Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vlash Droboniku: Mall, dashuri, largësi

| E diele, 26.09.2021, 08:26 AM |


VLASH DROBONIKU

MALL, DASHURI, LARGËSI

Kushtuar qytetit tim të dashur, Beratit

* * *

Berat!

A thua jemi larg i dashur qytet?

A thua s'do shihemi më Berati im?

A mendon se çdo ditë të pres e më pret...?

Oh, ç'pyetje retorike më vjen ndër mend tani!

Çdo ditë të mendoj plot mall dhe dashuri,

Të mendoj shpesh plot ndjenjë dhe nostalgji.

Të pikturoj i madhërishmi qyteti im

Të pikturoj në largësi të paimagjinueshme kontinenti.

Ashtu si dita dhe nata këmbejnë orët mes njëra tjetrës,

Ashtu si ditët ikin, ikin në pafundësi,

Ashtu dhe pafundësia e mendimeve të mia fluturon në hapësirë,

Fluturon, për të ardhur pranë teje, Berati im.

Nga largësia e përtej oqeanit

Sa shumë përqafime malli të jap.

Një trokitje zemre të befasishme

Pranë teje vjen në të papriturin çast.

Të dy bashkë të përqafuar të shëtisim,

Ta ndjejmë mrekullinë e lindjes së Diellit mbi Tomorr,

Pasditeve atë Diell të argjendtë ta shohim

Perendimin e tij të kuqeremtë  mbi Shpirag,

Atje, ku shtatë kodrat e Beratinës

Ndihen si në ëndërr buzë mbrëmjes,

Tek ti Berat, qyteti im i lindjes.  

Më pas, të dy së bashku pa u ndarë

Të rendim, të rendim gjithandej pandalim,

Të kaloj orë ekstaze frymëzimi duke medituar,

Duke të  pikturuar si në të hershmen fëmijëri.

Të shkoj e të magjepsem para ikonave të shenjta,

I përgjunjur të falem, të puth afresket e Onufrit,

Të jem mbi muret e kalasë shekullore

Si atëhere në fëmijëri kur dëshiroja të prekja retë në qiell.

Dhe prej lartësisë të ndjej rrjedhën e Osumit,

Fëshfërimën e lumit, herë i qetë, herë i vrullshëm

Ujët e lumit që rrëshqet ndënë urën e lashtë,

Ura e mirënjohur, Ura e Gorricës.

Me dhimbje, lot edhe mall

Këmbët më çojnë atje, në heshtjen funebre...

I pikëlluar, sy lotuar vazhdoj ecjen time të ngadaltë!

Ata lot dhimbjeje i derdh mbi pllakat e mermerta të varreve,

Varret e të dashurve, familjarët e zemrës sime,

Oh, sa shumë më mungojnë, sa shumë vite pa i parë!

Buqetat me lule që mbaj në duar,

Dhimbshëm i vendos mbi mermerin e ftohtë.

Fotografitë në mermer i puth me brengë shpirti,

Qirinjtë t'i ndez si dritë përjetësie.

Vetëm pak, vetëm pak!

Mendoj, aq vështirë  të jetë kjo ëndërr,

Ky çast ku të bërtasim të përlotemi,

Të gëzohemi ndër biseda,

Të ëndërrojmë të pamundërën deri në çmenduri.

Vetëm pak! Po, vetëm pak.

Aq e vështirë qenka ta shoh këtë ëndërr?!

Oh, ti e çmendura largësi mërgimesh,

Sa mizorshëm miqtë i largon

Dhe kujtimet e jetës çdo ditë i afron

Atje, Berati im, tek Titaniku Iliro Mesjetar

Ne, dy vëllezërit binjakë Vlashi dhe Rolandi,

Ku lëshuam të qarën e parë.

Kalaja shekullore, Kalaja e Beratit,

Vendlindja ime,

Me mall, me shumë mall, të përqafoj.