E enjte, 25.04.2024, 12:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Hetimi i një artisti të ri

E enjte, 03.08.2006, 11:19 PM


Nikolin Bujari. Është rasti për të folur për këtë të ri, pasi galeritë i kanë pushtuar profesionistë e amatorë, e kur nuk është fort i qartë fati i shumë të rinjve që marrin një diplomë arti, ca mbyllen në provincë si mësues vizatimi, ca të tjerë i ikin përgjithmonë vendlindjes në kërkim të një fati tjetër

Me moshë nxiten dhe përfytyrimet për paradokset. Nëse një mesoburrë intelektual me logjikë të ftohtë i pranon si pjesë e një realiteti tranzit në zhvillim, një 22-vjeçar i trajton paradokset si pjesë e kërkimit në art. Ca më shumë i riu Nikolin Bujari i fut në këndin e hetimit, duke i shuar kufijtë e përfytyrimit qytetar e artistik që njeriu mund të ketë për fenomene e zhvillime, sidomos në përditshmërinë urbane. Është rasti për të folur për këtë të ri, pasi galeritë i kanë pushtuar profesionistë e amatorë, e kur nuk është fort i qartë fati i shumë të rinjve që marrin një diplomë arti, ca mbyllen në provincë si mësues vizatimi, ca të tjerë i ikin përgjithmonë vendlindjes në kërkim të një fati tjetër, për t’u bërë artistë. Nikolini mbylli studimet këtë vit në Akademinë e Arteve të Bukura, në atelierin e artit vizual me profesor piktorin Edi Hila. E la Shkodrën, qytetin e lindjes dhe jeton në Tiranë, pa punë. Ka një trup imcak prej liceisti, mban një çantë të vogël rrobe dhe një dosje ku ruan tre-katër punë të vetat, në fotografi dhe DVD. Shkodranishtja e tij është aq e konservuar sa ç’janë ca kërkime të tijat mbresëlënëse që të shtyjnë të mendosh se ndoshta në të ardhmen do të jetë nga ata artistë që i mbajnë fort të lidhura ca fije me qytetin e lindjes. Një nga këto është “Mirësevini në Shkodër”. Në ditët e nxehta të fushatës elektorale, korrikun e shkuar, një anëtar i grupimit në idenë “Koha për ndryshim”, me posterin e tij kishte pushtuar tabelën e madhe ku në hyrje të qytetit shkruhet dygjuhësh “Welcome to Shkodra”. Ajo që ka bërë Nikolini i brishtë e me një nuhatje të hollë, në pamje të parë duket se i ngjan sa një pune rekuizitorësh bashkiakë, sa zemëratës së ndonjë militani politik të krahut tjeër kundër grupit të “Kohës për ndryshim”. Termi që përdor ai është aksion urban. Dhe në fakt është i tillë. Ai ka xhiruar hap pas hapi aksionin e kryer nga ai vetë, se si mbërrin në “vendngjarje” me një palë shkallë portative të kuqe, dhe aktin e zhveshjes së tabelës nga posteri elektoral, shqitjen e portretit të kandidatit për deputet bashkë me slloganin që kishte fshehur fund e krye frazën e mikpritjes së qytetit. Është një akt i kryer në mes të ditës, por krejt ilegal, aq sa ishte i tillë zaptimi që i kishte bërë kandidati hapësirës publike. Para se të rrezikojë, djaloshi kishte bërë një hetim të situatës, ose më saktë fenonemit që i rezultoi se ishte një paradoks pra një formë anormale, absurde, jashtë logjike. Kjo pjesë e xhiruar zgjat jo më shumë se pesë minuta. Përfundimi është ky: Nikolini ndërhyn në një hapësirë duke vendosur apo hequr një situatë.
Një tjetër rrethanë paradoksale “e zbuluar” nga i riu, që lidhet drejtpërdrejt me impotencën e shtetit, shfaqet në punën “Kulla Lanë”. Shumë kryeqytasve u kujtohet mirë aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje buzë përroit Lanë. Vetëm njëra ia doli të mbijetojë pas kësaj. Një tre a më shumëkatësh përballë të cilit aksioni u gjunjëzua. Thuhej se aty “u ngujuan” disa gra pa burra, ndërtesa “shpëtoi”. Ndërhyrja e Nikolinit është fare e thjeshtë dhe e lehtë. Ai e zhvillon situatën duke e përpunuar këtë ndërtesë deri sa ajo të marrë gjendjen dhe gati formën e një ndërtesë tip kullë, të vjetër, ashtu si kullat në veri ku ngujohen prej gjakmarrjes. I riu nuk e përdor teknologjinë, sepse nuk i pëlqen të manipulojë, por ky përpunim ishte një rast për të hyrë të brendësi të një realiteti të shumëfishtë forcash, siç ka ndodhur sa herë në Tiranë. Për shembull, tani që çështja e “Zogut të Zi” konsiderohet e mbyllur, është pak vonë që ai të kujtojë një ndërhyrje tjetër që ka bërë me imazhet e rrethrrotullimit në ndërtim e sipër, po që nga kalimtarët është marrë si pjesë e reklamimit të projektit.
Këtë qershor ai ndërmori një aksion duke instaluar në disa stacione një hartë të linjave të autobuzave të Tiranës. Ishte një informacion i thjeshtë mbi transportin lokal dhe që administrata e bashkisë së Tiranës mund ta shfrytëzonte fare mirë këtë hartë-ide.
Po çfarë raporti ruan me pikturën ky ish-student i Akademisë së Arteve? Të ndalesh në këtë pikë për një 22-vjeçar të papunë që këmbëngul të merret me art, nuk ka si të mos flasësh për mbijetesë. Me pikturë në moshën e tij je i humbur. Nga ana tjetër është edhe çështje parimi. Nikolini ka bindjen se çdo vepër arti duhet të vijë era kohë, të mbajë vulën e saj. Këtë detyrë mendon ai se ka brezi i ri sot, të dokumentojë kohën, e vendit, e njerëzve të vet, aq më tepër në një realitet të mbushur me kontradikta. Ndoshta një ditë Nikolini do t’i zhgënjejë të gjithë ata që i kanë besuar, ose do të ndodhë e kundërta se po të kërkosh e krijosh vetëm gjen dhe i hedh shtat një pemë që dikur ishte filiz. Njëri nga ata që i ka besuar është profesori i tij pë katër vjet Edi Hila. Ai e prezantoi së fundi bashkë me tre studentë shqiptarë në
një ekspozitë në Badiscer-Kunstverein Karlsruhe. Ishte një projekt i quajtur Tirana-Book-Transfer, ku u prezantuan nëpërmjet punëve të të rinjve shqiptarë edhe gjendja e sotme e kryeqytetit shqiptar. Ky prezantim bëhej brenda klisheve dhe të vërtetave të njohura: pas izolimit politik Shqipëria është vendi që i ka privuar artistët e rinj nga mundësia për të paraqitur në publik çka krijojnë. Mes të tjerash, punët e tyre janë vlerësuar për realizmin që është njëherësh autentik dhe poetik dhe për vëmendjen që i kushtojnë ndryshimeve në shoqërinë shqiptare në shekullin e njëzetenjë. Tani fillon dhe për Nikolin Bujarin lufta me veten. Nuk ka më profesorë, nuk ka më konsulta mbi krye.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora