Mendime
Bardhyl Mahmuti: Dialogu me Serbinë dhe çështja e arkivave
E shtune, 11.09.2021, 03:45 PM
Dialogu me Serbinë dhe çështja e arkivave
Nga
Bardhyl Mahmuti
Kriminelët
e regjimit të Beogradit që kryen gjenocid në Kosovë e dinin fare mirë se nëse
nuk arrihet të dëshmohet qëllimi për të shkatërruar tërësisht apo pjesërisht
shqiptarët e Kosovës, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i
mjaftueshëm për ta kualifikuar krimin si gjenocid. Për këtë arsye, strategjia
për të mohuar qëllimin gjenocidar dhe fshehja e gjurmëve të këtij krimi u
shndërruan në sistem të shkatërrimit të së vërtetës.
Shtyllat
kryesore rreth të cilit artikulohej kjo strategji kishte të bënte me mohimin e
vrasjeve të civilëve shqiptarë, mohimin e ekzistimit të planit “Patkoi”, që
synonte spastrimin etnik të Kosovës, mohimi i qëllimit për të shkatërruar
shqiptarët e Kosovës për shkak të përkatësisë së tyre etnike, e kështu me
radhë.
Lidhur
me këtë çështje, në veprën e saj të titulluar “Paqja dhe ndëshkimi”, Florence
Hartmann, zëdhënëse e prokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për
ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte-s, thekson:
“Udhëheqësit
e rinj të Beogradit deklaronin haptazi se ‘inte¬resi jetësor nacional’ i tyre
ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndër¬kom¬bëtare të Drejtësisë të gjitha informatat
që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit. Ajo që është edhe më
neveritëse në strategjinë e regjimit të Vojislav Koshtunicës për të fshehur
faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë lidhet me qëndrimet
e pushtetit në Beograd se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë
stabilitetin në regjion dhe veprojnë kundër paqes.” (Florence Hartmann, vepra
në versionin origjinal Paix et chàtiment, f.118).
Sipas
kësaj njohëse të mirë të zhvillimeve “prapa perdes”, një qëndrim i tillë i
udhëheqësve të shtetit serb vjen për arsye se “zyrtarët serbë ishin të bindur
se arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë mund të shpinin deri
te dënimi i Serbisë për gjenocid.” (Po aty, f.118).
Për
të ilustruar këtë pohim, Florence Hartmanne sjell qën¬drimin e ministrit të
atëhershëm serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e
Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit
të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në
këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi se “nëse ne ju ndihmojmë ta dënoni
Miloševi?-in për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda
dollarë dëmshpërblim...”. (Po aty, f.118).
Në
shkrimin e titulluar “Dialogu dhe Këmbët e arushës”, të publikuar në muajin
qershor 2021, tërhoqa vëmendjen në strategjinë serbe që për dështimin e
dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përgjegjësia t’i binte delegacionit të
Kosovës. Çdo temë që shtrohet nga pala serbe është në përputhje të plotë me
këtë strategji. Prandaj, kur 22 vjet pas përfundimit të luftës shtrohet si temë
çështja e arkivave gjatë bisedimeve në Bruksel më 7 dhe 8 shtator 2021,
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është dashur të sjell si dëshmi
provat e lartpërmendura dhe të shmang grackën serbe që krijon iluzionin e
gatishmërisë së tyre për të ndriçuar të vërtetën për krimet në Kosovë. Edhe për
naivët më të mëdhenj është e qartë se Serbia ka zhdukur të gjitha dokumentet që
do të dëshmonin krimin e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.
Fatkeqësisht, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka rënë në këtë
grackë të dëmshme për Kosovën.