Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 50 vjet nga ekzekutimi i klerikut dhe dërgimi i trupit pa jetë në kadavër
E merkure, 29.09.2021, 07:22 PM
50 vjet nga ekzekutimi i klerikut dhe dërgimi i trupit pa jetë në kadavër
Nga
Kastriot Dervishi
Dom
Shtjefën Kurti u arrestua më 11.6.1970. Nga leximi i të dy dosjeve (formulare
dhe hetimore-gjyqësore), del fare qartë se pushkatimi nuk mund të përligjej
edhe sipas legjislacionit të kohës. Me vendimin nr.54, datë 30.7.1971 të
Gjykatës së Rrethit Krujë u dënua me vdekje për “sabotim” dhe agjitacion e
propagandë. U la në fuqi me vendimin nr.806, datë 8.9.1971. Më 23.9.1971
Presidiumi i Kuvendit Popullor i refuzoi faljen e jetës. Nga data e këtij
vendimi e deri në ekzekutim kaluan disa ditë. Vonesa dhe trajtimi nga Dega e
Punëve të Brendshme Krujë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, me sa duket
është bërë për arsyen e kërkesës nga Fakulteti i Mjekësisë.
Ekzekutimi
u krye më 29.9.1971 në “vendin e caktuar” në Dajt. Gjatë kësaj kohe, Dom
Shtjefni është mbajtur në Repartin nr.313 në Tiranë. Të pranishëm në ekzekutim
kanë qenë hetuesi Vangjel Kote, zëvendësprokurori i Rrethit Krujë Piro Suli,
zëvendëskryetar i DPB Krujë Ramiz Palmi dhe mjeku Asim Ylli. Pas vrasjes që
është kryer nga njëri prej 3 ekzekutorëve që ka pasur Drejtoria e Punëve të
Brendshme Tiranë është vepruar sipas autorizimit, duke iu dhënë “rezultati”
doktor Asim Yllit, njërit prej mjekëve që rezulton edhe në raste të tjera që ka
tërhequr kufomat për nevoja të Fakultetit të Mjekësisë. Më 20.10.1971
Prokuroria e Rrethit Krujë i dërgoi Presidiumit të Kuvendit Popullor
procesverbalin e ekzekutimit në Tiranë, një rast krejt i rrallë ky. Për këtë
arsye, ky procesverbal u administrua në dokumentet e fondit nr.489 në AQSH.