E marte, 19.10.2021, 11:01 PM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Gjurmët historike dhe arkeologjike në qytetin mesjetar të Bërvenikut

E premte, 17.09.2021, 08:17 PM


GJURMËT HISTORIKE DHE ARKEOLOGJIKE NË QYTETIN MESJETAR TË BËRVENIKUT ME RRETHINË

Nga Dr. Qazim Namani

Bërveniku është fshat në Malësinë e Galabit, dhe shtrihet 33 km në lindje të Podujevës,  në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Gjatë periudhës së antikitetit dhe mesjetës, Kështjella e Brainës dhe në mesjet Bërveniku njiheshin si vendbanime xehetare të zhvilluara.

Sipas Jahja Drançollit, Bërveniku, si treg–qytet të regjistruar në dokumente me emrin Bruenico, Bruenich, Breuenicho, e ndeshim për herë të parë në vitin 1280. Nga e njëjta periudhë na është i njohur  Berveniku, ku në vitin 1280 përmendet një koloni e Kotorrit dhe një e Dubrovnikut, këtu përmendet edhe kisha e Shën Trifunit që ju ka shërbyer katolikëve.

Sipas Jeriçekut çdo vend xehetar e ka pasur kishën e vet katolike, famullitarin ose ndihmësin e famullitarit, shkruan Gaspër Gjini. Berveniku në atë kohë konsiderohej si koloni Kotorit dhe Raguzës. Për vendndodhjen e këtij lokaliteti është shkruar mjaftë shumë, disa shkencëtarë mendojnë se Bervenikun duhet kërkuar në rrjedhën e lumit Bërvenica që derdhet në Ibër, kurse të tjerët në rrjedhën e lumit Bervenica që derdhet në lumin Llap.

Ndër studiuesit e parë që u përcaktua për ekzistimin e Bërvenikut në anën lindore të lumit Llap ishte Ilarion Ruvaraci përfaqësues i historiografisë kritike serbe. Ky në vitin 1879 lidhur me këtë çështje thekson: Këtu nuk mundë të mendohet për Bërvenikun në rrjedhën e Bërvenicës së Ibrit, meqë rruga nga Prishtina ose Graqanica për manastirin e Ravanicës nuk shpie afër Bërvenikut të Ibrit. Një mendim të tillë e mbështet dhe ballkanologu Konstantin Jeriçek në “studimin mbi rrugët tregtare”. Këto konstatime u pranuan dhe nga studiuesit Stojan Novakoviç, Avram Popoviç, Stojan Stojanoviç, Vlladimir P. Petkoviç, Petar Kosaniç, Mihajlo Miladinoviç, Emil Çershkov, D. Kovaçeviç-Kojiç, A. Urosheviç studiuesja gjermane I. Manken,  Jahja Drançolli etj. I pari që dyshoi në këto rezultate të studiuesve të cekur më lartë ishte A. Solojev.

Jahja Drançolli shkruan se argumentet e veta ky studiues i mbështet në diplomën e perandorit Stefan Uroshi, e cila mban datën 15.06.1363. Konstatimi i Solojevit ishte se ekziston vetëm Bërveniku në rajonin e Ibrit, duke mohuar ekzistimin e Bërvenikut në rajonin e Galabit. Konstatimi i këtij studiuesi gjeti përkrahjen e M. Diniçit, R. Mihaliçit të cilët të dhënat burimore të zbuluara nga I. Ruvaraci, K. Jeriçeku dhe S. Novakoviqi të dedikuara Bërvenikut në Galab, në studimet e tyre u dedikojnë Bervenikut të Ibrit.

Skender Rizaj duke shfletuar burimet Osmane konstaton se Bërveniku i Galabit nuk ka luajtur ndonjë rol si vendbanim xehetarë, andaj ai mendon se Bërveniku si vendbanim xehetar duhet kërkuar në Ibër. Dihet mirëfilli se në periudhën para osmane nga Shatorica (Vend në Kopaonik mbi Bellasicë), është zgjatur një rrugë e cila është degëzuar në dy drejtime. Është fjala për “rrugën xehetarie”. Një drejtim i rrugës në fjalë shkonte për në Bellasicë dhe prej këndej duke u lëshuar në Llapin e poshtëm arrinte në Bërvenik. Nga kjo vërehet se nuk janë hulumtuar sa duhet rrugët xehetarie në malësinë e Galabit. Nëse merren parasysh të dhënat e sipërme, atëherë nuk ka dilemë, avancohet mendimi se Bërveniku si treg dhe xeherore ka ekzistuar në rajonin e Galabit dhe gjatë periudhës mesjetare konstaton Jahja Drançolli.

Harta kadastrale e komunës së Podujevës dhe  Bërveniku në anën lindore

Në anën perëndimore të qytetit mesjetar të Bervenikut, në distancë prej rreth 10 km, në rrugën drejtë fushës së Llapit, Vendenisit edhe sot hasen galeritë e eksploatimit të xehes që nga periudha e antikitetit në Qukën e Drazhnjës, Herticë dhe fshatin Turuqicë. Rruga antike që kalonte pranë këtyre minierave dhe nëpër fshatin Herticë qonte në fshatin Dumnicë e ulët dhe lidhej me rrugën Nish-Lezhë. Prej Dumnicës një degëzim i kësaj rruge në anën perëndimore qonte në qytetin mesjetar të Bolasicës.

Fortifikimet në anën perëndimore të qytetit të Bërvenikut

Të dhënat në terren japin argumente bindëse se është fjala për ekzistimin e Bërvenikut në rajonin e Galabit si qytet sepse kodra që ngrihet në kufijtë e fshatrave Brainë dhe Bërvenik edhe sot nga disa qytetarë quhet Quka e Brainës, kurse nga të tjerët Quka e Brvenikut, të cilës edhe sot i vërehen muret rrethuese.

Nga studiues të mirëfilltë është pranuar se ka gjurmë qytetërimi të hershëm në këtë lokalitet. Në afërsi të Bërvenikut janë zbuluar disa vend-shkrirje xehesh si në : Bërvenik, Brainë, Ballaban, Turuqicë, Orllanë Keqekollë, Koliq,Grashticë, Herticë dhe fshatra tjera për rreth të cilat lidheshin me rrugët që qonin në minierat e Artanës, Trepçës dhe Bellasicës, vlen të përmendet se një rrugë xehetare e cila vinte prej Artanës nëpër gjytetin e Grashticës kalonte nëpër Shator (Kodër e ngritur në të cilën sot kufizohen fshatrat Keqekollë, Radashec dhe Koliq me lartësi mbidetare 1050m). kjo rrugë e vjetër prej Shatorit shpinte nëpër kalanë e Sharbanit, kah Suka e Madhe dhe Suka e Vogël në Rimanishtë dhe qonte në pjesën e poshtme të lumit Llap në Besi apo Vendenis. Prej Vendenisit pastaj në anën veri-lindore duke ndjekur rrjedhën e Bërrvenicës arrinte në qytetin mesjetarë të Bërvenikut.

Duke e ditur se distanca në mes Shatorit të cekur më lartë dhe Bërvenikut është shumë më e shkurtë se sat ë kalonte nëpër Vendenis, mendoj se lidhja e Shatorit me Bërvenikun bëhej përmes rrugës tjetër xehetarie që kalonte nëpër kalanë e Kollçakut në fshatin Koliq, nëpër “Trojet e Gjenovizit” në Koliq, Qukën e Zallit në Ballaban dhe arrinte në Bërvenik, pastaj prej Bërveniku kalonte nëpër Tullarë dhe vendbanimet tjera në luginën e Jabllanicës.

Bërveniku dhe Kështjella e Brainës në anën lindore

Nga kjo kuptojmë se nuk është fjala për Shatoricën mbi Bellasicë, as për Shatorin në fshatin Llapashticë, por për Shatorin e cekur më lartë në malësinë e Galabit. Për gjatë kësaj rruge edhe sot hasen toponimet që dëshmojnë rëndësinë e këtyre trevave të pasura me minerale dhe praninë e perëndimorëve në këto treva. Ndër toponimet që dëshmojnë për lashtësinë e Bervenikut dhe fshatrave për rreth veçojmë: Quka e Bardhë , Quka e Hajrushit, Quka e Fezës, Goleshi, Kisha e Bervenikut, kisha te zallina, kisha e Goleshit, Trojet e Gjenovizit në Bervenik. Në fshatin Brainë veçojmë Qukën e Braines me kalanë ngjitur me Bervenikun, në të cilën vërehen muret e kalasë, themele, tulla, gjurmë rrugësh,  enë qeramike të  ndryshme, vegla pune që dëshmojnë ekzistimin e një qytetërimi antik dhe mesjetar. Shumica e studiuesve mendojnë se kalaja e Brainës është Bederiana e rindërtuar nga perandori Justinian. Në Brainë i hasim edhe këto toponime si Quka e Zhigut, Quka e Kajtazit, Quka e Madhe, Kisha , Lugu i Kishës, zgjyrë metalesh, trasenë e rrugës së moçme, Varret e moçme, etj.

Edhe në fshatin Kalaticë që kufizohet me Bervenikun ka gjurmë të objekteve të banimit te ara e Shtogjeve, te lokaliteti Përroi i Zidinave, Varrezat e Krishtera etj. Në Ballaban po ashtu ka zgjyrë metalesh te Përroi i Samakovës, Trojet e Gjenovizit, Quka e Zallit, Përroi i Gomurit, që me rrugën nga Berveniku lidhen me kalanë e Kallqakut dhe kalatë tjera për rreth.

Territori i Galabit ishte nyjë lidhëse e shumë rrugëve të cilat mundësonin lidhje më të shkurtë të shumë qyteteve dhe qendrave të rëndësishme tregtar në kohëra shumë më të hershme se sa që kemi burime të shkruara për to.

Sipas Emil Çershkov, rruga Nishë-Shkup të shënuar vetëm pjesërisht në Tabula Peutingeriana që shkonte nëpër një varg lokalitetesh të antikës së vonë në rrethinën e Lebanës kalonte malet e Galabit dhe hynte në pellgun e pjesës më burimore të Moravës së jugut, duke u bashkuar në afërsi të vendbanimit antik Station Vectigalis Illyrici në fshatin Runjevë me rrugën që nga drejtimi i Ulpianës qonte ne Shkup.

Ndër rrugët e rëndësishme në lashtësi ishinë rruga Naissus-Lissus e cila kalonte nëpër kufirin veri-perëndimor të Galabit, dhe rruga tjetër Nishë- Medvegjë-Shkup e cila kalonte nëpër pjesën qendrore të Galabit. Nëpër Gallap kalonin edhe rrugët: Ulpianë- Mramur (Zllashë) - Marec (Quka e Makicës), Prapashticë (Kodra e Madhe) - Gllogovicë – Gregjenik - Hajkobillë (Kala, Kroi i ftohtë) – Petrilë – Lebanë – Nishë, një degëzim tjetër i kësaj rruge ndahej në fshatin Prapashticë e cila prej Qukës së Makicës shkonte nëpër Flurë dhe në Lisinë bashkohej me rrugën që vinte prej Vendenisit vinte nëpër Urlanë dhe Keqekollë, për të vazhduar prej Lisinës nëpër Medec, Tullarë dhe drejtim të Nishit. Kishte edhe disa rrugë tjera që lidheshin mes vete si: Ulpianë – Urlanë - Tullarë –Medvegjë – Lebanë dhe rruga Magurë-Lipian-Banullë-Janjevë-Artanë- Prapashticë-Medvegjë-Leskoc-Nishë të cilat lidheshin me rrugët tjera ndihmëse që shkonin në drejtime të ndryshme kah Morava jugore në drejtim te Shkupit dhe Selanikut. duke kaluar nëpër rrafsh lartat më të larta të Galabit si Zllashë, Shator, Brain-Bervenik, Drazhnjë, Balloc, Kodra e Gollakut që shkonte në drejtim të Nishit. Pastaj Brainë, Lisinë të cilat bënin lidhje të rëndësishme me luginën e Jabllanicës nga ana e djathtë kalonte nëpër  Tepe që zbriste në të majtë në Siarinë, kurse në të djathtë qonte në Kikë për të vazhduar pastaj në drejtim të Shkupit etj. Si rrugë tjetër nga Artana për në drejtim të Shkupit ishte ajo që kalonte nëpër Perlepnicë të Gjilanit dhe rruga tjetër Artanë-Gllamë-Zhegoc-Zhiti-Kllokot e cila lidhej me rrugën Ulpian-Shkup. Përveç këtyre kalonin edhe rrugët nëpër rrjedhat e lumenjve që lidheshin me rrugët kryesore që qonin në Artanë dhe qytete tjera xehetarie përreth Artanës si rrugët që ndiqnin degëzimet e Lumit të Lakuar (Kriva Reka në literaturën serbe), pastaj rruga Prishtinë –Grashticë-Keqelollë - Lisinë. Një degëzim i kësaj rruge  ndahej në Grashticë e cila shkonte në të djathtë në drejtim të Janjevës. Nga të dhënat e cekura më lartë kuptojmë se nuk ka dyshim për ekzistimin e qytetit xehetar dhe tregtar të Bervenikut gjatë periudhës së antikës dhe mesjetës në Malësinë e Galabit.

Vendbanimet kryesisht ishin për gjatë rrugëve dhe në rajonet e pasura xehetarie. Përveç këtyre qendrave municipiale është e pa mundur të pranohet se territori i Dardanisë të mos ketë pasur qendra tjera municipiale. Nga burimet e autorëve antik kemi të dhëna ku përmenden vendbanimet ushtarake, por ekzistojnë dhe qendra të shumta të bashkësive fisnore civitates në të cilat ka jetuar popullsia vendase larg ndikimit të romanizimit.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Namani & Sallahu: Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap - gjurmët arkeologjike në fshatin Majac Qazim Namani: Trashëgimia e jonë kulturore në rrezik Qazim Namani: Lotë dhe kujtime te varri i babës Qazim Namani: Si u asimiluan ortodokset shqiptar në dekadat e fundit të shekullit XIX Namani & Sallahu: Mërgata dhe roli i saj në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare gjatë viteve 1970-2000 Qazim Namani: Kontributi i Shqiptarëve për Shpëtimin e Hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore Qazim Namani: Masakrat në fshatin Prapashticë sipas burimeve historike dhe rrëfimeve nga familjarët e mi Qazim Namani: Kisha në Boletin është katolike shqiptare Qazim Namani: Familja shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botrore e strehoi hebreun Ahim Kohen Qazim Namani: Prishtina sipas shkrimeve të oficerit serb Milivoj J. Nikolajević dhe historianit osman Sylejman Kylçes Qazim Namani: Shtëpia që e sfidojë inteligjencën në Prishtinë Qazim Namani: Rrugët e vjetra që kalonin nëpër Dardani, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri dhe Familja Vojinović Qazim Namani: Si u detyruan shqiptarët për të ndërruar fenë Qazim Namani: Konservimi i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017 Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë Qazim Namani: Vushtrria vendlindja e çetnikut Živko Gvozdić Qazim Namani: Shqiptari ortodoks nga Prishtina dhe pjesëmarrja e tij në vrasjen e shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914 Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Qazim Namani: Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë Qazim Namani: Veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora