E enjte, 28.03.2024, 05:34 PM (GMT)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Luan Kalana - Devoll Albania

E hene, 04.10.2021, 05:31 PM


“Prerje vertikale e historisë dhe përditshmërisë së një treve atdhetare, Devoll, Albania”

Kumtese - Shqyrtim analitik rreth librit “Devoll Albania-sprovë-panoramë” i shkrimtarit ,publicistit dhe studiuesit të talentuar Luan Kalana, SHBA.

Nga Hyqmet Hasko - shkrimtar

Ai që në këto tre dekada  e ca vjet është quajtur procesi i rishkrimit të historisë, ose më saktë i plotësimit dhe saktësimit të ngjarjeve historike, (pasi historia në vetvete vetëm një herë mund të shkruhet), ka rezultuar një proces i vështirë, që jo gjithmonë ka çuar ujë në mullirin e të vërtetës historike. Por ka autorë dhe tekste që kur e thonë fjalën, e vënë pikën mbi “i”. Këto të vijnë ndërmend si pësiatje kur lexon një libër të mirë, të shkruar me sharm dhe realizëm, një libër ku mplekset dokumenti, fakti arkivor, kujtesa e të gjallëve dhe e të vdekurve, me një stil të zhdërvjelët dhe kolorit të pasur gjuhësor.

Një libër i tillë, që të nxit ta lexosh me një fymë dhe t’i kthehesh për ta rilexuar, si një zbulim, është libri “Devoll Albania sprovë panoramë” dhe dy librat e tjere ne vazhdim, i shkrimtarit ,publicistit dhe studiesit të talentuar Luan Kalana.ne SHBA.

Ky libër i kushtohet njërës nga trevat më mbresëlënëse të trojeve etnike shqiptare, Devollit të pushkës e penës, të trimërisë e sakrificave, të poetëve më në zë dhe martirëve të lirisë, treva që qëndron si një kurorë lavdie e përjetësie për nga intensiteti i bëmave në trupin dhe kokën dhe Shqipërisë sonë Natyrale.

Dhunti e mrekullisë së nënës natyrë, me një peizazh mahnitës, një perlë shqiptare e pse jo ballkanike dhe europiane, me thyerje dhe befasira të paimagjinueshme, Devollin e bëjnë më interesant dhe më sugjestiv vetë devollinjtë, njerëz të urtë e punëtorë, të penës e të dijes, të atdhedashurisë, me gjurmë të mbetura në vite e shekuj qëndrese të pashembullt. Për shkak të këtij vektori historik dhe kombëtar, çdo tentativë për të dëshmuar të vërtetat e Devollit, ku bën pjesë dhe ky libër aq intersant, mund të ishte vetëm një pjesë e atij spektri mrekullor, me të cilin na shfaqet kjo krahinë e bekuar nga nëna natyrë dhe vetë dora e Krijuesit.

Pasi bën një udhëtim gjeotoponimistik, gjeopsikik dhe etokulturor, duke evidentuar traditat më të mira të kësaj krahine, autori përmend figurat më në zë të Devollit, që nga poeti kombëtar Dritëro Agoli, që e ka mbartur Devollin e tij kudo ku ka vajtur, si një peng malli e dashurie të pashterur, (autori me të drejtë e quan Homer i trojeve shqiptare), vazhdon me burra të luftës e të punës, me trima e patriotë të sprovuar, duke rreshtuar faqe pas faqeje fakte e dokumenta, që hedhin dritë mbi bëmat e tyre.

Kushdo që kupton nga bota e librave,  e di që ndërmarrja e një botimi të tillë, për një krahinë kaq të ngjeshur në vlera dhe resurse kombëtare, është një ndërmarrje e vështirë. Por autori ia ka dalë mbanë, duke na përcjellë historinë e vjetër dhe të re të Devollit, në rrafsh vertikal, me një pasuri ngjarjesh, panoramash, figurash, që popullojnë faqet e këtij libri.

Ky libër është dëshmi e jetëve dhe shpresave njerëzore, të jetuara jo thjeshtë për vete, për familjen, për farefisin, por për gjithë Devollin, Korçën e e Shqipërinë, për të cilat rrojtën me nder e dinjitet poetët, heronjtë, martirët, njerëzit e lirë të kësaj treve historike.

Duke udhëtuar nëpër Devoll, në fshatrat e tij, nje mesues “nomade” shetites i Gjuhes dhe i Letersise per gjysem shekulli neper Shqiperi, i pasionuar atdhetar ,hulumtues dhe eksplorues ,edukator,autori takon personazhe të gjallë e të vdekur, takon fise e dyer me emër, burra të njohur e më pak të njohur por që kanë në shpirt orën e kurdisur të dashurisë njerëzore. Kalana që jeton larg në SHBA, në Florida, ka mall, ka një nevojë të ngutshme për t’u rrëfyer, për të kuvenduar me Devollin  e tij, ka një nevojë po aq të ngutshme, bile të papërballueshme për t’iu rrëfyer çdo guri e druri, çdo luleje e dege, çdo frymori që gjallon në këtë tokë të bekuar.

Shkrimtari kryen një mozaik kërkimesh të vevetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.

Luan Kalana është një letrar dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me këtë libër ai tregon jo vetëm njohje të thellë të objektit për të cilin shkruan, por dhe një stil të përpunuar letrar, me fjali të pasura në kolorit gjuhësor, me figura të zhdërvjellëta dhe dinamike, që e shikon historinë herë në rrafshin horizontal, herë në atë vertikal.

Këndi e stili i rrëfimit plot ngjyra, personazhet që përbëjnë dhe objektin e ndriçimit të tij, sjellin tek këndonjësi i çdo moshe një kënaqësi të thellë estetike dhe japin qartë panoramën e një kohe të jetuar, tamam ashtu siç ishte. Copëza jetë për njerëz të dëgjuar e të thjeshtë, portrete të qëndisura për bujq, minatorë, traktoristë, poetë, mjekë, ndërtues, gazetarë, barinj, mësues të nderuar, drejtues të ndryshëm, artistë, sportistë etj.

Kohërat gjithnjë paraqesin sfidat, mitet dhe komplekset që rrjedhin prej tyre, nëpër udhëkryqet shënohen si piketa ngjarje historike, njerëzit janë të dënuar të qëndrojnë në këto udhëkryqe për të ecur para, ose për të ndalur në vend. Sepse gjithë jeta është një lëvizje e pashtershme në këtë histori. Në librin e këtij autori lëvizin si të gjallë njerëz të thjeshtë duke u bërë personazhe të kohës me një projeksion historik të caktuar, njerëz të pushtetit e të qeverisë, njerëz që ruajtën karakterin e ata që u molepsën. Kujtesa e fiksuar në shumë përvoja shtjellohet përmes një principi të palëkundur: vërtetësia jetësore. Nuk është vështirë të hetohet qëllimi i autorit i mbështetur fort në një lëndë të pasur jetësore, për t`i sjellë këto personazhe në dritëhijet e kohës, komplementarë siç janë, larg skemave dhe gjykimeve të skajshme, ashtu siç u ravijëzuan në të vërtetë, duke i qëndruar besnik koloritit kohor, po edhe theksimeve të sotme aktuale, me idetë që përçojnë përmes besës, burrërisë, karakterit, vetëdijësimit krahinor po edhe kombëtar.

Nuk ka dyshim se hulumtimiet e autorit në fusha dhe spektre të ndryshme historike dhe aktuale janë një dëshmi kokëfortë  e një realiteti që nuk bën të mos e ndjesh, as mos e perceptosh, aq më keq ta anashkalosh.

Pasuria e emrave, përmendja e tyre me korrektësi duke i vendosur në shtratin e viteve, sfondi i kohës me ngjyresat e caktuara ideologjike, pa bërë retush, përmes vëzhgimit të hollë të një realisti po edhe të një intelektuali që e ka për kujdes fjalën në të vërtetën e vet është një tjetër veçori e prosedeut shtjellues në këtë libër.Ngjarja e treguar nga të tjerët, përkuar me ndodhitë e jetës përmes mikëpritjes apo rastësive, lënë shteg për të nxjerr në pah karaktere të caktuara të  të vetëdijshëm për kuptimet patriotike, për fjalën e saktë jehona e së cilës do të mbahet mend gjatë.

Mund të themi se kemi një galeri njerëzish që portretizohen  përmes njohjes së autorit që është e pasur, e nga kjo pasuri , portretet shpëtojnë nga standartizimi i përshkrimit duke u bërë interesantë sepse ata më së shumti i përkasin larmisë së jetës sesa larmisë së imagjinatës dhe përfytyrimit për to.

Mozaiku i pamjeve të jetës që duket sikur rrinë më vete, po në të vërtetë plotësojnë njëra tjetrën, synon në plotësimin e manifestimit më të mundshëm të dashurisë njerëzore, të dëshmisë së shkruar për mbijeteësn historike dinjitoze të Devollit, kryemburrjes së autorit atje larg në dhe të huaj, ku bashkëbisedon me gurët dhe njerëzit, me të gjallët dhe të vdekurit që kanë hyrë në histori….Historia vazhdon  ajo shkruhet me vertetesi e reale nepermjet deshmive dokumnetave,por dhe nga goja e folsit te gjalle dhe okular te pamohushem sic ka evidentuar “kronikani” Luan Kalana,ne Devoll.

Urojme pene te parreshtur dhe te begate ,mikut,kolegut tone te dashur mergimtar publicistit ,shkrimtarit shqiptaro-amerikan”Shkronjesi Modest”,per botime te reja te sukseshme me vlera te pasura per historine tone kombetare, per Devollin dhe Shqiperine

Hyqmet Hasko ,shkrimtar Tirane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora