: “po vrapove/ kujdes/ mund të rrëzohesh/ mbahu mirë për toke/ edhe nëse fluturon”, (po aty, fq. 48). Këto fjalë-amanet  çdoherë do t’i tingëllojnë në vesh, duke e kujtuar tokën, me të cilën beson se do të mbahet i lidhur shpirtërisht, për ta çuar në vend amanetin e gjyshes. Rrugëtimi i tij nuk ndalon as në kohëra me shi, as në vapën përcëlluese. Ai në shpirt do të ndiej peshën e rëndë të fjalës së nënës edhe kur ka festë. E tillë është jeta e mërgimtarit, ku në çdo kohë e stinë e bren malli i vendlindjes, i njeriut dhe kujtimeve për çdonjërin prej atyre me të cilët thurën kujtimet më të bukura. Edhe “Në ndërrim motesh” kur bota feston, ai do të flet me nënën përmes vargjeve, pa pasur mundësi të ngrenë dolli urimi:

“shihemi në ëndërr

diellin e kemi në sy

ngrejmë gotat plot dashuri

e rrokemi në grykë

i cakërrojmë

g ë z u a r…”

(Po aty, fq. 52)

Këtë distancë kaq të largët, gati të paarritshme, e krijojnë shumë faktorë, ndër të cilët poeti i identifikon shiun dhe retë e zeza, që do t’ia mbulojnë qiellin duke i pamundësuar të shihen, por urimet nuk i ndalon asgjë: “e hajt gëzuar nënë/ diellin ta varim në çati”. Duke e përjetuar rëndë mungesën e nënës, asnjëherë nuk do ta pranonte këtë largësi fizike, derisa e ka në zemër, meqë  nga malli për të, prapëseprapë edhe “në ndërrim motesh/ na dridhet buza/ nga vaji/ I shtrëngojmë dhembjet në zemër” (po aty, fq. 53). Por, përkundër këtyre pengesave, edhe në kushte të tilla ia del t’i realizon urimet për festën. Ky mall nuk është veç në ditë e data të caktuara, por ai djeg çdoherë, poashtu si do të djeg dashuria për atdheun. Kjo hallkë e pashkëputur mes mërgimit dhe atdheut e përcjellë gjithmonë, si jë lidhje zinxhirore, që as forca më e madhe e inercionit nuk do ta shkëpusë.

Rizah Sheqiri dhe atdheu qëndrojnë bashkë çdoherë e në çdo kohë. Edhe atëherë kur “pranë tavolinës/ vë dorën në ballë/ për atdheun, për nënën, për diellin/ malli seç më kall”. Ai do t’i gëzohet arritjes së agimit, edhepse i ndodhur dikund “larg atdheut -/ në kurbet, në shtërngatë/ e munda edhe një natë” (“Edhe një natë pa gjumë”, fq. 54). Kjo angështi shpirtërore e përcjellë edhe më tutje, në përpjekje të mund netët, ditët, javët e muajt e jetës plot sfida prej mërgimtari. Që t’i ketë në kujtesë këto ndodhi, si dëshmi e një kohe plot krajata, ai do të bënte një veprim të mirë, duke i shënuar një për një kujtimet e tij, që pastaj t’i shpalos para opinionit të tij ato “Faqe ditari e një mërgimtari”, dëshmi e argumentuar me faktografi të shumta sa interesante, poaq edhe rrënqethëse, sa edhe vetë koha nëpër të cilën do të kalonte poeti.

Përkundër këtyre situatave kaq të trishta, mes dashurisë së madhe dhe dhimbjes së përhershme për atdheun, poeti herëpasherë sheh “Diell në dritare”, pastaj dëgjon me mallëngjim “Këngën e Besës”, për ta kuptuar se “Vonë, tepër vonë” ka ardhur në këtë botë që të ndreq gjithë ato të këqija që i kanosen atdheut, duke na kujtuar poashtu se “Heret, tepër heret  nga mosha e tij “errësirë e dhembje më rënduan kurrizin” ( po aty, fq. 60). Këtu, mërgimi do të paraqitet i zhveshur nga çdo maskim, mes mallit për atdhe dhe tretjes si qiriu, në përmasën e natës shekullore sa e tërë jeta e tij, në vargjet brilante që pasojnë:

“Në mërgim – në vetmi…

me mallin për atdheun në gji

digjesh – tretesh si qiri

një natë e gjatë – sa një mijë

vallë kjo natë sa e shkretë

sa natë e gjatë në mërgim kjo jetë”

(Natë e gjatë”, fq. 61)

Rizah Sheqiri, dalngadalë do ta kuptoj se që kur u degdis larg atdheut: “Shtrëngata një degëz nga trungu e shkuli/ era e mori dhe larg larg e shpuri” (“Degëz e këputur – 1”, fq. 62), por, ndonëse degëza tashmë kishte marrë rrugëtim të largët, “Trungu i paluhatur përballoi erë e shtrëngatë”. Shpjegimi i këtij rrugëtimi përmbyllet mes dhimbjes dhe shpresave, që hetohen nga përqëndrimi i vullnetit të pashterrur për jetë në atdhe: “Një trungu tjetër në gji iu fut por kot/ e tëra u shndërrua në dhembje - në lot” (“Degëz e këputur – 2”, fq. 63). Me poaq ndjeshmëri e gjejmë të trajtuar dashurinë dhe ëndrrat e pafund për atdheun edhe në poezitë: “Borë bie mbi kokën time”, “Nëna mallkon korbin”, “Mëmëtokë”, “Lotët ma kallën shpirtin”, “I mërdhirë mes dy zjarresh”, etj.

Poeti sikur i jep kurojo vetes, me bindjen e plotë se “Do të vijë një ditë/ të gjitha rrudhat/ do t’i  shfletojmë nga balli” dhe “Të gjitha të shkuarat/ të gjitha të ndodhurat/ do t’i shtrojmë në një sofër një ditë” derisa “jeta shndërrohet në kujtime para perëndimit/ te ne/ kujtimet do të zhvishen lakuriq” (“Kur jeta shndërrohet në kujtime”, fq. 71), për të besuar se edhe koha e kaluar prej mërgimtari një ditë do të përfundoj, dhe do t’i rikthehet jetës normale në vendin e tij, prej nga  burojnë vargjet e shpirtit plot dashuri e mall të pasosur.

Ringjallja, apo prehja në atdheun e dashurive të mëdha

Veçanërisht në poezinë “Mall për gjyshen” ravijëzohet e plotë ndjenja e mërgimtarit, ku përveç kujtimeve të shumta, ai shpërfaq dhimbjen për vdekjen e gjyshes, por assesi të pajtohet përfundimisht se e ka humbur atë, të cilës i drejtohet me fjalët:  Gjyshemira, flokëthinjura ime e dashur/ si paten guxim të më thonë se ke vdekur”, derisa vdekjen e sheh tek vetvetja: E dashura gjyshe njerëzit ndërrojnë jetë/ në atdhe s’vdesin jo – në kurbet vdiqëm ne/ për së gjalli të mbuluar nga dhembja e malli”, për ta pyetur për herë të fundit: “po më thuaj njëmend, gjyshe-thinjoshja ime/ a kam vdekur unë i mërguar a ke vdekur ti” (po aty, fq. 94). Ky hamendësim e përcjell edhe më tej, kur në poezinë tjetër do të përballet me vdekjen si diçka e patejkalueshme, e shprehur përmes pikëllimit, që i rëndon dy herë vdekje, meqë ashtu i tretur rrugëve të botës vështirë  se një ditë do ta gjen prehjen shpirtërore. Poeti sikur e imagjinon një ditë kur ringjallja do të përjetohet me kthimin në atdheun e tij, atje ku preken e përjetohen dashuritë e mëdha. Por, pavarësisht këtyre shpresave, derisa ai ndodhet ”Në kurbet”, ku çdoherë “Pikëllim/ është edhe gëzimi/ e lëre më pikëllimi” (”Në kurbet”, fq. 89), sepse atje gjithmonë ndihesh “I humbur”, edhepse “Atdheu i dha emër/ po emrin ia tretën rrugët e botës” (po aty, fq.92). Mërgimtari në vazhdimësi do ta “kërkon rrënjën”. Ai e kërkon parreshtur trungun, prej nga del degëza, së cilës i takon. Kjo rrugë kaq e gjatë në kërkim të njeriut të gjakut dhe vendlindjes, për të cilët qëndron i lidhur si mishi e thoi, sepse “pa atdhe njeriu është i humbur/ I humbur përtej çdo skaji të gjithësisë/ I mbuluar përjetë me mjegullën e dendur të tëhuajsisë” (po aty, fq. 92). Sa e dhimbshme është jeta, e kuptojmë edhe në poezinë “Shtegtar”, ku përfundimisht shpërfaqet frika, pasiguria e tij që në çastet e fundit “lëngon të prehet s’paku një herë në jetë”, në atdhe, sepse, një ditë “nën kokë do ta vërë një gur/ po s’është i sigurt a do të jetë i tij edhe varri/ që s’paku i vdekur të mos shtegtojë shtegtari!” (po aty, fq. 93).

Atdheu ishte dhe mbetet frymëzim dhe dashuri e përhershme e një shtegtari me shpirt të trazuar, që ngarend gjithandej viseve të largëta, në kërkim të gjetjes së rrugës përfundimtare të  kthimit në folen e ngrohtë, prej nga fluturoi kaherë me krahë “Fluture në erë” që drithërinë nëpër kohë e stinë.

Degëz e hapur

Rizah Sheqiri krijon vargje të konsoliduara, me figuracion të larmishëm dhe rrjedhshmëri gjuhësore. Ai do ta pasuroj në vazhdimësi opusin e tij me poezi me motive të shumëllojshme, ku shquhen sidomos ato me tematikë për kurbetin dhe atdheun, si dy skaje të largëta që përpiqen të përafrohen me shumçka, duke tërhequr diagonalen e veprimit drejt lidhjeve të ngushta përmes dashurisë së përhershme. Kjo ndërlidhje vjen e shkrihet në një pikë të përbashkët të kujtesës dhe përpjekjeve të parreshtura në ndërtimin e botës vizionare të tij.

Mesazhet e kësaj peozie janë kryekëput të motivuara nga dashuria e përhershme e subjektit të tij, të cilit ia atribuon gjithë përkushtimin; janë mesazhe në frymën e këshillave, sugjerimeve dhe ngritjes së idealit për atdheun; një frymëzim me specifika origjinale të njeriut të përmalluar për vendlindjen, nënën, për të afërmit dhe, në përgjithësi të njeriut me shpirt të trazuar, i ndryrë në jetë, qoftë edhe nga mungesa e ajrit të atdheut të largët, që e përjeton në çdo hap të jetës.

Ndërlidhjet e fuqishme shtegtar-atdhe në poezinë e Rizah Sheqirit pikojnë dashuri, mall, dhimbje dhe përjetësi, për të portretizuar mërgimtarin me të gjitha karakteristikat e tij prej njeriut që ëndërron bukuritë e jetës dhe mëton jetën e bukur në atdheun e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora