E merkure, 24.04.2024, 08:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me bilbilin e këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite Petrit Lulo

E shtune, 06.12.2008, 02:50 PM


Petrit Lulo
Flet bilbili i këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite Petrit Lulo
 
Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra

 

Nga Albert Zholi
 
Me këto vargje të albumit të fundit filloi biseda me Petrit Lulon. Një jetë të tërë në skenë, pjesëmarrës në qindra koncerte, festivale, konkurse brenda dhe jashtë vendit. Ai, me zërin e tij, me punën e tij këmbëngulëse është bërë pjesëtar fonik i të gjitha familjeve shqiptare. Sipas tij, Gjirokastra i shtroi “kalldrëmin” e skenës, ndërsa Tirana “asfaltin e suksesit. Skrupuloz në detaje për problemet e muzikës, por duke mos e kursyer buzëqeshjen kur bindej që e ke kuptuar dhe të ka kuptuar. Në skenë i sigurt, imponues, i bindur në sukses nuk mund ta kuptojë veten gjatë daljes nga skena pa marrë me vete duartrokitjet frenetike të spektatorëve. Kur është puna për këngën nuk e njeh lodhjen dhe largësinë gjeografike. Çuditë më të mëdha i kanë ngjarë me nënat e panumërta që e përqafonin në çdo vend ku jepte koncert dhe që i thoshin: “Ah të kisha një vajzë apo mbesë, nuk lija pa ta dhënë”. Kurse pas përqafimeve i drejtohej vetes : “Si s’më takoi një nënë apo mbesë që të kishte një vajzë apo mbesë”. Shok besnik kudo që shkon ka vetëm cigaren. Ajo se ka tradhtuar kurrë. Ndërsa shok, shoqe, nënë, motër, gjithçka ai ka bashkëshorten Resmijen, e cila kujdeset për të si për një fëmjë të vogël. Në rastin e Petritit, gruaja merr vlerat më të vërteta të madhështisë, pasi ajo kujdeset deri në imtësi (rrotullimin para syve për veshjen), para daljes nga shtëpia, në skenë dhe kudo.
 
Vitet 2005-2007 thuhet se janë vitet më të suksesshme për Petrit Lulon. Arsyeja?


Unë gjithmonë kam qenë i suksesshëm, por këto vite që theksuat ju janë vitet që kam nxjerrë dy albume që kanë pasur sukses të dukshëm në treg. Ishin dy albume që kanë pasur nivel të lartë artistik, ku, ky nivel ka ardhur në rritje edhe në intervalin midis dy albumeve..
 
Konkretisht, cilët kanë qenë këto dy albume?


I pari “Zog’ e Libohovës” dhe i dyti “Për ju do këndoj gjithë jetën”. Janë këngë popullore tipike të Shqipërisë së jugut me një gjetje tjetër më të avancuar, të përpunuara dhe të përshtatura me guston e fansave të mi. Në këto dy albume është punuar me shumë përgjegjësi si dhe me orë të zgjatura.
 
Cilën këngë do veçoje nga të dyja këto albume?


Por duke pasur parasysh se Gjirokastra ka shumë njerëz të shpërndarë nëpër Shqipëri kënga e Gjirokastrës sikur pëlqehet më shumë. P.sh, “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”, sikur intrigon, të nxit për një mendim të thellë, për një diçka që nuk mund të besohet. Pasi shumë njerëz më pyesin “në ç’kuptim i ka thënë të gjitha Gjirokastra”. Unë qesh dhe u them gjejeni.
 
Me cilën këngëtare keni bashkëpunuar në këta dy albume?


Me këngëtaren Nertila Vreto. Tashmë ajo ka krijuar fizionominë e saj në këngën popullore. Edhe pse nuk është nga jugu ajo këndon po kaq bukur sa një këngëtare jugore.
 
Sa këngë kanë pasur këto dy albume dhe me cilën studio diskografike keni bashkëpunuar?


Të dy albumet kanë nga 10 këngë. Thuajse është bërë modë për të gjithë që albumet të kenë nga kaq këngë. Ishte një punë e lodhshme pasi dhe tekstet duhej të ishin të zgjedhura. Kam bashkëpunuar me EF-EM sudio, me president z. Flamur Muhameti.
 
Gjirokastra shquhet për këngëtarë polifonie, kur u zbulua si talent Petriti, çfarë këngësh ka kënduar?


Qysh i vogël në moshën 5-6 vjeçare më pëlqenin këngët e muzikës së lehtë dhe këngët popullore. Këndoja gjithmonë në shtëpi, por talentin im është zbukuruar në moshën 12-vjeçare. Në vitin 1968 në Gjirokastër u organizua për herë të parë Festivali Folklorik. Ai Festival më la mbresa të veçanta. Shumë këngë të tij fillova t’i këndoj me shokët e lagjes. Sidomos më bënë përshtypje këngët polifonike, ata zëra që i kishin brenda vetë veglat muzikore.
 
Dhe kur u ngjitët në skenë?


Në vitin 1969 u aktivizova me Pallatin e Kulturës Gjirokastër, si amator. Nuk isha veçse 16 vjeç. Isha në një moshë kur të gjitha bashkëmoshatarët kërkonim të bënim diçka, të gjenim një rrugë në jetë, por sidomos diskutonim për këngën. Çdo lagje në Gjirokastër kishte grupin polifonik, ose më mirë të themi të gjithë kishin dëshirë të këndonin.


Kënga e parë që kënduat?

 
“U njohëm në uzinë” me tekst të Oktavian Tafës dhe muzikë të Kujtim Dules, i cili e kishte bërë këtë këngë enkas për këngëtarin Anesti Nure. Por ky i fundit pasi më kishte dëgjuar se këndoja u tha drejtusëve: Këngën ta këndojë Petriti”. Ishte një xhest fisnik që rrallë kush mund ta bëjë. Sot nuk mund ta bëjë njeri. Kënga pati sukses. U vlerësova si këngëtari më i mirë për të rinjtë.
 
Kur keni marrë pjesë në festivale apo anketa?


Në vitin 1973. Në atë vit mora pjesë në anketën muzikore me këngën “Hekurudha e re” me tekst të Bardhyl Londos ku mora çmim të parë. Pas kësaj kam marrë pjesë në të gjitha anketat muzikore, ku gjithmonë kam marrë çmim të parë, dytë, apo tretë.
 
Me cilin autor tekstesh ke bashkëpunuar në këto fillime të vështira?
 
Një ndihmë të madhe në suksesin tim më ka dhënë Andrea Gudha. Ky ishte një mjek pediatër, por dhe një poet dhe autor tekstesh i shkëlqyer. Ai më ka bërë disa nga tekstet më të bukura që më kanë dhënë sukses të madh. “Tjetër e herë me djalë”, “Syzeza”, ishin ato këngë që më dhanë famë dhe më bënë shumë të njohur.
 
Po në festivalet e RTSH-së, kur ka marrë pjesë për herë të parë Petriti?


Ka qenë Festivali i 13-të, në vitin 1974. Ishte një dëshirë e madhe që me të vërtetë u realizua në mënyrën më të bukur. E kisha si një ëndërr të fshehtë pasi aty mateshin aftësitë e vërteta të një këngëtari profesionist. Kushdo këngëtar që ka marrë pjesë në një festival të atëhershëm ka bërë emër. Kishte kërkesa dhe periudhë seleksionimi. Nuk pinte ujë miku, Tefiku, apo Namiku.


Në sa festivale ka marrë pjesë rregullisht Petriti?


Pra që nga viti 1974 deri në vitin 1987 pra 13 vjet rresht deri në festivalin e 26-të të këngës. Ishin vite të mbushura me aktivitete dhe përgjegjësi. Në këtë skenë mora formimin e plotë si këngëtar. Formova portretin tim.
 
Gjatë kësaj kohe, ku ka punuar Petriti?


Pra që në vitin 1969 deri në vitin 2001 kam punuar në Estradën e Gjirokastrës, ku kam mbresa të veçanta. Pas këtij viti erdha në Tiranë.
 
Në gjithë këto aktivitete kush të ka bërë më shumë përshtypje?


Pikërisht në vitin 1979 ishim për një koncert në Fier. Kur dola xhiro në qytet dëgjoj nga kati i 5-të i një ballkoni një nënë të moshuar që më thërret “Petrit më prit pak o bir sa të takoj”. Kur erdhi më përqafoi duke më thënë “Ah sikur të kisha një vajzë apo mbesë, nuk lija pa ta dhënë për nuse”. Si kjo nënë më vonë më kanë kapur me dhjetëra. Ndërsa një nënë nga Elbasani në një shfaqje aty më thotë,- “sa ditë do të jepni koncert këtu, unë aty do të jem”- dhe në fakt 5 ditë që dhamë shfaqje ajo ishte në të njëjtin vend.
 
Kohën e lirë ku e kalon Petriti?


Në peshkim. E kam hobi që në vogëli.
 
N.q.s nuk do të ishte bërë këngëtar çfarë do të ishte bërë Petriti?


Dëshira ime ishte të bëhesha aktor. Gjithmonë këtë e diskutoja dhe mes shokëve dhe pjesëtarëve të familjes. Kur isha fëmijë imitoja aktorët e mëdhenj që shikoja në filma. Nuk lija film pa parë. Shikoja me vëmendje çdo lëvizje të aktorëve.
 
Koncertet jashtë shtetit?


Janë të panumërta. Shumë. Në të gjitha vendet e Evropës thuajse. Deri në Lituani kam shkuar.
 
Po fëmijët a do ta ndjekin rrugën e babait?


Do të desha shumë. Por jo çdo gjë varet nga dëshira. Djalin e kam aktivizuar në dy festivale të fëmijëve në Gjirokastër, por nuk spikati si talent.
 
Vlerësime?


Medalje “Naim Frashëri”, “Disku i Artë”, çmimi “Folk Univers”.
 
Sa ka ndikuar bashkëshortja juaj dhe familja në tërësi në arritjen e suksesit ?


Gruaja ka qenë mbështetësja ime kryesore. Atë dhe fëmijët i kam pasur kritikët më të mirë dhe më të sinqertë.


Gruaja nuk është xheloze?


Jo vetëm që nuk është xheloze, por ajo është frymëzuesja, mësuesja, kujdestarja, kritikja e rreptë, dhënësja e fuqisë. Pra ajo mbetet pasqyra e jetës, ku unë kam parë dhe shoh suksesin.
 
Gënjen Petriti?


Gënjej, por pa zarar. Kam gënjeshtër të këndshme që i ngjan humorit.
 
Kur ka qenë dita më e keqe në skenë?


Në një shfaqje në Kuçovë. Harrova tekstin dhe u detyrova të këndoj të njëjtën strofë dy herë. Publiku sërish më mirëpriti.
 
Çfarë pëlqen më shumë tek një femër?


Kur e shoh në fillim bukurinë, pastaj intelektin dhe shpirtin. Pa këto dy të fundit do më dukej e zhvlerësuar.
 
Flitet për bastardim dhe huazim të këngës popullore. A është dakord Petriti me këtë?


Aspak. Jam kundër bastardimeve. Pëlqej çdo gjë që është shqiptare.
 
Këngëtarët e preferuar?


Eli Fara dhe Aurela Gaçe.
 
Si i mbani lidhjet me Gjirokastrën?


Lidhjet janë të përditshme si shpirtërore edhe fizike. Ftohem vazhdimisht aty në koncerte dhe në aktivitete të ndryshme. Tani isha i ftuar në një aktivitet për arsimin.
 
Me këngën për Gjirokastrën, ju e keni ngritur lart emrin e qytetit të lashtë, po Bashkia e qytetit a ju ka vlerësuar për këtë punë në ndihmë të qytetit tuaj ?


Nuk them se nuk më ka vlerësuar, por nuk mund të them se kam marrë dhe atë që më takon.
 
Shumë këngëtarë apo artistë kanë marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, po për ju Bashkia e Gjirokastrës, a e ka bërë një kërkesë për këtë titull?
 
Atë e dinë ata. Unë di të këndoj. Të sjell kudo që jam erën e Gjirokastrës. Ajrin e pastër të saj. Madhështinë e pavdekshme të kalasë. Të sjell, karakteristikat e veçanta dhe të papërsëritshme të qytetit të gurtë, që mund të zbresësh në rrugë duke ecur çati mbi çati.
 
Sa vjet ka tani në skenë Petriti?


40 vjet. Afër gjysmë shekulli. E mendon dot?
 
Ku i keni dhënë kohët e fundit koncertet jashtë shtetit?


Kam disa muaj pa dalë. Me thënë të drejtën kërkesat janë të panumërta, por nuk kam pasur vizë. Të shkosh nëpër ambasada duhet të rrish ditë të tëra vërdallë. Nuk e kam këtë lloj durimi. Jam kalitur për të tjera gjëra.
 
Muzika dhe shkolla
Unë fillova shkollën mekanike në Tiranë. Këtu u aktivizova me talentet e reja, ku mora çmimin e parë me këngën “Ne jemi shtatë”. Kjo këngë në atë kohë ishte e kënduar nga e mirënjohura Justina Aliaj, në paino më shoqëroi Robert Radoja. Në vitin 1972 u aktivizova me Estradën e Gjirokastrës si amator dhe pastaj kalova në Ansamblin e Ushtrisë. Këtu një ndihmë të madhe më dha shefi i muzikës së Ansamblit Novruz Yzeiri.
 
Rast i rrallë
Më ka ngelur në kujtesë një moment. Ishte viti 2001. Unë po ecja në këmbë për të shkuar diku. Kur Papritur para këmbëve të mia frenon një veturë. Në fillim u tremba. Kthej kokën mbrapa. Shoferi hapi derën dhe më ftoi me buzëqeshje të hyja brenda në kabinë. Sa vura këmbën e parë ai futi në kasetofon një kasetë dhe më thotë: “Me këto këngët e tua kemi përcjellë babanë për në varr. Ishte amaneti i tij që të përcillej me këngët e tua për në banesën e fundit. Dhe ne e zbatuam amanetin e tij. Edhe ne tashmë si familje dëgjojmë rregullisht kasetat dhe CD e tuat. Na lehtësojnë në shpirt”.
 
Koncerti në Francë
Në Francë, kur kemi kënduar këngë polifonike, labe jam ndjerë si anjëherë tjetër. Në atë koncert me këngë polifonike na kthyen disa herë. Nuk ngopeshin duke dëgjuar dhe na kthenin me “Bravo, bravo” të fuqishme. Çudi. Polifonia ata i rrëmbente, i magjepste, na shihnin si të veçantë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora