Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ajne Iberhysaj: Përtej më djegë një varg

| E hene, 13.09.2021, 06:31 PM |


Ajne Iberhysaj

PËRTEJ MË DJEGË NJË VARG

Përtej, përtej dritës krahët i hap

Dielli i zhurritur e djeg edhe veten

Përtej pritjes e ikjes këta mbesim

Kurrë nuk u puqëm me të vërtetën.

Drejt  teje vij me syrin etur  

Përtej më vjen si një siluetë pamje

Malli m’i kall fluturat e barkut

Përtej teje  gjithë jetën mbeta.

Përtej më mbëshjell jetën dhe vdekjen

Dashuria më pushton me hirin e zjarrtë

Sa mall kam me të puth mallin e nënës

Më puth atë pikë loti me u çmallë me fjalë.

Mallin e shpirtit askush nuk ta shuan

Jeta na hedh si monedhë në dete e valë

Përtej kujtesës më vjen si mirazh yjesh

Përtej, përtej më vjen e më djeg një varg.

Kur të  harroj mes vargjeve do të gjej

Të kërkoj në ujëvarat e zemrës

Të puth me vetminë e buzëqeshjes

Të përqafoj me vargjet e heshtur.

Të kërkoj në burimet e fjalëve

Sytë prehën në puthjet e natës

Gërmoj në ato thërrime dashurie

Përtej ëndërrave bëhemi qaramanë fëmijë.

Përtej nesh mure t’ftofta me rrugë të gjata

Të fshehtat e jetës na ëmbëlson me dimër fjalësh

Kërkoj dritën që kurrë nuk e prekëm

Ditët i njomim me fragmente lot-fjalësh.

Shpesh përtej nesh, aq larg e kërkuam shpresën

Përtej meje dhe teje na ndajnë tallaze valë

Lumin e shpirtit shpesh e puthëm me zjarr

Përtej dritës që humba më djeg një varg.

Nënë!