E merkure, 24.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Editorial

Pensionistja i shkruan ministres: Rregulloni shkollën, që të kemi në rregull shoqërinë

E shtune, 11.09.2021, 07:49 PM


E nderuar zonja Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë,

Unë që po ju shkruaj jam një pensioniste 82-vjeçare mësuese e leximit dhe e gjuhës shqipe.

Pas lindjes së fëmijëve, zbrita në ciklin e ulët. Punova si mësuese 40 vjet.

Tani, në pension, uroj me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor të tërë armatën e mësuesve në gjithë Shqipërinë:“Një vit të mbarë në këtë periudhë të vështirë që po kalon njerëzimi“.

Po ju drejtohem juve, ministres sonë të  Arsimit.

Para disa ditësh dolët në televizor dhe dhatë disa udhëzime për vitin mësimor.

E dini çfarë më bëri përshtypje midis të tjerash zonja ministre, se sipas asaj që ju njoftuat mësuesit janë të detyruar që më 1 shtator të venë në shkollë, kurse nxënësit sipas dëshirës.

Kjo më indinjoi shumë sepse sivjet fëmijët më shumë se kurrë duhet të paraqiten në shkollë pas dy vitesh mësimi të cunguar. Por, për çudi zonja ministre më 1 shtator oborret e shkollave u mbushën me zërat gazmorë të fëmijëve. Atëherë, a ju duk i drejtë lajmërimi juaj?

Dëshiroj të shtroj disa probleme dhe besoj se ka edhe të tjerë që do të më mbështesin.

Është nxjerrë një urdhër apo një dekret që për mësuesi mund të shkojnë maturantët me mesatare të ulët.

Ç´është kështu? Kur ai nuk ka arritur rezultate të larta në shkollë, si do të bëhet përhapës i dijes?

Për shembull si do t´u mësojë ai të tjerëve gjuhën e bukur amtare, elementin e rëndësishëm e që e dallon atë nga kombësia?

Kam dëgjuar në lajme se gjuha angleze në shkollë do të nisë që në klasën e parë.

Si do të mësojë ai nxënës gjuhën e huaj pa ditur ende rregullat e drejtëshkrimit të gjuhës së bukur shqipe, gjuhës së të parëve që sakrifikuan gjithçka për alfabetin tonë?

Pranimi në universitet i maturantëve me rezultate të ulta do të nxjerrë kuadro me nivel të ulët.

Po jap një shembull, çfarë janë ata gazetarë apo punonjës të televizioneve private apo shtetëror që nuk dinë të shkruajnë pa gabime?

A ka testime apo kontrolle të këtyre që shkruajnë me titra lajmërimet plot gabime drejtëshkrimore?

Çfarë thotë dëgjuesi apo shikuesi që sheh apo dëgjon ato gabime trashanike kur sheh si është deformuar shkrimi i gjuhës nga këta pseudogazetarë?

Përshembull emrat e përveçëm shohim që shkruhen me shkronjë të vogël, ndarja e fjalëve në fund të rreshtit ka rregulla, ajo që shpesh shohim është se shkronjat e përbëra i ndajnë një në fund të rreshtit, një në fillim të rreshtit të vargut tjetër etj.

E di që edhe ju jeni në pozita të vështira sepse nxënësit e shkëlqyer ose me rezultate të mira rendin pas degëve të parapëlqyera, por vendi ka nevojë për njerëz të kualifikuar, te jenë të përgatitur kudo ku të punojnë. Çdo punë ka sekretet e saj, sepse edhe ai punëtori që punon në arë, fabrikë e kudo tjetër duhet të ketë dije për profesionin ose zanatin që ushtron.

Bëni një sondazh, jo në qytetet të mëdha vetëm, por edhe në zona të thella ku shpesh herë mungon edhe energjia elektrike.  Ju dy vjet rresht zhvilluat mësim onlain si i thonë.

Mirë atje ka ku ka energji dhe internet i marrin ato mësime të cunguara, po atje ku nuk kanë as aparate për të dëgjuar mësuesin që shpjegon, si i bëhet hallit?

A mos po rrisim përsëri një brez analfabetësh kur na u desh një kohë e gjatë për të luftuar analfabetizmin? Ka shumë probleme arsimi!

Kam një shkollë afër shtëpisë dhe e shoh si bëhet mësimi. Mësuesit e fiskulturës, nuk zhvillojnë mësim fare, nxënësit vetëm lozin me top dhe nuk dinë as kujt i thonë as majtas as djathtas dhe asnjë rregull elementar të fizkulturës.

Në një shkollë në një fshat nuk kishte as dritare, po në vend të xhamave kishte plasmas, bankat ishin aq të vjetra sa kishte dalë tallashi znj. ministre.

Para 40 e ca vjetësh një nxënës imi kishte dalë  mësues dhe ishte emëruar në një fshat të thellë.

E dini çfarë më tha, "Rrini se jemi mirë këtu, se sa më thellë të hysh, aq më të prapambetur janë". Kështu më tha atëherë, por mos vallë edhe tani e tillë është gjendja e zonave të thella?

Mendoj se është mirë të bëhet një kontroll për këto dhe për shumë të tjera që ka vendi ynë.

Krijoni dhe keni krijuar drejtori arsimore, por  a po e bëjnë ato si duhet detyrën apo mirë që është kompjuteri dhe telefoni dhe “i zgjidhim nga zyra”.

Ka shumë më shumë probleme, por unë kaq kisha mundësi të shkruaja.

Rregulloni shkollën, që të kemi në rregull shoqërinë!

Me respekt,

“Pensionistja”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora