E enjte, 28.03.2024, 07:13 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Fëmijëve tanë u mësohej se ata ishin turq

E marte, 07.09.2021, 07:53 PM


Blerim Latifi:

Fotografi e vitit 1972. Nxënës të Shkollës Fillore “Azem Bejta” të Prekazit duke luajtur futboll në orën e Edukatës Fizike. Në prapavijë duket objekti i shkollës së vjetër të Prekazit, e ndërtuar nga pushteti serb në vitin 1927. Gurët për ndërtimin e saj ishin marrë nga kulla e Azem Bejtës, e shndërruar në gërmadhë pas betejës së 14 korrikut 1924. Në atë kohë mësimi në këtë shkollë zhvillohej vetëm në gjuhën serbe. Nxënësit shqiptarë detyroheshin të ndiqnin këtë shkollë, ku, mes tjerash, u mësohej se ata ishin turq, atdheu i tyre ishte Turqia dhe një ditë duhej të ktheheshin atje, ndërsa Kosova u takonte serbëve. Kështu vazhdoi deri në vitin 1941, kur Jugosllavia monarkiste u pushtua nga Gjermania dhe mësuesit serbë të kësaj shkolle, bashkë me kolonët që banonin aty rrotull, ikën në Serbi. Shkolla u mbyll, derisa erdhën mësuesit e Ernest Koliqit dhe filluan mësimin në gjuhën shqipe. Ishte kjo koha kur abetaret e para në shqip u mësuan në këtë shkollë. Në dimrin e vitit 1945, në dhe rreth saj, ishte zhvilluar një betejë e përgjakshme midis partizanëve titistë dhe luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Në shenjë hakmarrje për humbjet e pësuara në këtë betejë, partizanët kishin pushkatuar dhjetëra burra  të Prekazit, dy ditë pas betejës. Pas luftës shkolla u rihap përsëri, por tash edukimi me përmbajtje nacionaliste u zëvendësua me edukimin e diktuar nga regjimi i ri komunist. Njëri nga mësuesit e parë që dha mësim në ato vite në këtë shkollë ishte Shaban Jashari, babai i Adem e Hamzë Jasharit. Pak më vonë ai u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se mbante lidhje të fshehta më grupet e rezistencës antijugosllave.

Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar aty afër u ndërtua objekti i ri i shkollës, ndërsa shkolla e vjetër u shndërrua në magazinë dhe në sallë sporti për orët e edukatës fizike, por një tërmet i atyre viteve e nxorri krejtësisht jashtë përdorimit.

Pas luftës  ajo u shemb krejtësisht dhe kur Ministria e Kulturës nisi rindërtimin e Kullës Muze të Azem Bejtës, gurët e saj u morën për t’u kthyer në vendin prej nga ishin marrë në vitin 1927. Sot ata qëndrojnë në muret e kësaj kulle. Në historinë e lëvizjes së këtyre gurëve ne mund të shohim vetë historinë tragjike të Kosovës përgjatë shekullit XX, ndërsa në destinacionin final të tyre triumfin e popullit të Kosovës mbi ëndrrën serbe për ta parë Kosovën pa shqiptarë.

Autori i fotografisë është mësuesi Gani Hamiti, arkivi fotografik i të cilit përbën një pasuri të vërtetë dokumentare.

________

171 qytetarë të Kosovës, përfshirë një foshnje tri javëshe, kanë vdekur nga covidi vetëm gjatë kësaj jave. Gjasat e mëdha janë që edhe java e cila po vjen të jetë po kaq kobzezë. Në këtë situatë është vërtet e turpshme që krerët e shtetit të shfaqen në stadiumin e Prishtinës për të shijuar kënaqësinë e një loje futbolli. Po kaq të turpshme janë edhe fotografitë e shpërndara nga shikuesit brenda stadiumit. Krejt kjo shpërfaq mungesën e një ndjesie elementare të solidaritetit me qindra familje të mbërthyera nga morti, e me mijëra qytetarë që në këto momente po luftojnë me vdekjen.

E thashë disa ditë më parë: jemi shndërruar në një shoqëri egoistësh të këqinj, që nuk na intereson asgjë përveç vetes tonë. Sonte u binda në vërtetësinë e këtij mendimi.

Le të luhet loja, por mos u dalldisni! Sepse është marre të dalldisesh në një kohë morti të madh.

________

Sot mediat njoftuan se Polonia paska vendosur t'i dhurojë 100 mijë vaksina pfizer Kosovës. Ky veprim përkrahje nga Polonia në ditët e vështira nëpër të cilat po kalon Kosova me pandeminë, mbase është shenjë e parë e ndryshimit të qasjes së ftohtë, të cilën shteti polak e ka pasur ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Në ato kohë politika polake ishte ndarë midis disa opcioneve të reagimit ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Njëri opcion ishte njohja e menjëhershme. Tjetri ishte mosnjohja. Një opcion i tretë ishte shtyrja për më vonë e vendimit rreth Kosovës. Në fund ishte vendosur për një kompromis midis këtyre opcioneve: njohje e pavarësisë, por pa vendosur marrëdhënie diplomatike.

Kosova ka tentuar disa herë që të ndikojë në ndryshimin e këtij qëndrimi, por pa sukses. Tani rethanat e reja të krijuara në Europë mund ta kenë nxitur Poloninë ta rimendojë politikën e saj në raport me Kosovën. Rritja e skepticizmit në Poloni ndaj Bashkimit Europian dhe përpjekjet agresive të Rusisë për të rikthyer influencën e saj në Europën Lindore dhe në Ballkan, paraqesin shqetësim për Poloninë, e cila historikisht i ka paguar shtrenjtë ambiciet e Rusisë në Europë.

Në këtë kontekst Polonia është e interesuar qartësisht që të jetë me afër me ato shtete, të cilat po ashtu influencën ruse në Europë e konsiderojnë të dëmshme për interesat e tyre kombëtare. Në këtë pikëpamje polakët dhe shqiptarët ndajnë të njëjtin shqetësim.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora