Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Ku ishit ju Adamë?!

| E diele, 26.09.2021, 09:12 AM |


Ku ishit ju, ADAMË?!!!

"Të heshtësh bën akt terrorist!"

DEAN FANTE

Nga Përparim HYSI

Kam një pyetje që nuk më lë të qetë,

Kam një pyetje që kërkon përgjigje:

-Të gjithë ju, ADAMË, ku qetë,

Kur në SHQIPËRI u bënë krime?

Ku qetë kur TRIFON XHAGJIKËN vranë me plumba

Vetëm e vetëm se"Atdhenë e pa lakuriq"  *

JU veshët me dyllë, nga goja:vuva!

E bëtë sehir kur e vunë në kryq!!!

Dhe Vangjel Leshon e vranë dhe FAdil KOKOMANIN

(Por ju nuk i patë se"sytë i kishit mbyllur")

Po si mund të hidhnit poshtë partinë e komandantin?

Se ju, besnikërisht, me partinë qetë lidhur.

Krijimtaria juaj shkonte"fjollë" dhe partia u vinte dafina

Se në prozë a me vargje"zbukuronit oborrin e partisë"

Gojën hiç nuk e hapët as kur u prishën xhami e kisha

Se ju kot nuk ishit"krenaria e kulturës dhe e letërsisë".

Heshtët dhe kur u vranë dy POETË në LIBRAZHD

(UH, po si në LIBRAZHD të ketë poetë?!!!)

Me partinë e pushtetin kullotnin në një grazhd

Dhe për ju sahati i konfortit rrinte  tetë!!!

Kurba e terrorit ngrihet ca më lart

Në KUKËS varën POETIN HAVZI NELA!!!

Heshtët se në shpirtëra kini natë

Dhe për ju, ADAMËR, më kap e vjella.

Tani zini e flisni, zbrazni pushkë pas luftës,

Dhe gati"bini therorë" me tuajat shkrime

Nuk kini kokrrën e kripës, as druajtje prej krupës

Se jini bashkëfajtorë në krime.

Pendesë nuk njihni dhe hiqeni inoçentë

"Qe kohë e keqe dhe qe diktaturë!"

Secili që dje heshti, sot gati të shpallet disidentë

Ç'është më e keqja:-Ndonjë rreh gjoksin se qe burrë!

ADAMËR! JU nuk e hapët gojën, kur duhej folur,

Dhe partia e pushteti ju mbuloi me çmime

Patjetër, kur erdh demokracia, pendesë duhet të kishit njohur

(këto vargje  të mia, e presin një përgjigje)

* varg nga TRIFON XHAGJIKA.