E marte, 19.10.2021, 11:39 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Nga qytetërimi, vetëm thërrmie

E hene, 20.09.2021, 08:15 PM


NGA QYTETËRIMI, VETËM THËRRMIE …

“O i huaj, mos e shmang vështrimin nga bukuria e Bylisit.”

Nga Pëllumb Gorica

Ndjenjat dhe përjetimet e përftuara nga udhëtimet janë gjithmonë të veçanta; me të gjitha ngjyrat e dashura për syrin dhe për emocionet. Që nga kohërat mitike (që nga Odiseu, fjala vjen) udhëtimi ka qenë pjesë e veprimeve të pëlqyera e shumë të vlerësuara njerëzore, si një formë revolucioni paqësor me etjen e larmishme për zbulimin e të panjohurave.

Është mëngjes i qetë shtatori. Kaltërsia e qiellit përzjehej me retë bardhoshe si vello nuseje. Udhëtojmë drejt Ballshit. Gjithë rruga nuk është më shumë se dy orë nga Tirana. Pas ndërtimit të rrugës së re, në Luginën e Vjosës rruga e ka pakësuar qarkullimin e mjeteve. Ecim në kthesat, në të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, në luginat dhe kështjellat e kodrave që ngjajnë si tuma antike mbi fushën e Myzeqesë, deri në malin e Shpiragut; herë të rregullta e herë të çrregullta, herë konike e herë majoshe; si të ujdisura me plot veçori e thyerje.

Ballshi është qyteti i vetëm në gjithë krahinën e Mallakastrës. I ndërtuar rreth 50 vjet më parë, nga të burgosurit, atëherë kur u ngrit Uzina e Përpunimit të Naftës, në përputhje me parimin e famshëm Socialist të “Mbështetjes në forcat tona”. Uzinë moderne për kohën, si investimi më i madh për ata që punonin aty; mbi të gjitha për ata që dinin ta rrotullonin boshtin e jetës me vullnet e dëshirë.

Përshkojmë mespërmes rrugët e qytetit. Aty-këtu endej një zbraztësi; me sa duket se pjesa më e madhe e banorëve ka ikur në emigracion, apo në qytete të tjera. Përveç buxhetorëve dhe atyre që mbajnë hapur ndonjë kafene, përveç disa punëtorëve në uzinë dhe pensionistëve; edhe ata me ndihmë sociale. Vështron pamje të një realiteti të pakëndshëm, aqsa ndihesh keq nga lënia pas dore e tij prej pushtetarëve mendjeshkurtër, pa vullnet e ego për ta mbajtur pastër dhe për ta zhvilluar; ndërtimet me leje e pa leje, të varfra në forma dhe stile arkitekturore; mbeturina shembjesh, kanale të hapura; më tej trotuarë me pllaka të thyera dhe asfalti gri, i cili vende - vënde ishte kafshuar egërsisht.

Ndalemi për pak tek ish stacioni i trenit, ku dikur rreshtoheshin njëri pas tjetrit skodat e autobuzët, që prisnin udhëtarët kur zbrisnin nga treni dhe qyteti shumëfishohej nga mbrritja e tij, me rrëmujën njerëzore dhe bagazhet, apo sendet që mbartnin udhëtarët nëpër duar. Teksa kujtoj këto, tashmë stacioni e udha e hekurt janë rrënuar frikshëm, saqë të ngjallin një rremb trishtimi. Gjanica, lumi fantazmë që rrjedh përfund qytetit është tkurrur në shtratin e tij të mbushur me pllanga nafte. Një pluhur si ai i shkretëtirave lartohej nga oxhaqet e uzinës dhe rrinte pezull mbi qytet. Skeletet e ndryshkura të puseve të ngjajnë si kafshë mitike. Çjerrëse gërvimat e krahëve të tyre, me ca tinguj të çuditshëm, teksa vjelin arin e zi. Vendet historike aty pranë tyre, të ngjizura në kohë, frymojnë pulsin e jetës së lashtë.

Nuk kemi as kohë të shumtë, por as dëshirën që të merremi thellësisht me historinë e qytetit të Ballshit. Edhe kur u ulëm në një lokal, të shijonim një kafe u bë e mërzitshme ndejtja nga debatet acaruese për politikë të njerëzve ulur në tre – katër tavolina, që krijuan një lloj ndjenje angushtie. Interesi ynë është historia e lashtë e kësaj krahine, e Atitanisë Antike. Na përqafuan mendimet dhe ndjejmë tërheqjen, për të parë e prekur më nga afër qytetërimin e Bylisit, sepse asnjëherë dhe askush s’mund të kthehet prej andej pa mësuar rreth tij, apo edhe për qytet e lashta të Nikaias, Orgesos, Gurëzezës e Dimalit. (Qyteza antike e Gurëzezës (Cakranit) ka pasur një nga mbretërit më të famshëm Ilirë, Monunin Taulant, i cili kishte dhe monedhën e tij).

Për t’i prekur këto histori, është e domosdoshme të vizitosh së pari rrënojat e tempullit mesjetar të Gllavenicës. Historia e saj ishte e largët në kohë, por për ne shpirtërisht e afërt nga leximet. Ajo gjendet e fshehur mes ndërtimeve të ulëta dhe rrethuar me kangjella të hekurta. I përket periudhës së Mesjetës së Mesme (shek. VIII-X.) Ishte koha kur do të ndërtoheshin jo pak kisha e manastire për t’u përgjigjur kërkesave të banorëve, në këto territore të lashta, por për fat të keq Bazilika e  Gllavenicës  në Ballsh, si shumë të tjera përreth, u rrënua nga koha dhe agjentët atmosferikë.

Mbreti i Parë Bullgar Boris Khan, pasi pushtoi Maqedoninë dhe pastaj Beratin, provoi të merrte Bylisin e fortifikuar dhe të mbrojtur, saqë e quajti (Mallo Kastro) si Romakët dikur (Mala (e) Kastrum) kështjellë e keqe. Boris Khan (Mihali) në një takim me kyepeshkopin e Ballshit pa një statujë gjigante dhe pyeti kush është ai. Kryepeshkopi iu përgjigj se është statuja e Neptolemit, djali i Akilit. Ai u detyrua të bënte pakt, me kryepashkopin e të pagëzohej Kristian në Faltoren e Gllavenicës dhe të gjejë atje prehjen e përjetshme.

Përqafimi i besimit të krishter prej Borisit (u pagëzua me emrin Mihal) ishte i rëndësishëm për Bizantinët; pikërisht sepse kërkonin një aleat te Bullgarët. Është zbuluar këtu një mbishkrim që thotë se perandori Bizantin (Mihali III) mund të ketë marrë pjesë në atë ceremoni, por edhe një mbishkrim i ndërtimeve në Bylis, prej Perandorit të Romës, Justiniani. Sepse këtu ruheshin relike antike të juridiksionit kishtar të Mitropolisë së Beratit. Në mbishkrimin tjetër paraqitet figura e Robert Monteforte, që nuk është aspak i rastësishëm, pasi Normanët nuk shkatërruan atë të mëparshmin, por i dhanë të njejtën vlerë komandantit të tyre; sikurse kishte edhe mbreti Boris i Bullgarëve.

***

Rruga ngjitej e ngadalë dhe e përpjetë drejt Bylisit. Peizazhe që të hyjnë në shpirt vijnë dhe i le prapa. Hekali dukej si një vijë e shtrembër në faqen perëndimore të kodrave, i mbytur nga pemë frutore dhe gjithfarëlloj gardhesh e muresh; ullishta shekullore, shtëpi një e dykatëshe, të reja, por edhe njëqindvjeçare (apo diçka edhe më shumë) që mund të jenë në fazën e fundit të jetës së tyre. Dëgjon këngën e gjinkallave, uljen e bletëve mbi lule dhe cicërimat e harabelave trazavaçë. Ato ishin fare afër, aqsa, me të kthyer kokën, i rrokje pranë. Hekali ka vërtet një emër të çuditshëm mitologjik, që për nga relievi i vendosjes nuk është gjë tjetër, por vet iluzionin e heroit mitik Herkuli.

E ndalëm makinën në një shesh të vogël. Në hyrje lexojmë emrin e qytetit antik Bylis, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 30 ha, mbi një kurriz kodre të lartë, që të duket sikur të fton për ta zbuluar. Aty takojmë rojen që të merr pagesën. Pyet për udhërrëfyesin, por ai mungon. Veçse tabelat Shqip dhe Anglisht, të tërhiqnin vëmëndjen, për të marrë shpjegimet në pak radhë. Në nder të asaj vlere kulturore për Qytetërime të Lashta duhet udhërrëfyes, i cili do ta bënte më të lehtë paraqitjen e artifakteve. Sepse ndodh që njerëz të painformuar shoqërojnë vizitorë të huaj në zonat arkeologjike të Shqipërisë dhe recitojnë tekste greke, duke i dezinformuar ata. Kjo sigurisht është diçka që ndodh në të gjitha qytet antike, kalatë, apo vendet arkeologjike shqiptare. Kështu ndodhi kur shoqëruan politikanin, kritikun dhe historianin e artit italian, Vitorio Sgarbi, që të bën të mendosh; se ata nuk njohin të vërtetën historike të trojeve tona dhe qytetërimeve antike të Lashtësisë sonë (atë Qyteterimin Ilir dhe termin koloni; që është i pasaktë për Bylisin) e t’i shpjegojnë historinë e vërtet të këtij qyteti të Lashtë, por e lanë të këpusë dokrra si ‘’qytet grek’’. Këto pohime mbi Historinë për interesa të të tjerëve shpesh kthehen në tjetërsim të gjurmëve të prejardhjes sonë; pse jo, edhe mjegullojnë Lashtësinë e tij. Historitë e qyteteve antike të Ilirisë, megjithëse asnjëherë të njëllojta, por të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër, mund të jenë së paku Ilire nga origjina, gjuha, ngjarjet, përparësitë dhe shkatërrimet  prej pushtuesëve.

Një tufë delesh kullosin të qeta midis gurëve të heshtur. Ndërsa bari i përzhitur nga dielli u jepte atyre ngjyrë zmeraldi. I shikon ëmbël, i ledhaton dhe flet me gurët (të pëlqen që të përkëdhelësh çdo gur). Ngado mbetje ndërtesash të rrënuara dhe heshtja e mistershme e historisë. Një fllad i freskët të depërtonte në shpirt. Të bëhet sikur, bashkë me flladin, ndezësi i përfytyrimit nga leximet dhe historitë e treguara e bëjnë më të mistershme qytetërimin e tij. Sytë përplasen diku hapësirës dhe ndjen një marramendje të pakrahasueshme rreth madhështisë së kësaj bukurie antike. Shpesh ndalesh dhe shikon kolonat Paleokristiane, apo ndenjëset prej guri, herë për të prekur simbolet, që kishin kuptim, apo dekoret etnografike, me figura kafshësh, shpendësh e lulesh. Aty –këtu edhe mbishkrime krejt të parëndësishme, që vështirë se mund të kuptohen nga vizitorët e thjeshtë.

Qyteti antik i Bylisit u themelua rreth shekullit IV Para Krishtit, nga djali i Akilit, Piro Flokëkuqi Neptolemi, Prijësi i Mirmidonëve. I pari që e përmend është Psedo-Skylaksi në shekullin IV Para Krishtit kur thekson se Bylisi është fqinj i Amantëve. Këtu kanë jetuar e luftuar Ilirët Bylinë, duke lënë dëshmi të qytetërimit, trashëgimisë së Kulturës dhe zhvillimit ekonomik. Për nga vendosja, historianët Antikë e quanin Bylisin qytet të rëndësishëm për kohën e vet, sepse ai kontrollonte Ilirinë Jugore. Bylisi ka pasur një status qytetar të vetin me anë të cilit rregullonte marrëdhëniet ekonomike, që përbëjnë një akt të madh civil, qytetar dhe kulturor. Në Bylis, nga shekulli V deri në shekullin I Para Krishtit, u krijua Koinoni (lidhja) e Bylinëve ku bënin pjesë edhe qytetet përreth tij: Nikaia (Klos), Orgeso (Margëlliç), Gurëzeza (Cakran), Mashkjeza, etj . Ndërkohë pati një zhvillim të Artit të të ndërtuarit, që ka zgjatur edhe me shekuj. Qyteti shquhej për Zejtarinë e zhvilluar, ku spikatnin poçarët e kovaçët. Ai emetoi monedhën e vet prej bronzi, duke konkurruar Apoloninë.

Dielli herë shfaqej e herë mbulohej nga një tufë re kreshpëruese, sikur largohej tutje për të ruajtur shejtërinë e tij. Hija e reve u jepte mureve të rrënuara, kullave, kalldrëmeve, mbishkrimeve, qeramikave të copëtuara dhe gurëve të tempujve një zymti të madhe. Përqëndrohesh në një soditje (qoftë dhe vetëm për disa çaste) te gjithçka, që përhap rreth e rrotull një ndjesi, sikur je në një skenë filmi me temë nga Antikiteti. Shkel në heshtje rrënojat e teatrit 7500 -vendësh me 40 shkallare guri të latuar. Atje mblidheshin ata të Sërës së Lartë të qytetit dhe gëzoheshin. Kisha idenë se ishte i vogël. Por jo, ishte i përmasave të mëdha ashtu siç ishte vetë qyteti. Midis shumë gjërave të tjera, gjenden edhe ngrehinat e pesë kishave të tipit bazilikal. Përgjatë shekujve Bylisi ka shërbyer edhe si qendër faltoreje peshkopale.

Bylis nuk ishte thjesht një qytet dhe nuk mjafton një proces i thjeshtë përshkues i gjithë jetës dhe ngjarjeve historike të zhvilluara përgjatë një harku kohor prej dhjetë shekujsh. Ai ishte ndoshta ndër të parat qytete ilire ku pasuria lakmohej nga pushtues. I zhytur në tërë atë ngarkesë ndjenjash e mendimesh, të vjen në mendje flama e fuqishme dhe mizore, që u fut në Ilirik si fantazmë dhe për një kohë të shkurtër la gjurmët e pashlyeshme të shkatërrimit dhe dhimbjes së gjakut të pafajshëm. Ishin Dyndjet Barbare të shekullit VI –VII Pas Krishtit (Hunët, Gotët, Visegotët dhe Sllavët që kaluan këtu e mbollën shkatërrim) dhe Evropa po dilte nga amullia e shekujve. Po tundej e shkundej E vjetra nga E reja. Ashtu si shkundej e tundej edhe Historia e Lashtë e Ilirisë, që sikur thërmohej.

Shumëçka e Bylisit përjetoi terrin shekullor që vuri pluhur mbi identitetin e Lashtësisë. Ishte Anglezi Henry Holland, i cili në vitin 1815 e identifikoi Bylisin. Kështu prej aty u grabitën vlera të jashtëzakonshme të tij, gjë që pranohet në shënimet e tij: se ‘’rrëmbeu’’ dhe nisi drejt Austrisë mbi 50 statuja, të cilat sot ekspozohen në muzetë e saj. Muzeumet e Londrës, Parisit, Romës, Vjenës, etj kanë plot artifakte të Bylisit. Studiuesi austriak Prashniker gjatë Luftës së Parë Botërore (1917-18), me ekipin eksplorues zbuloi në Bylis mjaft objekte antike. Kështu thesaret e këtij qytetërimi ngacmuan dëshirën e arkeologëve shqiptarë për ta nxjerrë në sipërfaqe dhe në pah nga nëntoka dhe mbitoka e saj.

Me shikimin e përhumbur mbi atë pafajsi, Bylis të ngjan si një ballkon ku mund të vështrosh peizazhin magjepës të Luginës së Vjosës dhe madhështinë e maleve. Një rreze dielli shkëlqeu shtratin e bukur të Vjosës. Si nepërkëz, ajo dredhëzon me harkime të kahmotshme nën çarçaf valësh të blujta. Rrjedhën e saj duan ta shpërfytyrojnë.  Pëshpëritet se do bëhet H/C. Vjosa zë fill në malet e Pindit (të gjitonit tonë, Greqisë) dhe atje quhet Aos. Pastaj egër e rrëmbyeshëm çan malet e Shqipërisë, duke u bërë Vjosë. Dhe, nga Përmeti, herë i çan ata gjithë nerv e herë u rrëshqet brigjeve. Në Tepelenë i lë rrepet të freskojnë kryet e pishat të njomin këmbët. Zbret nëpër Mallakastër në shtratin e gjerë për të vërshuar, sikur pendohet që nuk ua vari maleve derisa, e lodhur nga rruga e gjatë, e lë mënjanë përkëdheljen vajzërore dhe hyn në Vlorë nën “komandën” e Urës së Mifolit, drejt detit, që bëhet i dashur si një nënë e cila mbledh të vegjlit në gji.

Vetëm pasi e ke vizituar qytetin antik të Bylisit të rri në mendje pashmangshmërisht historia, ndërtimet dhe ngjarjet e zhvilluara, që e bëjnë më madhështor epokën e Lashtësisë së tij. Në largim e ndjen se ke marrë kaq shumë kënaqësi dhe buzëqeshje gjithë dritë…

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora