Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Tmerri i burgjeve turke

| E marte, 21.09.2021, 06:43 PM |


Tmerri i burgjeve turke

Nga Gani Mehmetaj

Pastori ungjillor amerikan, Andreu Brunsons (Andrew Brunsons, në dëshminë e tij në Prishtinë, rrëfeu përvojën e hidhur, tronditëse, që të rrëqeth për burgjet turke. Për gati dyzetë minuta ai tregoi për Turqinë, ku kaloi 22 vjet. Por një ditë e arrestuan me akuzën se e kishte organizuar grusht shtetin kundër Erdoganit. Ishte njëri nga njëqindmijë të arrestuarit, por mbante mbi shpatulla akuza të rënda. E kaluan nga burgu i vetmisë në burg të sigurisë së lartë me tetëdhjetë të burgosur islamikë. Kështu i ngryste ditët në pasiguri të lartë e presion të tmerrshëm. Gjykimi ndaj tij ishte i rëndë, mesjetar, me akuza që të linin pa frymë, me kërkesën e prokurorit që të dënohej tre herë me burgim të përjetshëm. Me fjalë të tjera të mos dilte kurrë nga burgu sikur t’i kishte tri jetë.

  Tundimet dhe mëdyshjet hamletiane ishin të shpeshta për të burgosurin amerikan, ashtu sikurse që përpiqej të përballonte mizoritë e burgjeve turke pa e ditur ishte kjo sprovë e Zotit a ndëshkim. Droja tjetër ishte: do të shihte ndonjëherë dritën e diellit dhe a do ta shijonte lirinë.

  Pas dy vjetësh të rënda, e liruan nga presioni i presidentit amerikan mbi Turqinë dhe Erdoganin Dhe nga ky presion (turku do zor, ka thënë populli ynë), ai e shijoi lirinë. Vuajtjet në burgjet turke dhe përballja me një sistem të tmerrshëm burgjesh e prokurorësh, pastori amerikan i shkroi në librin dëshmi që u shit në 17 milion copë. Shpresoj se së shpejti do të përkthehet dhe do të botohet edhe në gjuhën shqipe.

2.

Për burgjet turke dhe kushtet mesjetare në te rrëfen edhe filmi amerikan “Treni i mesnatës’, (1978) i Alen Parkerit. Në kohën kur u shfaq filmi në Evropë, Turqia bëri disa demarshe e përpjekje ta ndalonte, ndërsa përpjekja e tyre ishte si ta pengonte diellin me shosh. E vërteta për burgjet e tmerrshme turke e përshkoi botën. Ishte film që tregonte për kushtet çnjerëzore.

3

Prifti amerikan ma kujtoi regjisorin kurd, Jimaz Gynej, autor i disa filmave të shkëlqyeshëm. Kineasti i famshëm kurd pothuajse e ngrysi jetën në burgjet çnjerëzore turke. Nga burgu i bëri disa nga filmat më të mirë. Emri i tij u bë i famshëm, por nuk ishte e mjaftueshëm që ta lironin. Sa herë i shikoj filmat: “Rruga” dhe “Shpresa” ma kujtojnë burgun turk, Jilmaz Gynejin dhe protestat evropiane për lirimin e tij.

4.

Burgjet turke askush nuk i di më mirë se sa shqiptarët. Burgjeve turke askush nuk ua ka pi helmin më shumë se sa bashkëkombësit e mi në pesëqind vjet robërie. Të rrallë janë ata shqiptarë që i futën në burg dhe që dolën në liri, sepse kur i mbyllnin brenda, nuk i lironin më. Janë shumë rrëfime që të lënë pa gjumë, janë shumë këngë pikëllimtare që të mbushin verem për zindanet turke dhe mizoritë e gardianëve turq. Mijëra të rinj e burra të pjekur e ngrysën jetën në vetmi të tmerrshme burgu turk: mijëra kilometra larg atdheut e familjes, në kushte të paimagjinueshme skëterre, nuk i panë kurrë më gratë, nuk iu gëzuan rritës së fëmijëve, nuk u çmallën me nënë e tatë. Kishim  shumë këngë për zindanët turke dhe për mijëra të rinj e burra që e ngrysën jetën në një vetmi të tmerrshme burgu dhe në kushte çnjerëzore. Por fatkeqësisht shumë nga këto këngë janë harruar, nuk këndohen më, i ka mbuluar moskujtesa.

Sa shpejt harrojmë si peshku.

Kur i kujtojë burgjet turke, me bie ndërmend një seri dokumentare turke, që rrëfen për tërheqjen e turpshme të ushtrisë turke nga Gadishulli Ilirik, duke lënë prapa tym e flakë. Për ironi ushtria turke tokat shqiptare i kishte djeg, duke ua lënë ushtrisë mizore serbe, burrat i kishin vra apo i tërhiqnin zvarrë nëpër Selanik e Edrene me pranga të lidhur duar e këmbë. Ishte viti 1913 kur Perandoria turke po shpartallohej. Nuk kishte asnjë logjikë pse i tërhiqnin zvarrë shqiptarët, as pse i dërgonin në burgje, pos shpirtit mizor otoman, që donte të  hakmerrej ndaj kryengritësve shqiptarë. Ndërkaq, i trajtonin më keq së skllevërit. Sa e trishtueshme dhe e dhimbshme, sa mizori janë bërë ndaj nesh, ndërsa ne i kemi harruara, apo me këmbënguljen e mushkut nuk duam t’i kujtojmë. Ra fatkeqësia e pastorit amerikan dhe na e kujton të kaluarën. Sa shumë hoqi populli ynë, sa pak miq patëm që të nxjerr mijëra të burgosur shqiptarë nga burgjet turke, ndërsa do të shpëtonin mijëra jetë.

Pastori amerikan, për vuajtët e veta e dhunën e burgjeve turke, shkroi librin “God’s hostage” që u botua në 17 milion copë. Sa libra shkruam ne për burgjet turke, ku vuajtën dhe vdiqën mijëra shqiptarë?