E premte, 29.03.2024, 01:42 AM (GMT)

Kulturë

Liri Pone Bele: Ngjarje e trishtë

E marte, 21.09.2021, 05:59 PM


NGJARJE E TRISHTË

Tregim nga Liri Pone Bele

Mësuese Mira mësoi se dikush po e priste të takohej në hollin e katit të parë të gjimnazit. Filloi të zbriste me ngut shkallët lidhëse me katin e parë dhe u hidhte vështrime të shpejta personave të pakët të ndodhur ulur, shumica ishin nxënës që bisedonin grupe-grupe. Diku pas tyre dalloi kokën e bukur me flokë të verdhë kaçurrela të mikes së saj Teuta, ulur pranë tavolinës së vetme me shpinë të lartë. Mira mbeti pothuajse e shtangur në çast nga habia teksa përqafoheshin me mall; vetë pamja tronditëse e Teutës tregonte një fytyrë të zbehtë ku spikaste shikimi i përqendruar, i trishtuar shprehur nga sytë e bukur ngjyrë gri me nuanca bojëqielli, që çuditërisht dukeshin mbuluar me një tis të hollë të tejdukshëm, sikurse nuk e kisha konstatuar më parë ,u shpreh ajo , edhe pse qerpikët e zinj të dendur e të gjatë ia ruanin hijeshinë.

E veçanta në paraqitjen ndryshe kishte të bënte me një prezantim qartazi të një gjendjeje shpirtërore të pazakontë, një vuajtje e stërzgjatur sa edhe gjumin disaorësh mund ta kishte flakur, sikurse dhe ushqimin. Për më tepër, koha e saj direkt nga puna, koha në pritje të një takimi të domosdoshëm me mua si asnjëherë më parë, më shqetësoi pa masë. Njëherazi, lindën me shpejtësi brenda meje pikëpyetje të shumta, teksa ulur përballë saj disa minuta më vonë nuk po mund të shqiptoja asnjë fjalë të vetme por qëndroja në heshtje duke pritur të më tregonte arsyen që e detyroi të takoheshim jo si herë të tjera dhe vura re me keqardhje se, ajo dukej të ishte ende nën forcën e situatës së pazakontë që kishte përjetuar dhe po e detyronte të më kërkonte ndihmë miqësore. Ndërsa unë ndihesha plotësisht e gatshme ta ndihmoja për çfarëdo shqetësimi, Mira mendohej:

E kam ditur mirë, e kam të provuar dhe faktuar nga shumë bashkëqytetarë se Teuta është e palodhur në profesionin e mjekes, punon me përkushtim, tregon se ka një horizont të gjerë si edhe një prirje të veçantë të saj ndaj leximit të literaturës mjekësore, pa harruar letërsinë, të cilat ia kufizojnë kohën e lirë aq sa takimet tona miqësore janë të kushtëzuara; kryesisht në orët e pasdites, mbas mbarimit të shërbimit rojë 24-orësh. Ditëve të muajit shkurt dhe gjysmës së parë të marsit, situata e krijuar nuk na kishte favorizuar takime. Mbanim kontakte me njëra-tjetrën përmes bisedave telefonike. Sinqerisht po i përjetonim me shumë vështirësi ato ngjarje të hidhura që shkaktonin në çast përpëlitje, shoqëruar me rrahje të shpeshta të zemrës, e cila regëtinte, duke prezantuar luhatje të lehta të veshjes në pjesën e përparme të gjoksit, jo rrallë e shoqëruar nga pikat e lotëve që rrëshqisnin faqeve, kur mësonim për humbje jetësh të njerëzve të pafajshëm apo për vuajtje lebetitëse, për plagë të thella të njerëzve të njohur apo të pa takuar ndonjëherë. Njihet mirë vlera e forcës njerëzore dhe është e pamatshme, shprehur në forma të larmishme. Është e  patjetërsueshme, pavarësisht kohës dhe vendndodhjes ku ajo prezantohet - ky është gjykimi im personal dhe jam e gëzuar kur shoh të ma miratojnë…

Pas këtyre mendimeve, Mira qëndroi në pritje të bisedës së Teutës….

Pa vonesë, Teuta e hapi zemrën e saj të pastër para meje. Unë me dhembje të thellë përjetova trishtimin me të njëjtin intensitet përmjes të treguarit në mënyrë të sinqertë e të thjeshtë prej saj njërën nga ngjarjet e trishta, realisht të panumërta, të ndodhura në ditët e marsit të vitit të emërtuar “vit i mbrapshtë”, të cilin personalisht do ta prezantoja me nuancat më të thella të ngjyrës së zezë, duke u bazuar përsa po mësoja, po shihja dhe dëgjoja përditë, konkretisht  për më tepër edhe në atë, që po rrëfente Teuta:

- Mira, ndihem në një gjendje shpirtërore tejet të rëndë, prandaj e  kam te domosdoshme të jem pranë dikujt që të ma lehtësojë sa të mundet këtë hidhërim. Mikeshë e dashur të përzgjodha ty, për të më ndihmuar të zbuten sadopak këto çaste të vështira, sepse besoj në zemër gjerësinë dhe gjykimin tënd të drejtë, sikurse i kemi dhënë provat ndaj njëra-tjetrës gjatë gjithë këtyre viteve të miqësisë sonë. Tani po filloj të tregoj ngjarjen (je njeriu i parë dhe i vetëm që i hap zemrën time), nisur me pjesën e fundit të saj, që është dhe pika kulmore:

Natën e kaluar, rreth orës 21. 10’, u dëgjua në kuzhinë sinjali i ziles së telefonit, transmetuar nga aparati i vendosur në shtyllën anësore të portës së oborrit tone. Mendova se do të kishte të bënte me ndonjë  banor aty pranë me dhembje gjoksi dhe gjendje shëndetësore të rënduar që nuk do të kishte mundur të arrinte deri në spital, apo dikush tjetër i mbërritur në repartin e urgjencës. Në moment arsyetova që kolegët përherë në raste të ngjashme më informonin në linjën telefonike të shtëpisë, me qëllim që të përgatitesha pa humbur kohë (jo rrallë vaktin e ngrënies e lija të papërfunduar), të isha unë në pritje të auto ambulancës, sepse konsulta e kardiologut ishte pjesë e  punës së ekipit të kolegëve në repartin e urgjencës.

Realisht, mjekut specialist po i kërkohej ndihma pavarësisht që ora përkatësisht shënonte kalim të intervalit të rekomanduar në mbrojtje të jetës së qytetarëve si  një urdhëresë e detyruar të zbatohej pra, ndalohej qarkullimi, lëvizjet e personave brenda qytetit prej orës 21. 00 - 06. 00 të ditës së nesërme por, në çast kuptova se ndërgjegjja ime, shkrirë në një subjekt të vetëm me ndjenjën e detyrës më udhëzuan të dalë në oborr. Me hapa të shpejtë iu afrova portës së hekurt, duke tërhequr llozin apo shufrën e brendshme, për të mësuar se cili ishte personi dhe gjendja shëndetësore aktuale e të sëmurit. Pavarësisht nëse ishte i njohur apo i panjohur, i rëndësishëm ishte  fakti se për të koha nuk premtonte të arrinte në spital dhe e meritonte ndihmën mjekësore që po kërkonte sa më shpejt të ishte e mundur, pa sa një koment.

Në dritën e zbehtë të oborrit u përvijua para meje hija e gjatë e konstruktit të një personi shtatlartë, teksa qëndronte jashtë portës me njërën dorë të ngritur për të shtypur sërish butonin e ziles. Sapo përqendrova shikimin midis shufrave metalike të gjysmës së sipërme të kanatit të portës, sytë e mi njohën shtatin e lartë të Ramizit, burrit të së sëmurës Sanije, e hospitalizuar me probleme zemre, të cilin e kisha takuar dje mbas orarit të punës.

Teuta heshti një çast duke më parë ngultas me atë shikimin e saj të pastër, dashamirës ku nuk mund të mos vihej re edhe mençuria...

- Të më falësh, Mira, që e nisa episodin nga fundi tij dhe po të qartësoj mjaftueshëm, një tregues i gjendjes sime shpirtërore të turbulluar… Ja, po e shtjelloj ngjarjen dhe… të detyrohem ty për kohën e..., - tha pastaj.

- Ndihem sinqerisht e lumtur pranë teje, për më tepër nëse ndihma ime të shërben, por tregomë gjithçka ndodhi me hollësi, sepse orët e matematikës për ditën e sotme i plotësova. Sa për kohën time të lirë, ta dhuroj me kënaqësi...

Duket se fjalët e mia e lehtësuan disi, gjë që e prezantoi një buzëqeshje e lehtë në fytyrën e saj të trishtuar.

- U shtanga, - vijoi Teuta, - kur ndesha shikimin e egërsuar, pothuajse vrastar të një njeriu, për të cilin nuk dija të kisha bërë më të voglin gabim; për më tepër, në komunikim me mjeken e shërbimit për një problem mjekësor e pyeta nëse të sëmurët kardiakë i kishin paraqitur ankesa dhe m’u përgjigj se ata ishin në përgjithësi të qetë, sepse kishte pyetur dhe verifikuar në zbatim të protokollit për një vlerësim të situatës shëndetësore për të gjithë të shtruarit e pavijonit, në pozicjon si mjek rojë. Atëherë, cila mund të ishte arsyeja që detyronte të shqetësonte mjekun në atë orë të vonë bashkëshorti i një të sëmure aktualisht e qetësuar?

- Ti?! - e njoha Ramizin, të shoqin e të sëmurës... - A ka ndonjë shqetësim Sanija?

Me ironi dhe tendencë përçmimi të pafshehur m’u përgjigj duke i ndarë rrokjet midis tyre; mori pamjen e një njeriu me pozicion  të rëndësishëm komandues dhe foli me ton të lartë:

- Është fare mirë saje punës sate të përkryer, pra ti e ke bërë detyrën që të takon, por unë kam ardhur të zgjidhim një problem tonin…

Në moment u kthjellova për çfarë po nënkuptonte, saktësova pozitën time dhe iu përgjigja prerazi , me ashpërsi, duke mos e lejuar të vazhdonte fjalën.

- Largohu sa më parë, unë nuk kam punë me ty! Nuk ke asnjë arsye të më shqetësosh dhe as që dua të të shoh këtej e tutje…

Hapa kanatën e portës, duke vazhduar ta mbaja llozin shtrënguar në të dy duart e mia zhurma gërvishtëse e të cilit, si të më tregonte se do të ishte mbështetja për mua, në pritje që personi përballë të largohej sa më parë. Ndërkohë para syve të mi u ripërtëri rrjedhja e ngjarjes së ndodhur tri ditët e fundit… mësova se mund të siguroja për vetmbrojtje një armë. Mora informacion në rrjedhën e zakonshme të punës së një personi, i shoqi i një të sëmure merrej me shitjen e armëve, rastësisht unë si njëra nga tre blerësit e asaj dite, saktësisht duhej t’i dorëzoja shumën e paracaktuar prej tij, pa bërë asnjë koment…

- Mira, e shoh, megjithëse po më ndjek me vëmendje, nuk po futesh në brendësi, - i tha Teuta pas pak.

- Po,ke të drejtë! Nuk qenka e lehtë .Duhet të përqendrohem më tepër.

Dhe pastaj Teuta vazhdoi:

- Dihet mirë se gjatë këtyre muajve puna në shërbimin shëndetësor është bërë me e vështirë, kuptohet që shumë prej të sëmurëve kanë edhe gjendje stresi, që ndikon jo pak në përkeqësimin e situatës. Konkretisht, para disa ditësh një grua në moshë të re, rreth të 35-tave, banore e një fshati të largët, u paraqit në repartin e urgjencës tejet e rënduar, për shkak të një çrregullimi serioz të ritmit të zemrës, prezantuar tepër i rënduar ditëve të fundit, sikurse e mësuam më vonë. Ishin pasoja të problemeve të lindura dhe të avancuara brenda familjes, sepse deri atëherë nuk kishte qenë për asnjë ankesë nën kontroll mjekësor. Sanija e kishte nënvlerësuar situatën fillestare që sa vinte dhe rëndohej, derisa filloi të prezantonte episode të shkurtra të humbjes së ndërgjegjes dhe përsëritja e tyre po shoqërohej me zgjatje të konsiderueshme të kohës, pra qartazi një problem serioz për jetën.

Në çastin e sjelljes në spital iu dha në çast ndihma mjekësore medikamentoze, por situata e rrezikuar apo gjendja ekstreme, vdekje klinike, u normalizua vetëm mbas përdorimit të aparatit mjekësor me emrin “defibrillator”. Zbatimi i protokollit, bazuar në vlerësimin e situatës së rënduar, detyronte goditje elektrike në gjoks të përsëritura me voltazh elektrik në rritje, një procedurë e ushtruar me shumë kujdes dhe ndjekje të njëkohëshme në monitor.

Të sëmurës iu rikthyen parametrat normalë të punës së zemrës, ndonëse u regjistruan cikle të shkurtra çrregullimi. Në vlerësim të tyre u pa e arsyeshme që e sëmura të qëndronte disa ditë në spital, nën ndjekjen e kardiologut, pasi banonte shumë larg qendrës mjekësore. Rikthimi në jetë i një personi, për më tepër në moshë thuajse rinore, bëri që kënaqësia  shpirtërore të zaptonte gjithë ekipin pjesëmarrës të përkushtuar në punë. Sa për prindërit e saj te moshuar, ata qanin të lumturuar teksa e përqafonin vajzën.

Çuditërisht, kur po e informoja të sëmurën se i nevoitej një qëndrim spitalor në vazhdim, isha e paqartë për kërkesën e përsëritur të saj që dëshironte të qëndronte disa ditë në kushte spitali, edhe pasi të vlerësohej e përmirësuar gjendja, sepse ndihej më e sigurt në prani të personelit mjekësor, sesa brenda familjes! Fjalë të sinqerta, prekëse:

- Po ta dini dhe ta njihni gjendjen time shpirtërore kur ndodhem në shtëpi, do të gjenit për mua një shtrat, qoftë në fund të korridorit…

Nuk mundesha ta pyesja më tej, përndryshe do shkelja etikën njerëzore dhe atë mjekësore. Vazhdoi përkujdesi i punonjësve, se nuk dukej të kishte asnjë të afërm pranë dhe prindërit e moshuar,për më tepër nëna ishte invalide pa patur njërin krah,ata u larguan pasi Sanija u përmirësua duke na falënderuar si ekip.

Më tërhoqi vëmendjen një fakt i pashpjegueshëm para dy ditëve. Në çastet para se të largohesha nga pavioni rreth orës 14.00, zakonisht hapja derën e dhomës ku ishin të shtrira të sëmurat, njëra prej tyre, Sanija që tashmë ishte larguar nga reparti i reanimacionit, përmirësimi i së cilës ishte i dukshëm. Papritur, ajo m’u drejtua e shqetësuar dhe, duke mbajtur dorën në gjoks, më nguli sytë, ku dallohej pasiguria dhe një gjendje e turbullt. Zgjati kokën drejt meje dhe duke folur me zë të ulët më lutej ta rikontrolloja. Gjithë parametrat klinikë, elektrokardiograma u gjetën brenda normës… Pas pak, Sanija m’u drejtua:

- Ja, përsëri po më vështirësohet frymëmarrja, rrahjet e forta dhe të çrregullta shfaqen herë pas here, por fakti që ti, mjekja ime, vërteton se janë të rregullta, atëherë po bindem se kjo është një ndjesi shpirtërore, për më tepër...

Ajo tregoi me kokë personin që doli pas meje në korridor dhe mbylli derën e dhomës, ndërsa unë po e dëgjoja me stetoskopin në krahun e majtë të zhveshur. Ai që doli, ishte një mashkull rreth të 45-tave, me pamje të rreptë, autoritare dhe shtatlartë e konstrukt sportisti, veshur jo në përshtatje me mjedisin, gjë që e prezantonte një kostum stofi cilësor dhe kapelja me strehë mbuluar ballin e lartë, rrethuar me flokë të gjatë hedhur supeve, një pamje disi e veçantë për anët tona. Me përtaci  më lejoi ti afrohesha Sanijes…

Çuditërisht më hodhi një vështrim mospërfillës, pa më bërë as edhe një pyetje të vetme se cila ishte gjendja aktuale e të sëmurës, natyrisht do të kishte pasur informacione për sa kishte ndodhur  me pacienten. Në mënyrë të vagullt m’u kujtua se nuk ma kishte zënë syri as në momentin e paraqitjes së Sanijes në repartin e urgjencës, ndonëse shkarazi dëgjova të atin që e bija është nënë e dy vogëlusheve dhe se bashkëshorti i saj ndodhej larg (mbase në emigracion).

Nuk po bëja dot lidhjen midis tyre dhe të dhënave, megjithatë nuk kishte arsye të harxhoja kohë dhe ndihma e çastit me medikamentin përkatës e normalizoi situatën kalimtare, realisht emocionale. Qëndrova gjatë në dhomën e mjekut dhe u largova vetëm pas rikontrollit. Sanija ndihej mirë dhe gjithçka kishte kaluar.

Në çastin e përshëndetjes së largimit, ajo më dhuroi një buzëqeshje të natyrshme, të përvuajtur, si të më kërkonte falje. Gjithë qenia e saj shprehte mirënjohje, kryesisht buzëqeshja e dëlirët:

- Ju, doktoreshë, po të më pyesnit, do t’ju tregoja se personi ulur te këmbët e shtratit tim që u largua në çast ishte Ramizi, bashkëshorti. Është njeri punëtor,i papërtuar, e vlerësojnë si njeri të ndershëm dhe tepër korrekt, ka aftësi të ushtrojë disa mjeshtëri, por…  Ka një sjellje të veçantë, pothuajse të egër, është tejet e vështirë të mirëkuptohesh me të, aq sa këmbëngulja për të mbizotëruar mendimi i tij dhe mënyrat që përdor për t’ia arritur qëllimit, janë bërë të lodhshme, të padurueshme, nganjëherë të papërballueshme… Pikërisht, ditëve të fundit duke e parë hollësishëm, me gjakftohtësi rrjedhën e ngjarjeve, nuk mund të mos mendoj e ta provoj se, pikërisht ai ndikoi drejtpërdrejt për gjendjen time të rënduar shëndetësore; ndoshta pa dashje, sepse ky është vetë karakteri i tij fatkeqë sisht ,ai nuk mund ta ndryshojë.

Sanija psherëtiu dhe vazhdoi të tregonte:

- Ngjarjet e kohëve të fundit na turbulluan së tepërmi, grindjet tona i kaluan kufijtë, duke qëndruar me këmbëngulje në pozicione të kundërta me njëri-tjetrin, mendimet tona ishin të papajtueshme, aq sa përgjatë çasteve të grindjeve fillova të kisha shqetësime në gjoks, shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje; fillimisht rrahje të çrregullta të shkëputura njëra nga tjetra, herë pas here ndjesinë e mungesës së tyre, të cilat më krijonin një gjendje emocionale të pakëndshme. Çastet jo më pak të vështira i përjetoja në pritje të shfaqjes së tyre dhe kështu, e detyruar pothuajse, lashë gjithçka pas krahëve, për më tepër kujdesin ndaj dy vogëlusheve, pothuajse  çdo moment në pritje të radhës së grindjeve, si të isha një ushtar rojë në kufi tepër vigjilent, i cili edhe kur nis të fryjë një erë e lehtë, fëshfërimën e ëmbël të gjetheve të pemës e dyshon si gjurmët e kujdesshme të një shkelësi të paligjshëm të kufirit…

Pikërisht pas  muajit të kaluar erdhi çasti të sqarohesha për shkakun e vërtetë të keqkuptimeve tona të shpeshta, gjë e cila u realizua saje këmbënguljes sime. Më shqetësonte fakti që Ramizi shpesh largohej nga shtëpia pa njoftuar për dy apo tri ditë dhe kthehej i heshtur, pa dashur të më sqaronte arsyet e gjendjes së tij të tjetërsuar. Ngandonjëherë qëndronte mbyllur me çelës në dhomën tone, sa… (një ditë pata përshtypje të çuditshme se po nxirrte kartëmonedha nga xhepat e brendshëm të xhaketës dhe, duke shpejtuar t~ja u fshihte syve të mi, në nxitim e sipër, ato u përhapën në qilimin e shtruar). Vallë a kisha parë ndonjëherë në duart e tij kartëmonedha me ngjyrë bojëqielli, sikurse më vonë mësova të quheshin “euro”, përveç disa të zakonshmeve prej metali, kur më duhej të shkoja të blija bukën e përditshme?

Dhe më e çuditshmja ishin bisedat që bënte në fshehtësi me dy meshkuj të panjohur për familjen tonë, pas të cilave shpejtonte të largohej pa më dhënë as më të voglin informacion. Kthehej me veshje të shtrenjta, si këmisha, kostume apo këpucë, që më linin pa mend teksa i shihja, në pamundësi të kuptoja çfarë po ndodhte me Ramizin..  në ditën e dasmës sonë  veshja e tij ishte fare e thjesht…

Erdhi çasti kur nuk po mundej të më shmangej dhe pranoi se ishte punësuar në një grup të vogël prej tre personash, kryesori dhe bashkëpunëtori banonte në Tepelenë. Aktiviteti i tyre kishte të bënte me shitjen në fshehtësi të armëve të llojeve të ndryshme në disa qytete,por shpeshherë kalonin kufirin. Armët i rrëmbenin nga depot e hapura apo, shprehur thjesht, i kishin vjedhur në repartet ushtarake të zonës. Gjithçka ishte e mirorganizuar dhe vepronin me shumë kujdes në fshehtësi të plotë për të mos u zbuluar nga askush.

Natyrisht,pasi u ndërgjegjësova, e kundërshtova me force, duke mos e pranuar me çdo kusht, sigurisht po më dukej një rrugë e pashkelur me parë e cila siguronte rritje financiare njëherazi e shoqëruar me marrje jetësh të pafajshme, duke rrezikuar dhe jetën e Ramizit e të femijëve tanë. Realisht, jam e pa shkolluar, e pa kulturuar, mundohem të njoh anën praktike të jetës, por nuk po kuptoja qartë se cili ishte qëllimi i këtyre shitblerjeve të armëve. Të ishte Ramizi njëri nga shkaktarët e viktimave të pafajshme?! Përse duhej të vepronte në atë mënyrë?! Puna e tij e ndershme e deriatëhershme ishe bazuar në djersën e ballit dhe ne jetonim të lumtur. Po tani? Përse na duheshin këto para të fituara me humbje jetësh të pafajshme?! njëherazi po ato te ardhura po shkelmonin jetën tonë të lumtur bashkëshortore, strehën tonë familjare të qetë.

Nuk mund të pajtohesha kurrsesi me këtë lloj tregtie… Tronditja ime ishte e skajshme dhe po e shihja tim shoq si një përbindësh, aq sa nuk po jetoja një jetë normale... gjë që ju ma rikthyet me përkushtimin tuaj mjekësor dhe njerëzor, të cilin vazhdoj ta kem ende në spital. Asnjëherë nuk e kam bërë më të thjeshtin kontroll mjekësor... Dihet mirë tani, se kohët kanë ndryshuar për të gjithë.

Ka shitur disa armë Ramizi në fshatin tonë, jam e sigurt se blerësit, që i njohë së afërmi, nuk i kanë përdorur për vrasje, realisht duan t’i kenë si mjete mbrojtëse… sa për vete nuk arrija të kuptoja çfarë po ndodhte, ta shpjegoja tregtimin, absolutisht më ta pranoja atë mënyrë mizore dhe të pandershme të rritjes së të ardhurave në familjen tonë…

Pa e kuptuar as vetë, biseda me të sëmurën Sanije në moment më përtëriu një problem të ndërlikuar brenda meje, lindur ditëve të fundit, fuqizuar dhe ushqyer nga rrethanat e disfavorshme të atyre ditëve, pothuajse i pazgjidhshëm në pozicionin tim, çka do të më informonte se, rastësisht rruga e zgjidhjes së tij gjendej diku pranë meje, të dhëna që përpiqesha t’i mësoja e detyruar nga rrjedha e ngjarjeve atyre ditëve. Nga ana tjetër, dija që dy kolegë më kishin treguar në mirëbesim se e kishin gjykuar të arsyeshme të siguronin nga një pistoletë, sepse episode të papritura,rrezikuese për ishin bërë realitet ,vetëmbrojtja kishte marrë të tjera pozicjone dhe vlera.

“Nëse do ta marrësh edhe ti këtë vendim, nuk do përtoja të ndihmoja në përvetësimin e përdorimit të një arme të sigurt, - u shpreh një ditë me seriozitet Luani ,njeri nga kolegët e mi...

- Ke të drejtë Teuta, por ketë veprim timin nuk do ta kisha bërë kurrë më parë. Pikërisht janë rrethanat e sotme, kushtet që më detyrojnë... Mbase edhe për ty mund të ishte e domosdoshme ta kishe me vete në çantë një mburojë metalike!? Sa për të mësuar përdorimin, nuk besoj se e ke të vështirë, gjatë gjithë këtyre viteve mprehtësia e veçantë mendjes  sonë, ka dhënë prova.

- Mua, - ia ktheva e habitur, - nuk më ka shkuar në mendje, por ja që rastësisht ruhen në kujtesë grimca bisedash dhe papritur gjallërohen…

Kjo temë midis nesh është diskutuar para një muaji dhe mund të tregojë me ndërgjegje reagimin tim negativ ndaj një sugjerimi të tillë gati imagjinar por, duket se ai paska lënë një gjurmë molekulare brenda meje, sikurse u provua  në ditët e mëvonshme.

Teuta iu rikthye rrëfimit të saj:

- Pas një copë herë heshtjeje, pyeta me zë të ulët Sanijen nëse Ramizi e kishte  mundësinë të shiste ndonjë revole atyre ditëve. Doja ta mësoja… Pikërisht zgjuarsia e natyrshme e saj më dha përgjigjen e duhur:

- Ai do të jetë këtu dy orë më vonë, ka lënë takim me dy persona për t’u shitur nga një armë. Nuk di të tjera hollësira dhe ju mund të bisedoni së bashku.

Gjykimi i saj ishte i drejtë. Vazhdova punën në pritje të ardhjes së Ramizit...

E takova mbas orës 14.00. I paraqita shkurt kërkesën që më duhej të kisha një armë për vetëmbrojtje në rrethanat e krijuara. Për më tepër, profili i punës nuk mund ta pranonte mungesën e ndihmës së një të sëmuri në gjendje shëndetësore serioze edhe kur kishte kaluar ora 21.00. Konkretisht qëndroja ulur në lokalin pranë spitalit. Njëri nga shokët e mi  më shoqëroi deri në momentin kur tavolinës ku po qëndroja, iu afrua qetësisht Ramizi, por përsëri ai qëndroi ulur në tavolinën pranë dritares, me qëllim të ishte aty pranë, sido të shkonte puna , takimi midis  mjekes dhe trafikantit…

- Më duhet të blej një revolver, si një mjet të domosdoshëm vetëmbrojtës për kushtet e sotme. Rasti e pruri të mësoj se ju mund ta plotësoni kërkesën time. Po flas seriozisht dhe pranoj çfarëdo çmimi të ketë, pa as më të voglin diskutim, - iu drejtova thjesht e natyrshëm, si një blerës i zakonshëm, ndonëse sendi nuk ishte i tillë…

- Dakord, sonte pas darke vonë do ta siguroj. Do të ta sjell vetë nesër paradite. Mendoj se ju duhet një tip “Makarov”, ruse gjysmë automatike, me 7 fishekë. Peshon rreth 500 gramë, kanë një tytë të shkurtër dhe e vendos brenda çantës së punës, pa tërhequr vëmendjen e tjetrit. Më e rëndësishmja është se këto tipe gjenden me vështirësi, sepse janë të vogla, të bukura dhe kanë hyrë në vendin tonë rreth viteve ’80-të, nuk janë të ruajtura brenda rafteve të depove ku mbahen municionet. Pikërisht për këtë arsye sigurimi i një arme të tillë është tejet i vështirë; aktualisht është mjaft i kërkuar dhe si rregull u takojnë oficerëve madhorë… Ne me vështirësi sigurojmë 2-3 copë në hapjen e një magazine. Realisht kjo armë është më e përshtatshmja për ju në situatën e krijuar ditëve të fundit ne vendin tonë ….

Më pushtoi një ndjesi e pakëndshme, e frikshme, sikur ajo do të kishte një shtytje të brendshme e do të vetëshkrepej, teksa unë po e mbaja në duar për ta vendosur me kujdes në fund të çantës, më dukej se po rrezatonte një forcë goditëse imagjinare dhe të panjohur…

- Atëherë, duhet të paguani 50.000 lekë dhe do ta sjell vetë, mos kini dyshime, - përfundoi Ramizi.

Të nesërmen u takuam mbas mbarimit të orarit të punës, sikurse një ditë më parë. I dorëzova kartëmonedhat, të cilat çuditërisht as i hapi për ta verifikuar shumën e paracaktuar. Një gjë tjetër që më tërhoqi vëmendjen, ishte profili i Ramizit. Ai prezantonte rreptësi apo më saktë egërsi, si të nënkuptonte se pas atyre veprimeve të zakonshme diçka po fshihte…

Edhe pse pistoleta ishte e mirë paketuar, sapo e preka më përshkoi një dridhërimë e papritur (pa e ditur as vetë se si përjetova ndjesinë e pakëndshme në vitin e dytë të fakultetit të mjekësisë, kur për herë të parë preka një pjesë të konstruktit të një kadavre dhe profesorit i tërhoqi vëmendjen tronditja ime); ndjeva të kisha duart e ftohta, përshpejtim të rrahjeve të zemrës dhe gati shtanga. E pikëlluar, u pushtova nga një sërë pyetjesh:

“Si mund të kem në duart e mia mjetin ekstremisht të kundërt me frymëzimin dhe aktivitetin e përditshëm normal në jetën time? Ku mund të ndodhet tani Betimi i Hipokratit si udhërrëfyesi dhe frymëzuesi im?”.

Ishte hera e parë që po mbaja në duart e mia një send vdekjeprurës. Sa për mënyrën e përdorimit, do përpiqesha ta mësoja, sepse edhe aparaturat mjekësore e kishin provuar durimin dhe përqendrimin tim, derisa… Nuk po mund ta shpjegoja se momenti i pronësisë sime mbi një send të tillë do të më krijonte shumë më tepër emocione negative, krahasuar me kohën kur nuk e kisha ndier ftohtësinë metalike, egërsinë me të cilën shoqërohej një veprim me kohëzgjatje të mijëtat e sekondës dhe kur shihje para teje një këputje mespërmes të një jete rinore, një prind fëmijsh…

Aq shumë e turbulluar ndihesha, saqë nuk përshendeta në çastin e largimit, por përsëri qëndrimi i Ramizit nuk tregonte asgjë për mungesën e etikës njerëzore. Ai ishte i përqendruar në vetvete, si të ishte duke planifikuar një veprim fantastik…Termi “vetëmbrojtje” u shkri brenda meje shumë shpejt pa lënë asnjë gjurmë dhe po më dukeshin fare të  pavlefshme sugjerimet e dy kolegëve të mi, për të cilat kisha bindje pothuajse absolute se ishin dashamirëse…

Në shtëpi, pasdreke, vendosa pistoletën e tipit “Makarov” në vend të sigurt e të fshehtë. Ama, vetëm shikimet drejt saj m’i shtonin emocionet negative, shoqëruar me një ndjesi urrejtje... Po e kuptoja se nuk më ishte e nevojshme cilado formë e madhësi mbrojtjeje, në cilindo vend e në çfarëdo kohe, prandaj e vendosa diku dhe po ndihesha plotësisht e sigurt se ai send në duart e mia nuk do të funksiononte, nuk kishte vend për të dhe as po ndieja dëshirë ta shihja me kureshtje, jo më të mendoja se do të bëja përpjekje ta përvetësoja përdorimin e tij .

Orët e pasdites pasuan njëra-tjetrën pa u ndier, për më tepër shkova në konsultë me mjekët e repartit të urgjencës për të sëmurët kardiakë… Më kryesorja, nisa të kuptoja, ta ndieja se revolveri i blerë prej meje nuk po më dukej i dobishëm dhe, sa e sillja ndër mend, më turbullonte pa masë, aq sa, pa e shpaketuar, vendosa ta dorëzoja shpejt në Rajonin e Policisë, duke e pranuar si një gabim timin, por të favorizuar aktualisht nga rrethanat e vështira.

Heshti një çast, por mbante ngulitur shikimin në sytë e shoqes, si të ishte duke pritur gjykim të drejtë për gjithë sa dhe si kishte vepruar.

- Po, - nisi të fliste ngadalë Mira, duke shpehur mendimet rreth qëndrimit jo të njëjtë të njerëzve ndaj armëve dhe përmendi disa episode të faktuara të cilat pikërisht provonin pozicionim ekstremisht të kundërt.

Pasi heshi një hop, Mira vazhdoi sërish, duke sjellë shembuj të pa njohur më parë lidhur me temën e bisedës:

- Nëna ime ngrihet herët, na përgatit mëngjesin, por një javë më parë erdhi tepër e impresionuar duke treguar se prapa koshit të hedhjes së mbeturinave i kapi syri një automatik, mbështetur pranë murit rrethues të Drejtorisë Arsimore. Qëndroi e hutuar derisa roja i godinës hapi portën dhe, duke drejtuar sytë ndaj armës (sepse nuk mund të fliste nga tronditja), ndoqi me vëmendje personin i cili në çast shpejtoi drejt e në Rajonin e Policisë.

Një veprim të njëjtë konstatova kur takova një grua të njohur e të  respektuar prej meje ditë më parë, por, teksa qëndroi të më takonte dhe shkëmbyem përmallshëm disa fjalë, po e shtrëngonte fort çantën hedhur supit të djathtë, duke u përpjekur të kopsiste zinxhirin në fundin e të cilit dukej paksa i hapur. Nuk po e kuptoja përse shtrëngonte çantën dhe hidhte vështrime të trembura rreth e rrotull saj. Kur konstatoi se po tregoja njëfarë kureshtjeje për çantën e mbajtur me të dyja duart, m’u drejtua (nuk kisha shqiptuar asnjë fjalë) se rastësisht muajin e kaluar i kishin bërë dhuratë një revolver dhe mezi priste çastin t’ia dorëzonte policisë. E gjykova të arsyeshme të mos pyesja më tej, shpreha miratim për vendimin e saj dhe e kujtoj qartazi përgjigjen e sinqertë:

- Besoj se këtej e tutje do ta bëj gjumin më të qetë...

Mira, me thjeshtësi e çiltërsi, si përherë objektive, tha:

- Edhe drejtuesi i shkollës sonë, me korrektësi i shtoi masat mbrojtëse, në përshtatje me situatën ku ndodhemi, por nuk mundi të kontrollonte veçse hapësirën brenda territorit, shkurtimin e kohëzgjatjes së zakonshme të orëve të mësimit. Njëherazi e gjykoi të arsyeshme të na përjashtonte orën e fiskulturës, qëndrimin jashtë klase edhe brenda territorit të shkollës pas mbarimit të orarit të mësimit.

÷ ÷÷

Muajin mars të vitit 1997, veçanërisht ditët e para, ishin të shumtë  njerëzit që i përjetuan në mënyrë të dhimbshme sepse ato u shoqëruan me ngjarje të pikëlluara, të paharrueshme, të papërsëritshme. Realisht është tejet e vështirë të përshkruhen saktësisht dhe duken pothuajse të pabesueshme për persona që nuk kanë qenë të pranishëm qoftë në ndonjërën prej tyre. Ishte kohë e pushtuar nga zymtësia, trishtimi, pikëllimi i njerëzve për çfarë po shihnin, dëgjonin apo kur mësonin zhvillimet e orëve të fundit. Pikërisht në ato çaste, me zemër të drithëruar, bënin përpjekje të mblidhnin forcat e veta, natyrisht nëse mundeshin të bashkoheshin me të tjerë për t’u rezistuar fatkeqësive të papritura, edhe pse jo përherë ia dolën mbanë dhe gjurmët e ngjarjeve tejet të hidhura të përjetuara, mbetën të ngulitura në zemra, njëherazi ende të freskëta e të pafshira nga kujtesa, aq sa ruajnë brenda vetes të njëjtën vlerë ripërtëritëse.

Ditët dhe netët zëvendësonin njëra-tjetrën dhe ishin të mbushura me episode të frikshme, drithëruese dhe natyrisht pas kaq shumë vitesh është i pa arritshëm përshkrimi i hollësishëm, përmendja e gjithë ngjarjeve të jetuara personalisht, të mësuara prej të afërmve dhe  bashkë qytetarëve…

Kur orëve të mëngjesit ishe duke shkuar në punë apo gjatë kohës së mesditës pas mbarimit të orarit të punës merrje rrugën për në shtëpi, mund të shihje para syve një të moshuar të vetmuar që ecte duke tërhequr këmbët zvarrë, i dobësuar, me fytyrë të zbehtë e shikim të trembur teksa kthente kokën me kujdes djathtas e majtas për t’u bindur nëse pranë tij ishte duke lëvizur dikush që, ndërsa hidhte hapa të shpejtë, bënte me krenari një “gjest trimëror”, duke ia rrëmbyer nga duart çantën e vogël,  paksa të fryrë, brenda së cilës mund të ishte mbështjellë buka e sjellë nga qyteti i Fierit, që motra e vet e kishte siguruar me shumë vështirësi një ditë më parë; një tjetër moshatar mbante në supë një çantë paksa më të mbushur, sepse me ndihmën e saj mund të spostonte disa sende të vyera, i detyruar të ndryshonte vend banimin…

Por nuk bëhej fjalë për orët e natës, kur gjithçka zhvillohej ditëve të kthjellëta të stinës së pranverës...

Katër-pesë hapa më tej të zinte syri një mashkull trupmadh, me një pamje të jashtme, ku tërhiqte vëmendjen dobësia fizike disproporcionale në raport me gjatësinë përkatëse, tregues i sigurt i gjendjes së nënushqyerjes dhe kuptohej lehtë që po sforcohej fizikisht, prezantuar nga balli mbuluar me djersë dhe mbështetur në faktin që shtynte para vetes një karrocë dore të tejmbushur me disa bidona metalikë të mbushur kushedi me çfarë.

Mashkulli rreth të 50-ve, pasi shkëputi duart nga dorezat e gjata të karrocës, kaloi përmes rrugës me hapa të shpejtë, iu afrua trotuarit e, pasi u ngjit mbi të, ndaloi një hop. Pas pak e gjykoi të arsyeshme të ecte nëpër të dhe t’i afrohej një kalimtari të rastësishëm përballë vetes dhe ta pyeste për të mësuar nëse rruga që ai kishte lënë pas, aktualisht nuk tregonte ndonjë rrezik të çastit dhe mund të ndihej i sigurt për të vazhduar deri në fundin e saj, deri te sheshi i përcaktuar si vendstacioni i autobusave të zonave periferike.

Fliste me zë të ulët, ku mbizotëronte frika për mos ripërtëritjen e tmerrit të përjetuar ditëve të mëparshme dhe pikërisht ishte e vetmja arsye të mësonte e të pyeste kalimtarin nëse rruga që ai kishte lënë pas vetes do të ishte e sigurt edhe atij nuk do t’i duhej të kthehej mbrapsht:

- Është e lirë rruga pas jush? A ju zunë sytë apo dëgjuat ndonjë gjë? Mund të vazhdojmë të ecim tani? Jemi të rrezikuar në këto çaste?

Nuk mund të ishte rastësi që pikërisht në atë pjesë të trotuarit ku po bisedonin dy burrat, të ndalej edhe një grua e moshës së re. Ajo mbante shtrënguar pranë vetes një vogëlush (në dorën e saj të djathtë tërhiqte me forcë të birin, si të trembej se papritur dikush mund t’ia rrëmbente). Po qëndronte në heshtje pranë tyre duke dëgjuar bisedën dhe pastaj, me një shkim të drojtur, përsëriti të njëjtat pyetje, pasi edhe ajo donte të shkonte drejt qendrës.

Përpiqej të dukej se ishte në një gjendje të qetë shpirtërore, por pasqyronte realisht botën e brendshme të turbulluar nga pasiguria e jetës. Ndoshta e ndihmoi paksa informacioni i pakët i atyre çasteve që rruga drejt qendrës nuk ishte nën kontrollin e bandave kriminale, prandaj një ndjenjë lehtësie iu prezantua në fytyrën me tipare të spikatura, të natyrshme dhe pa më të pakëtat shenja rimeli, kështu që ajo nuk do të ishte e detyruar të kthehej mbrapsht pra do t’ia siguronte vizitën mjekësore fëmijës të sëmurë dhe me temperaturë të lartë, vizitë që nuk mundi ta kryente një ditë më parë.

Me logjikë të ftohtë e pranonte se ajo besueshmëri për garantimin e sigurisë jetësore i përkiste një copë kohe për të kaluar një pjesëz të rrugës dhe… natyrisht çastet pasuese për lëvizje të tjera brenda qytetit ishin të pa parashikueshme, të pa njohura dhe të pa garantuara, si të vetmet arsye për humbje jete të njerëzve të pafajshëm, teksa ishin duke ecur përmes rrugës në mënyrë krejt të zakonshme, pa cenuar askënd, duke prezantuar aspekte jetese normale, bazuar në  ligjin e shoqëris njerzore ,respektimi reciprok.

Sigurisht ishin të druajtur, me zë të ulët dhe të çorientuar pyesnin nëse mund të përshkohej e gjithë rruga deri në destinacionin përkatës, me të drejtë donin të mësonin nëse diçka mund të kishte ndodhur atyre çasteve, pa e fshehur shpresën për të ardhmen. Dhe pas përgjigjes aprovuese  ravijëzohej në buzët e tyre një buzëqeshje e çiltër, shoqëruar me përkulje të lehtë të kokës, sepse fjalët falënderuese nuk mund të shqiptoheshin nga fyti i thatë, që as një gllënjkë ujë të kishte shijuar… Qartazi, faktet e shumta provonin se jeta e secilit ndodhej buzë gremine dhe po rrezikohej në mënyrë të pashpjegueshme, saje gjendjes së krijuar nga trazirat e atij viti të mbrapshtë. Ishte thelbi i gjithçkaje që po ndodhte në vendin tone dhe që arriti të tregonte edhe mbështetjen shpirtërore të natyrshme, kur njerëzit i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ndihmojnë, edhe pse të panjohur midis tyre, sikurse nuk mund të mos tërhiqnin vëmendje episode të përsëritura nëpër qytet përgjatë atyre ditëve...

Me siguri, në kujtesën e çdonjërit prej nesh ruhen ende pjesëza të hidhura të jetës së asaj periudhe, të panjohura më parë, por të prezantura në mënyra të larmishme dhe të vlerësuara në këndvështrime të ndryshme, vetëm se esenca apo thelbi i përmbajtjes përfaqësonte mundësinë e humbjes së jetës nga çasti në çast, çuditërisht edhe në momentin kur ndiheshe plotësisht i ndërgjegjshëm për gjithçka të bëje ndërshmërisht për të garantuar një ecuri normale të jetës së përditshme; shprehur thjesht, kalimi i një jete të shëndetshme në kulmin e lulëzimit në një përmbysje fatkeqësisht të paevitueshme, njëherazi të paprezantuar paraprakisht me asnjë shenjë semundjeje apo pranija, ndjesia e më së voglës ankese fizike, psikologjike. Pra, nuk mund t’i kundërviheshe dhe ta eleminoje faktorin përcaktues, realizues të fatalitetit, humbjes së papritur të jetës, sikurse:

* shkaktari kryesor mund të ishte shpërthimi i armëve në momentin e  hapjes me forcë  të depove ushtarake ku ato ishin magazinuar dhe ruajtur prej vitesh, edhe për faktin se spostimet e tyre nuk drejtoheshin nga persona profesionistë të asaj pune, por nga njerëz të zakonshëm, mbushur me babëzi dhe të drejtuar nga ndjenja shkatërrimtare.

* një mundësi tjetër, fatkeqësisht e përsëritur, vërtetonte faktin e hidhur se në ditë të zakonshme, ndërsa  qytetarët ecnin rrugës në punën e tyre, e dinin mirë se jeta e çdonjërit shoqërohej me probleme të ndryshme e të vështira, pasi në moment një plumb qorr e rrëzonte për tokë, duke i shkaktuar plagë të rënda vdekjeprurëse apo humbje të jetës në mënyrën  më të padrejtë dhe mizore, teksa e prisnin në shtëpi fëmijët, prindërit - të pafuqishëm ta ndihmonin, mbasi nuk kishin dijeni përsa kishte ndodhur. Thjesht, familjari prezantonte në këtë moment fatal një kalimtar të zakonshëm që vdekja e rrëmbente papritur, mizorisht, edhe pse gjatë gjithë jetës së vet nuk e kishte njohur brerjen e ndërgjegjes për asnjë veprim të dënueshëm apo faj të bërë, nuk kishte prekur askënd fizikisht dhe as plagosur shpirtërisht.

Dihet mirë se instikti i vetëmbrojtjes, si njëri nga tiparet genetike të qenies njerëzore, qëndron vigjilent, por i strukur diku brenda tij, pa qenë e  nevojshme ta tregonte praninë e vet, prandaj deri atyre ditëve përshkrimi i saktë, i vërtetë dhe i merituar për rrethanat favorizuese dhe shkaktare për realizimin e atyre ngjarjeve të hidhura, të shoqëruara me fatkeqësi të thella plotësisht të pamerituara për njerëzit u cilësuan si “jeta në Ferr”, e cila  po shpërthente me përmasa  të pamatshme dhe forma të panjohura…

Breshëritë e armëve përhapeshin në ajër, pa mundur të kuptoje apo të hamendësoje drejtimin, kohëzgjatjen dhe pasojat shoqëruese, teksa  nga momenti në moment të krijohej mendimi se në njerën prej tyre shënjestra do të ishe ti…

Qartazi, peshë të rëndë mbanin mbi supet e tyre punonjësit profesioni i të cilëve lidhej drejt për së drejti me garantimin e kujdesit shëndetësor, njëherazi të tjerët në zbatim korrekt të ligjeve për ruajtjen e rendit. Është i panevojshëm rreshtimi i fakteve dhe komenti për ata njerëz të përkushtuar, sepse realisht jeta e tyre rrezikohej më tepër se kurrë atyre ditëve të trishta. Banorët e qytetit i përshkruanin ato situata të vështira të përjetuara personalisht dhe të shoqëruara e të plotësuara duke përmendur pjesëza të treguara nga bashkëvuajtësit e shumtë.

÷ ÷ ÷

Teuta  më dukej disi më e qetë shpirtërisht, pra ishte duke e pakësuar peshën shpirtërore, realisht shumëfish më e rëndë krahasuar me atë fizike. Ajo vijoi bisedën:

- Nuk kam pse ta fsheh faktin që vetëm shikimet drejt vendit ku e kisha fshehur armën m’i shtonin emocionet negative, shoqëruar me një ndjesi urrejtjeje. Po e kuptoja se nuk ishte i nevojshëm cilido mjet mbrojtjeje në cilindo vend e në çfarëdo kohe, prandaj, pasi e vendosa diku larg meje, po ndihesha plotësisht e sigurt se ajo armë në duart e mia nuk do të funksiononte. Tek unë nuk kishte vend për të dhe as ndieja dëshirë ta shihja fare me sy, por vetëm mendoja ta largoja sa më parë... Radhën e mendimeve ma ndërpreu ironia therëse e Ramizit:

- Po, revolverin dëshiron ta ketë për vetëmbrojtje mjekja, sigurisht ajo e meriton se kohët kanë ndryshuar… Të jem i sinqertë me veten time dhe me ty, më duhet ta pranoj që… shokët e grupit, pasi e mësuan kërkesën, më urdhëruan prerazi t’jua dorëzoj përkohësisht për disa orë armën, t’ju shoqëroj deri te shtëpia juaj, jashtë saj, sa më shpejt e pa më të voglin kundërshtim e ju të ma ktheni mbrapsht, por më kryesorja për ta është një fakt i vetëm, pikërisht momenti kur detyrën time ta pranojnë të përfunduar me sukses, pasi të kisha drejtuar ty një plumb në lule të ballit, një mirëkuptim perfekt midis nesh perderisa… pagesa ishte bërë...

Kjo është e prerë, pa fjalë të tjera kundërshtuese, dua ta mësosh se urdhrat e tyre,realisht shefit dhe zëvendësit , unë i zbatoj pa asnjë koment, sikurse kam vepruar pa të dhënë informacione; përndryshe nuk do të më mbanin bashkëpunëtor në grup, ku fitimet reale as që mund të krahasohen me punën e krahut në fshat nga mëngjesi në darkë përgjatë gjithë viteve të jetës sime të varfër...

E pranon tani që, nuk ka asnjë rrugë tjetër për ty, veçse të pres sa të ma sjellësh në çast dhe… sa për dijeni, është rasti i parë për mua që urdhrin e prerë të shefit tim nuk po e zbatoj sepse… pikërisht ti, me punë të përkushtuar, ktheve në jetë nënën e dy fëmijëve të mi. Duket se më ka mbetur ende një thërrime nga ndjenja njerëzore me emrin “mirënjohje”... Sa për pozicionin e Sanijes, si gruaja ime, nuk është e vështirë të zëvendësohet shpejt këtyre ditëve... Ja ku janë dhe paratë e sotme, - dhe pasi shkopsiti xhaketën firmato, hapi gjysmën e djathtë ku preku xhepin e brendshëm paksa të fryrë, ngriti kokën dhe më hodhi një vështrim njëkohësisht tallës e ironik.

Nuk isha e qetë, po ndihesha si e poshtëruar, po përjetoja pikëllim, nëpërkëmbje shumë më tepër sesa, kur mendoja shkrepjen e armës drejt kokës sime... Pra, po më kërcënonte një person pa pikë dinjiteti, i pasjellshëm, i pakulturuar, kryelartë që të drejtën e kërcënimit dhe forcën “e mbinatyrshme” fizike ia dhuronin armët, mes të cilave ai, ndihej i tjetërsuar dhe vetvetja…

Pa e kuptuar as vetë, në ato momente vendimtare për jetën time m’u qartësua një tjetër këndvështrim i atyre ditëve të errata. Pikërisht humbja e tmerrshme e forcës së karakterit njerëzor, dinjitetit (fatkeqësisht e panjohur, nëse nuk përballeshe direkt, sikurse unë po shihja para meje një person të tjetërsuar, të denatyruar, saje rrethanave të krijuara), përfaqësonte një tjetër anë të errët të jetës sonë të përditshme, trishtim i pamatë…

Në ato çaste nisën të dëgjohen krisma, shoqëruar me flakëritjen përshkuese në qiellin e pastër. Ishin të shumta rrezatimet e frikshme, dukej sikur garonin midis tyre për jetë të fikura të njerëzve të pafajshëm. Dëgjoheshin diku pranë… Kush e kishte radhën?

- Të paska dhënë urdhër “komanda”? - e pyeta pas pak. - Për të as që dua t’ia di ku ndodhet, e kuptoj qartë se cila është dhe çfarë vlere ka ajo, vetëm nuk po kuptoj pse ti po tregohesh një njeri i ulët, pa forcë karakteri, i nëpërkëmbur dhe i keqpërdorur nga njerëz kriminelë. Forca jote fizike është e dukshme, por as që më tremb! Largohu në çast dhe mos guxo të qëndrosh para meje!

- Na qenke trimëreshë, ëëë?! Fatkeqësisht, nuk e dija, tani e kam për kënaqësi të ma tregosh urgjentisht këtë cilësi të rrallë të femrave.

Në moment vendosi dorën e djathtë pas trupit, ngriti lehtësisht fundin e xhaketës, si një nga veprimet e njohura e të zakonshme të aktorëve në një film aksion, duke më afruar fare pranë fytyrës një revolver, që me shkëlqimin para syve të metalit rrezëllitës, as që e përcaktoja tipin, veçse në madhësi më tepër se ai që kisha prekur rreth drekës nën mbulesën mbrojtëse shoqëruese.  Nuk e kuptoj as tani se ku lindën aq shpejt brenda meje forcat e panjohura me të cilat mora guxim t’i afrohesha fare pranë dhe bërtisja me zë të lartë, ku mbizotëronte durimi, guximi, forca dhe neveria ndaj atij njeriu. Askujt më parë nuk kisha pasur rast t’ia kisha treguar ndokujt forcën time fizike, se gjithë kohën puna e mjekut përparësinë e tregon me përkushtimin shpirtëror, mendor dhe së fundi e tregon atë fizike përgjatë orëve të shumta pranë të sëmurëve, në gjendje të rënduar, në shërbim të përkushtuar.

Nuk po ia shkëputja shikimin “trimoshit” me pamjen e gladiatorit romak dhe thirra me të fortin ton të zërit tim:

- Sikur të gjitha armët e vjedhura ti me shokët e tu të m’i drejtosh, unë nuk tërhiqem para presionit të një burreci dhe një fundërrine si ti! Ty të mungon karakteri i njeriut normal, por diçka po më sqaron qëndrimi yt. Të jetosh mes armëve, t’i tregtosh ato, përfundon i zhveshur nga ndjenjat njerëzore, kthehesh në një shtazë sikurse je tani!

- E shoh se po e kërkon vetë plumbin ballit ti! - m’u dëgjua. - Por ja…

Nuk mund ta përcaktoj saktësisht se si do të ishin sekondat e mëtejshme për jetën time, por jam e sigurt se po ndihesha e tjetërsuar, saje një force mbështetëse shpirtërore, prezantuar në qëndrimin tim “gatitu”; një buzëqeshje më lëvizi lehtas buzën e sipërme, natyrisht prezantimi i përbuzjes, kur përballë ndodhej një njeri agresiv, i cili me qesëndi vazhdoi, pa iu trembur syri:

- Ti nuk je ti e para që do më shkaktosh brejtje të ndërgjegjes, prandaj bindju sa më shpejt urdhrave të mi, sillma menjëherë “Makarovin”! Sa për të hollat, ato i kam në vend të sigurt, janë bashkuar me të tjerat…

Po nisja të dyshoja: ndoshta shokët e grupit të tij po realizonin një provokim për Ramizin!

- Më kupton, besoj…, - vazhdoi ai.

Teksa zgjata dorën të tërhiqja me forcë gjysmë kanatën e hekurt të portës që u shoqërua me një zhurmë gërvishtëse, personi para meje jo vetëm që nuk bëri gjysmë hapi mbrapa, por kërcënueshëm përkuli kokën drejt meje dhe më drejtoi një shkulmë frymëmarrjeje ku ishin përzier dozat e alkoolit dhe era e rëndë e duhanit.

- Zonjë e nderuar! Tani je në dorën time; të urdhëroj të sjellësh në çast pistoletën. Ajo nuk e meriton të përdoret nga duart e tua…

(Papritur gjeta një përputhje ekzakte me mendimet e mia përgjatë atyre orëve të mbasdites, si dhe vendimin e prerë që të nesërmen ta dorëzoja në polici, duke treguar edhe rrjedhjën reale të ngjarjes).

Në ato fraksione të sekondës, teksa prisja momentin e tërheqjes së këmbëzës së revolverit, po ndieja në të njëjtën kohë qartë edhe sinjalin shkrepëtitës të momentit kur plumbi del nga tytëza, ndërsa i drejtohet objektit të paracaktuar. Më duhet të shtoj se e kisha përjetuar tmerrin e shkrepjes së armës në moshë të njomë, kur një person i panjohur për ne, pabesisht i rrëmbeu jetën gjyshit tim, duke qenë i fshehur pas gardhit rrethues të shtëpisë në fshatin ku banonim më parë. Vonë e mësuam pabesinë e atij veprimi kriminal, ishte puna e ndershme e gjyshit që ia bëri të njohur dhe vërtetuar aktivitetin e tij mashtrues, përfitues; gjyshi im nuk kishte pranuar të ishte dakort me ofertat e tij të papastra, pra... nuk kishte rrugë shpëtimi për “xhelatin” për të shpëtuar “nderin” e vet… Në shpirtin tim të kristaltë ajo krismë e papritur që e shkëputi dorën time nga ajo e gjyshit mbeti e pashuar dhe ëndërroja t’ia merrja hakun një ditë...

Ja pse doja të hapja zemrën me ty, Mira! Dje mbas darke kam përjetuar goditjen shpirtërore më të fuqishme deri sot, pasojë e së cilës ti mund të më kishe humbur tashmë përgjithmonë. Për më tepër askush nuk do ta njihte e as do të gjente shkaktarin, edhe nëse do të përkushtohej në kërkim të tij…

- Po, duhet të tregoj hapur, pa u frikësuar se çfarë po na dhurojnë këto ditë të helmatisura, të cilat përveçse u marrin jetën njerëzve të pafajshëm, disave u shkelmojnë ndershmërinë, burrërinë dhe fare lehtë i kthejnë e i transformojnë në copa lecke, sikurse je ti, Ramiz! - klitha fort.

E papritura ndodhi. Një sirenë alarmi e patrullës së policisë kaloi pas trupit të Ramizit, që, pothuajse duke fluturuar, shpejtoi të kthehej pas dhe të merrte kthesën që ndodhej rreth 2 metra pas tij.

Natyrisht, nuk ishte e lehtë për mua ajo që kisha përjetuar, por një ndjenjë lehtësimi përshkoi shpirtin tim, e shoqëruar me një falënderim të sinqertë ndaj personave të ndërgjegjshëm dhe korrekt në kryerjen e detyrës përkatëse. Konkretisht ata, plotësisht të panjohur, më shpëtuan jetën duke dhënë saktë të vetmen përgjigje se një armë nuk është mbrojtje e sigurt dhe jo rrallë shohim efektin e kundërt të saj...

Sanijen e kam takuar vite më vonë. Nuk kishte probleme me shëndetin. Si punonjëse pastrimi në shkollën e fshatit ndihej mirë. Përkushtimi në jetën e përditshme të familjes dhe kujdesja për të dy fëmijet e shëndetshëm e mundësonin të drejtonte familjen, natyrisht jo pa vështirësi. Me sinqeritet më përmendi se Ramizi nuk ishte më anëtar i familjes dhe ajo synonte ta përballonte jetën duke ecur përpara me hapa të ngadalshëm, por të sigurt. Mbetet ende në kujtesën time Sanija, personifikim i figurës së gruas së ndershme dhe punëtore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora