E enjte, 28.03.2024, 05:42 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Reshat Arbana - Si u njoha me veprat e Gjergj Fishtës

E diele, 26.09.2021, 10:24 AM


Reshat Arbana 81-vjeç: Si shikoja xhirimet e filmit “Debatiku” para shtëpisë sime më dukej hyjnore

- Kënaqesha kur shihja Colin që luhej nga Shpëtim Zani.  “Lum ky!”

Nga Albert Z. ZHOLI

Kinemaja në atë kohë ishte mollë e ndaluar. E ka frekuentuar herë pas here dhe ruan mbresa të jashtëzakonshme. Të shihje një film për ata ishte një ngjarje e paharruar. Emocione mahnitëse! Dukej si çudi që në ekran të shihje njerëz që lëviznin, që jetonin një ngjarje, që jepnin një mesazh.  Kujton filmin e parë në jetën e tij, që titullohej “Kashei i pavdekshëm”, më pas “Qilimi fluturues”,  “Akrobati i bukur”. Këta filma i ndiqnin tek kinema ‘Republika”, apo kinema “17 nëntori”. Shkonin zakonisht me shokët e lagjes. Filmi kinez “Vajza me flokë të thinjur” iu ngulit në mendje për një kohë të gjatë.  Ishte një vajzë me sy të drapërinjtë, me një vështrim si prej shqiponje e shkathët, që me shpatën e saj luftonte armiqtë. Sa donte ta imitonte atë grua. Ishte një heroinë, që i nguliti shpirtin e madh të sakrificës, dhe ndjenjat e saj të jashtëzakonshme për  drejtësinë.

Filmi “Debatiku”

Filmi “Debatiku” një ëndërr e madhe. Në sheshin para shtëpisë së tij, tek sheshi Colit siç thirret sot, që ndodhet prapa Ministrisë së Arsimit, xhirohej filmi “DEBATIK”. Kur pa turmën e njerëzve, u infiltrua menjëherë mes kureshtarëve. Aty mes njerëzve, ndiqte si i shushatur dhe i mrekulluar xhirimet e filmit. Nuk kishte parë kurrë një kamera në jetën e tij. Aktorët e nderuar Sulejman Pitarka, Besim Levonja e Qenan Toro, i ktheheshin sekuencave disa herë. Me sa kuptoi, lypej kohë e vrenjtur dhe kur dilte dielli si engjëll i qeshur regjisori thirrte: STOP! Drejtor i filmit ishte Todi Bozi dhe i është ngulitur në mendje se, sa herë shihej ndonjë re në qiell që fluturonte si tufë patash thërriste me të madhe: Gati, gati, disa re po vijnë nga perëndimi! Shpejt mos humbim kohë. Kënaqej kur shihte Colin që luhej nga Shpëtim Zani.  “Lum ky!” thoshte me vete dhe ëndrra merrte krahë. Arrinte deri aty sa të zilepsej deri në marrëzi. Ëndërronte të ishte në vendin e tij dhe të bridhte rrugicave me shokët tek krijonin organizatën e fëmijëve të luftës antifashiste. Ishte fëmijë, por në shkollë ishin mbrujtur me heronjtë e vegjël që kishin dhënë kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare. Nuk e ka përmendur më lart, por të gjithë pionierët në atë kohë mbanin në qafë një shall të kuq kur shkonin në shkollë. Ishte rregull, normë shamia e kuqe, pasi simbolizonte gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e atdheut. Askush nuk mund të shkonte pa këtë shami në shkollë. Ishte kujtimi ndaj dëshmorëve që kishin sublimuar jetën për liri. Ato ditë ngrihej herët e vraponte tek vendi i xhirimit. Ishte përballja e parë me një shesh xhirimi.

Teatri ishte Olimpi im

Teatri ishte Olimpi për të. Aty ngjizej një ngjarje, personazhet krijonin jetë, imagjinatë, krijonin katarsis shpirtëror të hatashëm. Aty kishte diçka hyjnore, që e bënte të ëndërronte pa fund. Dhe këtë telepati me teatrin e ndiente që fëmijë. Fakti që ishte një artist në shpirt, e shtynte shpesh drejt teatrit, monumentit të fjalës të lirë. Por me gjithë magjinë që i falte ky institucion, shpesh kthehej mbrapsht. Nushi, një punonjës i pathyeshëm nuk e lejonte. Si fëmijë i shkathët që ishte, kishte gjetur mënyrën t’i përvidhej syrit të Nushit. Ai vinte dhe kundronte sallën, mos futej ndonjë fëmijë nën moshën 16-vjeç. Atëherë fshihej pas perdeve të rënda, kolonave e skutave të errëta deri sa  ulej sipari. Nuk ngopej me art. I dukej si një pellg ku notonte e lirë fantazia. “Prefektin” e Besim Levonjës, e ka ndjekur 15 apo 20 herë. Nuk kishte vende të lira në sallë dhe publiku ushtonte në të qeshura e duartrokitje pa fund.  Mihal Popi interpretonte me një mimikë groteske, që çdo herë e bënte të qeshte me shpirt. Që atëherë, aktorët për të, do  ishin njerëz të mbinatyrshëm, njerëz që kishin tjetër shëmbëlltyrë. A do arrinte të bëhej një syresh, vallë ndonjëherë...?!

Estrada e Shtetit

Mban mend shfaqjet e  para të Estradës së Shtetit që i jepte në sallën e Teatrit Popullor, sepse nuk kishin sallë të vetën. Shfaqjen e parë, trupa e dha nën siglën “Estrada numër një” dhe më pas  “Estrada numër dy”. I kanë mbetur në mendje dy numrat e para. Interpretimet e të njohurit Ramazan Zyberi edhe të tjerëve. Ishin befasuese për të. Kujton një skeç ku Xani luante rolin e Titos dhe gruan e tij, Jovankën e interpretonte aktorja e mirënjohur, “Artistja e Popullit”,  Margarita Xhepa. Kujton Xanin, kur i drejtohej  serbokroatisht, Jovankës:

-Ljubicica sercemoja, draganaja ljubica!

Nuk mban mend sa herë e ka parë, por batutat i përsëriste çdo kohë në mendje dhe ndjehej i plotësuar. Kur nisën shfaqjet e mëngjesit, matinet siç quheshin, ndjeu një çlirim të vërtetë. Tani do mundej t’i frekuentonte këto shfaqje, pa pengesë. Ndërkohë, vitet rrodhën, dhe ai e pa veten të lirë. Shihte çdo premierë. Lozha kushtonte vetëm 15  lekë dhe prindërit këto nuk ia kursenin.

Hyrja në rrugën e artit për të ishte si një ëndërr pasionante

Perceptim imazhesh dhe tingujsh të njohur që rridhnin nga brendia e tij për të formësuar një model. Ishte një dëshirë organike që trupi ia ushqente në çdo çast. Joshje e brendshme që e përkundte në djepin e lumturisë. Ndjehej i ngazëllyer, kur takonte aktorët e teatrit. Kishte mall dhe dashuri njerëzore për ta. Ishte kurioz për mënyrën si ato përgatisnin rolin, për provat, emocionet që përjetonin, kur ato përcillnin personazhin në skenë. Përpinte gjithçka, ç’ka i tregonin dhe bashkë me to ndjente admirim, përulje, pasion. Rrinte me orë të tëra para teatrit dhe kur takonte ndonjë aktor të njohur, çuditej, që ato ishin aq njerëzor dhe të thjeshtë. Ëndërronte të takonte yjet e skenës si Mihalin, Naimin, Pjetrin, Prokopin, Sulejmanin, Gjonin, Lazrin, Luanin, Nikollën, Marijen e Violetën, Dritën, Afërditën, Margaritën, Pirron e shumë aktorë, e aktore të tjerë të mrekullueshëm. I dukej vetja krejtësisht i vogël përballë tyre, ndaj gllabëronte, çdo detaj që kishte të bënte me artin e tyre të bukur. Asokohe, nuk e mendonte aspak që ajo dashuri dhe pasion që kishte për teatrin, do e rreshtonte përkrah të mëdhenjve, idhujve të tij. Kontakti me ta dhe eksperienca e tyre, do ishin shkolla më e madhe për të. Artistët janë njerëz të çuditshëm! Janë “open minds”. Janë thesare. Janë të ndjeshëm deri në kockë. Ata ta thonë të vërtetën në sy. Me ta grindesh për principe. Por ato dinë të falin. Kanë një botë të brendshme, që ngjan me një zabel natyre të hijeshuar. Të interpretosh një personazh tjetër që mund të jetë një mashtrues, një koprac, një i çmendur, etj duhet një punë përgatitore e veçantë. Sepse duhet të hysh thellë, në qenien dhe gjakun e tyre, në gjithçka.

Asokohe ishin shumë në modë filmat italianë.

Por kishte dhe filma francezë e amerikanë. Prej tyre u njoh me aktorët Amadeo Nazari, Raf Valone, Renato Salvadore, Zhan Maria Volonte, Zhan Gabenin e madh, të rrallin Zherar Filipi e Alen Delonin, Xhina Lolobrixhiden, Vittorio Gasman e të tjerë, shumë të mëdhenj. Artistët e mëdhenj bëjnë epokë. Ishte i tërhequr nga figurat e tyre, bota e brendshme që ato shprehnin, deri tek ecja në skenë. Yjet e ekranit janë shkolla më e përsosur për aktorët e rinj. Vittorio Gasman ishte një perfeksionist i lindur. Të dhuronte emocione të mëdha dhe kishte ndjeshmëri dhe intelekt të rrallë. Ishte perfeksionist i dialektit, paraqitjes, lojës së shkathët duke tipizuar italianin e kohës në mënyrë perfekte. Alen Deloni kishte një vështrim plot hijeshi, fytyrë të skalitur bukur, e sy që të arratisnin në fantazi. Që atëherë mahnitej nga mekanizmi dhe magjia e kinemasë. Në nëntëdhjetë minuta ndërtohej një histori e tërë jete, një eksperiencë që të jepte mesazhe tronditëse. Aty kuptoi se personazhet kryesorë nuk janë kurrë negativë. Heronjtë e filmave konkretizonin atë që ndodhte si fenomen në shoqërinë njerëzore. Figura në fillim ishte nën torturën e ndërgjegjes, e cila gjithnjë miklohej nga një gabim shoqërues e në fund ndodhte pendesa, e cila mund të shoqërohej me rrezikimin e jetës. Dhe fundi ishte kryesisht “happy end”, ose një akt tragjik që tregonte se ndonjëherë fati është tektonik dhe letal.

Intepretimi para pasqyrës

Tek rreket të kujtojë pragun e udhës së tij artistike, i vijnë shumë imazhe në mendje. I kujtohet vetja para pasqyrës ovale, që vendosej në sallon, duke bërë imitime e duke skërmitur fytyrën. Nëna,  kur e shihte  që zgërdhihej, që shihte vëngër, që përsëriste me zë të lartë ndonjë batutë, të ndonjë aktori  që i kishte mbetur në mendje, tundte kokën dhe thoshte “më iku djali”. Qeshte, egërsohej, nevrikosej e qortonte dikë, që e mendonte sikur e kishte përballë. Imagjinonte personazhe skenikë si Agamemnonin e Eskilit, mbretin Edip të Sofokliut me problemet e tij të jetës dhe drejtësisë, Hamletin që do vriste të atin për t’i zënë fronin dhe mbretin Lir që mashtrohej nga Goneril e Regan ndërsa vajza e vogël Kordelia e adhuronte me shpirt. Lexonte ndonjë libër dhe përpiqej të imitonte ndonjë monolog. Pra improvizonte mizanskena, monologje, shëmtira siç i thoshte më pas nëna. Më tej ajo shprehej; “Leni, mos bir i nënës, leni këto shëmtira, se je gjithë ky çun. Pse bo si budall. Ti je gjithë ky djalë të mortë të keqen nona...Lum nona mooo. Mos bo mo kështu, se të thonë paska lujt nga fiqiri.”  Këto ishin hapat e parë të tij drejt aktrimit. Fillesa e tij drejt skenës. Ëndrra më e dlirë e jetës. Burimi më i kthjellët i përroit të shpirtit dhe arsyes që fshiheshin tinëz nën shtresën amorfe të kraharorit dhe mendjes. Dhe kërkonin udhën e tyre drejt shpërthimit. Mendimtarët e mëdhenj shprehen se ëndrra është ilustrimi i librit që shpirti po shkruan për të ardhmen tënde.

***

Nëna  e tij e mrekullueshme kishte të drejtë që proekupohej dhe shqetësohej, për këto “budallallëqe”.  Një ditë, në shtëpinë e tyre kishte ardhur për të bujtur një kushërirë nga fshati  VISHJE i Tiranës, bashkë me djalin e saj pak më të vogël se ai. Një krijesë imcake me ca mollëza që skuqnin si mollë starkinge. Gjatë një shfaqjeje të Estradës, një aktor kishte recituar disa vargje që iu ngjizën në kujtesë. Vargjet, një ditë po i recitonte përpara pasqyrës, në prani  të djalit nga fshati. “Interpretonte” gjoja, thurte e akuzonte sipas vargjeve të strofave të mëposhtme. Bërtiste, duke menduar se kështu po interpretonte mirë. Duart i shpaloste në ajër si degë pemësh nën tufan. Kraharori buçiste si qielli i skuqur nga rrufetë. Djaloshi u tremb, ia mbathi në kuzhinë, i lemerisur, ku ishte e ëma me nënën dhe tezen e tij.

-Nanë, nanë Xhinosi, Xhinosi, Xhinosi (fshatarët e Tiranës i thonë Gogolit, Lugatit në këtë emër). Sa dëgjoi këto fjalë, ia beh e ëma me fytyrë të inatosur që e gjeti përpara pasqyrës, duke recituar. I thirri me zë të lartë:

-Ç’farë bën, mër lugat, mër shejtan, se trembe çunin. Hajde mjaft ke bërtit të keqen nona, se u lodhe. Hajde ke nona dhe boni ndonjë lojë tjetër”.

Librat e Fishtës

Siç e ka përmendur më lart, babai dhe xhaxhai kishin një dyqan zarzavatesh.  Atëherë nuk kishte qese plastike. Me fletët e librave që sillnin njerëzit, me pak brumë që bëhej nga përzierja e ujit me miell gruri sajoheshin qese për të mbajtur frutat e perimet. Një ditë i tërheqin vëmendjen disa libra të shtypur e të lidhur bukur. Në kopertinën e tyre lexon një emër Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”, “Mrizi i Zanave”, e të tjera që ndonjëherë u mungonte kopertina, pra s’kishin titull  dhe as emrin e autorit por ishin (kuptohet) pjesë e librave të poetit tonë të madh Gjergj Fishta. I lë veç dhe nuk i shqep. Sapo gjeti kohë u zhyt në lexim. Por nuk i kuptonte. Gegërishtja e tyre ndryshonte kryekëput me të folurën e Tiranës dhe me atë që mësonin në shkollë. Më vonë mëson që ato ishin libra të ndaluar. Edhe pse me frikë i fsheh larg syve të njerëzve. Nuk guxon kurrsesi t’i grisë. Libri është shenjtëri më vete dhe duhet vlerësuar si ikonë e shpirtit. I ka dhe sot në bibliotekë dhe herë pas here i nxjerr dhe i sheh me admirim. Fishta me vargjet e tij do ishte fatsjellës për artistin dhe do i sillte  emër në të gjitha trojet ku ka shqiptarë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora