| E merkure, 22.09.2021, 06:41 PM |
DASHUNUESIT E POEZISË
Fjala
e Sabri Hamitit në përurimin e librit të tij më të ri
Nga
Sabri Hamiti
Të
dashur miq e kolegë,
Ju
ndiej që jeni këtu të pranishëm në një solemnitet ditunor e shpirtëror, të
paraqitjes së librit tim “Enigma e poezisë” në Akademi. Ky është libri i pestë
që më ka botuar Akademia në dy deceniet e fundit, pas librave: “Tematologjia”,
“Albanizma”, “Utopia” e “Testamenti”, për të bërë një Poetikë Shqipe.
Kjo
paraqitje është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi intim në leximin
publik. Akti në vetvete e ka aventurën e librit të parë, si libër i fundit, apo
andrrën autoriale të librit të fundit, si libër i parë.
Po,
le të jetë kjo fjalë e imja edhe si confession.
Sa
herë e zë veten ngusht, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që
thur enigmën duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi
i parë dhe i fundit, që mund të jipet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu
dhe miqt që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar.
Për
të zgjidhur enigmën, rivizitova poetë, përkthyes e dijetarë të shqipes të
shekullit XX dhe të shekullit XXI.
Gjergj
Fishtën, i cili bashkon me zemër të hapur Zotin e Zanën, për të krijuar poezinë
e idealitetit letrar të botës shqiptare, të cilin idealitet e mbron fuqishëm,
po si veprën e vet.
Lazër
Shantojën, krijues e kanonist, që në aventurën poetike bëhet skandalizuesi i
parë, i cili “Për nji puthje të vetme” krijon e shkatërron kurorën e lirikës
personale me dashurinë.
Ernest
Koliqin, shkrimtar e poet, që me tharmin e artit poetik projekton kanonin
letrar shqiptar në integralitetin e plotë të kësaj letërsie.
Martin
Camajn, i cili krijon poezi të rrënjës së vet, pastaj e lexon vetveten (i
privuar nga lexuesi), për të zbuluar në fund enigmën me shqiptimin e
palimpsestit të vet poetik.
Rexhep
Ismajlin, gjuhëtar e dijetar letrar, i cili jeton dramën, si “gjendje të
ndërmjetme”, të përkthyesit të poezisë, si rikrijues, për të rritur komunikimin
e saj poetik e kulturor.
Zef
Zorbën, i cili refuzon refuzimin duke shkruar vetëm një libër, libër të mbetur
në dorëshkrim, librin e jetës e të alternativës moderne poetike.
Rivizitimi
vijon edhe me “Shejzat” poetike të autorëve bashkëkohorë, në shekullin XXI, nga
Rrahman Dedaj deri të Eqrem Basha.
Tani
që jemi këtu, të gjallët me të gjallë, të baraslarguar e të barasafruar nga
rrethanat e reales, duke falënderuar nga zemra kolegët e nderuar, vlerësoj:
Eqrem
Bashën, për figurën sharmante e spontane, që vjen duke u rrudhur në elipsë, si
te Anton Pashku apo te Beketi.
Nysret
Krasniqin, kur zbërthen kuptimin poetik dhe filozofik të poezisë, duke e kaluar
nëpër sitën e hermeneutikës së Gadamerit; ashtu dhe dekonstruksionin sipas Zhak
Derridas.
Dhurata
Shehrin, për shprehjen e saktë dhe gjykimin e prerë, edhe kur e merr “malli i
stampës” i Ernest Koliqit edhe kur kanonizon dhe dekanonizon, simbas Harold
Blumit.
Dhe
Persida Asllanin, në fund apo në fillim, që me prekje të lehtë i shkund pemët e
ndjesisë e të mendimeve, duke rrjetuar tekstin fin, à la Rolan Bart.
Më
në fund, po më duket që sprovat e leximit dhe të kërkimit të enigmës së poezisë
ma dhurojnë një njohje: Poezia, si thelb i arteve, nuk është tjetër përpos e
vërteta njerëzore e thënë bukur.
Atëherë,
dijetari letrar e ka më mirë të kalojë në statusin e dashunuesit të poezisë,
duke dashunuar bukurinë e saj. Dhe tash, të gjithë bashkë, bëhemi dashunues të
bukurisë.
Pasfjalë
(përfundimi i librit “Enigma e poezisë”)
Dorëshkrimi
është kalimi i zërave në germa me një shkrim të dorës; Dorëshkrimi është tekst
i pabotuar asnjëherë. Shkrimi për Dorëshkrimin është mister i leximit të parë.
Këtë mundësi ia jep tjetrit vetëm miku i letrave.
Leximi
i parë me shkrim domosdoshmërisht i lidh gatitjen e poezisë me përgatitjen për
leximin e poezisë.
Leximi
i parë, i lirë e zbulues, bëhet në nivel të mahnitjes me tekstin, mahnitje që
krijon një shpërthim emocional. Leximi tjetër i shton shenja tekstit, duke
nënvizuar fjalë, figura e vargje, si parathënie të kuptimeve të gjetura, madje
duke shkruar në margjina të fletëve. Një lexim, tash tjetër, shpalon poezitë, i
rivë në komunikim me njëra tjetrën në cikle dhe të cikleve në tërësinë e
librit.
Kur
mbaron përgatitjen, fillon aventura e shkrim/leximit, duke krijuar lumturinë e
njësimit të botëve që kanë vënë komunikim: të Krijuesit e të Lexuesit, si
Rikrijues. Mjeshtëria për të vënë në rrjet poetik botët, duke çelur fjalët e
kuptimet, për ta takuar bukurinë, me ndjesi, mendim, intuitë, dije.
Ars
longa, Vita brevis.