E premte, 29.03.2024, 03:12 PM (GMT)

Faleminderit

Sadik Bejko: Fishta si karakter i madh i kombit të vet

E enjte, 23.09.2021, 07:16 PM


FISHTA SI KARAKTER I MADH I KOMBIT TË VET

Nga Sadik Bejko

Për ne pasardhësit Gjergj Fishta është një poet i shquar, një nga emrat më të mëdhenj të kësaj fushe. Veprat e tij botohen dhe ribotohen në këto vite të kthimit të tij në vendin që ia kishin mohuar. Studiuesit dhe universitetet thellojnë kërkimet dhe analizën mbi vepra të tij. Aktorët më të shquar recitojnë poezitë e tij, i regjistrojnë në CD të cilet janë shumë të kërkuar.

Por këto mbase nuk i mjaftojnë asaj çfarë ishte Gjergj Fishta në kohën e tij. Ai ka qenë një frat, një meshëtar, një mësues, edukator në kolegjet franceskane. Ishte poet me kredibilitet të pranuar gjerësisht që në rininë e tij. Ishte veprimtar i jetës politike, nenkryetar parlamenti, por kryesisht ne jeten kulturore kishte spikatur për energjinë dhe intelegjencën e shprehjes e të sjelljes.  Ishte oratori, ishte atdhetari, ishte zeri i nje qyteterimi...., i qyteterimit te diellit qe lind andej nga perendon (Naim  Frasheri).

Ishte publicist me stil të mprehtë e të hollë me logjikë dërmuese dhe me argument e me substancë të pasur.

Me këto cilësi ai e kishte vizatuar veten si një karakter i madh, një personalitet referencial. Ethosi, kredibiliteti, karakteri në këto raste si pasuri e një personi, i kalojnë një kohe, një komuniteti, një etnie, apo fytyrës në formim të një shteti të ri. Karaktere të tilla na japin në dorë tiparet e identitetit tonë, na thonë cilët jemi ne, nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë. Ky karakter i madh i farkëtuar që herët, kur ai ishte ende i ri, erdhi duke u pasuruar në rrjedhë të kohës.

Ata që erdhën në pushtet mbas vitit 1944, armiqtë më të mëdhenj i shihnin te karaktere të mëdhenj si Fishta. Ata donin t’ia ndërronin drejtimin shkollës identitare shqiptare me rrënjë kombëtare me synimin drejt një “botën e re, një njeriu të ri”. Doket, të sjellat e veçanta shqiptare në lindjen e fëmijve, në dasma, në jetën e përditshme familjare e në bashkësi, në vdekje, në paqe e në luftë, të ardhura nga vitet, të përsëritura në mijëra vjet, këto “visare” tani nga sunduesit e rinj quheshin zakone prapanike.

Fishta, kryesisht me “Lahutën e Malcisë”, kishte vizatuar malësorin, që si karakter ishte një pasuri kombëtare e shqiptarëve, malësor që me qëndresën e vet në tokën e vet, me zakonet e veta, me veshjen, me këngët, me kullat, me gjuhën shqipe… kishte mbetur i patjetërsueshëm në tiparet kombëtare. Ai i kishte kaluar të gjitha sprovat historike dhe kishte mbetur i patundur. Një brez i tërë klerikësh të ditur kishin mbledhur eposin e Kreshnikëve (Donat Kurti), kishin mbledhur Kanunin e Lekës…(Shtjefën Gjeçovi), kishin botuar Visaret e Kombit. Si te proverbat, te kanuni, te eposi i kreshnikëve përsëriteshin të njëjtat formula gjuhe e mendimi, të njëtat kode të sjelljes. Kjo ishte një kulturë e mpiksur në shekuj. Ajo tani po mblidhej e po studiohej.

Tradita shqiptare dhe malësori i këtyre trevave gati adhuroheshin nga këta klerikë e diturakë, në krye të të cilëve me veprimin atdhetar dhe me talentin e tij të spikatur letrar, ishte Fishta.

Në ndërrimin e kursit për nga “bota e re dhe njeriu i ri”, këta diturakë duhet t’i nxinin e rrënonin me gjithësej. Ata u shpallën armiq, reaksionarë, të prapambetur…. fashistë. Shumë syresh e paguan me jetë.

Në këto që shkruaj nuk po ndalem në krjimtarinë poetike të Fishtës. Ajo ishte një krijimtari prej rilindasi, në kontekstet estetike të kohës, në kapërcyellin nga romantizmi drejt modernizmit.

Në këtë shkrim më shumë kam dashur të nënvizoj rolin e Fishtës si frymë, si ethos, si karakter.

Sipas kulturologëve nëna i jep birit trupin, mundet edhe mendjen. Karakterin dhe fatin, të nesërmen, ia jep i ati. Në mitologji jepen bij të rritur nga nënat. Në një kohë të dhënë, kur ata duan identitetin, karakterin, fatin e paracaktuar, nisen të kërkojnë atin.Telemaku vihet në kërkim të Odisesë, Krishti kërkon Atin etj. Në shumë kultura burri kur vdes, thotë po shkoj tek të parët e mi.

De Rada me Motin e madh, Naimi me “Historinë e Skënderbeut”, Sqiroi “(Te dheu i hhuaj”), Fishta me “Lahutën e Malcisë”, Nolin me Skënderbeun si prozë artistike(1926) punuan që të ndërtonin mitin e të parëve te shqiptarët. Miti i Atdheut. Eposi si procede ishte i tejkaluar. Por shqiptarët, ashtu si hebrenjtë në kohët moderne, kur krijuan shtetin, kishin nevojë për kohët e arta të miteve, prej nga Izraeli i sotëm mori simbolet, flamurin me Yllin e Davidit, shandanin, gjuhën.

Shqiptarët e krijuan shtetin,por u duheshin heronjtë historikë dhe karakteret e gjalla, karakteret e mëdhenj që si figura referenciale do t’u jepnin unifikimin shpirtëror.

Heronjtë e eposit të Fishtës janë malësorët e krahinave pranë Shkodrës. Nuk arratiset në Histori. Marrash Uci, Oso Kuka, Tringa… deri dh e Abdul Frashëri janë heronj që nuk të çojnë thellë në kohët e mugëta epike. Ata janë të kthjellët, të dhënë si të gjallë, sikur i ke në pëllëmbë të dorës. Ata janë figura e legjendarizuar e atij malësorit me pushkë të ngulur në sup që “për fe e për troje të veta/nuk i dhimbsen as gjaja, as jeta”.

Zanat, orët e të tjera figura të mitologjisë u japin thellësi bëmave dhe jetëve të këtyre burrave heroikë të malësive. Ishte kjo teknikë poetike e afërt me këngët e epikës historike, po dhe me figura ende të gjalla në kujtesë si Çun Mula, Ali Pashë Gucia etj që e bëri të afërt poemën e Fishtës me të gjitha nivelet e lexuesit. Edhe të atij që nuk di të lexojë, por e dëgjon dhe e mëson përmendësh, e këndon.

Fishta ishte nje veprimtar i angazhuar i kauzës së shqiptarisë. Me dramën, me satirën, me publicistikën punoi për atë që një shoqëri e organizuar në një shtet të ri ka nevojë të ndreqet. Identiteti nuk është një e dhënë vetëm historike. Ai duhet krijuar e riformatuar çdo ditë në vijueshmëri, në kohët që jetojmë. Veçanërisht me satirat dhe me publicistikën ai u tregua i rreptë me veset e shqiptarëve, të bashkëkohësve të tij. Një shtet, një komb themelohet, por duhet mbajtur, kalitur, duhet drejtuar nga e mbara.

Fishta ishte një karakter i madh, me zë autoritar, një denoncues bubullues e trimëror ndaj të këqijave.( Rriqna t’ndyet, shakllabana…). Ai ishte polemizues asgjësues për nga logjika e tij e hekurt, ishte i rëndë dhe i ndritur. Në gjallje të tij edhe kundërshtarët perjashtues ia kanë njohur autoritetin e luanit, autoritet që buronte nga integriteti moral dhe nga talenti i lindur.

Aksioni kombetar i Fishtes ndaj shqiptarit te kohes ishte i trifishte: te zbulonte rrenjet identitare te shqiptareve, te spastronte shoqerine e kohes nga te keqijat, deformimet, veset dhe ta fisnikeronte shpirterisht me shkollen, me poezine, me teatrin.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora