Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano V)

| E shtune, 06.12.2008, 02:06 PM |


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano


Mustafa Xhani dhe sherri në parlament

Në korrik 2003, pasi Meta doli nga qeveria , kryeministri Nano bëri çdo përpjekje për të blerë vota edhe nga opozita në mënyrë që të tregonte se ka akoma mazhorancën, por edhe të kalonte dy dekretet e Moisiut për vendet bosh në ministrinë e Jashtme dhe në ministrinë e Rendit Publik. Luan Rama kishte dhënë dorëheqjen nga posti , pasi një sherri banal me gazetarin Ilir Babaramo. Emri i Fatmir Xhafës vinte në parlament për ta zëvëndësuar Luanin. Fatmiri është profesionist në zanat dhe një politikan i ri në PS me integritet e përspektivë në hierarkinë socialiste. Ma kërkoi votën, pasi luftohej për një ose dy vota që të kalonin dy dekretet e ministrave.

-Fatmir !-i thashë në kafen e parlamentit- Nuk kam asgjë me ty, por me zotin Nano , i cili e ka kthyer qeverisjen si nje oborr familjar tamam si sulltani i Bruneit. Do të votoj kundër dekretëve- e mbylla bisedën me atë, nisur nga ideja se rrëzimi i dekreteve do të sillte edhe largimin e Nanos duke krijuar domosdoshmerisht edhe krijimin e një qeverie tjetër. Ishte në të mirë edhe të opozitës që më mirë një qeverisje e mirë përballë zgjedhje se sa një qeveri e korruptuar.Votimi tregoi se Fatmir Xhafa humbi për një votë dhe zoti Dokle për dy vota. Pra Nano ra politikisht dhe duhej të jepte dorëheqjen. Është normale në çdo vend që pretendon se mbetet me parime demokracie që kur humb mazhorancën në një votim të tillë politik kryeministri jep dorëheqjen. Nëse dorëheqja është e parevokueshme ose jo është çeshtje dinjiteti e atij që udheheq mazhorancën deri para se të votbesohej. Pra me këtë votim zoti Nano u rrëzua.

Sapo mbaroi votimi në sallën e Kuvendit kishte një tension të madh. Nervozizëm nga njëra anë dhe entuziazëm në anën tjetër tek kundërshtarët e kryeministrit. Unë nuk po manifestoja asnjërën. Rrija në vendin tim, pasi do të votoheshin edhe disa projektligje. Ndërkohë ma bën me shenjë ministri i Shendetsisë Mustafa Xhani. Ngrihem dhe shkoj drejt tij.

- Nikollë , i thuaj Natalisë që të mos vijë më në punë –më tha dhe uli kokën.

Natalia është ime shoqe. Ajo ka mbaruar mjeksinë dhe ishte punësuar në ministrinë e Shendetsisë në vitin 1998. Më vonë në vitin 2001 kishte filluar punë si drejtore e personelit dhe e burimeve njerëzore në ministri pas një konkurimi tek DAP (Departamenti i Administratës Publike) që natyrisht varet nga kryeministri. Ajo është krejt tjetër nga natyra ime e zhurmshme dhe e rremujshme.

-Pse , nuk është korrekte në punë ?- e pyeta dhe e ftova për një kafe .

-Kështu të thashë !- mu përgjigj prerë ministri.

-Ore seriozisht e ke ?- iu drejtova

-Po. Nuk mund të punoj gruaja jote në administratën e Nanos, ndërkohë që ti votove kundër tij dhe pro Berishës- ma ktheu ministri, por këtë rradhë dukej më i frikësuar.

-Hajde më mirë e pijmë një kafe e ta sqarojmë, pasi po nxitohesh –insistova me idenë që t’i hiqja dozën servile ndaj kryeministrit.

-E mbyllëm këtë muhabet !- tha ministri. Është e shkarkuar nga puna- vazhdoi me inat.

-Administrata e Shtetit nuk është pronë private e Nanos- u nxeha dhe nga pak po më shtohej zemërimi për këtë mënyrë hakmarrje të ndyrë.

-Vazhdo tani, ec !- insistoi prapë ministri, duke më bërë shenjë të largohesha nga podiumi ku rrinin ministrat. Pas kësaj një valë zemërimi më pushtoi shpirtin e në pak sekonda ministri fluturoi nëpër tavolinat e parlamentit. Ndërhynë Viktor Doda, Ben Blushi, Ilir Meta dhe Bashkim Fino që të ma shkëpusnin nga duart, por nuk kishte Perendi që ma hiqte inatin. Televizioni shtetror me urdhër të Artur Zhejit nxitoi ta transmetonte direkt sherrin tim me ministrin Xhani që në të vertetë e hengri kot së koti, pasi ishte urdhëri i kryeministrit ai që në shenjë hakmarrje për votën e qëndrimet në media kishte urdhëruar ministrin Xhanin për shkarkimin e gruas time nga detyra dhe përjashtimin e saj nga krejt Administra Publike. Në të vertetë duhej që në vend të ministrit Xhani të kisha fërkuar kokën e kryeministrit, por që shpëtoi pasi kishte ikur me nxitim me sirena policie.

Më pas një odise gjyqesh e ankimimesh vazhdoi me vendin e punës së time shoqe, e cila kur e larguan nga ministria e Shendetisë me urdhër të kryeministrit e ankimoi vendimin e tyre në Komisionin e Sherbimit Civil që është gjykata më e Lartë e Administratës Publike. Ky komision i zgjedhur nga parlamenti dhe që vendos për konfliktet apo largimet në Administratën Publike nga ministrat apo kryeministri dha verdiktin zyrtar që Natalia duhej të kthehej në punë në postin e fituar me konkurim. Prapë nuk pranohej në punë . Urdhëri i prerë i familjes kryeministrore ishte dhënë që “gruaja e Nikollë Lesit kurrsesi në administratën shterore”. Ndërhyra tek Filloreta Kodra drejtoreshë asokohe tek DAP dhe më tha se keni të drejtë, por nuk do kryeministri.

-A duhet zbatuar vendimi i Komisionit të Sherbimit Civil ?- e pyeta Filloretën në zyrën e saj në kryeministri.

-Po !- mu përgjigj ajo

-Atëhere ?- prapë e pyeta, duke i thënë se çeshtjen do ta çojmë në gjyq

-Po mundohem ta çoj në një tjetër ministri në pozitë me të ulët , ndonëse bazuar në ligj ajo duhet të kthehet ku ishte në atë ministri e në të njëjtën detyrë- foli zonja Kodra e cila ndodhej në një siklet të madh, pasi kishte frikë se do ta merrte vesh kryeministri e do ta shkarkonte. Në të vertetë keshtu ndodhi. Më vonë, kur kryeministri e mori vesh që ajo kishte firmosur për gruan time që të rikthehej në punë e pushoi nga puna drejtoren e DAP-it në kryeministri.

Megjithatë Filloreta Kodra, gjeti forca që të zbatonte ligjin dhe të kundërshtonte indirekt urdhërin inatçor të kryeministrit. Dërgoi shkresë tek ministria e Punës dhe e Çeshtjeve Sociale që Natalia Lesi emërohet si punonjëse në sektorin e Burimeve Njerzore. Në të vertetë , nëse duhej zbatuar ligji, ajo duhej të ishte në pozicionin e fituar me konkurim, porse heshtëm, duke ditur inatin e zotit Nano dhe që mund të hakmerrej edhe kundër Filloreta Kodrës. Në vjeshtën e vitit 2003 ishte minister në ministrinë e Punës Valentina Leskaj. Nuk kaluan disa javë dhe dikush nga njërzit e kryeministrit kishte raportuar se “ prapë gruaja e Nikollë Lesit është kthyer në punë “. Filloreta Kodra mori dajak të mirë dhe më pas u pushua si drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike që varej nga Keshilli i Ministrave. Ministra Leskaj u thirr urgjent në zyrën e Nanos ku iu dha ultimatumi që “ brenda orës 15.00 gruaja e Nikollë Lesit të pushohet dhe dalë nga zyrat shtetrore” ! Këtë gjë ma ka thënë vetë Valentina Leskaj duke u ndjerë e turpëruar.

Nisi vargu i gjyqeve. Gjykata e Apelit e kthen prapë në punë, pasi gjykoi se urdhëri për largimin e saj nga puna ishte i kundraligjshëm. Ministria e apeloi në Gjykatën e Lartë. Edhe Gjykata e Lartë dha përsëri vendim që ajo duhej të kthehej në punë.

Prapë urdhëri i kryeministrit Nano ishte që ajo të mos kthehej në punë.

Ylli Dylgjeri drejtor Informacioni tek kryeministri më tregoi tek

Grand Hotel për një të bertitur të Nanos në vilën kryeministrore, sapo ky i kishte hapur bisedën për pushimin e gruas time. Do të mundohem ta tregoj siç ma tha Dylgjeri.Pas Kongresit të fundit të PS në dhjetor 2003 Nano kishte ftuar një drekë Ylli Dylgjerin dhe Aldrin Dalipin për disa informacione. Dylgjeri ishte ulur afër kryeministrit.

-Don një xhin Ylli !-ishte drejtuar kryeministri me një gaz sa nuk i pëlciste faqet e rrudhshme.

-Dopio !- kishte folur Dylgjeri.

-Ah, ç’shkerdhatë që je ! Po të sherbej unë. Do akull ?-fliste Nano në një çakerqejf të jashtëzakonshëm. Pinin dhe tregonin barcaleta me femra. E qeshura kishte pushtuar vilen kryeministrore.

-Zoti kryeministër ! A mund të të bëj një pyetje ?-ishte futur pak me tepër se sa duhej në miqësi Dylgjeri të cilin e kisha mik, pasi ai kishte punuar disa vite tek gazeta “Koha Jonë”.

-Fol ! Kërko çfarë të duash ! Do prona ? Do ndonjë drejtor dogane?-fliste i pirë kryeministri.

-Vetëm mos u nxeh të lutem- insistonte Ylli Dylgjeri, pasi një parandjenjë e mundonte se mund ta pësonte.

Fol ore !

Urdhëro që gruaja e Nikollë Lesit të kthehet në punë, pasi është pushuar padrejtësisht. Jam mik me Nikollën. Më ka mbjatur në punë kur ti ishe në burgun e Saliut- kishte mërmeritur me gjysëm zëri Ylli.

Përjashta ! Qërohu ! –ishte nxehur kryeministri- Nikollë Lesin do ta shkrij, more vesh ti!

Mënjëherë kishin hyrë rojet dhe e kishin nxjerrë në mënyrë “demokratike” Dylgjerin nga vila kryeministrore. Nano ishte konvertuar në një hakmarrës të egër ndaj kritikave të mija. Pothuaj të gjithë deputetët opozitarë, pa llogaritur të mazhorancës, i kanë të punësuara gratë në administratën shtetrore. Ndërsa i vetmi që përndiqesha isha unë. Edhe Ritvan Bode e drejtues të tjerë të opozitës së asaj kohe i kishin gratë të punësuara në administratën shtetrore, dhe që duhet të jetë normale, perderisa flasim për shtet ligjor. Me mua kishte inat të madh zoti Nano.

Nuk ndalonte këtu hakmarrja. Vellai im që kishte mbetur në punë shteti u pushua.. Ai ka mbaruar degën e frengjishtes dhe diplomuar edhe në Akademinë e Rendit Publik. Ka kaluar një kurs specializimi në MAPE , policia e Bashkimit Europian. Ilir Gjoni e kishte emëruar për korrektësinë në punë shef komisariati policie në Pukë , kurse ministri Luan Rama e çoi në Mirditë, po shef komisariati. Është natyrë korrekte dhe strikt në ligj. E kishin lajmëruar një natë se një bandë kriminelësh po plaçkiste udhëtarët në ora 3 të natës në rrugët e veriut dhe kishte hypur vetë në timonine makinës së policisë. Bashkë me grupin e gatshëm kishte luftuar me banditët, të cilët kishin qëlluar më bresheri atuomatiku sapo kishte vajtur policia. Një plumb e kishte zënë në xhaketë , në sup. Edhe sot, si i papunë, e mban kujtim xhaketën me atë plumb që mund ti kishte marrë jetën. Me 25 tetor 2003 drejtori i Policisë së qarkut të Lezhës me shkresë zyrtare e shpërblen me një pagë mujore për korrektësi në zbatimin e ligjit, kurse pas dy javësh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Bajram Ibraj e shkarkon dhe përjashton përgjithmonë nga Policia e Shtetit. Kur e pyeta zotin Ibraj mu përgjigj:” Ti e di ! Është urdhër nga lart !”.

Unë kisha shtuar kritikat që me ardhjen e Nanos kryeministër në tetor 2002. Pra, nëse do të isha konformist do ta lavdëroja Nanon ose të heshtja. Nuk heshta , pasi nuk mund të heshtje përballë qeverisjes së zotit Nano, e cila ishte më e korruptuara që nga viti 1991. Ndërsa ai shfrytëzoi postin dhe mi hoqi të gjithë njërëzit nga puna. Nuk mbeti njeri me mbiemrin Lesi në punë shtetrore. Të gjithë të përjashtuar ose shkarkuar me ceremoni me urdhër personal të Nanos. Edhe një kusheri që ka shpëtuar ka ndërruar mbiemrin nga Lesi në Lesaj, por ka shpëtuar gjer më sot .Kur e pyesnin se nga je ai pergjigjet: “ Jam nga Shkodra !”. “E ke gjë Nikollë Lesin !”- epysenin. “Jo, Jo !. Nuk kam të bëj me lidhje gjaku me të !”- thotë duke menduar pushimin nga puna.

E kuptoj. Don të jetoj ai . Ka plot pesë kalamajë për të mbajtur. Inati i pushtetit mbetet shkaterrues për një familje të thjeshtë.

14 maj 2004, tre padi në një ditë

Acarimi i kryeministrit , i sponsorizuar nga gruaja e tij Xhoana, sa vinte e rritej. Unë kisha kërkuar me të drejtën time si deputet shpjegime nga ministrat Spartak Poçi e Kastriot Islami ( kur ishte ministër Financash) që biznesi i Xhoana Nanos të bëhej transparent. Kishte mendime se ajo shfrytëzonte pozitën e të shoqit kryeministër për të përfituar dhjetra milionë. Nuk po akuzoja, por kërkoja shpjegime. Kjo është detyra e çdo deputeti , të ngrejë zërin për çdo gjë të kundraligjshme e jo të blihet apo të flejë në sallën e Kuvendit. Ministrat më dhanë me shkrim një pjesë të asaj çka unë kërkoja. Megjithatë shumë dokumenta me erdhën nga burime të treta, natyrisht shtetrore, por pa dijeninë e Nanos, pasi kishin frikë se i shkarkonte e i fuste në burg. Prokurorin e Përgjithshëm, si shumë institucione të tjera të pavarura, zoti Nano i kishte futur në dorë. Dhori Sollaku, kryeprokuror i Republikës priste vetëm urdhërin nga kryeministri për të më hetuar apo vënë nën kerkesën për heqje imuniteti me pretekste të kota. Nano gjithcka e kishte nën kontroll absolut. Unë kisha vendosur të vazhdoja sulmin me fakte e dokumenta kundrejt tij dhe bizneseve që ai kalonte në emër të së shoqes.

Nuk vonoi dhe erdhi reagimi i Nanos. Me 14 maj 2004 firmos tre padi kundër meje. Një në gjykatën e Tiranës ku kërkoi bashkë me dy keshilltarët e tij si dëmshpërblim 40 milionë lekë, pasi gazeta “Koha Jonë” e kishte “fyer dhe cënuar në dinjitet” për botimin e faksimiles së vendimit të qeverisë së datës 14 janar 2004, ku siç tashmë dihet, ai mori me vendim qeverie pesë paga mujore shpërblim për vete dhe nga pesë paga edhe për dy keshilltarët e tij . Pra ai kishte shkelur ligjin duke vjedhur buxhetin e shtetit me argumentimin se “ ishte lodhur për të privatizuar bankën e Kursimeve” ! Kryeministri si dhe çdo zyrtar tjetër paguhet nga buxheti i shtetit për punën e tij dhe nuk mundet që ti shkojë as nëpër mendje kujtdo, aq me shumë kryeministrit që të firmosë për të shpërblyer veten e tij. Nëse kjo që kishte bërë kryeministri shqiptar me këtë vendim do ta bënte një kryeministër në një vend tjetër të botës atë do ta nxirrnin me shqelma nga zyrat shtetrore. Unë bëra një padi në Prokurorinë e Përgjithshme për “shperdorim detyre” të zotit Nano dhe kërkova që kryeministri të kthente në buxhetin e shtetit afro 20 milionë lekë që kishte marrë si shpërblim pa të drejtë. Prokuroria e Përgjithshme e Republikës brenda 12 diteve , nën alarm, me kthen përgjigje zyrtare se “kryeministri ka të drejtë të shpërblehet, pasi ka investuar lodhje diplomatike dhe ka nxitur drejtuesit e bankës së Kursimeve që të përshpetojnë privatizimin e suksesshëm” ! Absurditet maksimal i Prokurorisë së Përgjithshme. Komprementim total i institucionit të akuzës shqiptare. Cdo institucion i pavarur kushtetues kishte rënë nën varësinë totale të tij. Fatosi ishte kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe paksa President Republike, pasi i linte dicka në torbë Presidentit Moisiu. Padia e dytë ishte drejtuar Gjykatës së Lartë për procedim penal ndaj meje. Ishte firmosur nga Xhoana Nano. Kurse padia e tretë po në këtë datë firmosur po nga Fatos Nano, porse në cilësinë e kryeministrit, ishte drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme. Tre padi në një ditë ! Nuk ka ndodhur në botë që një kryeministër të firmosë tre padi ndaj një personi brenda një dite. Ishte për librin Gines.

I pandehuri Nikollë Lesi ! Ngriju në këmbë –e hapi gjyqin gjyqtari Gerdi Hoxha në Gjykatën e Tiranës në mesmaji të vitit 2004. Padia e datës 14 maj ishte futur me urgjencë në seancë gjykimi. Për 21 ditë gjyqtari Hoxha zhvilloi katër seanca gjyqi dhe në fund me dënoi me 20 milionë për “cënim nderi e dinjiteti të Fatos Nanos”.Epo çudi e madhe. Nano nuk ka as nder e as dinjitet për vete dhe e kërkon nga mua ! E donte dhe në lekë ! -Në gazetën “Koha Jonë” krahas vendimit të qeverisë 14 janar 2004 ku zoti Nano shpërblen veten e tij me pesë paga mujore- vazhdonte gjyqtari në argumentimin e tij – ju keni fyer në një shkrim editorial për këtë vendim qeverie edhe Agim Isakun, keshilltarin e kryeministrit, duke e quajtur “sejmen i kryeministrit”.

-Nuk ka asnjë fyerje apo cënim dinjiteti. Përkundrazi kryeministri ka fyer shqiptarët duke shpërblyer veten e tij vetëm pesë ditë pas tragjedisë së karaburunit ku u mbyten 21 veta- vazhdoja unë në gjyq.

-Fjala “sejmen” sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe-ligjeronte gjyqtari Gerdi Hoxha- do të thotë “një njeri që i shkon pas nje beu”. Pra ju e keni fyer dhe cenuar në dinjitet Agim Isakun- vazhdonte gjyqtari. Ishte e kotë të flisje. Ai kishte marrë urdhër të prerë për të më dënuar . Tani sa herë e shikoj në rrugë ai gjyqtar ul kokën nga turpi.