| E diele, 19.09.2021, 03:05 PM |
THELLËSITË E INTROSPEKSIONIT LIRIK
(Mehmetali
Rexhepi: “"Vetullat e majëborës”, poezi, 2021)
Nga
Prend BUZHALA
Libri me poezi
"VETULLAT E MAJËBORËS" i Mehmetali Rexhepit, e shtrin tekstin poetik
me anë procedimesh metapoetike: riintepretime të lirikës autobiografike
protagonistë letrarë dhe historikë, siç thuren te poezia që i prin vëllimit (Ditëlindja
ime e gjashtëdhjetë e tetë) - vështrimi kah vetvetja; dhe tek dy ciklet e
para "Urtari i zhvarrosur pushon në simbole" (cikël-poemë) dhe
"Anames sinonimesh" (kundrime poetike kah të tjerët). Dihet që
te leximi i një romani, bie fjala, lexuesi përjeton dhe jeton jetët e panumërta
të personazheve të panumërt, shumë hapësira të njohura e të panjohura, largësi
të pamatshme horizontesh etj. etj. pra, e përjeton botën që autori e drejton
kah të tjerët; te tekstet poetike ndodh e kundërta: përqendrimi tek vetvetja,
tek loja ligjërimore semantike e figurative, me aventurën e imagjinatës
vetjake; autori i këtij vëllimi dëshiron ta dekonstrukojë edhe këtë aspekt
tekstual prozë/poezi. Kësisoj, në ciklet tjera "Shijet vrastare",
"Litar kambane", "Shkallareve të lajthitjes",
"Djerrina e çasteve të praruara", “Të hedhësh mehlem aty ku dhemb"
dhe në ciklin-poemë "Loti dyllë i ngrirë", tashmë krijuesi
kalon në një sferë këndimi, ku komunikimi poetik sugjeron edhe abstraksionin
poetik, edhe thurjen e shenjave dhe semantizimit të mesazheve që jepen dhe
merren, si përvoja të ekzistencës dhe jetës, historisë dhe miteve, përditshmërisë
dhe dimensionit të përshpirtshëm të jetës.
1.
Autobiografia shpirtërore lirike
Përkufizimet aq të
përdorura modernizëm/postmodernizëm pak gjë na thonë përballë alternativave të
shumta krijuese që t’i ofron vetë arti poetik. Në këtë mënyrë, poezia e M.
Rexhepit lexohet pasi do ta kesh shijuar bukurinë e saj në alternimin e
imazheve, rendit metaforik, epitetizimeve, risemantizimeve (vetë titulli
“Vetullat e majëborës” na vjen nga proza e tij e nga krijimet e përparshme),
nxitjes së ideve, përshtypjeve dhe meditimeve të ngritura mbi temat e rënda.
Nuk është e habitshme përse, duke bërë përpjekje që ta njësojë intimen me
realitetin e jashtëm, sikur përkufizimi për lirikën që ndërlidhet vetëm me
intimen, bie poshtë, shkërmoqet, meqë poezia e sotme (në daç moderne a
postmoderne, nuk ka rëndësi), pikësynon larushinë, qoftë edhe duke iu përafruar
prozës, rimtit të saj, narratives së saj, si poezi-rrëfime, apo qoftë edhe si
poezi-ese.
Poezinë e parë “Ditëlindja
ime e gjashtëdhjetë e tetë” dhe poezinë e fundit “Mosha e kallinjve” (70
vjetori i ditëlindjes), le t’i lexojmë si tekste poetike që ngërthejnë elemente
të narratives në gërshet me metaforizimet dhe kontekstet jetësore e historike
në të cilat kaloi jeta e autorit (ish i burgosur politik).
nëna
Z më lindi kur drapri korrte grurë dhe njerëz
rrodhi
shumëçka mbi mua e harkun tim tash e gjashtëdhjetë e tetë vjet
ishin
shkrirë plazma të gjakut nën Urën e Maskatarit
mandej
kundërmuan jashtëqitjet dhe mbetjet e “pazarit”
kosëtari
im Prijatari i afshit të barit
më
dëftonte “ bir nuk e kemi ditë çka asht e keshmja
mas
djegies në Kaushë të Mulla Idriz Gjilanit”
e
thoshte afër stufës së zjarrit
ose:
korriku
është dorëzani i kërthizës sime
me
të gjitha lakesat e ngarkesave në mua
më
vizatoi dhe vijat e hullive
nuk
i mbushi me të gjitha ngjyrat e përziera
le
të mos jem i ngazëllyer nga e përzgjedhura
tashmë
për mua e ka veçse këtë ligj këtë ngjyrë
për
çdo ditë më del në pritë:
që
nga kërthiza të pikturoja
në
galeritë tua pamjet t`i ekspozoja
çfarë
më kërkon fare mos e prit
për
ty e kam vetëm të grunjtën
dhe
pigmente kafeje
në
oazën e dikurshme gjithçka të mbeti
rikthehu
nëse mund ta kalosh moshën e një deti
Kështu ligjëron poeti
te njësia e parë tekstuale e kësaj poezie dhe te njësia e dytë e poezisë së
dytë. Aty lexojmë referencat familjare, rurale, të ngërthyera në ato nacionale,
historike, të tragjedive që pësuan këto anë (të vendlindjes së autorit), siç
janë Ura e Maskatarit (një topos poetik aq i kënduar e i kërkuar te krijuesit
gjilanas, aty ku ka ndodhur edhe një masakër), me tragjedinë e idealistit Mulla
Idriz Gjilanit, etj... Lexojmë mikro-biografi të mprehta lirike jo të pakta, jo
vetëm brenda poezisë në shqyrtim, po edhe përgjatë tërë vëllimit (një zë
hyjnor ai i Vaçe Zelës; I Përndritshmi Ipeshkëv i Bibliotekës Pjetër Bogdani e
Prish-Stina; shkërmoqej hija e (n)gurtë e Hasan Prishtinës; Oda Universiteti
Urtësia Akademia; gurra e gjakut të Jasharajve; verë e Beqës këmbë zbathur në
pyllin “Bukuria e Zezë”...). “Ditëlindja...” është një lirikë autobiografike,
ku, përpos biografemave referenciale artistike, shqiptohen edhe ndjesitë,
gjakimet, shqetësimet, idealet e pikësynimet e autorit. Kjo do të thotë që
autori e sheh historinë (të djeshmen) botën përreth (të sotmen), siç është
vetvetja, si diçka të veten, të pandarë, të njënjëshme. Vetvetja është gjithçka
që lexojmë te kjo poezi. Historia dhe bota janë vetë autori. Janë autobiografia
e tij. Në vend të dokumentit, flasin toposet e njohura poetike- emra
personalitetesh, ngjarjesh, vendesh. E, po u shkërmoqën ato që lexohen si
njëjtësi të paprekshme, shkërmoqet edhe vetë bota e autorit. Por jo! Ato janë
të pazhdukshme, si pirgu vetëflijues i Jasharajve:
mbi
mua rrodhi Oda Universiteti Urtësia Akademia
Vatra
e një galerie fytyrash dritë-praruara
iu
shtruan hullive t`i mbillnin t`iu çelnin mbi akuj pemët drunjtë e jetës
ngjyrën
më të bollshme e kishin të kuqen lule-gjakun mbëltuar
hija
e shqiponjës dykrerëshe krah-hapur i varej çerdhes për të mos e përvëluar
sipër
meje ranë pika rrjedhke edhe gurra e gjakut të Jasharajve
një
gjëmë pa lot
që
të madhërishmen e flijimit e ngjiti në Pirgun më të lartë në botë
Trajta apologjike e
këndimit ndërthuret me introspeksionin, kurse kujtimet si element
autobiografik, pleksen me faktografinë familjare e me atë historike. Trajtën
ritmike të prozës e kushtëzon teksti retrospektiv. Nuk ka tekst retrospektiv
(në këtë rast: ditëlindja si evokim i tërësishëm i jetës) pa narrativen
historike, ashtu sikundër nuk ka evokim autobiografik pa paraqitjen e jetës
personale dhe pa historinë e zhvillimit të personalitetit, siç do të vërente
Philippe Lejeune te vepra e tij “Le Pacte autobiographique”. Ndryshe, lirika e
tipit të tillë te M. Rexhepi kërkohen gjakimet, e epërmja (me asociacionet e
lojës gjuhësore etimologjike Epir, Epi, lashtësia) deri te e sotmja që shkakton
vetëm revoltë, shqetësim dhe tëhuajësime. Në fund, prandaj, poeti ndien nevojë
që t’i drejtohet një bote të virgjër për shpëtimin e nostalgjisë personale e të
vlerave të patjetërsueshme, siç janë fëmijët dhe hiret tereziane:
Lirinë
nuk e paskemi dashur të veshur
kot
i kërkuake lumenjtë e fëmijërisë
janë
arratisur e fshihen tek retë
rrjedhin
qiellit vetëm nga hiri i Shën Terezës
për
botën langore pa sherre të bebes
kur përmendim këtu
aspektin autobiografik të kësaj poezie, ndryshe nga veçoritë intime të lirikës
përgjithësisht, përvijohet me ndërthurjen e teksteve ekpresive e vetërrëfyese
me ato autobiografike, personale.
Sado që tipi i
lirikës së tillë mund t’iu reshtet vlerave estetike, autori e ruan sensin e tij
të masës e të drejtpeshimit; pothuajse secili varg tujget me lirizmin e
kërkuar, me lirizmin që korrespondon me funksionin shprehës dhe emocional të
ligjërimit poetik. Është ajo shprehje lirike poetike që pikësynon të shpërthejë
përtej intimitetit, përtej sentimentales. Ky pikësynim ka të bëjë me thellësitë
e kërkuara të fjalës. Nuk është e habitshme përse poezinë e sotme, nganjëherë,
e lexojmë si aventurë të fjalës, si impuls krijues, me imazhe, ritme, figura e
tinguj, për ta arritur sublimen, përsosmërinë, magjinë e thënies. Është ajo
prirje, e shfaqur edhe me anë të ligjërimit diskursiv, siç është vëllimi
““Enigma e magjikes” (ese, 2011). Aso kohe, për këtë vëllim pata theksuar:
“Rexhepi është kritik i pasionit kërkues të të bukurës dhe vlerave. Tekstet e
tij janë shënime të leximit pasionant, të hapur për horizontet e ndryshme të
kuptimit, kurse burimin e tyre e kanë tek leximi dhe tek mendimi krijues, aty
ku ai shquan ndërlidhjen e këtyre teksteve tek fushat e ndryshme të librit
letrar, publicistik, shkencor a eseistik. Dhe, për ta dhënë këtë shumësi
shkrimore e kuptimore, autori detyrohet të jetë edhe njohës i traditave letrare
e religjioze, i mendimit politik dhe atij dituror, historik dhe albanologjik.”
2.
Profilet shpirtërore në këndimet lirike
Me këtë pasion
kërkimesh ai vazhdon edhe në fushën e artit poetik. Porse ky kërkim, ndër të
tjera, ka të bëjë edhe me gjetjet e vlerave sublime jo vetëm në artin poetik,
po edhe të personaliteteve e ngjarjeve historike. Kësisoj, te cikli i parë
“Urtari i zhvarrosur pushon në simbole” lexojmë poemën “Shkrinte plumbin e
mendjes”, kushtuar Pjetër Bogdanit, kurse në ciklin “Anames sinonimesh”
lexojmë tërësi të tilla poetike kushtuar Përvjetorit të Urtarit B (siç e quan
Beqir Musliun), Musa Ramadanit, Alush Canajt, Frederik Rreshpjes, Agim
Ramadanit, Nexhmije Pagarushës dhe Kelmend Jasharit. Janë personalitete të
traditës sonë (si Pjetër Bogdani), krijues gjilanas që tashmë janë në amshim e
që lanë gjurmë në artin letrar, apo krijues emblematikë si Frederik Rreshpja
dhe personalitete që personifikojnë vlerat e epërme të së bukurës në artin
muzikor, si N. Pagarusha. Tekstet e tilla lexohen si natura naturata, si
shpalim i botës artistike të personalitetit të rikënduar në poezi, përmes aktit
estetik të krijuesit letrar, do të na çonte tek ligjëratat e filozofit më të
njohur çifut, Spinozës, i cili, në ag të kohëve moderne, i mbante ato në
katedrat e Sinagogës së Amsterdamit: Deus sive Natura (Hyji ose Natyra); Hyji
dhe Njeriu përbëjnë një njësi të përbashkët krijuese; natura naturans,
natyrë botëkrijuese. Metaforikisht: krijuesi letrar konsiderohej me natyrë
botëkrijuese, po edhe si natura naturata (përsëri simbas Spinozës), pra natyrë
e krijuar. Për këtë “natyrë të artit” flasin edhe Atë Gjergj Fishta dhe
Mjedja, kurse Lasgushi ynë këtë “naturë krijonjëse” e përkufizon si “frymë”,
“magji-dhëmbëse”, “transfigurim”, “tronditje shpirtërore”, “krijim i ri prej
lëndës së vjetër”. Së këndejmi, endëzohet një hipertekst. E pra, shqiptimi
i mesazhit letrar, si natura naturans, tash bartet tek krijimet e
poetëve tjerë bashkëkohës, si natura naturata. Në komunikimin modern letrar
poeti tashmë hyn si aktant i strukturës së ndërsjellë aktanciale (nocione sipas
teoricienit frëng, A. J. Greimas: “Les Actants, les Acteurs et les Figures”)...
E veçova këtë kundrim
timin personal, të mëhershëm, për të hyrë në botën e tillë poetike të këtyre dy
cikleve.
në
dy udhë i shteronte dita mbi shenja që nuk i kishte shqipja
karrige
tavolinë eshtrash papiruse trekëndësh me të gjallin vertikalin e udhës së
mbyllur
qetësi
e trillit e shpjerë nëpër natë për të qëmtuar deri në të gdhirë
sy
të kuqërremtë qepur mbi rrokje të zverdhura me fije ibërshimesh të zeza
ngultas
lypin rreze të mos e shuante zbehja urtinë e ngrirë
ato
shkronja të ngurosura me vula urtarësh të mpiksura
gjeje
fitilin dhe fërkoje mes gurësh të Hasit shih si do ta çajë shkëndija terrin
thoshte
Pjetri i Bogdanajve vetëm për barbarët dielli
nuk
e derdh dritën
e
lypin të verbrit e lypin yjtë më tej do të shterojë kah largësitë
anemikut
parasysh do t`i treten dhuntitë e shkunden kallinjtë
Është këndimi
nacional i Kultit të Bardit, i Kultit të Poetit, i Poetit Hero e bard nacional.
Është poemë që paraqet profilin shpirtëror të Bogdanit që komunikon me kohën
tonë; paraqet rolin e tij në laboratorin vetjak krijues, kundruall traditës
sonë, është këndimi i misionit të tij nëpërmes një vizioni poetik personal.
Me të tilla përveçime
të energjisë të frymës shpirtërore këndohen edhe personalitetet tjera, ku
uniteti i mendimit, vullnetit, përqendrimit dhe intuitës, përqendrohet te
biografia e tillë poetike shpirtërore. Zaten kërkimi pasionant për ta veçuar të
jashtëzakonshmen te bota e përjetësisë së tyre, lexohen edhe si homazhe poetike
a si lirika përkushtimore, si këngë mbi këngët. Është lirikë e biografisë
shpirtërore. Ata janë personifikime të vetëdijes së zgjuar artistike e
historike, janë sinonime që bartin një SHENJË ESTETIKE, një SHENJË KOHE E ARTI.
kokës
prej fijesh bleroshe
fjalët
nuk ia pritën aktin e zverdhjes
nëpër
degë tropesh kameleonët i zhvishte cullak me trasta ngjyrash nën vetulla
nën
cipën e klorofilit Tij ngërthente prejardhjen bukuria
intuita
me duart e prekjeve magjike i dëftonte poemave etjen në ujëvarat kozmike
fotosinteza
e fjalëve i hapte petale dhe piketonte pigmente në hi
pikave
nevralgjike gjymtyrët prej metafore i forconte ajri i kondensuar
mushkëritë
e Tija vegjetonin në tymin e cigareve të idhujtarëve
tokës
së zezë i qëronte farën e bardhë të lozes
veçse
për ngjitje të thënies në majën e malit të borës
Këta personalitete të
ligjëruara poetikisht, bartin e përcjellin nga një SHENJË të VETËDIJES sonë të
zgjuar. Secili na shfaqet si portret i përveçëm i secilit prej nesh dhe si
portret yni i përbashkët, i identitetit historik, nacional, kulturor e letrar.
Në këtë rast, si shenjë e identitetit të një mjedisi, siç është Gjilani.
Lexohen edhe si
ndërthurje e teksteve të këtyre autorëve me mitet, historinë,
studiuesve të
ardhshëm; prandaj, u mbetet t’i shohin lidhjet e prozës së letrës me mite, si
ndërthurje e poetikës postmoderne, hiperteksteve me tekstet artistike. Secili
prej tyre është një spiritus movens, që vë në lëvizje nxitjet e brendshme
krijuese e të botës së ideve të autorit. Se cili është ky motivim, nxitës a
shkas i padukshëm, cili është ky spiritus movens, që nxit këtë potencial
krijues të poetëve, a këngëtarëve, përgjithësisht të artistëve; estetët
përpiqen t'i kodifikojnë disa ligje nga fusha e estetikës. Spiritus movens
është ai lëvizësi i brendshëm, shpirtëror, nxitësi i veprimtarisë,
"shpirti" i një përpjekjeje (B. Klaiç, Fjalor i fjalëve të huaja);
"në një bisedë, spiritus movens (spiritus agens) është ai që ideon,
inicion dhe organizon (zakonisht në një projekt të madh). Sipas disa fjalorëve,
spiritus movens është një udhëheqës shpirtëror. Kanti e filozofët tjerë duan të
nënvizojnë prirjen e aftësinë e racionalitetit njerëzor që prodhon edhe
spontanen.
“Eugjenika
e tri deteve”
ftoi
muzat të shpërfaqnin mijëra derte
*
e
rrëzuam edhe një Mur Gjaku Maestro
*
mund
të na zërë Muri i Republikës së vaktit
ai
që po ngrihet venave tona të mërisë së gjakut
Ti
e dëftoje aktin
“Satana
ma vodhi gurin e urtisë”
Kësisoj, procesi
krijues përshkruhet si misterioz dhe me natyrë sekrete, me natyrë të
ndërliqshme... e që na vjen nga kohët antike, kur fuqitë mbinatyrore sjellin
frymëzimet artistike dhe frymëzimet e mendimeve. Poetët janë edhe të
revoltuarit e kohës. Shenja e tyre e jetës është kryengritja e shpirtit:
po
deshe provo të hysh labirinteve
kështjellës
së një rebeli
për
t`ia gjetur thesarin e dhimbjeve
pos
Files
zbehtësi
e hënës
dhe
hiles
pa
sytë e Tij mos e mësyj atë vetmi
pa
zjarrin e Tij mos e ndez asnjë shkëndijë
(...)
të
jesh një Frederik Rreshpja
dhimbja
do të thoshte mirë se të gjeta
(...)
më
afër se vdekjen veshte këmishën
të
fismen e jetës dhe grishjen
Muzat e arteve kanë
nderimin e estetëve dhe krijuesve. M. Rexhepi ata i nderon me thënien sublime
të artit të fjalës.
3.
Rendi i ndërliqshëm i leksemave lirike
Ciklet tjera na
sjellin një botë më të nuancuar, më të larmishme e më të ndërliqshme poetike.
Dhe ky nuancim lirikash lexohet në formën e një shqiptimi të vërtetë poetik “me
fije shpirti në një furkë të durimit”. Leksema shpirt zbulohet e lakohet
në botën e pasur, duke marrë konotacione të shumta lirike. Nëse në vargun e
mësipërm kjo leksemë identifikohet a mishërohet me mitin e krijimit, më tutje
ajo herë kumtohet si varg i vuajtjeve e
herë si varg që kapërcen dhimbjet:
tashmë
shpirti farkohet për shporrje të dhimbjes
arti
nga fytyra zbriti në shalë vithesh
Te poezia “Motive
shkodrane” lexojmë:
testamentin
e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë
t`i
varej degës pemës Saj në qiell
Ndryshe, nuk mund të
gjendet një tjetër kërkim i kësaj fjale për ta kumtuar atë testament motivesh
të tilla, dhembshurisht të gjakuar. Rrjedhën e lumit e lexojmë si një imazh të
gjetur poetik: “pikturë e shpirtit i fanit rrjedhën”, kurse “poeti
mëtoi shtratin e shpirtit t`ia lëshonte rrjedhës” (poezia “Arratisja e
lumit”). Te poezia “Thethi” “mes ujëvarës dhe shpirtit shkëndijon dehja”, kurse
te “Një litar kambane”, tashmë e lexojmë antinominë e saj si “sfungjerë viganë
thithnin avuj shpirtrash të këqij” ose: “ti shpirt militarist je fare i
brishtë”. Diku tjetër si lektisje, mandej si brishtësi, kurse te poezia
“Shiu reumë malli”, nëpërmes pamjeve të vagullta e të zymta surrealiste me
avuj, erë e shi, funksioni konotativ gjen shprehjen e vet te mesazhet, që
vendosen për ta zgjeruar e thelluar komunikimin:
shpirti
të lidhet nyjë në fyt dendësohen retë jashtë e në ty
pasqyrë
e ditës avullohet përhitet
thesi
mallëngjyes zgjidh grykën
Te poemat a lirikat si “Degët”, “Një litar kambane”, “Hiret
kllapia dhe esëllti e Gjilanit” dhe “Thethi”, këndohen të tilla, si këngë e
shpirtit. Kjo do të thotë që poemat e tilla korrespondojnë me funksionin e tyre
testamentar, ekspresiv, siç shprehet Roman Jakobson "Poezia e tillë e
synon një shprehje të drejtpërdrejtë të qëndrimit të subjektit ndaj asaj për të
cilën flet ajo" (te studimi “Linguistika dhe poetika”).
Herë-herë
shtrëngohemi t’i ndjekim shenjat e ndryshme të një loje makabre të historisë e
të kohës, ose të një force të padukshme të fatit:
teatri
im ji i vërtetë
kur
me lëngun tënd shpirtin ngjeshë
dhe
nxjerr djallin tim
përmes
djallit tënd me vija njeriu
nga
skutina të paprekura
me
lojën mjeshtërore djajtë nga kurthet e buta dalin
Në fakt, lojën poeti
e dekosntrukton si domethënie metafizike, diku tjetër si pjesë ontologjike të
qenies njerëzore. Nëse Emanuel Kanti e pikëshikonte në aspektin estetik, si një
“veprimi që është i këndshëm dhe fisnik në vetvete”, nëse F. Schiller e
konsideronte “një mënyrë për t'u marrë
me të bukurën”, nëse L. Wittgenstein e zbërthente si “lojë në aspektin
gjuhësor“, poezia e bën një hap më tutje, duke i dhënë asaj kuptimet e ironisë
së fatit e të çmendurisë së absurditetit njerëzor në teatrin tragjik të saj:
me
kafshime gjarpri raki kumbullash e helmin e mendjes
dhe
ujin do ta digjnin me trupa njerëzish
për lojën e çmendjes
Simbolikisht, loja e
tillë shënjon a zëvendëson “objektet”, ngjarjet, bëmat, por edhe ndërliqësinë e
zhdërvjelltësinë e intelektit krijues. Vetë qenia njerëzore sikur ngërthehet në
lëmshin e kontradiktave të pafund, në atë gjendjen “ose ose” të filozofisë së
Kjerkegordit a në botën e absurdit modern që e gjurmon me këmbëngulje lirika
moderne. Nuk është e rastit përse folësi lirik i kësaj poezie, në këtë vorbull
kundërthëniesh, e sheh veten si viktimë e fatit (poezia “Tirania e fatit”), si
qenie që vuan pafundësisht mbi këtë hendek botësh e kohësh:
fati
gjeti shtegun për të më goditur
çdo shteg-mbyllje arkitekturën prej llastiku
ia
katapultoja të tkurrur t`i shtrihej tej kufiri
m`i
lypte përuljet lutej për vartësi
i
thosha
kam
detin me
dhunti pse mos t`i shijosh dhe ti
këtij përjetësimi hynin erërat
ngjarje
ndodhi data të mbufatura
as
dyer as gardh pos
pore të hapura
ai hynte
me aureolë
m`i
shporrte në hon shurdhërie meloditë e zamares
lypte të
ngopej mbi shijen e hises
nismëtaren e membranës
le
të pajtohej ose mos të kishte
ndjesi
sikurse
uni me dëneset e shfryrjes mike
kur plagosej me barutin e mllefit çiltërsia e
stinës
rrudhur
e kapja për dore
i
trazuar i përbuzur
e
bartja mbi shpinën time qelqore
Në lirikat e tilla
folësi lirik ligjëron në veten e parë, si shenjë e identifikimit personal me
thënien lirike. Uni lirik nuk ka se si të jetë i ndarë nga ky fat, ani se mund
të shfaqet i copëtuar, i çarë, gjithnjë me barrën e shqetësimit për t’i gjetur
rrugëdaljet. Tashmë e lexojmë atë lirikën e vërtetë konfesionale, që e
përmendëm diku kah fillimi. Lirika e tillë dallon nga intimja. Intimja ka të
bëjë me ndjesitë e brendshme, kurse vetërrëfimi, konfesionalja, ka të bëjë me
dramën e jetës, me reliktin, me përplasjet e ekzistencës.
dehja
lëndinë shtati yt violinë
lakohej
telave të shtrirë
nën
gishtërinj maestroje dridheshin ngjyra
hamshorit
iu fale nuk tundohej më ëndshëm lëndina
me
tela të këputur ofshante violina
udhës
shtruar me shina rrëshqitas e ndesh
fatin
tënd udhëkryqesh e pakurorëzuar lëneshë
përpij
e lëpij ende diçka tënden
Vetërrëfimi lirik
augustinian (asociacion nga vepra “Vetërrëfimet” e Shën Augustinit”),
shndërrohet në bashkëbisedim a në folësin lirik, që i drejtohet qenies tjetër,
në veten e dytë (si te vargjet e mësipërme të poezisë “Lënesha violinë e
çakorduar”). Në litarët e tillë që tërhiqen skajeve (“Litar kambane”),
pamundësia për ta kapërcyer dallimin midis subjektit dhe objektit (K.
KJaspers), pra midis realitetit e njeriut idealist, midis botës subjektive,
personale dhe realitetit objektiv; e detyron këtë folës lirik ta mbajë gjithnjë
të tundur këtë kambanë alarmi, për ta shqiptuar revoltën e tij:
i
harruari Zoti i Paqes
mos
vallë dhe Ai
nuk
denjoi të shfaqet
pa
i larë faqet
në këso rastesh
poezia nuk ka se çka të racionalizojë, pasi realitetet e ankthit shumëfishohen.
Nuk thoshte më kot Niçe se “vetëm arti është një rrugë e suksesshme kundër
absurdit, sepse për nga natyra e tij ai është një rebelim”.
Nëpër vargje shpesh
përmendet leksema metaforike “vetull”. Madje, ajo shfaqet si kryeleksemë
(që në titullin e veprës), për të mos thënë që lexohet si kryefigurë. Shenja e
parë e saj figurative është komunikimi joverbal. Nga ana tjetër ajo thurë
imazhet e saj në natyrë dhe në vizionet poetike, për të shprehur festën e
mbresave dhe të bukurisë së emocionit, reagimet e ndryshme emocionale, shfaqen
si shenjë edhe e mosbesimit, shqetësimit, mospajtimit, dyshimit, befasisë a
habisë, që mund të ndiejmë në një situatë. Në simbologjinë botërore ato
shënjojnë “respektin dhe dinjitetin për veten.”
Mirëpo, poeti përmes
kësaj metafore të epitetizuar në një neologjizëm lirike (majëborë), këtë
fytyrë a pamje të fytyrës së vet (personale a kolektive) e sheh të shpërfaqur
si imazh në një epikë natyrore: vetullat e majëborës. Është një ndjesi
romantike (ekziston romantika e përjetshme e shpirtit njerëzor, që kumton
gjakimet e identifikimet e bëra njësh me rrethin, vendlindjen, të epërmen,
epikën, siç ta sugjeron titulli. Mirëpo, përgjatë veprës, përdorimi metaforik i“vetullave”
rikëndohet si shenjë e së bukurës së botës femërore, si mit i bukurisë e
shitimit të saj:
qilima
melodie shtronte kur
bredhja udhës
i
shartoi faqe vetulla e sy Rozafës
Tanushës
pas
tetëdhjetë e gjashtë Shën Gjergjash
Sytë për ty i kam të njomë
(Poezia “Tejzave të
ëndjes” - Nexhmije Pagarushës: “Bilbili i Kosovës”)
Apo si referencë
lirike e mallit dhe nostalgjisë:
malli
njërës i lë një vetull tjetrës shpërthimin e qeshjes
zhvendos
tiparet faqet prapa shpinës dhe dy sy
(“Shiu reumë malli”)
Ndërkaq te poezia “Relievi
i letrës” rrjeti asociativ-kuotimor i kësaj figure zgjerohet, duke i
pleksur në një realitet totalisht të tjetërsuar mërzie, ftohtësie e mpiksjeje
të ekzistencës:
më
herët nata nën shtrojerë vetullash
zuri
shtegun me vrushkuj të zinj të athtësisë
ngjyrës
të zezës i fali besnikëri si vetja
eliksir
në një shkëlqim bardhësie
teh
thike në dorën e çastit
gjak
a venë rrjedhin shiritave të kllapisë
ftohtësi
e çdoditshme këmishë e shqyer
lëkurë
e saj diell i kuq i mpiksur
Sikundër e pamë,
përdorimi i një vargu temë-figurash, dhe ide-këndimesh, mëton ta strukturojë
një unitet të brendshëm lirik në tërë veprën e tij poetike. Lënda komplekse dhe
format e pasura lirike, “ideali” dhe “imazhi” (hegelian), me hollësitë e tilla
figurative, tematike e ideore; e integrojnë veprën brenda konceptit krijues të
autorit.
Korrik 2021