E shtune, 20.04.2024, 05:41 AM (GMT+1)

Mendime

D. Kokonozi: Refleksion personal, krejt i rastit

E shtune, 06.12.2008, 01:42 PM


Frankmasonët?

Refleksion personal, krejt i rastit

Nga D. Kokonozi
 
Një ftesë për të marrë pjesë në një takim masonik, që vinte në adresën time, në emër të Orientit të Madh të Francës, ishte pak për të thënë se më habiti, se nuk e prisja, se ishte ekzituese e më shtiu  frikë me misterin që rrethonte emrin e një prej organizatave klandestine më të përfolura të historisë. Pse pikërisht mua, çfare kisha bërë? 
 
Diçka nisi të merrte pak dritë, kur për atë takim që cilësohej si Forum publik, partneri kryesor dhe i vetëm ishte edhe Shkolla e Lartë e Gazetarisë, nga më të  famshmet  në botën frankofone.
 
Kjo më ndihmoi për të kuptuar më mirë origjinën e ftesës. Këtu e më shumë se dhjetë vjet të shkuara, atëherë kur nuk kisha ende një kontratë pune të përhereshme dhe kur duke falenderuar pranoja çdo ofertë pune, me kusht që në fund të  dy palët binin në ujdi për nënshkrimin e një çeku, në një periudhë të tillë të turbullt pra, me kujtohet se kisha pranuar ftesën e asaj shkolle për të mbajtur një cikël bisedash për funksionimin e gazetarisë e publicistikës në tërësi në Vendet e Lindjes.

Duket, që nga ajo kohë e largët,  emri im do të ishte harruar në ndonjë nga bazat e saj të të dhënave.  
 
Më tej thuhej se Forumi ishte i hapur edhe për këdo që ishte i interesuar të njihte rolin e mediave në shoqëritë bashkëkohore, por për këtë duhej mbushur një formular i tillë, sa ishte pak të thuhej se duheshin nxjerrë e treguar të gjitha zorrët e të përbrendshmet e tjera pranë tyre. Thëne ndryshe, ato që plakat tironse i quanin shkurt:  plaçkat e barkut. 
 
Dita e caktuar erdhi dhe bashkë me të edhe një seri e re problemesh të panjohura. Duhej të vishja një kostum dhe të vihesha në kërkim të kolares, që nuk e dija ku e kisha flakur që nga dita e martesës apo duhej të hidhja një thes të palosur në kurriz dhe me kapuçin e tij të mbuloja kokën? Përfundimisht vendosa për diçka të mesme: një palë pantallona që shkonin me jelekun e kostumit, por pa xhaketë. Në vend të saj, një xhup me kapuç!
U paraqita vetëm pesë  minuta përpara fillimit të takimit dhe pasi i bëra ballë me heroizëm grishjeve të disa kameriereve të bukura, me siguri studente, që ofronin shampanjë falas, shkova të ulem në njërën prej karrigeve të radhëve të para, midis shumë të tjerave, ku ishte shkruar: rezervuar.
 
Në fakt edhe ajo ishte e rezervuar, por unë e futa menjëherë në xhep atë copën e letrës, ku qe shkruar një fjalë e tillë. E pahijeshme në sytë e mi. Një kompromis i vogël me ndërgjegjen time për t’u ndodhur midis personazhesh mitikë që popullojnë fantazinë time që prej dhjetëvjeçaresh të tërë.
 
E fundmja gjë që kisha dëgjuar për ta ishte se edhe disa parti të mëdha politike, si PS ishin instrumente të frankmasonerisë, ndërsa një fjalë tjetër thoshte se frankmasoneria ishte bastioni i fundit që ruante traditat shpirtërore franceze.
Ka ardhur dita të marr vesh të vërtetën, thashë me vete.
Nuk kaloi shumë dhe salla nisi të mbushej. Dëgjoheshin vetëm  kërcitje karrigesh dhe hapat e butë mbi tapihët orientalë të kamaremanëve dhe fotografëve të shumtë, që nxitonin gjithandej, gjysmë të përkulur. Përballë kisha një podium dhe mikrofonin e vendosur mbi të, ndërsa anash tij në mënyrë simetrike, qenë vendosur nga tre kolltukë.
Kur te podiumi u duk dikush, që u paraqit  si Daniel Morfouance, ish Mjeshtër i Madh i GODF (Le Grand Orient de France), unë nisa të llogaris disa elementë që dukeshin diçka më të sigurtë se të tjerët. Në kolltukët e majtë zunë vend disa fytyra krejt të panjohura, pa dyshim shefat e frankmasonerisë, ndërsa në të djathtë ishin ftuar të uleshin disa nga figurat më të mëdha drejtuese të përpunimit të opinionit, eminencat gri të shtypit dhe mediave të vendit, drejtorë gazetash me tirazhe miliona kopjesh, drejtorë radiotelevizinesh, konsulentë presidentësh e ish presidentësh për shtypin etj. Këta të fundit i njihja pothuaj të gjithë.
 
Natyrisht, mua më interesonin ata të krahut të majtë, por nuk mund të harroja edhe ata që kisha ngjitur dhe atë shenimin e rezervuar, qe ata do të kishin nën të ndenjurat e tyre ose do ta kishin rrasur ne xhep. Dhe nëse ata nuk kthenin kokën nga unë, si për të thënë: po ti çdo këtu?- kjo për mendimin tim ndodhte sepse ata operonin në sekretin më të madh dhe anëtarët e lozhave të ndryshme nuk e njihnin njëri tjetrin. Shkurt më merrnin për ndonjë të tyrin.

Daniel Morfouance nisi të flasë dhe puna e parë që ai bëri ishte paraqitja e dikujt, që kishte  zënë vend në qendër të kolltukëve të krahut të majtë të podiumi. Personi në fjalë ishte Pierre Lambicchi, Mjeshtri i Madh i Orientit të Madh të Francës. Ndjeva menjëherë që gjaku shtoi shpejtësinë në venat e mi. Së jashtëmi ndjeva të skuqem dhe fytyra më përvëlonte.
Morfouance vazhdoi më tej me paraqitjen e Jean Michel Quillardet, ish Mjeshtër i Madh, Jose Gulinon, mbajtës i thesarit, Philippe Bodhuin, këshilltari i Urdhrit dhe të disa frankmasonëve më të vegjël. Të tjerët ju i keni midis jush në sallë, tha ai, duke drejtuar dorën nga unë, më saktë nga ata që ishin krah meje. Ndjeva pak frikë, por nuk e dhashë veten. Temperatura u ngrit edhe ca. Nuk isha gabuar në çka kisha menduar më pare.
Me siguri, vazhdoi Morfouance, ju prisnit që të shihnit mes jush njerëz që mbulojnë e fshehin fytyrën, thika me gjak ende të patharë, formula e shenja të padëshifrueshme, qenie që kalojnë pjesën më të madhe të jetës në errësirë dhe që mbajnë erë squfur. Sa për këtë të fundit, thashë me vete, mund ta provoj edhe unë se nuk është e vërtetë. Të gjithë ata mbanin erë Channel 5.
 
Asgjë nuk është e huaj për ne edhe në kohët tona, vazhdoi oratori dhe aq më pak roli i mediave në shoqëri, gjë për të cilën ju kemi ftuar edhe ju të diskutojmë e nuk do të mungojmë të shprehim edhe ne mendimin tonë.
Në të vërtetë, refleksioni tyre ishte mjaft interesant. Një nga idetë e tyre ishte se shtypi ka tagër t’i kërkojë llogari pushtetit, po shtypit kush i kërkon llogari? Shtypi është pushtet apo kundërpushtet?-  etj., por sytë dhe mendja ime ishin gjetiu. Natyrisht jo jashtë sallës, ishin aty përballë meje, te Mjeshtri i Madh i Orientit të Madh, te Pierre Lambicchi, nga i cili isha vetëm dy metra larg.
 
Problemi ishte se pasi kaloi ajo kureshtja e parë,  ai nisi të më shëmbëllente si një nga ata personazhet e famshëm, të mëdhenj, por pak të harruar të Edoardo de Filipos. Nga fëminija kujtoja se ai më bënte të qaja e të qeshja në të njëjtën kohë.
 
Duket isha në rrugë të gabuar dhe desha të thellohem më mirë në tiparët e tij. Nuk ka privilegj më të madh për të vrojtuar dikë nga salla. Tek për tek, pranë e pranë, ti kurrë nuk mund ta bësh këtë. Shikimet e ndërsjella parazitojnë njëritjetrin.
 
Kur nisa të bëj një gjë të tillë nga salla, diçka nisi të më pengojë, që të shkoja më tej: Pierre Lambicchi nisi të kruajë hundën.
 
Ishte një hundë e madhe e me vrima që më kujtonte jastëkët e gjilpërave të gjyshes sime. Mbylla sytë sa të kalonte ai çast, por kur i hapa nuk isha më me shans: ai po shkulte qimet e hundës.

Shqetësimi po hynte te unë nga të gjitha shqisat dhe shpejtësia e gjakut ishte ulur ndjeshëm. Por mbetet shumë e veshtirë të shpjegosh atë kolovitje ndjenjash, atë zhgënjim zharritës. Pas asaj për të cilën je përgatitur gjithë jetën, pa e ditur as vetë, krahasimi per të kuptuar zhgenjimin, nuk mund të jetë i afrueshëm veçse me transaksionet apo ato përvojat e para seksuale, dhe këtu sigurisht që nuk flas për veten dhe detyrohem ta theksoj këtë se e njoh dëshirën për t’u vënë një emër këtyre fenomeneve të nje tranzicioni tjetër, pra, gjithçka u afrohet atyre përvojave që thashë, kur ti (ai, etj.) i mbytur në djersë ngre kokën të kuptojë çfarë po ndodh dhe papritur sheh dikë që ka lidhur të dy duart pas kokës dhe me sytë e fiksuar në tavan, thith cigaren që ka midis buzëve.
 
Por cigarja nuk është gjë fare! Ajo tregon se person (ja) në fjalë, dy herë më e madhe në moshë se ti, e shumta është mërzitur. Pra është mërzitur nga ti, gjë që, në fund të fundit,  do të thotë se ajo e di që ti je aty. Më keq do të ishte sikur të sillte nëpër buzë një fije shkrese të thyer, me duart gjithnjë të lidhura pas koke dhe flokët e hallakatura mbi fytyrë.
 
Ndërsa e tmerrshmja fare është, kur mban midis buzëve një fije bari, që e ka shkulur diku aty rrotull, pa qenë fort e vetëdijeshme se çfare bën. Them se kjo është më e tmerrshmja se fija e barit tregon se ajo është e përhumbur dhe... ka harruar që ti je aty...  Magjia prishet. Në fakt, dyshoj nëse ka pasur ngonjëherë magji.
 
E pra, ajo qimja e hundës së Mjeshtrit të Madh të Orientit e dërrmoi brenda meje misterin e frankmasonerisë. Ajo të sjell në kujtesë atë fijen e barit.
 
Kjo është e përafërt me një kovë ujë që të hedhin mbi kokë. Dhe kjo e fundit e çliruar nga disa ide të parashkruara, formulon pyetjen: A nuk i ngjajnë ata, frankmasonët, rojës së një tempulli të zbrazët, një tempulli brenda të cilit nuk ka mbetur asgjë për të zbuluar? A nuk kanë mbetur tashmë si një kureshti folklorike e një kohe të perënduar dhe kërkojnë të mbijetojnë vetëm në saje të misterit që i ka rrethuar në shekuj?
 
E çfarë janë ata në fund të fundit me gjithë misterin e tyre? Thonë se janë në shërbim me njerëzimit. Ne rregull!  Po çfarë janë duke bërë? Çfarë kanë bërë frankmasonët e gati tre shekujve të fundit të marrë së bashku, me shumë se Nënë Tereza?  A kanë strehuar ata më shumë nevojtarë se Abbe Pierre? A kanë parandaluar ndonje luftë? A kanë rrisur dhe edukuar më shumë fëmijë të braktisur se Motra Emanuelle? A kanë bërë me shumë se mijëra të tjerë, që sakrifikojnë në heshtje e që kurrë nuk do t’ua mësojmë emrin? 
 
I kërkova me mirësjellje vëllait frankmason të krahut të djathtë të më hapë rrugën dhe mora të iki. Për çudi, vetëm aty vërejta se salla mbas meje pothuaj ishte zbrazur e tëra. Dola në korridor dhe jo pa habi pata mbresën se aty po bëhej një mbledhje tjetër. Të gjitha ata që kishin braktisur sallën ishin vënë me zell të pinin shampanjë falas, në shoqëri të atyre studenteve të vogla, që me siguri, duke dëgjuar përçartjet e tyre, bënin llogaritë e orëve që kalonin dhe eurove që do të fitonin atë ditë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora