E marte, 16.04.2024, 05:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet këngëtari i mirënjohur dhe shoëman-i i spikatur kosovar, Naim Abazi

E shtune, 06.12.2008, 01:21 PM


Naim Abazi
Në atë kohë Enver Hoxha për ne ishte Shqipëria

Në Kosovë njerëzit ishin ose me Enver Hoxhën ose me Titon

Nga Albert Zholi
 
Është një nga shoëman-ët më të njohur në Kosovë, por dhe një këngëtar i adhuruar. Kryetar i një familjeje artistësh ai ndan jetën me këngëtaren e njohur Mihrije Braja, një dashuri që e ka bërë të lumtur dhe babain e një djali që sapo ka nisur suksesin në muzikë. Në këtë intervistë ekskluzive, një nga personalitetet më të njohur të artit në Kosovë ndan mendimet e tij për politikën, artin, karrierën, Kosovën, Shqipërinë dhe jetën personale me lexuesit e gazetës sonë duke treguar për herë të parë shumë aspekte të panjohura më parë…

Çfarë kupton Naim Abazi me vlera krijuese?

Jo vetëm botën artistike. Vlera krijuese mund të ketë në të gjitha fushat: duke përmendur ekonominë, politikën dhe botën artistike. Në këtë vend kaq pjellor duhet të dëshmojmë jo vetëm vlera ekonomike apo tregtare, por në çdo fushë. Duhet të prodhojmë vlera artistike dhe në politikë, duke bërë një politikë të pastër, me standarte.

Në Kosovë dhe Maqedoni duket sikur ndiqet një rrugë më e ashpër. Ç’mendim keni ju?

Mendoj se duhet t’i heqim politikanëve tanë të drejtën që të bëjnë luftë për vdekje për të arritur përfitimet e tyre personale. T’u heqim mundësinë duke krijuar Kushtetutë dhe ligje stabile, që ato të mos bëhen sipas qejfit. Duhet një procedurë e gjatë për ta realizuar ndryshimin e ligjit, jo si ti teket politikanëve apo presidentëve që zgjidhen. Një Kushtetutë stabël brenda Kushtetutës europiane dhe amerikane do na bëjë një shtet stabël, brenda linjave ligjore, duke i shërbyer atij, aq sa mundemi, aq sa jemi në numër, aq sa kemi mundësi ekonomike. Nuk do të bëhen ligje sipas dëshirës individuale të një njeriu, të një grupi njerëzish, por ligje për popullin.

Kur datojnë fillimet tuaja dhe cila është kënga që ju keni kënduar për herë të parë?

Unë i takoj gjeneratës që është rritur me dëshirën e madhe për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët, për ta prekë Shqipërinë mëmë. Unë nuk mund t’i paramendoj shqiptarët në disa shtete, nuk mund të paramendoj kombin shqiptar të ndarë nga kosovarët. Mund të flasim për kombin kosovar njëlloj si për sarandiotët, shkodranët, tropojanët, përmetarët dhe jo të flasim për dy kombe. Ne jemi një komb, jo një komb tjetër. Dhe unë këngën e parë e kam pasur kombëtare. “Kombi im sa fort të dua”. E kisha dëgjuar në radio Tirana një këngë “Librazhdi ynë o sa fort të dua” dhe e kam kënduar duke bërë ndryshime në tekst. Por më thanë të mos e këndoja se ishte shumë patritotike dhe do kishte probleme. Më pas kam kënduar këngë të tjera, duke imituar yjet e asaj kohe:Vaçe Zela, Avni Mula, Gaqo Çako dhe plot të tjerë. Nga Kosova Sabri Fejzullahu, Gazmend Pallaska, Nexhmije Pagarusha etj.

Po në skenë kur keni dalë për herë të parë?

Ka qenë mosha 6- vjeçare kur kam kënduar para shokëve të mi. Që 6 vjeç arsimtari i muzikës më zgjodhi se këndoja bukur. Në familje nuk kishim muzikantë dhe unë e fillova për herë të parë. Bëri shumë bujë interpretimi im sepse isha i vogël dhe simpatik. Në shkollën e mesme kam kënduar në klasë, por jo në spektakle. Kur shkova në Prishtinë para meje u hap një botë re, aktivitetet në shkollë. Nisa të merresha me disa drama, rolin e Shpendit në dramën “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, Mendavecit, Murrashit tek “Toka jonë”. Kishte grupe teatri pranë shkollës dhe shfaqjet jepeshin në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Ka ndodhur që në këto shfaqje të selektoheshin dhe aktorët e ardhshëm për të studiuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë.

Më pas vazhduat Artet?

Jo. Ishte një aktivitet i lirë. Në të gjitha vendet ish- komuniste funksiononin shumë grupe artistike. Unë përveç se këndoja merresha dhe me dramë. Në fund të shkollës së mesme u paraqita në një edicion me një grup profesional “Bajram Curri” dhe nisa të këndoja më me profesionalizëm, më me baza profesionale. Më ftuan në RTSH-në e Prishtinës për të provuar të këndoja disa këngë. Ato kaluan dhe regjistrova këngët e parë na vitin 1982. Më pas për çdo vit regjistroja këngë të reja.

Po studimet?

Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Pastaj kam magjistruar në drejtimin alergologjik. Kam punuar vetëm dy muaj në jetën time si mjek dhe pastaj iu dorëzova shoë biz-it. Sepse nga viti ‘90 e lart ne na nxorën nga sistemi.

Mund të veçoni ndonjë mbrëmje prej tyre?

Në nëntor të 1989-ës në një mbrëmje ku ne po performonim, ku programi kishte një karakter shumë nacional, ku këndoheshin shumë këngë shqiptare patriotike, ku çdo gjë ishte për të afirmuar këto vlera, erdhi zoti Ibrahim Rugova dhe shumë personalitete të rëndësishme. Atë ditë festohej 400- vjetori i Mesharit të Buzukut. Në atë mbrëmje që drejtoja, shqiptarët dhanë fjalën se do bëhej gjithçka që të fitonte demokracia në Shqipëri. Kishte dhe shumë senatorë amerikanë. Ishte një mbrëmje shumë e veçantë. Më pas kam kënduar në gjithë botën shqiptare, kudo ku kishte shqiptarë. Kemi mbajtur koncerte pa fund. 

Një nga drejtimet që mori karriera jote ishte drejtimi i spektakleve. Kur filloi?

Filloi në 1999-ën kur u hapën televizionet në Kosovë. Unë me miqtë e mi bisedoja shpesh për drejtimin e spektakleve. Mbas një oferte që më erdhi për të drejtuar Telebingon kosovare, vendosa ta provoj. Fillova. Më eci goxha mirë. Unë e di që ka shumë mungesa. Sepse nuk ka njerëz perfeksionistë. Kam vazhduar deri në ditët e sotme spektakle si në Kosovë dhe në Shqipëri.

Cili është spektakli që mbani mend në Shqipëri?

Miss Shqipëria 2002 që e kam drejtuar me Hygerta Sakon në Apolloni. Ndërsa nga spektaklet e mia kam pasur një quiz, diçka që e kam bërë me shumë shpirt. Aty ka pasur dhe shumë dituri dhe art brenda. Ka zgjatur një vit, sezoni i 2005-2006-ës.

Televizionet kosovare i bëjnë konkurrencë atyre shqiptare?

Mendoj se televizionet kosovare kanë pasur problemet e fillimit si ato në Shqipëri. Ato ndiqen shumë në Kosovë, por televizioni “Top Chanel” dhe “Klan” kanë bërë që niveli i kriterit të vlerësimit të shkojë goxha lart. Ato e kanë ngritur nivelin e prezantueshmërisë. Në Kosovë televizionet kanë pasur vështirësi, të cilat po i kalojnë me sukses. RTK ka punuar në linjat e veprimit të përhershëm, me lëvizjen e një gozhde të vyshkur, si rrjedhim i kërkesave të sistemit. Ato mbeten akoma rob të partishmërisë sipas mentalitetit ballkanik. Por mjetet materiale RTK-ja i ka pasur të shumta dhe mund të bëhet më shumë.

Duke u marrë me shoën e ke lënë pas dore këngën?

Gjithnjë e kam lënë këngën pas dore. Sepse kënga ime nga viti 1989 u kthye në mekanizëm për të siguruar para, ndërsa në aspektin e evoluimit artistik u bëmë tre veta dhe ndoshta në këtë sofër nuk ka vend sa duhet për 3 veta.

Keni realizuar ndonjë album. Cilat kanë qenë vështirësitë?

Edhe pse bëj pjesë në grupin e këngëtarëve dembelë kam realizuar 7 albume sepse kam kolegë që kanë filluar pas meje dhe kanë realizuar 20. Albumin e parë e kam realizuar në fillim të viteve ‘90-të që mbeti i bunkerizuar për dy vite. “Kaçanikut i raftë pika”, një këngë që u bë një hit i madh, ndodhi ndryshimi i sistemit, u bunkerizua për dy vite, pastaj doli në vitin 92 dhe u titullua me të njëjtin emër. Më pas kaloi në domenin e regjistrimeve private. Në atë kohë duheshin shumë kolegjiume për t’i dhënë vizën një kënge. Ku elementi kryesor ishte partishmëria.

Albumi i fundit si titullohet?

Titullohet “Për ty”. Është me këngë ritmike dhe ka ecur shumë. Unë nuk e kam shumë të vështirë para produksioneve kur vendos të nxjerrë një album të ri, sepse janë shumë të interesuar. Çaloj pak vetëm tek fakti se e lë për një kohë të gjatë këngën të regjistruar dhe nuk marr pjesë në festivale apo organizime të muzikës.

Cila është arsyeja?

Sepse kam dashur të marrë pjesë në festivalin kombëtar, por dhe këtu thuhet nëse hyn Mihrija nuk hyn ti e kështu me rradhë. Me Mihrijen kanë më shumë interes sepse organizatorët e festivalit përfitojnë një artiste të njohur, një prezencë të bukur, një artiste shumë të afirmuar që ka rëndësi për festivalin. Para kësaj logjike unë ngec dhe nga ana tjetër ka shumë konkurrencë sepse dy nga një shtëpi janë shumë.

Megjithatë ku e ndjeni veten sot më mirë si një shoëman apo si këngëtar? Brenda vetes është kënga pidestali juaj apo shoëman-i?

Tani më shumë e shoh veten si shoëman. Tek unë kënga vazhdon të jetë një mekanizëm që na mundëson ekzistencën materiale. Më vjen keq që nuk i kam kushtuar dhe aq kohë. Do doja t’i ushtroja më shumë kohë muzikës artistike. Kam dëshirë të realizoj disa nga këngët e bukura të muzikës klasike, të tregoj se cilat janë mundësitë e mia vokale edhe pa kryer akademinë muzikore dhe të dëshmoj se mund ta këndoj “Sole mio” në mënyrë perfekte pa i ditur notat muzikore.

Pa këtë zë nuk do arrije të kishte gjithë këtë emër?

Ka shumë njerëz që mund të kenë zë dhe nuk kanë arritur të kenë sukses. Ne iu përshtatëm zërit. Kjo është jeta në përgjithësi. Kudoqoftë njerëzit në botë bëjnë përpjekje për të kapur një cak në jetë, të cilin ne vazhdojmë ta ndjekim si familje, në mënyrë që pasardhësit të mos kenë problemet tona.

Ekzistenca e Mihrijes të detyron më shumë të jesh një shoëman apo një këngëtar?

Jo. Kjo ka ardhur vonë. Pjesën si shoëman unë e shoh si dhunti dhe si një mundësi më shumë për të qenë më jetëgjatë në skenë.

Pavarësia mbetet dita më e bukur e jetës suaj?

Nuk ka mbetur vend në Afrikë pa e përjetuar pavarësinë, ndërsa ne në 2008-ën. Evropa dhe për këtë duhet të turpërohet disi. Faleminderit Amerikës! Por si një komb i lashtë me shumë kulturë europiane, këta të fundit nuk duhet ta linin të përfundonte deri në atë pikë.

Tek Naimi kush pjesë e Mihrijes trokiti më shpejt: bukuria apo zëri?

Unë jam shumë realist në jetë. Absolutisht që në radhë të parë ka qenë bukuria dhe pastaj erdhi zëri. 
 
Perceptimi për figurën e Enver Hoxhës

Në Kosovë njerëzit ishin ose me Titon ose me Enver Hoxhën. Atë e shihnin jo si diktator, jo si komunist, por si simbol të Shqipërisë. Enver Hoxha për ne ishte Shqipëria. Nëse dikush e thotë ndryshe, le të jetë intelektuali më i madh në Shqipëri apo Kosovë, dje ishte gabim, ne kështu mendonim. Profesori im, kur isha student, një ditë më thotë se ishte shumë i mërzitur sepse kishte parë në ëndërr Bajram Currin, një vend që nuk e kish parë kurrë. Ai u shpreh: “Unë kam parë Amerikën, Europën, por nuk kam parë Shqipërinë”. Merre me mend çfarë dëshire kishte tek kosovarët të preknin shtetin shqiptar. Ne shihnim vetëm gjërat e bukura që nxirrte televizori dhe ato duke bredhur me dhjetëra kilometra për të gjetur një shtëpi ku kapej stacioni i Tiranës. Perceptimi ynë pa e prekë Shqipërinë ishte ky. Unë dhe kur isha në Amerikë mbroja Enver Hoxhën. Por kur në ‘90-ën hyra në Shqipëri në mënyrë ilegale dhe pashë realitetin e hidhur, të një bote të vuajtur nën diktaturë, u zhgënjeva. Nuk e kisha menduar ashtu. Ishte një zhgënjim. Por kisha shpresë se shqiptarët pas demokracisë do të ecnin. Juve ju duket se keni ecë ngadalë, ne na duket se keni ecur mirë. Unë vij çdo 2-3 muaj dhe i shoh ndryshimet. Sigurisht që ka fshatra që kanë mbetur të prapambetura. Por të tilla ka kudo në botë. Keni përparuar dhe keni ecur ashtu siç ecën një foshnjë. Për ne Shqipëria ishte vendi i vetëm ku mund të mbështesnim kokën, që mund të na ndihmonte me shpirt. Dhe këtë e tregoi Lufta e Kosovës. Çdo dikutim çdo marrje e tepërt me të kaluarën nuk ia vlen. Të kaluarën duhet ta njohësh, por jo të merresh shumë me të. Mendoj se duhet të merremi me të ardhmen. Shqipëria do ecë shumë mirë nëse ne të gjithë do merremi me punën tonë, ndershmërisht dhe moralisht.

Ideja për t’u marrë me shoë- bizin

Ishte ide e imja, moment i kohës, një deklinacion. Në vitet kur isha student unë këndoja në mbrëmjet e studentëve për maturantët. I quanim “mbrëmje të kaltra”, që u bënë problem pse nuk quheshin të kuqe, sepse simbolizonte ngjyrën e Europës dhe jo të komunistëve. Këndoja pa ndërprerje dhe isha i adhuruari i universitetit. Në ato mbrëmje unë fitoja para, sepse paguhesha. Nisa t’i shoh hajrin asaj pune dhe të kuptoj se mund të fitoja duke kënduar. Im atë ishte profesor, i cili mbante tërë familjen dhe për një moment unë u bëra në burim të familjes. Tim atë e nxorën nga puna dhe unë nisa të mbaj familjen me të ardhurat e koncerteve. Nisa të këndoja në aktivitetet rinore dhe nëpër dasma. Në vitet ‘90-të shkova bashkë me Mihrijen në Amerikë dhe ishte një periudhë e artë sepse ishte një periudhë vlimi nacional për shqiptarët që ndodheshin atje. Të gjithë shqiptarët ishin aktivistë të çështjes së lirisë së Kosovës dhe kishte lindur shpresa për të demokratizuar Shqipërinë. Gjithë shqiptarët vinin pa fund nëpër mbrëmjet tona në Boston, Çikago, Detroit. 
 
Dita më e vështirë në skenë

Neve në Kosovë kur flasim për kushtet tona mund të tingëllojnë dhe si patetike sepse jeta jonë ishte e tillë. Unë ju thashë se kisha bredhur botën, po nuk kisha parë Shqipërinë, vendin tim. Mendoni pak se sa i mangët je ti kur eksploron gjithë botën dhe kur të tjerët të pyesin se nga je, ti i përgjigjeshe që je nga Kosova dhe ato të thoshin “Nga Jugosllavia?” Do ishte tjetër po të thoshin “Nga Shqipëria?”. Dita më e vështirë ka qenë kur në një skenë, kur isha duke kënduar është futur policia serbe dhe na ka arrestuar. Ka qenë ditë shumë e vështirë. Ndodhi në Pejë në vitin 1995. Shkaku ishte pse kishte shumë publik, kishte shumë ovacione, shumë rikthime në skenë. Dita më e bukur në skenë ka qenë Dita e Pavarësisë. Ne e jetuam në 2008-ën. Gjyshi im lindi në vitin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe vdiq ditën e pavarësisë së Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora