E premte, 19.04.2024, 03:27 AM (GMT+1)

Mendime

Ali Caka: Besimi i ngatërruar?

E shtune, 06.12.2008, 07:41 PM


Besimi i ngatërruar?

Nga Ali Caka (Prishtinë, 25 nëntor 2008)

 
Thonë se nëna e sulltanit e mallkoi vendin, e kishte të lehtë se e kishte djalin me kronikan.

Dhe nuk e di se nga erdhi i gjithë ky dhé që e mbuloi aq mirë të kaluarën?

Dhe në Trikallë, ku kishte jetuar Sulltanja e motra e Ali Pashait, na qenka një prefekt grek që e paska ndihmuar komunitetin shqiptar, na qenka edhe një kryetar bashkie që na paska ndihmuar po ashtu komunitetin shqiptar. Dhe Kallambaka gëzohet për pak në shqip.

Dhe mua më thërret kujtesa kur në verën e vitit 1989 kaluam andej për të shkuar në Pargë me vëllain Nebiun, më thërret kujtesa dhe më kujtohet kur çuditeshin se na dëgjonin duke "llafosur shkip".

Më kujtohet Nikua, kasapi i Rrapezës (që në greqisht i thoshin Anthusa) ku të gjithë ishin shqiptarë dhe kishin vetëm një grek. E Nikua një burrë rreth të dyzetave e kishte për grua një dalmate.
 
Në këtë vend sipër qytetit të Pargës, jetonte edhe djali i dajës së Nikuas, i cili e kishte dëmtuar këmbën në luftën e Qipros.

Unë për një çast, në atë verë të 1989-ës, kthehem pas në kohë, në verën e vitit 1974, kur me motrën dhe prindërit isha për vizitë tek xhaxhai në Stamboll. Dhe shqiptarët nën flamurin e Turqisë bënin luftë për çlirimin e Qipros.

Kthehem shpejt dhe çuditshëm, e Nikua më pyet se ç'pata, e unë i them: "E more Niko, na iku jeta si popull duke luftuar për të tjerët. Dhe nuk do të çuditesha nëse djali i dajës tënd të jetë plagosur nga kushëriri im". Dhe Nikua çuditet edhe më, dhe më pyet: "Si?". "Po ja, unë kam kushërinjtë në Turqi dhe ca prej tyre kanë luftuar për turkun në Qipro, aty ku djali i dajës tënd ka luftuar për grekun".

E lë Nikuan dhe ik thellë në ullishtat e Rrapezës ku dëgjoj një këngë të bukur shqipe dhe shoh një grua duke e mbajtur një fëmijë në shpinë dhe duke kënduar. E ndal dhe e pyes, e ajo më thotë: "E kam nip. Djali më ka shkuar për punë në Korfuz. I këndoj nipit, se kënga në ullishte të bënë ta kujtosh vendin dhe mos ta harrosh. Ajo të tingëllon në vesh kudo që do të shkosh, edhe gjuhën e nënës nëse e harron kënga vendin ta kujton. Kjo është fuqia e këngës në ullishtat e lashta".

Dhe më dhemb, më dhemb fort. Shteti grek kërkon varrezat e veta në tokën shqiptare, e shteti shqiptar nuk është në gjendje që s'paku abetaren shqipe ta vërë nga bankat shqiptare në vendet e shumta ku të rriturit nuk dinë shqip por ndihmojnë emigrantët tanë, se në vesh u tingëllon kënga e gjysheve që ua këndonin në ullishtat e lashta.

Dhe në BBC në "Reporters" raportojnë për gjakmarrjen në Shqipërinë e Veriut dhe vërtet nuk është Shqipëri.

E unë vë pikën në i-në me pikë të Shqipërisë. E la shkrimin në fletoren e shkrimeve. E marr sërish me datën 27 nëntor 2008, dhe ia nis:

Është nata kur shtrihen flamujt kombëtar  dhe bëhen gati për të valuar në ditën e ikjes së natës.
 Dhe në sheshin e shumëpërfolur të kryeqytetit, Prishtinës së fjetur, shtrihen flamuj ditën dhe valojnë po të njëjtën ditë, do të valojnë edhe ditën e nesërme. Janë flamuj të shtetit mik që na solli lirinë. Aty nuk ka flamuj kombëtarë. E si mund të ketë flamuj kombëtarë në një shesh me gurë Kine e shtylla Turqie?

"Dhe ne jemi bujarë, besnikë, fjalëmbajtës, falënderues e njëkohësisht edhe dhurues." E dhuruam festën tonë.

 Të çuditshëm çuditërisht jemi. Kështu e ka gjaku i përzier, e thotë një plak. Dhe toka ku ne kemi ndërtuar shtëpi nuk ka nevojë për kurban/fli ndërtimi, se ajo është tashmë e ujitur me gjak. Dhe nuk e di nëse gurnisës i themelit në është ai i ndërtuesit dibran - ndërtuesit dibranë e kishin zakon që për gurnisës të themelit të merrnin gurin të cilin e hidhnin në hijen e kalimtarit të parë.

 Dhe ne krenohemi me të kaluarën e shënjuar nga individi i paidentifikuar mirë. Dhe jemi të pafuqishëm para të padijshmes, se jeta e të parëve tanë ishte pak më shumë se ndryshe dhe jo si e sjellim ne sot. Dhe jemi të bërë për të krijuar okside/ndryshke të qëndrueshme. Dhe gjatë dhe pa shkëputje jemi të veshur në lotët e krijuar nga vetja jonë. Dhe ngadalësojmë hapin kur duhet shpejtuar, dhe shpejtojmë kur duhet ngadalësuar. Dhe kemi dëshirë të madhe për shkronja dyshe e treshe para emrave tanë. Dhe kemi petëzuar historinë tanë aq fuqishëm sa e kemi bërë një të tërë, të ngatërruar në kohë dhe hapësirë. Dhe presim që vdekshmëria të na sjell jetë.

E harrojmë Bllacën që na mblodhi të gjithë, të diturit dhe të paditurit, të pasurit dhe të varfëritë, të mirët dhe të këqijtë, atdhetarët dhe tradhtarët, të bukurit dhe të shëmtuarit, dhe na solli shëmtinë, dhe ku në baltë ishte një popull i lashtë i lënë vetë. Aty vdiq trimëria, aty vdiq pasuria, aty vdiq dituria, aty më s'ishte e vetme frika, aty më s'ishte e vetme padituria, aty më s'ishte vetë varfëria. E gjitha ishte aty në Bllacë në atë baltë, e që është tani trime, e ditur, e pasur. Aty e ndërruan edhe agorin. E ndërruam agorin në pellgun e mbushur me lashtësi të përbaltur dhe sot prapë kemi fytyrë dhe jemi krenar sepse jemi harrestar.
 
Ne jemi të kalitur në ujë të gabuar

Dhe mua më kujtohet tregimi që më është treguar kah moti kur isha fëmijë; tregimi për vëllain luftëtar dhe vëllain joluftëtar. Kur lufta kishte mbaruar dhe kishte ardhur liria, vëllai joluftëtar po e thërret në telefon vëllain luftuar që tashmë ishte caktuar me detyrë të rëndësishme në kryeqytet, dhe po e pyet: "...si i ke punët?", e vëllai luftëtar po i përgjigjet: "...si mund t'i kem? Shumë keq, dhe krejt për fajin tënd... e  kam kokën e ulur për shkak tëndin. Po ti që po më pyet si i kam punët unë, më thuaj si i ke ti?". Dhe vëllai joluftëtar po i përgjigjet: "...si i kam, nuk ka se ku shkon më mirë. Më kanë caktuar në një vend të mirë pune, më respektojnë, bile edhe shtëpi më kanë ndërtuar. Më ftojnë gjithkund, dhe nuk harrojnë t'i përkujtojnë të pranishmit se unë jam vëllai i luftëtarit të madh..."



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora