E shtune, 27.11.2021, 05:36 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Zotniu

E merkure, 06.10.2021, 06:52 PM


Zotniu

Nga Edison Ypi

Zotniu nuk është ky legeni që mbahet për serioz dhe rren në Fejsbuk.

Zotniu i vërtetë pëlqen ose nuk pëlqen, komplimenton ose refuzon.

Zotniu që shpif, intrigon, trillon, nuk është Zotni, është llum, është pështirosje.

Zotniu që është Zotni, i di mundësitë dhe aftësitë e veta, është i vetmjaftueshëm, është i durueshëm, nuk ankohet për asgjë.

Zotniu që rënkon e ofshan ose zgërdhihet e gajaset, është një kërrmill, një butak, një qurre, që fajin për paaftësinë e vetes kërkon t’ja hedhi të tjerëve.

Po ja talle Atdheun dhe Flamurin, Zotniu t'i ngul thonjtë në fyt ose ta plas kokën pas murit.

Nëse Zotniu nuk mbron Atdheun dhe Flamurin, nuk ke të bësh me një Zotni por me një flliqsir.

Zotniu nuk është gdhë.

Zotniu është i sofistikuar.

Zotniut që i duket këngë e bukur “O violino cigano” është një trashanik i pavlerë.

Zotniu dëgjon muzikë serioze në sallën e koncertit.

Zotniu është modest, është altruist.

Zotniu ka turp të flasi për veten e vet.

Zotniu që dërdëllit për veten, nuk është Zotni, është zorraxhi.

Zotniu e fal jetën për Atdhe', Fe’, Dashuri. Mashtruesi hileqar që Atdheut i fal llafet, nuk është Zotni, është zagar.

Zotniu mund të jetë edhe tifoz. Por kjo nuk e lartëson. Futbolli nuk është për zotnilerë. Futbolli është për proletarë. Zotniu ka një mijë gjëra të tjera për të bërë para tifozllëkut. Zotniut që mburret me tifozllëkun, i raftë damllaja.

Zotniu nuk përdor kurrë pseudonim, por emrin dhe mbiemrin e plotë të shkruar korrekt që nuk i prek asnjë gërmë mishin t’ja presësh me gërshërë. Zotniu që fshihet me pseudonime mburracake dhe mbështillet me flamuj dhe shkaba që nxjerrin zjarr nga goja, është një ndyrësirë që i vë shkrepsen Shqipërisë për pes lek.

Zotniu shkruan Shqip me ë dhe ç. Në mos, nuk është Zotni, është injorant.

Zotniu rrëfen shkurt e qartë me fjalë të zgjedhura e të kursyera.

Zotniu i rrejshëm i bie nga Kina me stilin e soc-propagandës me partizanë, gjermanë, diversanta, heronj të stisur.

Zotniu del në fotografi me prapa shpinës portretin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut etj.

Zotnijtë kallpa dalin në fotografi me mishra përpara, mëlçira, tava.

Zotniut që nuk i rrëshqet 1 pik lot për Dashurinë apo Fatet e Atdheut, nuk është Zotni, është spurdhjak.

Kush nuk ka parë në jetën e vet një fshat internimi, nuk është Zotni, është plehër.

Zotniu nuk kullot nëpër fast fuda sa herë e merr uria.

Zotniu ha në shtëpi ose në restorant.

Zotniu për së mbari lexon libra sa më të vjetër.

Zotniut për së prapi i ka mbetur ora te gazeta "Puna".

Zotniu i rrejshëm, është një meskin, një mizantrop i ngutur, një zevzek që merret me gjëra atypëraty dhe tanipërtani.

Zotniu i vërtetë është serioz, solemn, shpirtmadh, zemërgjerë, bartës dhe përhapës i principeve milenare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora