E shtune, 20.04.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Valter Shtylla: Familja e Kastriotëve; Monumentet flasin...

E shtune, 16.01.2010, 07:49 PM


Pikture nga Arsen Boçaj
Familja e Kastriotëve; Monumentet flasin... 
 
Nga Prof. Dr.
Valter Shtylla 
 
Familja e Gjon Kastriotit përbëhej nga katër djem dhe pesë vajza. Vëllai i madh i Gjergjit (Skënderbeut) Reposhi përfundoi murg në Gadishullin e Malit të Shenjtë pranë Selanikut, në manastirin e Hilandarit, ndërtuar në shekullin XI. Në arkivën e këtij manastiri ruhen dy dokumente që lidhen me emrin e Gjon Kastriotit. Në dokumentin e vitit 1426 thuhet se “Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Konstantinin dhe Gjergjin i falën Manastirit të Hilandarit katundet e krahinës së Rekës në Dibër, Radostushën dhe Trebishtin. Në dokumentin e dytë të padatuar thuhet se igumeni i Manastirit të Hilandarit i shet Pirgun e Shën Gjergjit Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij Reposhit, Konstantinit dhe Gjergjit për 60 florinj”. Ky pirg mban edhe sot emrin “Pirgu i Shqiptarëve”

Temën e mëposhtme nuk e trajtoj vetëm pasi për 45 vjet jam i përfshirë në sferën e punonjësve që merren me vlerësimin e monumenteve të kulturës materiale.

Historiani i katedrës, gjurmon, studion, seleksionon, interpreton dhe analizon botime, materiale dhe arkiva të ndryshme, të cilat jo gjithmonë shfaqin të vërteta historike. Veç kësaj në këto hulumtime ka rëndësi esenciale, këndvështrimi i studiuesit, shkalla e synimit për objektivitet për probleme të ndryshme dhe së fundi përfundimi konkluziv i studiuesit. Kuptohet se faktori më determinant në analizat historike mbetet pa dyshim formimi etno-politik i studiuesit. Dhe në këto kushte, kur komuniteti human për arsye të ndryshme, në shumë raste vuan diagnozat e historisë, ballafaqimi konkret me monumentet e kulturës materiale përballet me dëshmi të vërteta historike, të cilat hedhin poshtë sajimet e pseudo-burimeve historike.

Lidhja e monumentit të kulturës materiale me historinë është organike. Ai është përfaqësuesi i një periudhe historike, i një personazhi historik dhe kështu me ekzistencën e tij, monumenti i përcjell historinë mbarë brezave. Duke e kuptuar monumentin si një dëshmi të vërtetë, në rreshtat në vazhdim do të trajtojmë, pikërisht duke u mbështetur në monumentet do të përshkruajmë, disa objekte të kulturës materiale të lidhura me historinë e familjes së Kastriotëve. Meriton të vihet në dukje fakti që më shtyu të gjurmoj në kërkim të historisë së Kastriotëve jashtë Shqipërisë. Në muajin shkurt 1996 gjatë një vizite në Këshillin e Evropës në Strasburg, për të diskutuar rreth problemeve statike në Kalanë e Krujës, studiues nga Valencia e Spanjës, më informuan se në Real Manastirin San Trinidad të qytetit e tyre ndodhen varret e pjesëtarëve të familjes së Kastriotëve, fakt që më zgjoi një interes të veçantë. Dhe në qershor të vitit 2001 me ndihmën e Generalitat Valenciana m’u mundësua vizita në këtë qytet historik të Spanjës. Burimet e shumta historike dëshmojnë për një lidhje të fuqishme të familjes së Kastriotëve gjatë shekullit XV me Mbretin napolitan Alfonsi V i Aragonës. Kurora mbretërore e Aragonëve përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias. Aragonët me Kastriotët realizuan aleanca të fuqishme ushtarake dhe dihet që Mbreti Ferrante i Napolit i caktoi feude të mëdha familjes së Skënderbeut në Italinë e Jugut.

Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja e tij emigroi në Mbretërinë e Napolit, duke u marrë në mbrojtje nga Aragonët. Në vitin 1499, kur nëna mbretëreshë Xhovana bashkë me të bijën shkuan në Valencia tek i vëllai Fernando-Katoliko, ato shoqëroheshin dhe nga Donika, gruaja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Donika në Valencia udhëtoi bashkë me familjen e të birit Gjonit, si dhe me një eskortë prej 20 kalorësish.

Gjoni, djali i Donikës dhe i Skënderbeut, ishte martuar me Irenën, vajzën e despotit serb, Lazar Brankoviç dhe të Elena Paleologut, vajzën e despotit të Moresë, Tomas.

Gjoni me Irenën, që vdiq në vitin 1505, pati shumë djem, të cilët vdiqën në moshë të re, veç Ferdinandit. Gjoni me të birin, Alfonsin, kanë qenë në Spanjë, ku në vitin 1500 kanë luftuar përkrah spanjollëve e kundër arabëve, në krahinën e Alpanjaros.

Më 23 gusht 1503 Donika është parë në një pritje me mbretëreshat aragonase në Valencia. Më pas, kur në vitin 1506 ato u kthyen në Napoli nuk shoqëroheshin nga Donika, e cila duket se mbeti në Valencia. Në Valencia ndodhet Manastiri Mbretëror Shen Trinidad, i ndërtuar në vitin 1445 nga Mbretëresha Aragonase Maria de Castiljo, e cila pas vdekjes në vitin 1458 u varros në portikun e Manastirit. Skulptori i njohur, Antoni Dalmau, realizoi një vepër mortore monumentale për mbretëreshën. Manastiri 563-vjeçar deri më sot ka pësuar disa rikonstruksione.

Autorët Sales, në 1761 dhe Goerlich në vitin 1998, publikojnë se në kapelën San Migele në verilindje të naosit, në fillim të shekullit XVI është varrosur gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Shqipërisë Gjergj Kastrioti i mbiquajtur nga turqit si Scanderbeg. Sipër varrit të saj ka qenë vendosur ikona e Shën Mërisë, sot e zhvendosur në kapelën karshi. Kjo ikonë është sjellë këtu nga Beatriçja e Hungarisë, mike e Xhovana Skanderbeg, gruaja e Gjon Kastriotit. Në kapelën e San Migelit është gërmuar dhe nuk kanë dalë relikte nga varre të hershme. E vërteta se pas vitit 1506 Donika nuk u kthye më në Napoli, të shtyn të mendosh se edhe vetë gruaja e Skënderbeut mund të jetë varrosur në Valencia, bashkë me eskortën historike të saj, e cila mund t’i ketë varret në oborrin e brendshëm-portik të manastirit. Dëshmi e qartë materiale nga manastiri është pllaka e varrit e Alfonsit, birit të Gjonit. Varri i tij ka qenë tek vendi i korit të kishës, në qoshen veri-perëndimore të naosit, por që pas djegies së kishës, pllaka u zhvendos në kapelën majtas hyrjes së saj. Mbi këtë pllakë mermeri të zi lexohet “Këtu prehet Alfonso, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e krishterimit, i cili u quajt nga turqit Escardabech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Alesandro të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503”. Duke parë moshën dhe vitin e vdekjes dhe botimet për kishën është e qartë se bëhet fjalë për birin e Gjonit dhe jo të Skënderbeut. Manastirit Mbretëror San Trinidad i Valencias shpreh lidhjen e fuqishme të familjes arbërore të Kastriotëve me dinastinë mbretërore aragonase. Së pari, këtu pasqyrohet orientimi evropiano-perëndimor i Skënderbeut si dhe përqafimi i fesë katolike nga ana e tij. Kjo nga njëra anë, më tej, vendvarrimi i një pjese të familjes së Kastriotëve në Manastirin Mbretëror të Valencias, ku prehet edhe vetë Mbretëresha aragonase e shekullit XV Maria de Castiljo, dëshmon konsideratën e lartë të dinastisë spanjolle ndaj Kastriotëve, aq më tepër që varret e Xhovanës dhe Alfonsit ndodhen në naosin e kishës, ndërsa ai i mbretëreshës në portik, ku prehet edhe eskorta kalorsiake e Donika Kastriotit. Aq më tepër po të dëshmohet se edhe vetë varri i Donikës ndodhet në këtë manastir. Edhe interpretimi i përmbajtjes së pllakës së Alfonsit, e cila daton nga viti 1503, përfaqëson vlera historike për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Shkrimi fillon me shprehjen “i famshmi Georgo Castroto, Mbreti i Shqiptarëve, pra me superlativën “i famshmi” dhe me titullin “Mbret”. Dihet se krejt rastësisht Skënderbeu nuk arriti të shpallej “Mbret” nga ana e Papatit, pasi Papa Piu II nuk mundi të mbërrinte në Shqipëri në vitin 1464 për ta kurorëzuar atë si monark. Epitafi vazhdon “fortesë e pamposhtur e krishterimit”, një cilësim që e vlerëson shumë figurën e Skënderbeut nga ana e Komunitetit Perëndimor. Kjo është një shprehje shpesh e përsëritur, por kur është e gdhendur në një gur të 1503 në zemrën e një kryevepre religjioze aragonase, shprehja fiton vlera të shumëfishta.

Pllaka mbyllet me konsideratën për figurën personale të Skënderbeut, bile duke e krahasuar atë me mbretin Aleksandër të Maqedonisë, konsiderata që nuk kanë nevojë për komente.

Në qendër të Napolit ndodhet kisha monumentale Santa Maria la Nova, një nga objektet më të vizitueshme të këtij qyteti historik. Origjina e kësaj kishe vjen nga fundi i shekullit XIII, kur Karli I Anzhu ndërmori një ndërtim fortifikues në këtë vend. Pas disa dëmtimeve të pësuara gjatë shekujve XV-XVI, në gjendjen e sotme kisha Santa Maria la Nova përfaqëson një ndërtim pak më të hershëm se tre shekuj, me relikte të ruajtura nga shekujt paraardhës. Sot kisha është një qendër e rëndësishme e artit dhe e studimeve religjioze italo-mesdhetare. Në portikun e kishës ndodhen një sërë varresh monumentalë, ndërmjet të cilëve spikat ai i Konstantin Kastriotit, djali i Gjonit, nipi i Skënderbeut. Varri i Konstantinit është një vepër arti në mermer, punuar nga mjeshtri i njohur Jacopo della Pilla. Konstatini, djali i Gjonit, vëllai i Alfonsit të varrosur në Valencia, në moshën 20-vjeçare, në vitin 1497 u shpall Kryepeshkop i Izernias, qytet në veri të Napolit, pranë Molizes. Në pllakën e epitafit të kushtuar nga e gjyshja Donika thuhet: “Konstatin Kastrioti, i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet, Kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin njëmijë e pesëqind”. Këtë objekt Donika e ka realizuar kur tashmë ndodhej e larguar në Valencia. Kisha Santa Maria la Nova përfaqëson një vepër historike dhe arti. Në brendësi ajo përmban shumë realizime gdhendjeje në gur me mbishkrime historike nga familje të njohura, mes të cilëve edhe ajo e Aragonëve, miq të familjes së Kastriotëve.

Në të dy anët e varrit, brenda një kornize është gdhendur një mburojë formë ovale. Brenda saj shquan shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat e shqiponjës. Në mesin e dy kokave është gdhendur ylli me tetë cepa. Në krye, jashtë mburojës lartësohet kurora e kryepeshkopit të Izernias, simboli funksional i Konstantin Kastriotit. Ylli me cepa përfaqëson simbolin e diellit rrezatues dhe numri i cepave nuk duhet të jetë përcaktues. Në varrin e Mbretit të Maqedonisë Filipi II, babai i Aleksandrit, zbuluar në Verxhina pranë Selanikut, vërehen dy simbole. Në zbulimet e narteksit bie në sy ylli me 12 cepa, ndërsa në kutinë e florinjtë të zbuluar në ambientin qendror lexohet një tjetër yll, këtë herë me 16 cepa.

Gjatë mesjetës ishte një fenomen i zakonshëm lidhja e krushqive ndërmjet familjeve fisnike nga vende të ndryshme. Herë si rezultat i fqinjësisë së mirë dhe herë si faktor për konsolidimin e pozitave politiko-ushtarake, këto krushqi ishin të shpeshta, sidomos brenda rajonit tonë. Stefan Brankoviçi në verën e 1460-s erdhi në Shqipëri, ku u martua me Angjelinën, bijën e feudalit të njohur shqiptar Gjergj Arianit Komnen Topia, duke u bërë kështu kunat me Gjergj Kastriot-Skënderbeun.

Skënderbeun e ndihmoi Stefan Brankoviçin, me anën e kontit milanez Francesko Sforca, që të afrohej me perëndimin dhe veçanërisht me Venecian. Motra e madhe e Skënderbeut, Mara, (në disa burime njihet si Maria) u martua me sundimtarin e Malit të Zi, Stefan Cërnojeviçin. Qendra e Cernojeviçëve ka qenë qyteti mesjetar i Zhabjakut në Kënetën e Madhe, në veriperëndim të liqenit të Shkodrës, pranë derdhjes së lumit Moraça në liqen, ku ndodhet fortifikimi sot i njohur si Zhabjaku i Cërnojeviçëve.

Në këtë qendër të fortifikuar punime të thella ka kryer Stefan Cërnojeviçi, burri i Marës dhe kunati i Skënderbeut. Familja e Cërnojeviçëve ndërtoi një manastir të tipit mauzole për varrimin e pjesëtarëve të familjes. Ky manastir, vepër shpirtërore e Gjergj dhe Aleks Cërnojeviçit, u ndërtua në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, pranë Zhabjakut. Ishulli i pabanuar i Komit mund të arrihet me udhëtim në liqen prej Vranjinës.

Në qendër të manastirit ndodhet Kisha e Shën Mërisë, ndërtuar ndërmjet viteve 1415-1427. Në brendësi të kishës ndodhen pllakat e varreve të familjes së Cërnojeviçëve.

Sa hyn në kishë djathtas janë pllakat mortore të bijve të Stefanit, Aleksej dhe Gjergj.

Ivan Cërnojeviçi, pas vdekjes së babait Stefan, si sundimtar i Malit të Zi, ka zgjedhur mjeshtrit më të mirë nga bregdeti për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara. Pllaka me përmasa 60x180 cm, me një bordurë anësore të gdhendur, në qendër të saj ka tre lule formë rozete. Tatjana Pejoviç në botimin e vitit 1995 “Manastiret në territorin e Malit të Zi” shprehet: Pllaka e varreve të prindërve të Ivanit, Stefanit dhe gruas të tij zonjës Mara Kastrioti, princeshë shqiptare, motra e Skënderbeut, kanë zbukurime të pasura në gur. Në krye të pllakës është gdhendur një monogramë ku me kujdes mund të lexohet: “Kjo është pllaka e zonjës Mara, princesha e Cërna Gora, motra e Georgio Scanderbeg”. Në koment të këtij mbishkrimi, kuptohet qartë konsiderata e lartë që gëzonte Gjergj Kastriot Skënderbeu në radhët e princave sllavë. Nëpër epitafet e varreve lexon gjithmonë emrat e prindërve të të ndjerit dhe duket si një rast unikal - një epitaf me emrin e vëllait. Kemi të bëjmë me shprehjen e një konsiderate të veçantë, në këtë rast të fisnikëve të njohur malazezë Cërnojeviç ndaj kryetrimit të Arbërisë. Familja e Gjon Kastriotit, përbëhej nga katër djem dhe pesë vajza. Vëllai i madh i Gjergjit (Skënderbeut) Reposhi përfundoi murg në gadishullin e Malit të Shenjtë pranë Selanikut, në manastirin e Hilandarit, ndërtuar në shekullin XI. Në arkivën e këtij manastiri ruhen dy dokumente që lidhen me emrin e Gjon Kastriotit. Në dokumentin e vitit 1426 thuhet se “Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Konstantinin dhe Gjergjin i falën Manastirit të Hilandarit katundet e krahinës së Rekës në Dibër, Radostushën dhe Trebishtin. Në dokumentin e dytë të padatuar thuhet se igumeni i Manastirit të Hilandarit i shet Pirgun e Shën Gjergjit Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij Reposhit, Konstantinit dhe Gjergjit për 60 florinj”. Ky pirg mban edhe sot emrin “Pirgu i Shqiptarëve”.

Studiuesi serb, Sreten Petkoviç, në librin e tij “Chilandar” të botuar në vitin 1999 thotë se “Kulla e Shqiptarëve u ble nga Gjon Kastrioti dhe djemtë e tij në dekadën e tretë të shekullit XV, për ta përdorur kur ta kërkonin rrethanat”. Në këtë mënyrë, një nga studiuesit e njohur serbë të Hilandarit thekson në botimet e tij faktin që një fisnik shqiptar, Gjon Kastrioti, ka blerë një kullë në manastirin e Hilandarit, e cila sot njihet me emrin “Kulla e Shqiptarëve”. Për sqarim, Petkoviçi Kullën e Shqiptarëve e vendos jashtë në hyrje të manastirit, pranë kishës së Shën Trinisë, ku ruhen muret e poshtëm të saj deri në lartësinë 5 metra, që kufizojnë një ambient me përmasa 6x7metra. Në anën tjetër shumica e autorëve, Kullën e Shqiptarëve e identifikojnë me Kullën e Shën Gjergjit brenda manastirit, ndërtim i shekullit XIII, me rikonstruksion në gjysmën e dytë të shekullit XVII, në katet e së cilës ndodhet dhe kapela me piktura murale e Shën Gjergjit.

Në librin e tij, Petkoviçi përshkruan se në vitet 1430-‘31 Reposhi, vëllai i të famshmit Skënderbeg, nga familja shqiptare e Kastriotëve u varros në një varr të ndodhur në narteksin e brendshëm të kishës, në murin verior. Shën Gjergji dhe shenjtorët Simeon dhe Sava, bashkë me Virgjëreshën, janë pikturuar në muret sipër për nder të shpirtit të tij. Piktori anonim i afreskut duket i një talenti modest. Sipas studiuesit të njohur kroat, Milan Shuflaj, mbi varrin e Reposhit, i varrosur në brendësi të objektit kryesor të manastirit të Hilandarit, në kishën e Shën Mërisë, është gdhendur identifikimi historik “Duka i Ilirëve”. Pra autorë serbë me emër, citojnë Kullën e Shqiptarëve blerë nga princi shqiptar Gjon Kastrioti, si dhe faktin e varrosjes së Reposhit, nga familja e famshme shqiptare e Kastriotëve, në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë. Në përfundim mund të shprehim se të gjithë monumentet e kulturës materiale që përmenden më sipër, të lidhur me emrin e familjes së Kastriotëve, përveçse janë vizituar, por ato janë dhe objekt të botimeve të shumta. Ato e vlerësojnë së tepërmi emrin e kësaj familje të njohur shqiptare të shekullit XV, Gjergj Kastriot-Skënderbeu. Siç dëshmohet nga këto monumente Heroi ynë Kombëtar, pati një orientim të qartë europerëndimor dhe ishte merita e tij që edhe fisnikët e tjerë arbërorë pas tij, e lidhën jetën e tyre me perëndimin. Kujtojmë Bazilikën e Frankavilës në Bari, ku prehen Muzakajt, Gravinën pranë Barit ku në kishën e Shën Sofisë, prehet vajza e Vrana Kontit, e lidhur me familjen antike romane Orsini, krahinën e Fanos në veri të Italisë ku kunati i Skënderbeut Konstandin Arianiti, ishte shpallur “Dukë” etj. Monumentet janë në këmbë dhe ato shprehin historinë, prandaj ato duhen studiuar e dokumentuar dhe sigurisht duhet realizuar edhe mundësia e ekspozimit të tyre në muzetë tona kombëtare.

Literatura

1- Augustin Sales, Historia del Real Manasterio della SS-md, Trinidad, en Valencia, anno 1761.
2- Monumentos dela Comunidad Valenciana, Generalitad Valenciana, 1998. 3- D.B. Goerlich, El Real Manasterio dela Santisima Trinidad, Generalitad Valenciana, 1998.
4- Paolo Petta, Despotër të Epirit e Princër të Maqedonisë, Tiranë 2001.
5- Degrand, Kujtime nga Shqipëria e Epërme, Tiranë 2001.
6- Jaho Brahaj, Korona Mbretërore Shqiptare, Tiranë 1998.
7- Tuto Valencia, Editorial Escudo de Oro, S.A 2000.
8- Historia e Popullit Shqiptar, vol.I, Tiranë 2002.
9- Historia e Popullit Shqiptar, vol.I, Tiranë 1967.
10- Kristo Frashëri, Skënderbeu, jeta dhe vepra, Tiranë 2002.
11- Milan Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët, Tiranë 2002.
12- T. Pejoviç, Manastiri na tllu Crne Gore, Cetinje 1995.
13- Dr. Cedomir Markoviç-Dr Rajko Vujiçiç, The Cultural Monuments of Montenegro, Cetinje 1997.
14- Sreten Petkoviç, Chilandar, Belgrade 1999.
15- Sotiris Kadas, Mount Athos, Athens 1989.
16- Muzaka, Memorie, Tiranë 1996. 17- Dr. Ludvig Von Thalloczy, Vëzhgime iliro-shqiptare, Shkodër 2004.
18- Sunçani Sat, Sremska Mitrovica, Godina VII, Nr 8/1998.
19- Zharko Shçepanoviç, Kratka Istorija Crne Gore, Podgorica, 2002.
20- Revista “Monumentet” Tiranë 2003.
21- Valter Shtylla, Figura “Historika Iliro-Shqiptare”, Tiranë 2005.
22- Fan S.Noli, Historia e Skënderbeut, Uegen 2004.
23- Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë 1967.
24- Kasem Biçoku, Për Skënderbeun, Tiranë 2005.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora