Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: E shqiptarët çka bajnë?

| E marte, 28.09.2021, 08:00 PM |


Blerim Latifi:

Nga Kongresi Berlinit i vitit 1878 Serbia ka pasur fat të madh në konfliktet ballkanike e europiane. Nga Kriza Lindore e atyre viteve ajo doli si shtet i pavarur. Pastaj doli fitimtare në luftën e parë dhe të dytë ballkanike. Edhe në përfundim të Luftës së Parë Botërore ajo u gjet në mesin e fitimtarëve të saj. Hiç më keq nuk doli as nga Lufta e Dytë Botërore. Me këtë bilanc pozitiv luftërash, ajo u nis për t'i fituar edhe luftërat ndëretnike në fundin e shekullit të kaluar, por kësaj rradhe historia nuk ishte në anën e saj. E humbi luftën me Kroacinë dhe me Kosovën, ndërsa në Bosnjë u detyrua të kënaqej me një gjysmë fitore. Shekullin XX, të cilin e kishte nisur duke qenë e përgëdhelura e Rusisë dhe e fuqive perëndimore, e mbylli me turp, e dënuar ashpër prej këtyre fuqive.

Ky fakt nuk është duke e lënë të qetë Serbinë, prandaj vazhdimisht i rikthehet retorikës ultranacionaliste, vazhdimisht armatoset, i kërcënon fqinjët me idetë e Botës Serbe dhe nuk lë gjë pa bërë që fqinjët e saj, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova të shndërrohen në pengje të saj. Dhe krejt kjo në sytë e një Bashkimi Europian të lodhur nga hallet e tij të brendshme dhe në sytë e një Amerike, e cila tani i duhet të përballet me kapitalizmin autoritarist kinez dhe për herë e më pak ka nerva të merret me trazirat europiane.

Sigurisht rizgjimi nacionalist serb i shkon për shtati më së shumti Rusisë, e cila e ka kthyer në doktrinë kombëtare diskreditimin e demokracive perëndimore dhe nxitjen e konflikteve që i prekin këto demokraci.

E shqiptarët çka bajnë?

Kryesisht grinden mes veti për një copë pushteti dhe ëndërrojnë për paqen e përhershme në Ballkan e botë.

__________

Një kryeministër që e çon në qiell një akademik dhe akademiku që ia kthen me të njëjtën monedhë kryeministrit!

Kombit s'i mbetet tjetër veçse t'ia thotë këngës:

500 vjet nana priti,

Skënderbeut dy vllazën ia rriti!