| E diele, 26.09.2021, 10:56 AM |
POZITA DHE FATI I GRUAS NË VEPRAT E NAZMI RRAHMANIT
Lulzana Aliti, Studime pasdiplomike - cikli i
dytë. Programi studimor: Letërsi e sotme shqipe. Teza: “Pozita dhe fati i gruas
në veprat e Nazmi Rrahmanit”, Mentori: Prof. dr. Hamit Xhaferi, Universiteti i
Europës Juglindore, Tetovë, 2019. (Studimi i autorës është marrë si referencë
shkencor, në trajtimin e Karakterit dhe Arketipit në romanin Malësorja të Nazmi
Rrahmani”, dhe s’ka të bëjë me vlerësimin akademik, por ka të bëjë me aspekte
letrare rreth rolit të Hajries në romanin Malësorja).
Shkruan: Shefqet
DIBRANI
Tipari si veçori letrare
Lulzana Aliti, ka bërë një studim të veçantë, interesant
dhe mjaftë të kompletuar për romanet e Nazmi Rrahmanit. Objekt studimi i tezës së masterit ka qenë “Pozita dhe fati i gruas
në veprat e Nazmi Rrahmanit.” Tema është kundruar nga ky prizëm
gjithëpërfshirës, por thelbi i qasjes së saj është
koncentruar kryesisht mbi romanin Malësorja, megjithatë ajo ka
arritur për ta arsyetuar studimin e saj, veçmas pasi shihet se “pozita dhe
fati i gruas” në romanet e tjerë është kundruar
përciptas. Natyrisht për të kompletuar studimin, hulumtimet i ka
zgjeruar në vepra studimore nga autor të tjerë, të cilët janë marrë, qoftë
direkt me romanet e Nazmi Rrahmanit, ose si studime të tjera tematike, për të
cilat ajo ka pasur nevojë për ta kompletuar më mirë, më saktë dhe më bindshëm
studimin e saj.
Tërësia e tekstit letrar
Siç shkruan autorja, tema është
përqendruar tek romanet: Malësorja, Pas vdekjes, Tymi i
votrës së fikun 1969, Toka e përgjakur, I-II, 1973, Rruga e
shtëpisë sime 1978, etj., por siç thamë në epiqendër të studimit ka mbetur
romani Malësorja, qasje me të cilën ka të bëjë edhe studimi ynë, andaj
karakteret dhe arketipat e personazheve të këtij romani ne i kemi kundruar nga
prizmi i "psikanalizës" por kjo qasje në studimin e kësaj autoreje
plotëson edhe diçka më shumë në hulumtimin tonë përkitazi me romanin Malësorja, pa dashur t’ia fragmentarizojmë mënyrën e bërjes së këtij
studimi, (që është më i gjerë,) i shtrirë mbi tërë opusin letrar të Nazmi
Rrahmanit: “Veprat letrare të tij mund të studiohen si tërësi, apo veç e veç, me qasje të veçanta dhe prej
perspektivave të ndryshme” por “për
të krijuar një bazë të qëndrueshme mbi këtë temë, (punimi i saj,) ka
qasje gjithëpërfshirëse dhe është i konceptuar në linjë me
nevojat e identifikuara të temës dhe i
ndërtuar për të nxjerrë përfundime të rëndësishme.”
Tashmë dihet se për të shkruar romanin Malësorja,
si dhe romanet e tjera, autori zgjodhi të folmen e ambientit kosovar, duke
përshkruar ngjarjet sa më thjesht, ashtu siç është e thjeshtë vetë jeta e
përditshme, natyrisht me një përkushtim ndaj asaj që e njihte më së miri.
Lulzana Aliti, shkrimtarin Nazmi Rrahmani, e kategorizon si njërin nga
shkrimtarët e “realizmit klasik” i cili në “në veprat e tij e ka rimëkëmbur
gjithashtu edhe dramën tonë artistike duke e reflektuar atë nga nënshtrimi i
egër serb” andaj, siç shkruan ajo, “krijimtaria artistike e letrare e
tij ka shumë forma, dhe si e tillë arti i fjalës, historisë dhe politikës është
i thellë, kompleks dhe me një narrativ të jashtëzakonshëm” dhe për ta
forcuar edhe më tej mendimin e saj, theksojmë se romanet kanë qenë një lloj
proteste kundër pushtimit serb. Sigurisht kundrimi i ngjarjes nga ky prizëm, ka
bërë që ajo të shkruajë se “shikuar nga aspekti i kontekstit kohor kur janë shkruajtur...
vërehen qartë qëndrimet e Nazmi Rrahmanit përballë zhvillimeve politike serbe
në Kosovë” dhe për ta bartur mendimin kritik në aspektet letrare, që përkon me kornizën studimore të kësaj
teme, autorin e cilëson “të veçantë dhe i jashtëzakonshëm” veçanërisht,
pasi ky autor “i dha një zë të fuqishëm dhe këndvështrim të ri temës së tij
letrare, të cilën e parapëlqeu nga fillimi duke e kultivuar vazhdimisht, sidomos figurën e gruas së
fshatrave kosovare” qasje kjo e
saktë, pasi është kundruar nga roli i gruas në ato zhvillime, shikuar “nga
aspekti social dhe moral.”
Aspekti dramatik i tekstit letrar
Nga një prizëm tjetër, duket se ky
studim është parë nga aspekte dramatike nëpër të cilat kalonte shoqëria
kosovare e cila përballej me format e kurdisura, që i kishte sajuar “sundimtari
djallëzor serb.” Në këtë pikë duket se kulmon mendimi kritik të cilin ajo e
kap mirë, ndërsa lëndën studimore e vë në kontekstin historik dhe të rrethanave
shoqërore e politike që ishin në atë kohë, si veprime që kanë kundërshtuar
heshturazi atë sistem, pastaj lartëson virtytin e intelektualit në ato
rrethana, veçmas për qëndrimin e shkrimtarit që duhej të mbante karshi atyre
raporteve, karshi dhunës fizike të asaj politike, karshi shpërnguljeve dhe të
vobektësisë arsimore e varfërisë së skajshme. Këto janë vetëm disa nga temat që
kjo studiuese i ka trajtuar me sukses, parë nga prizmi i studimeve për romanet
e Nazmi Rrahmanit, por gjithmonë duke dashur ta fokusojë hulumtimin e saj në
raport me pozitën dhe fatin e gruas në ato rrethana, ajo sjell përfundime me
interes edhe për rolin e shkrimtarit karshi gruas nëpër veprat e tij.
Tragjikja e Hajries si rezultat i rrethanave
Fatin e Hajries tek romani Malësorja, kjo
studiuese nuk e paraqet tërësisht si veprim patriarkal dhe as i cytur nga
motive krejtësisht të ulëta, por më shumë e sheh si rezultat i marrëdhënieve
politike në të cilën protagonistja e romanit Malësorja, “bie viktimë
e pikëpamjeve reaksionare të cilat i ka synuar pushtuesi i egër serb i cili në
realitet në faqet e kësaj vepre na del si djallëzori kryesor.” E, nëse nga
ky prizëm i shqyrtojmë ato raporte do të bindemi se ajo gjeneratë, ai brez, si tërësi etnike, ishin avangardë e ndryshimeve të
suksesshme edhe brenda atyre rrethanave dhe të atij sistemi shoqëror e politik.
Si duket “në këto rrethana dhe në këtë ambient të kthyer me kokën poshtë”
fati dhe pozita e gruas mund të ketë qenë edhe më e rëndë se sa ajo pozitë që
mund ta ketë paraqitur në mënyrë artistike nëpër romanet e tij shkrimtari Nazmi
Rrahmani.
Shikuar në fokusin e atyre zhvillimeve sociopolitike disa
të dhëna reale na i japin edhe romanet e këtij autori i cili duke u marrë me
temën e karakterit social ka realizuar synimin e tij patriotik e intelektual
për t’iu kundërvënë sistemit në fuqi, me të cilin nuk ka shprehur kundërshti,
por ka pasqyruar realitetin sociokulturor i cili ishte pasqyrë e qeverisjes dhe
e sistemit të ndotur ideologjik. Këto romane, siç shprehet edhe vetë autorja e
këtij studimi, “mund të lexohen edhe jashtë kontekstit historik ose politik”
prandaj edhe studimi i saj trajtohet kryesisht mbi koncepte dhe nocione
letrare, parë në kontekstin kohor, në rrethanat sociale e patriarkale kur janë
zhvilluar ato ngjarje, përkatësisht kur janë botuar ato vepra letrare.
Romani trajton fatin e një malësoreje
tipike e fshatit shqiptar në Kosovë, epitetet tjera që i jepen
protagonistes Hajries, janë pjesë artistike e veprës letrare, sikurse edhe tërë
rrëfimi që lidhet me një ndodhi të papritur, por që do të jetë ndikues dhe
përcaktues i fatit dhe jetës së saj. Rrëfimi bëhet në vetën e tretë, kurse autori ka pozicionin e narratorit që rrëfen
ngjarjen duke qëndruar në distancë si objekt rrëfyes. Ngjarjet shpjegohen
rrjedhshëm, kuptueshëm dhe pa sforcime të shumta stilistike e figurative, madje
shpesh duket se kemi të bëjmë me një ngjarje reale të asaj kohe, prandaj vepra
ashtu siç është shkruar “ngërthen në vete një motiv mjaft tërheqës i cili zanafillën e ka nga jeta
bashkëkohëse në fshatin shqiptar në Kosovë”, “që zanafillën e saj
e ka nga ndodhitë të cilat bashkërisht krijojnë pamjen e vërtetë të një
ambienti tipik kosovar ndërmjet dy luftërave botërore.”
Nga ky pasus, ashtu siç e ndeshim
pothuajse në të gjithë literaturën e gjertanishme shkollore dhe në kritikat dhe studimet
e tjera që kanë të bëjnë me këtë roman, edhe Lulzana Aliti, ngjarjen e romanit Malësorja
e vendos në mes dy luftërave botërore.
Personaliteti i gruas dhe
emancipimi i shoqërisë
Personaliteti i gruas, trajtohet si “individ që
jetonte në harmoni me ndjenjat e saj më të thella” përkatësisht trajtohet
pozita dhe fati i saj, qoftë në romanet e Nazmi Rrahmanit apo në studimet e
tjera, së këndejmi edhe në këtë studim, trajtohet në mënyrë të drejtë, me
respekt dhe në aspektin pozitiv, gjë që dëshmon se qasja e letërsisë ndaj
pozitës dhe fatit të gruas, kurdoherë dhe në të gjitha rrethanat ka pasur prirje progresive, emancipuese dhe afirmuese, duke
barazuar këtë koncept trajtimi i njëjtë si
në shoqëritë e përparuara, në raport
me gruan dhe rolin e saj në shoqëri. Gjithmonë epitetet e bukura që i jepen
gruas në romanet e Nazmi Rrahmanit, janë në funksion të këtij angazhimi që ka
një shoqëri në ndryshim, emancipim të vlerës morale, humane e njerëzore. Së
këndejmi këto vlera letrare pasqyrojnë më mirë, më saktë edhe raportin shoqëror
në familje, të cilat kudo janë përshkruar me respekt dhe pietet nga Nazmi
Rrahmani.
Këto elemente i ka pikasur edhe studiuesja në trajtimin e
saj mjaft mbresëlënës, duke potencuar bukuritë, të metat, forcën dhe dobësisë të
cilat mund t’i ketë edhe gruaja si qenie njerëzore, prandaj edhe studimi i saj
duket të ketë këtë synim, këtë qëllim, një vrojtim profesional që mëton për
ngritjen e vetëdijes shoqërore në shërbim të shkencës, letërsisë dhe kulturë
shqiptare në përgjithësi.
Janë këto disa arsye të cilat kanë ndikuar në bindjen e
kësaj studiueseje se “veprat e këtij romancieri janë mjaft aktuale, për
arsye se në këto bëhet fjalë haptas mbi çështjet intime morale, ndjeshmërinë e këtyre, naivitetin dhe çiltërinë, duke e shfaqur
një botë të vërtetë ku ata jetojnë dhe operojnë në një kohë të vështirë të
sundimit serb.” E ne mendojmë se këtu qëndron esenca e studimit, si
lajtmotiv i kërkimit të shkaseve për pozitën dhe fatin e gruas në një shoqëri,
e cila si tërësi etnike rrezikohej nga një sundim i ashpër, element ky të cilin
kjo studiuese arrin ta kap qoftë si nuancë e atyre romaneve që janë shkruar në
ato rrethana, ose si qëndrim intelektual i autorit në kuadër të atij sistemi
politik, ku ka gjallëruar, refuzuar dhe
paska kundërshtuar me mjaftë sukses.
Kjo nuk ka asnjë dyshim, pasi kudo në botë sistemi politik përçakton edhe
strukturën intelektuale dhe është ndikues i drejtpërdrejt edhe në sistemin
shkollor, kulturor e letrar të një vendi, por më mirë se ky konstatim yni, ka
potencuar vetë studiuesja se “kuptimi letrar dhe artistik është lëvizje e
përhershme midis gjuhës dhe tekstit dhe rrjetës së nëntekstit, që nuk janë në
vepër, po janë thelborë për ta kuptuar atë.” Më duket se ky lloj empirie e
këtij studimi letrar është koherencë e saktë, për qasje më ndryshe (të reja) të
studimeve letrare në mes të realitetit të atëhershëm dhe fiksionit për atë
periudhë, si një “vegim, ku shfaqen ëndrrat e shpirtit të gruas” që
paska ecur e gjallëruar në këtë ambient, ashtu siç duket të kenë vepruar edhe
shkrimtarët “...në lidhje me krijimet e tyre letrare të cilat kanë për
qëllim reflektimin e një rrethi shoqëror komunist me shumë vështirësi, mëdyshje
dhe fshehtësi.”
Nga ky prizëm, romanet e Nazmi Rrahmanit, jo vetëm se
japin njohuri për pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri, por në të njëjtën kohë
pasqyrojnë edhe sfidat e intelektualit në ato rrethana socio-politike, ndërsa “vepra
letrare Malësorja përngjan edhe si himn i vyer ndaj Jetës” që duket të jetë
përkufizimi më shembëllyes i një studiueseje për një vepër letrare dhe për
mesazhin historik që bart ajo.
Faktorët ndikues
Autorja mendon se “kushtet historike” dhe ato
socio-politike do të kenë ndikuar në formimin dhe botëkuptimin letrar, ndërsa
krahasimet me shkrimtarët në sistemet e tilla totalitare e plotëson edhe më
mirë këtë mendim, sidomos kur thekson kohën e formimit të Ismail Kadaresë si
shkrimtar, pastaj shpjegimi për nocione të caktuar të cilat nuk reflektojnë dhe
nuk pranohen njësoj nga dhënësi-autori dhe marrësi-lexuesi,
raport ky sa i ndërsjellë po aq me një interes të theksuar specifik, i cili
mund të ndodh të jetë relacion i errët për të dyja palët.
Në këtë plan, po aq i qëndrueshëm më duket të jetë
konstatimi se veprën letrare Nazmi Rrahmani, e ka të ndërtuar mbi baza të forta
dramatike, si në aspektin e krijimit të fabulës,
zhvillimit të ngjarjes, ndërtimit dhe rrjedhës së ngjarjeve të
karaktereve të personazheve, gjuhës në këtë vepër dhe veprimeve të tyre, sikurse i qëndrueshëm është vlerësimi që
studiuesja i bënë edhe autorit të romaneve duke e cilësuar veprën dhe
veprimin e tij me peshë dhe të rëndësishme për shoqërinë, kurse veprës i jep
kuptim letrar dhe estetik, prandaj është i dashur dhe i pranuar për shkencën,
letërsinë dhe lexuesin e veprave të tij, sepse “Nazmi Rrahmani ka prirje të
veçantë për të pikëzuar secilën rrethanë morale në të cilën shkon gruaja
shqiptare, duke u mbështetur në emocionet e veta shpirtërore dhe të
njerëzishme.”
Në këtë studim autorja, mjaftë saktë i ka përcaktuar faktorët
ndikues, rrethanat socio-politike që kanë ndikuar, nivelin arsimor, pastaj
traditën dhe zakonet, që kanë lënë vragë për atë prapambetje, sikurse kur
potencon se autori është përshkrues i saktë i realitetit ekzistues dhe
vlerësues real i pozitës së gruas, ku shëmbëlltyrën e saj, si një botë femërore
me ndjenja melankolike, gjithmonë e ka cilësuar drejt, pasi siç kuptojmë edhe
nga këto romane, gruaja ka ushtruar ndikimin e saj dhe shpesh ka pasur rolin
ndikues në procese dhe përgjithësisht në shoqëri, pra edhe në ato rrethana kur është shkruar a imagjinuar romani Malësorja.
Koncepti progresiv i
kundërvihet atij patriarkal
Në qasjen e saj studimore, Lulzana Aliti, ka theksuar se
në romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit, janë dhënë dy koncepte, ai
patriarkal dhe koncepti progresiv, e ky i fundit ka filluar në momentin kur Hajria ngrit zërin ndaj shtrembërimeve
dhe padrejtësive të shumta shoqërore, sidomos kundër atyre që kishin të bënin
me rolin e gruas në shoqëri. As gruaja shqiptare, si të tjerat, nëpër shekuj
nuk ka mundur ta ketë rolin e merituar në shoqëri, edhe pse pa të, as shoqëria
e asaj kohe nuk mund të zhvillohej, por ishin rrethana, ishin adete që kishin
kufizuar rolin e gruas në shoqëri. Padrejtësitë tjera mjaftë të shëmtuara,
bëheshin sidomos kur rritej dhe do të duhej të përcaktohej për fatin e vet.
Pikërisht në ato rrethana fati i saj mbetej në mëshirën e burrave të cilët jo
rrallë kanë vepruar në kundërshtim me vlerat morale edhe të asaj kohe, e ky
veprim manifestohej më shumë kundër atyre vajzave që nuk kishin prindër, ndërsa
fatkeqësi e dyfishtë për to do të ishte vdekja e burrit siç kishte ndodhur rasti me protagonisten e romanit Malësorja, të
cilën jashtë vullnetit të saj e ndajnë nga djali i saj për ta martuar dhunshëm
me një burrë tjetër të moshuar, ndërsa Hajria, sikur e kishte rolin e një
fabrike për të prodhuar fëmijë, përkatësisht djalë, pasi vetëm djali në ato
rrethana konsiderohej trashëgimtar i real i pronës dhe pasurisë.
Lulzana Aliti, është e
bindur se "letërsia që shkruan Nazmi Rrahmani është e angazhuar në
kuptimin e mirë të fjalës, angazhim me sens të humanizmit dhe të marrëdhënieve
mes njerëzve" pasi në veprën letrare, në romanet e Nazmi Rrahmanit,
është një "shkallë e përngjasimit me realitetin" që do të merr
një trajtë subjektive, përkatësisht si qëndrim i individit, i cili nuk rrin
indiferent ndaj realitetit socio-politik, por ato ngjarje i kthen në personazhe
me të cilat i ndërton karakteret dhe arketipat të cilave iu jep ngjyrim e
ngjasim të realitetit jetësor. Kurse përshkrimin e pamjes së gruas, që ia bënë
Nazmi Rrahmani, "i përshtatet personalitetit femëror me hijeshinë
shpirtërore që ka, sepse kjo është një magji që të magjeps dhe të mbanë peng” është shprehur në studimin e saj akademik,
studiuesja e re Lulzana Aliti.
Përfundim
Natyra e këtij studimi, nuk ka toleruar mundësi më të
mëdha zgjerimi, sepse detyrimet akademike determinojnë kufizime të tilla, por
studimi në fjalë, përveç me aspektet letrare, ndërlidhet edhe me “subjektin
e këtij punimi akademik,” ka shkruar ajo. E studimi letrar bazohet mbi të
vërtetën që e determinon fakti shkencor, ndërsa krijimi letrar është art, është
imagjinatë, një interpretim artistik i së bukures. Derisa interpretimi artistik
i jep mundësi shkrimtarit sa më shumë të manipuloj me fjalët e shumta
artistike, d.m.th. "në përputhje me nevojat artistike të veprës, (lejohen
të) përdoren edhe dialektizmat", shkenca studiuesin e vë përballë rregullave
që domosdoshmërisht duhet t’iu përmbahet.
Gjithsesi ky studim, ky hulumtim, dhe kjo qasje është pa
dyshim një realizim i suksesshëm, (kuptohet brenda nivelit të studimit akademik), ndërsa autorja duhet të vazhdojë
me angazhime të tilla, sepse e përforcon pozitën e saj në fushën e studimeve
letrare, po më shumë e përforcon rolin e gruas brenda shoqërisë që aspiron për
ndryshim dhe emancipim!...
*Marrë me shkurtime nga libri i autorit “Karakteri dhe
Arketipi në romanin Malësorja”, Prishtinë 2021.