E marte, 19.03.2024, 05:47 AM (GMT)

Kulturë

Gjurmë të shpellave bizantine mbi liqenin e Komanit

E premte, 30.03.2007, 07:35 PM


Pamje nga Shpella e kaurrit prane fshatit Levrushke ne zonen e liqenit te Komanit
Vendasit e quajnë "Shpella e Kaurrit". Ndodhet pranë fshatit Levrushkë, në zonën e liqenit të Komanit. Për të shkuar deri tek kjo shpellë nuk është shumë e vështirë, pasi transporti ujor bën që të afrohesh mjaft afër me mjetet lundruese nëpër liqen. Po kështu distanca deri tek diga e Komanit është e shkurtër, vetëm 10 minuta me motobarkë, por ngjitja në shpellë ka vështirësi. Në hyrje të shpellës duken qartë muret mbajtës dhe mbrojtës, si dhe muret ndarës të ambienteve të ndryshme, të cilët përbënin dikur zonat funksionale të këtij manastiri asketësh. Në të shikohen hapësira të mbuluara me qemer guri, muratura të fuqishme, si dhe dyer lidhëse të ambienteve. Më tej ambienti kryesor i madh, është i krijuar në brendësi të shpellës. Shpella është e gjatë rreth 20 m dhe ka një shtrirje dyplanëshe, ku pas një kalimi të ngushtë në fund të saj dhe duke u ngjitur në disa shkallare natyrore, ajo ndërron drejtim dhe ngjitet sipër në një hapësirë tjetër të saj, nga ku del në një ballkonadë, është krijuar enkas për funksionin e kësaj shpelle askete. Kjo ballkonadë, del pothuajse disa metra mbi hyrjen kryesore të shpellës dhe përpara saj shfaqet liqeni i Komanit, si dhe faqja e malit përballë, që vendasit e quanin Murga. Aty ndodhen disa stane e kopshte të vogla, të cilët ishin pronë e këtyre murgjve. Vetë Murga lidhej me shpellën, me një urë druri me këmbë prej guri, të cilën lumi i Gominës e ka shkatërruar plotësisht. Studiuesi kroat, Milan Shuflaj në librin "Shqiptarët e Serbët" thotë se: "Kufiri politik i Perandorisë Bizantine me atë Romake kalonte nga Tivari në bërrylin e Drinit, e merrte në Veri, drejt Danubit". Shpella ndodhet pikërisht krejt pranë bërrylit të Drinit. Dihet se, pas ndarjes së Perandorisë Romake, sulmet barbare shkatërruan Perëndimin, por nuk lanë pa prekur skajin perëndimor të Bizantit. Po kështu, rol mjaft të madh patën sulmet sllave nga Lindja, që zgjatën një kohë të gjatë dhe patën pasoja të mëdha historike. Pikërisht, për të ruajtur kufijtë e vet politik, Bizanti ndërtoi në periudhën e shekujve të VI-XI-të shumë fortesa ushtarake të tipit kështjellë. Po të bisedosh me banorët e sotëm të Levrushkut, ata pohojnë edhe emërtime interesante të shkëmbinjve, rrugëve, trojeve që nuk dihet që kur janë vendosur. Në hyrje të kanionit të Gominës, ku ndodhet shpella, gjendet Guri i Solomonit. Askush nuk është në gjendje të sqarojë se nga e mori këtë emër. Është shumë interesante, se populli i Levrushkut edhe sot flet me krenari për muret e "Shpellës së Kaurrit", ruan me fanatizëm "Varrezat e Kaurrit" që janë në mes të fshatit, si dhe kishën e Shën e Premtes që ndodhet pranë tyre.

Lartësia e shpellës është 220m mbi nivelin e detit. Ajo sot ndodhet vetëm 10m mbi nivelin e pasqyrës së ujërave të liqenit të Komanit. Dikur këtu lumi i Gominës, që është degë e majtë e Drinit, formonte një kanion të ngushtë e të thellë rreth 100m, me shpate tepër të pjerrët e me gjerësi vetëm 2 deri 20m. Siç duket, këtë kanion natyror Gomina e ka krijuar e "modeluar" pas ndërtimit të mureve, sepse ishte tepër e vështirë hyrja në shpellë para ndërtimit të HC të Komanit. Gërmimet duhet të bëhen edhe për të zbuluar tunelin që, sipas banorëve vendas, lidhte shpellën me pjesën lindore të malit me gjatësi mbi 200m, e përdorej si dalje e fshehtë e saj në afërsi të fshatit Levrushk. Thuhet se brenda këtij tuneli murgjit patën ndërtuar një furrë gëlqereje, që përdorej si mjet lidhës për muret e shpellës. Ndoshta zbulimi i këtij tuneli do të ndihmojë të hedhim më shumë dritë edhe mbi vetë manastirin e shpellës. Duke u bazuar në të dhënat historike të hulumtuara, zona Koman-Pukë përbën një bazë të fuqishme informacioni arkitektonik dhe historik të lulëzimit dhe të shtrirjes së Perandorisë Bizantine. Largohesh nga kjo shpellë asketësh duke marrë mbresa shumë të fuqishme, të cilat të impenjojnë për hulumtime të mëtejshme në këtë zonë dhe pse jo krijimin e një spektri historik, i cili do të plotësonte më së miri boshllëqet dhe informacionet e vakëta që trashëgimia kulturore e Shqipërisë, si dhe ajo botërore, ka për këtë trevë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora