Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë?

| E premte, 08.10.2021, 07:11 PM |


A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë?

Nga Entela Binjaku

Ky është i disati artikull që ka në qendër zhvillimet në të njëjtin fshat. Në të gjitha rastet problematika që  ka nxistur shkrimin, ka qenë e ndryshme, ndërsa komuniteti është po ai: banorë të një zone ku dora e shtetit nuk duket aspak. Sa të tillë dimë në vendin tonë?!

Shkolla ku fëmijët marrin dijet e para në gjendje të mjeruar, shërbimet shëndetësore si përshembull stomatologjike që mungojnë plotësisht, mungesa e energjisë elektrike  për 24 orë etj. E ndërsa për  problemet shkruan me shpresën që të ndryshojnë, të vetmit për të cilët mund të shkruash me bindje të palëkundur, janë banorët.  Banorët e këtij fshati u bashkuan dhe kërkuan që shkolla për fëmijët të mos mbyllej, si fshat i banuar në shumicë nga pakica kombëtare kërkuan mësimin e gjuhës për më të vegjlit, ata protestuan për rrugën sipas premtimit të bërë nga pushteti,  po këta banorë mblodhën para për të ndërtuar kishën e fshatit, vetë ata dhe fëmijët e tyre në emigrim mblodhën para për të ndihmuar një familje në  dhe mjerim dhe pa asnjë ndihmë etj.  Po këta banorë zemërbardhë kanë pritur miq nga jashtë dhe brenda vendit duke i respektuar dhe vlerësuar. Por tani të moshuarit kanë nevojë për kujdes!

Kësaj here historia që nxiti këtë artikull është kjo: Todi Saranxhiu nga fshati Mekat (2) i komunes Shushicë, është një i moshuar që prej 10 vjetësh ndodhet në regjim shtrati. Ai nuk lëviz, nuk flet dhe prej këtu mund të nënkuptohen të gjitha vështirësitë që kalon ai dhe bashkëshortja. Të tre fëmijët e këtij qytetari si fëmijët e shumë të tjerëve, ndodhen në emigracion.  Pasi kaloi 7 vjet pa një kujdestar, në këto tri vitet e fundit Todi ka një të tillë. Ky është Sokrati,  banor i këtij fshati i cili pas shumë muajsh pritjeje bëri thirrje për ndihmë. Prej muajit mars pagesa e paaftësisë për këtë qytetar është ndërprerë. Pasi ishte marrë kjo pagesë që njihet ndryshe si KEMP-i  për dy vjet,  ju ishte kërkuar rinovimi i dokumentacionit.  Pas  vlerësimit nga Komisioni përkatës në Vlorë,  dokumentacioni i këtij të moshuari u përcoll në Tiranë. Pas disa muajsh Sokrati, si personi kujdestar merr një telefonatë nga Tirana ku i thuhet se do të kryhet një verifikim për vërtetësinë e gjendjes së Todit. Por nga ky çast ka vetëm heshtje. Askush deri më sot nuk shkuar të vizitojë për verifikim këtë qytetar në nevojë.    Ndërkohë pavarësisht gjendjes, nëpërmjet kujdestarit të tij, familja Saranxhiu ka paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit, ka blerë mjekimet, ka paguar shërbimet infermieristike kur i sëmuri ka pasur nevojë gjatë natës dhe tani që dimri po afron nuk  ka më mundësi të blejë as dru për t´u ngrohur.

Nga vlerësimi që i është bërë aftësisë së kufzuar,  ky qytetar ka të drejtën e përftimit të pagesës së paaftësisë dhe të një kompensimi për energjinë elektrike. Por tani pas kaq muajsh ende nuk ka marrë asgjë!  Sipas rregullave, pas shqyrtimit nga komisionet kombëtare, dosjet  kalojnë për shqyrtim tek komisiont eprore sipas sëmundjeve.  Janë këto komisione që shqyrtojnë dosjet për sëmundje të përgjithshme, verbërinë, sëmundjet e shëndetit mendor, si dhe paraplegjinë dhe tetraplegjinë. Nga vlerësimi që i është bërë Todit, ai është tetraplegjik. Po sipas rregullave të njëjtën  masë  pagese e  përfiton  edhe   ndihmësi personal i personit  me  aftësi  të kufizuar.

Duke u larguar nga ky fshat, një  i moshuar me një pagesë pensioni që nuk  mjafton as për minimumin e jetesës,  që nuk ka as fëmijët pranë, nuk merr asnjë shërbim kur ka nevojë për ndihmë, atëherë cfarë si jeton ai? Cfarë jete bën ky i moshuar?  Kush i  dëgjon nevojat e tij? Por kur është  sëmurë kronik,  a arrin ai ta marrë mjekimin e plotë?

Dëshmitë e të moshuarve në shumicën e rasteve tregojnë se ata vuajnë pamundësinë për aktivitet fizik,  probleme me shëndetin, vetminë! Shto këtu edhe urinë: Pagesa e pensionit është aq e vogël sa pasi shlyejnë të parat detyrimet ndaj shtetit, cfarë u mbetet nuk mjafton as për të shuar urinë. Edhe në këtë rast zakonisht janë fëmijët apo të afërmit që u vijnë në ndihmë! Nëse kanë të tillë  dhe kur ata munden… apo kur kanë ndjeshmëri!

Kur nis të shkruash për të moshuarit në Shqipëri, është si të  shkruash për të varfërit!Të varfër në rini, të varfër dhe në moshën e thyer! Por tani  të përballur edhe me indiferencën shtetërore! Atëherë  ku është dinjiteti njerëzor në këtë rast dhe a respektohet ai?

Institucioni përgjegjës për hartimin e politikave shoqërore në Shqipëri është Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Shoqërore. Kjo ministri ka njohur dhe ka marrë përsipër dhe organizojë dy festat e të moshuarve: 15 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Abuzimin me të Moshuarit dhe 1 tetorin, Ditën Botërore të të Moshuarve.

Në këto dy ditë bota mbarë ndërgjegjësohet dhe kundërshton ndaj abuzimeve dhe vuajtjeve që u shkaktohen brezit më të vjetër dhe kërkon më shumë vëmendje ndaj tij.

Po ne për cilën vëmendje shoqërore po flasim? Ku është mbrojtja për këta njerëz të varfër dhe të moshuar? Çfarë politikash dhe programesh ka kundër varfërisë dhe ku po zbatohen ato nëse jetesa e një të moshuari shqiptar as nuk i prek dhe as nuk ndryshon?!

Një studim i viteve më parë i OKB-së deklaronte se Suedia ishte vendi ku një i moshuar jetonte më mirë dhe Afganistani ishte vendi ku një i moshuar jetonte më keq. Kjo renditje  kryhej bazuar në nivelin e të ardhurave, cilësinë e shërbimit shëndetësor, kushtet e mjedisit ku jetojnë jetojnë. Dukë i parë të moshuarit shqiptarë, duke  ditur të ardhurat, cilësinë e shërbimeve shëndëtësore që marrin apo shërbime që as  nuk i marrin, kushtet e varfëra ku jetojnë, ku renditet në vitin 2021 Shqipëria? A është kjo mirëqënia që këta të moshuar shpresuan në këto 30 vitet e fundit? A është ky dinjiteti që ëndërronin kur ishin më të rinj, kishin më shumë energji, ishin aktivë, kur punonin e mbanin në këmbë familjet e tyre? A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për shtresën më të rritur në shoqërinë tonë?