E enjte, 28.03.2024, 10:45 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Kultura masive, kulturë dhe jo reality

E hene, 06.09.2021, 08:00 PM


KULTURA MASIVE

KULTURË DHE JO REALITY

Nga Xhelal Zejneli

Kultura masive apo kultura e masës ndodhet kudo përreth nesh. Në shtëpi, në rrugë, në shkollë, nëpër qendrat tregtare, në salla të kinemave ...Njerëzit janë të rrethuar me të, pa e kuptuar se ajo plotësisht e ka në dorë jetën e tyre. I konsumojnë prodhimet e saj, pa e ditur se kësisoj bëhen masë pa formë të cilën e udhëheqin nga ndonjë fron të panjohur për ta. Nuk e kuptojnë se ç’ndodh në të vërtetë, edhe pse ajo ua jep formën dhe bëhet shprehi pa të cilën ata nuk mund të jetojmë. E blejnë, vishen, pinë, gjykojnë dhe ecin në drejtimin që e dëshiron ajo, marrin vendime për të cilat mendojnë se janë të tyre, por në të vërtetë janë të huaja. Jetojnë sipas rregullave dhe shijeve të saj pa qenë të vetëdijshëm se e kanë zgjedhur rrugën që e devijon fatin e vërtetë të tyre, individualitetin, krijimtarinë dhe kreativitetin e tyre. Në vend që njerëzit ta dirigjojnë kulturën masive apo kulturën e masës, ata kanë lejuar që ajo t’i dirigjojë.

Për ta kuptuar kulturën masive duhet ditur se ç’është ajo që e ka determinuar lindjen  dhe ngritjen e saj. Si mund të përkufizohet apo të definohet kultura masive?

Kultura masive është bërë domosdoshmëri e botës bashkëkohore, sidomos e një pjese të madhe në të cilën mbizotëron koncepti materialist i marrëdhënieve shoqërore. Pa të, nuk mund të paramendohen strategjitë e rritjes dhe të zhvillimit, për arsye se pjesa më e madhe e njerëzimit mbështetet në prodhimin industrial dhe varet pre tij. Tregu botëror është synimi i çdo shoqërie dhe shumë kultura kombëtare shansin e vet e shohin në integrim, pa i bërë ballë globalizmit të shfrenuar, i cili ngadalë dhe në mënyrë tejet të sigurt i rrafshon vlerat kulturologjike autentike për t’u dhënë  tipare të masivizuara me karakter uniform të përhershëm.

Kultura masive përkufizohet shkurtimisht si një mori shfaqjesh, përkatësisht krijimesh materiale dhe jomateriale të punës njerëzore me të cilat plotësohen apo kënaqen nevojat e thjeshtësuara të njerëzve. Duke marrë parasysh faktin se ajo që quhet kulturë e lartë, e rafinuar apo fine është e dedikuar për një numër më të vogël njerëzish, përpjesëtimisht me aftësitë e tyre për perceptim përkatës, të kushtëzuar nga dituria dhe nga sensibiliteti specifik, mbetet që në kulturën masive të gjejnë strehim një numër i madh i njerëzve, d.m.th. masat të cilat nuk janë në gjendje për të konsumuar apo për të kuptuar forma artistike të ndërlikuara dhe të cilët fare nuk i tërheq përmbajtja artistike që kërkon angazhim mendor të veçantë.

Duhet ditur se çfarë force përvetësuese apo pushtuese ka kultura masive dhe çfarë ndikimi ka ajo te njeriu bashkëkohor? Lloji i lidhjeve dhe i marrëdhënieve që është karakteristike për shoqërinë masive dhe për kulturën masive buron nga organizimi industrial dhe tregtar, institucioni themelor i të cilës është tregu kapitalist. Kjo është më e theksuar në kushtet e qyteteve të mëdha. Qyteti rrezaton me ndikime ekonomike, organizative, institucionale dhe intelektuale. Të gjitha marrëdhëniet në të, mbështeten në mekanizmin e parasë e cila në shoqëri bëhet mjet ndikimi i përgjithshëm dhe i fuqishëm. Në kushte të tilla as kultura nuk mund të qëndrojë larg tregut të parasë dhe nocionit të forcës. Pikërisht këtu qëndron edhe forca pushtuese e kulturës masive e cila bëhet edhe epiqendër e ndikimit mbi njeriun bashkëkohor i cili në radhë të parë kërkon jetë komode, argëtim të lehtë, forma dhe përmbajtje të thjeshta, të zakonshme apo të rëndomta. Të gjitha këto që do t’i konsumojë t’i kushtojnë pak.

Duhet ditur se kush janë kreatorë dhe konsumues të kulturës masive dhe kush janë idhujt e tyre.

Kulturën masive e krijojnë dhe e nxisin kompanitë shumëkombëshe të cilat tregun botëror synojnë të rrëmbejnë pozicion sa më të mirë dhe për këtë më së shumti u ndihmojnë mediumet masive. Duka marrë parasysh faktin se komercializmi është karakteristika kryesore, atëherë është më se e qartë se kjo kulturë e masivizuar mund të sigurohet po qe se i shpërndahet një popullate sa më të madhe. Një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur po qe se kërkesat për konsumim ngrihen në nivel më të lartë. Rrjedhimisht, kërkohet një mesatare, edhe për nga dituria edhe për nga arsimimi edhe për nga mundësitë e pagesës.

Kultura masive krijon dhe plason në një treg sa më të madh produkte që kushtojnë pak pa kërkuar me këtë rast nga konsumuesit diç më tepër se prozaizmi dhe të qenët të sipërfaqshëm. Siç shihet pra, grup targetimi janë njerëzit të cilët me gjithë dëshirë do të konsumojnë coca-colë përkundër faktit se kjo pije mund të mos jetë e dobishme ose do të kënaqen në programet reality përkundër faktit se kemi të bëjmë me një paradë imoraliteti dhe kiçi. Në mesin e konsumuesve të produkteve të kulturës masive, ndonjëherë mund të gjendet edhe ndonjë intelektual që e ka humbur rrugën e që nuk ka mundur t’i frenojë pasionet e ulëta. Rastet e tilla nuk janë të shpeshta, sikundër janë të rralla rastet e konsumimit të përmbajtjeve elitare nga shtresat e ulëta të klasës punëtore.

Programe reality realizohen në shumë vende të botës. Reality programi Për’puthja ka bashkuar dhe ka gozhduar para ekranit shqiptarë anekënd botës, duke thyer çdo rekord të audiencës televizive. Ky reality show ka marrë në Youtube 600 milionë klikime.

Sa i përket marketimit të idhujve që i prodhon apo që i krijon kultura masive, s’ka dyshim se ata janë persona të cilët janë në gjendje të tërheqin me ndonjë shkathtësi joproduktive, të profiluar në mënyrë argëtuese – këngëtarët e notave të lehta, artistët pa ndonjë identitet artistik të estetizuar, starletat, futbollistët, basketbollistët dhe vrapues të tjerë terrenesh, boksierët, madje edhe lojtarët e pokerit etj. Shkencëtarët, doktorët e shkencave dhe artistët e shquar, cilësia dhe vlera personale e të cilëve matet me kontributin për bashkësinë, s’do mend se nuk ndodhen në atë rreth idhujsh.

Duhet ditur se me çfarë mjetesh dhe në ç’mënyrë kultura masive arrin te masat e gjera popullore. Njëherazi shtrohet pyetja përse ajo është aq tërheqëse dhe lehtë e kapshme? Tipi modern i urbanizimit bashkë me industrializimin që e determinon rritjen numerike të shoqërisë përbën parakushtin themelor të lindjes dhe të ekspansionit të kulturës masive. Përpos kësaj, rol të drejtpërdrejtë luan edhe progresi. Mjetet teknike të komplikuara nuk i nevojiten vetëm radiotelevizionit por edhe prodhimit dhe shpërndarjes masive të librave dhe të revistave. Fjala e shkruar është masivizuar vetëm pasi në procesin e shtypjes është vënë në përdorim makineria.

Vënia në përdorim e shtypit mekanik, me përkryerjen e vazhdueshme të teknikës ka mundësuar që kultura masive simbolike të zhvillohet, në fillim si kulturë e fjalës së shtypur. Mirëpo, këto ndryshime teknike të shpejta si dhe ndryshimet e tjera janë shoqëruar edhe nga procesi i përshpejtuar i urbanizimit elementar pa plan, që ka rezultuar me dyndjen në qytete dhe me rritjen e tyre.

Ajo që është e rëndësishme për lindjen e kulturës masive janë pikërisht këto kushte të reja të jetesës, të shtresave mbizotëruese të popullsisë së qytetit të cilat nuk janë përputhur me zhvillimin spontan të krijimtarisë së re kulturore, me format e vjetra. Industrializimi përgjithmonë e asgjësoi kulturën popullore duke ia hapur rrugën një tipi të ri të kulturës. Prodhimi mekanik ofroi modelin e prodhimit të specializuar, masiv, të standardizuar të cilin mjetet e fuqishme të komunikimit shpejt e kanë shpërndarë në një hapësirë të madhe. Përveç kësaj, ritmi i shpejtë i punës së mekanizuar rezultoi edhe me rregullimin e ritmit dhe të cilësisë së jetesës të një mase të madhe të popullsisë punëtore.

Duhet ditur se kultura masive ka efekte negative por edhe efekte pozitive. Negative është ajo se nuk kërkon mund ideor dhe gjykim kritik. Rëndom shpie në kiç dhe në shund, Në këtë mënyrë krijohen raporte kiçi dhe formohet njeriu-kiç. Profili i këtillë mund të jetë i dëmshëm për kultivimin e  nevojave dhe për ngritjen morale, shpirtërore dhe intelektuale të njeriut dhe të shoqërisë. Sa më i madh të jetë përqendrimi i kiçit dhe i shundit, aq më të pakta janë vlerat e mirëfillta, aq më e vogël është pasuria e shpirtit. Qëllimet humaniste ndërkaq janë gjithnjë më larg realizimit njerëzor fundamental dhe gjithnjë më afër zgjidhjeve institucionale sterile apo shterpe. Negativ është fakti se produkte të caktuara e shuajnë etjen për krijime origjinale dhe për kulturë të lartë, elitare. Po qe se shikoni një film të xhiruar sipas një vepre me vlerë artistike të madhe, për t’u njohur me origjinalin ju nuk do ta merrni në duar librin që paraqet një arritje letrare të etabluar dhe që jeton ndër shekuj. Negativ është edhe fakti se kultura masive, për t’ia bërë veprën origjinale të kapshme për masat, e shkurton, e ripunon dhe e homogjenizon përmbajtjen e saj, duke e përpunuar edhe mekanikisht. Në këtë mënyrë e zhvlerëson shpeshherë edhe vlerën e pakapërcyeshme të veprës. Për shembull, posteri i Mona Lizës me një çmim pre disa eurosh, Kryqi prej zirkoni në fanellë, fotografia e Koloseumit në magnetin për frigorifer, ikona e tatuazhuar në shpinë etj. janë dëshmi e degradimit të vlerave nën petkun e përdorimit masiv dhe me strategjinë e politikës përfituese.

Ndërsa pozitiv është fakti shumë produkte kushtojnë lirë dhe si të tilla mund të blihen nga shumica. Po ashtu, përkundër banalizimit të kulturës elitare, ndodh që përmbajtja e ripunuar e ndonjë vepre letrare, lexuesin që i takon masës ta çojë kah origjinali dhe t’i kultivojë nevojat e tij.

Për përhapjen e kulturës masive më të merituara janë mediumet masive. Në këtë pikëpamje ato kanë luajtur rol të madh. Pikë së pari këtu bëjnë pjesë gazetat ditore të cilat paraqiten në fillim të shekullit XX dhe janë i pari medium masiv. Pas tyre shfaqen edhe radiot dhe televizionet. Paraqitjen apo shfaqjen e mediumeve të shtypura e shoqëron nevoja për shkollimin e përgjithshëm të popullsisë që është kusht për zhvillimin e mëtejmë të shtypit ditor.

Zhvillimi i mediumeve ndërlidhet edhe me zhvillimin e demokracisë ndërmjetësuese, me zhvillimin e qytetit, me sinkronizimin e veprimtarive të ditëpërditshme, me format e jetesës moderne dhe me komercializimin e zbavitjes. Mjetet e komunikimit janë zhvilluar në përputhje me nevojat e shoqërisë, të kanalizuara sipas vullnetit të elitës politike dhe ekonomike. Është më se e saktë se në zhvillimin e kulturës masive, në pjesën që ka të bëjë me administrimin dhe me zhvillimin e mediumeve si dhe me krijimin e porosive apo të mesazheve të tyre, luan rol subjekti shoqëror apo elita e shoqërisë. Për t’i zhvilluar me sukses mediumet si mjete të komunikimit masiv, ka qenë e domosdoshme të zbatohet procesi i standardizimit të porosisë: Ato i dërgoheshin individit bashkëkohor me njohuri mesatare dhe duhej të ishin të qarta, efektive dhe të thjeshtësuara. Gazetat ditore si medium masiv i parë raportonin për ngjarjet aktuale nga lëmi i politikës dhe i ekonomisë. Përmbanin kronika si dhe porosi apo mesazhe argëtuese dhe reklamimi. Mediumet ndodheshin në burimin e forcës apo të pushtetit manipulues. Ato krijonin informata, modele, mënyra të sjelljes dhe stil jetese. Ato u bënë promotorë të kultit të konsumit, të bukurisë, të dashurisë, të rinisë të cilat në mënyrë paradoksale korrespondojnë me zhvillimin e farmacisë, të kozmetikës, të industrisë moderne, të preparateve për rritjen e libidos apo të instinktit seksual, deri te roboti që buzëqesh.

Kultet e sipërthëna të kulturës masive vërehen në karakteristikat e saj që i vëren filozofi, kulturologu dhe sociologu francez i teorisë së informacionit Edgar Moren (Edgar Morin, 1921-) i cili kulturën masive e sheh si revoltë nda kulturës religjioze, metafizike. Morenoja kulturën masive e sheh si rezistencë ndaj përjetimit religjioz të botës. Në aspektin kohor, ajo karakterizohet me orientimin kah e tashmja, aktualja. Produktet e kulturës masive nuk kanë as të kaluar as të ardhme. Në themel të një karakteristike të tillë Morenoja vëren qëndrim antireligjioz. Njeriu modern aksionet e veta i projekton në të tashmen dhe nuk e shikon të kaluarën, të ardhmen, as botën e amshueshme apo botën tjetër. Ai i do të gjitha, këtu dhe tash.

Duhet thënë se kultura masive i jep formë realitetit tonë. Ajo arrin te masat e gjera popullore duke e krijuar mënyrën e jetesës, duke i formuluar apo duke i përvijuar synimet, ëndrrat, mënyrat e sjelljes, mendimet, ndjenjat dhe veprimet e njeriut bashkëkohor. Dhe në këtë aspekt mund të thuhet se është e suksesshme. Ajo i krijon modelet kulturore të shoqërisë bashkëkohore, me ç’rast vijnë në shprehje snobizmi dhe provincializmi si frustracione statusore të shtresave të varfra, të ardhacakëve nga fshati në qytet, por edhe të atyre të cilët duan ta shohin veten në shtresat e larta të shoqërisë, duke u shfaqur – në mënyrë komike – të tillë siç nuk janë.

Në anën tjetër shfaqen përmbajtje që janë reflektim i jetës së masave, kultura popullore e popullsisë së qytetit dhe në kuadër të saj, subkultura e të rinjve. Duke mos pasur mundësi t’i plotësojnë nevojat e veta në periudhën e adoleshencës, ata nëpërmjet nënkulturës e shprehin në mënyrë simbolike identitetin, përkatësinë, subjektivitetin historik dhe rezistencën ndaj konvencioneve, qëndrimeve politike dhe idealeve etike dhe estetike.

Por produksioni masiv, edhe këto rezistenca simbolike i standardizon në korniza të pranueshme dhe ua shet masave. Heronj të kulturës masive bëhen panteonët bashkëkohorë, hyjnitë e kësaj bote, intimitetin e të cilëve mund ta vëzhgojmë pa u djegur. Me këtë janë ngarkuar tabloidet dhe gjahtarët paparaco, ndërsa konsumatorë janë vuajerët.

Në vende të caktuara të rajonit dhe më gjerë, krijohet një lloj muzike që i ndez masat. Madje kjo nuk është çfarëdo ndezjeje. Është ndezje apo djegie me mbushje të shpejtë apo injektim karburanti në vëllimin me temperaturë dhe trysni të lartë. Përmbajtjet e këtij lloji të muzikës janë reduktuar në sferat instinktive të njeriut, ngase kur njerëzit i ulni në nivel biologjik, ju i keni eliminuar dallimet sociale, fetare, arsimore dhe etnike. Kësisoj keni mundësi që ta rritni publikun, përkatësisht tregun për shitjen e muzikës me përmbajtje të ulët.

Niveli instinktiv është nivel i pasionit. Në rrafshin e grupit, ky është nivel i hordhisë apo i lukunisë. Njeriu lëshohet në instinkte, ndërsa bashkësia në gjak dhe tokë. Morali lëshohet në masën e lukunisë të cilës i njerëzit përkasin, duke u nisur nga ajo: “Çdo gjë që është e jonë, është e mirë, çdo gjë që është e huaj, është e keqe”. Pikërisht morali i tillë që matet me përkatësinë dhe jo me vërtetësinë dhe drejtësinë, ndikon që vrasësit t’i mbyllin sytë para krimeve që nuk janë parë në këtë pjesë të rajonit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këngët e tilla ndizet laiku, skeptiku, skolastiku. Tashmë seksualiteti nuk është spontan. Sikur puthja në film, në jetën reale ai riprodhohet nga format që i ofron kultura masive, e cila ka ndërtuar ideale estetike që janë në gjendje të shkaktojnë sëmundje siç është anoreksia, në të cilën femra është reduktuar në objekt seksual. Është paradoksale sesi në një botë lirish të mëdha seksuale shiten preparate impotence. Ky tregon më së miri sesa kultura masive i kontrollon nevojat e njerëzve, i ka imponuar standardet e bukurisë, të argëtimit dhe të kënaqjes - pothuajse të gjitha të komercializuara.

Heronjtë e kulturës masive dhe të këtij lloji të muzikës vijnë nga masa. Ajo që i dallon është rruga për në statuset shoqërore të larta, rruga drejt shoqërisë së lartë. Midis tyre ndodhen çfarëdo yjesh moderne të botës së muzikës, të filmit, të sportit, por edhe të politikës, të nëntokës dhe të kontrakulturës. Krejt këtë, kultura masive  e përpunon, e shpëlanë dhe e shet. Duke filluar nga prezantuesja amerikane e talk show Opra Vinfri (Oprah Gail Winfrey, 1954-) e cila është shembull që tregon se shoqëritë perëndimore janë të hapura, afroamerikane e cila me aftësitë e veta ka arritur status shoqëror të lartë, futbollisti argjentinas Karlos Tevez (Carlos Alberto Tevez, 1984-), futbollisti portugez Kristiano Ronaldo (Cristiano Ronaldo, 1985-) deri te revolucionari marksist argjentinas Ernesto Çe Gevara (Ernesto “Che” Guevara, 1928-1967) apo gangsteri dhe biznesmeni amerikan Al Kapone (Alphonse Gabriel Capone, 1899-1947).            Kultura masive është e aftë t’i komercializojë edhe kryengritësit, duke shembur në këtë mënyrë çfarëdo rezistence. Lëvizja e hipive (hippie) ishte një rrymë e kundërkulturës. U shfaq në ShBA në vitet 1960 e këndej. Refuzoi vlerat tradicionale, stilin e jetesës të brezit të prindërve të tyre dhe shoqërinë e konsumit. Zhvilloi një luftë simbolike ndaj kulturës ekzistuese të shoqërisë globale të ShBA-së. Por në fund, në aranzhmanet e agjencive të modës dhe të hepeningut si dhe të produksioneve muzikore, u shndërrua në hipi stajling, hipi hepening, hipi kompilacion.

Në epokën e hipive jetoi edhe këngëtarja amerikane Xhenis Xhoplin (Janis Lyn Joplin, 1943-1970). Në fund të viteve ’50 të shekullit XX jeta e saj u identifikua me “beat generation” dhe me epokën e hipive. Ishte figurë përcaktuese e kundërkulturës së viteve ’60 të qindvjeçarit të kaluar. E quajtën zëri i Lëvizjes për të drejtat qytetare. Vdiq nga doza e tepërt e heroinës dhe nga alkooli. Kësaj periudhe i takon edhe këngëtari amerikan Xhim Morison (Jim Dauglas Morrison, 1943-1971). Ishte këngëtari kryesor i grupit rok The Doors. Vdiq në Paris nga doza e tepër e heroinës dhe nga alkooli. E gjetën të vdekur në vaskë, më 7 korrik 1971. U varros në varrezat Père Lachaise Cemetery, në Paris. Varri i tij është një prej katër atraksioneve të Parisit. Tre të tjerë janë Kulla e Ajfelit, Notre Dame dhe Harku i Triumfit. Dikur, në përvjetorin e vdekjes së Morisonit, varrin e tij në Paris e vizitonin të rinj nga Amerika. Me atë rast ata bënin akte vandale - thyenin pllakën e varrit të ndonjë shkrimtari të madh francez. Organeve të rendit u thoshin: “Mbreti dhe Zoti ynë është Morisoni. Për Balzakun dhe Bodlerin, aq na bëhet. S’duam të dimë fare”.

*   *   *

Në ç’mënyrë ky lloj i muzikës i imponohet një shoqërie? Po qe se në viset rurale ruhen strukturat joformale të fshatit, atëherë ato kanë mundësi t’ia imponojnë qytetit lojën e vet provinciale dhe snobiste. Një shteti monist, por të hapur, kultura masive perëndimore ia imponon format kulturore të konsumit, të argëtimit dhe shijen mesatare për krijimtari, ndërsa me prodhimin e vet akoma më shumë e delegjitimon pushtein dhe ideologjinë që imponohet si alternativë e kapitalizmit të zhvilluar. Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatorët e kanë arsyetuar izolimin e vendeve të tyre, duke thënë se mbrohemi nga ndikimet e huaja. Pas shembjes së sistemeve moniste në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, vendet e izoluara rezultuan me institucione shoqërore të rrënuara, me prioritete të çrregulluara, me sistem të rrënuar vlerash, me norma të nëpërkëmbura. Në disa prej këtyre vendeve shpërtheu lufta, konflikti, pati të vrarë, ikanakë dhe të përndjekur. Sakaq dolën në shesh qaforet prej ari, automjetet sportive, shampanja, pishinat, rekuizitat e notit, simbolet e statusit dhe të forcës. Dikush me probleme personale i pret venat, tjetri dehet, thyen gota, mallkon të ëmën. Këngë për plagët kombëtare. Ata është paraja, janë masat popullore, është politika por edhe shoqëria e reagimit politik.

Konsumuesit e krijimeve apo e produksioneve që i takojnë kulturës masive nuk tregojnë interesim për vlerat artistike të mirëfillta. Shumë të rinj sot, fare pak dinë për klasikët e letërsisë, të artit, të filozofisë, të psikanalizës. Fare pak lexohen Homeri, Eskili, Dante, Servantesi, Barleti, Shekspiri, Molieri, Volteri, Hegeli, Kanti, Niçe, Gëte, Bajroni, Balzaku, Bodëleri, Pushkini, Dostojevski, Xhojsi, Kafka, Prusti, Frojdi, Jungu, Fromi, Oruelli, Heminguei, Hajdegeri, Sartri, Kamy, Beketi, Markezi etj. Këta krijues gjigantë kanë shënuar epoka. I kanë sjellë botës ndryshime, njerëzimit – humanizëm. Bota pa ta do të kishte qenë më e egër, më e padurueshme, më johumane. Veprat e tyre nuk mjafton të lexohen, por duhet edhe të kuptohen dhe kjo nuk është punë e lehtë. Krijimi artistik modern nuk është i kapshëm për lexuesin e rëndomtë.

Zhvillimi i teknologjisë informatike akoma më shumë e zhvillon dhe e përhap kulturën masive. Çdo gjë është komercializuar. Kultura masive shfrytëzohet edhe nga politika dhe pushteti. Jepi popullit bukë e reality show dhe sundo mbi të sa të duash dhe si të duash. Argëtimet që i ofrojnë show programet e shmangin rininë prej problemeve politike, ekonomike, sociale dhe morale të shtetit dhe të shoqërisë. Këtë duan politikanët dhe pushtetarët e gjithë botës. Megjithëkëtë, show programet dhe reality show nuk mund ta ndalin shpërnguljen e të rinjve drejt Gjermanisë, Amerikës, Kanadasë, Australisë. Zbavitjet e lehta nuk do ta ndalin dhimbjen e rëndë të shpopullimit të trojeve shqiptare. Faji është i udhëheqësve politikë dhe vetëm i tyre.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora