| E hene, 06.09.2021, 07:37 PM |
SHPIRTI I MIRËSISË TEREZIANE
(Lexime
poetike. Nëna Tereze: “Jep çka ke me të mirë…”. Në përvjetorin e 24 të
shkuarjes në përjetësi)
Nga
Prend BUZHALA
Dashuria,
mirësia, pikësynimi, e mira, sinqeriteti, ndershmëria, prirja për ndërtim,
mihma dhe dhurimi i pjesës më të miras të vetvetes. Ja, këto janë postulatet
jetësore të Nënës Tereze, që shërbejnë si pikënisje, mbështetje, parime e
mendime të shprehura me kaq thjeshtësi madhështore te poezia “Jep çka ke me të
mirë…”. E thjeshtë në jetën e saj, këtë thjeshtësi proverbiale ajo e zbaton
edhe kur shkruan a rrëfen, edhe kur shqipton etikën e fortë të jetës e të
personit të ndërtuar së brendshmi, edhe kur ligjëron a flet para një
auditoriumi botëror. Një thjeshtësi e natyrshme, që nuk futet në labirintet e
komplikimeve kuptimore apo jetësore. Dikush e ka thënë: "Aftësia më e
ndërlikuar është të jesh i thjeshtë."
Ndërsa Debasish Mridha, një poet, filozof, mjek e autor amerikan shton:
"Thjeshtësia zbulon bukurinë e pastër të jetës."
1.
Pikërisht
vlerat e mësipërme, që vijnë si margaritarë fundorë te secila njësi strofike,
zbulojnë mençurinë dhe artin e saj të thjeshtësisë së thënies. Nëse bota
përreth është kaq e komplikuar, e përshkuar nga kaosi, egërsia, irracionalja,
shtypja, pikërisht pse njeriu është egoist, i palogjikshëm, pse rrethohesh me
miq të rremë dhe armiq të vërtetë, pse njerëzit janë mosmirënjohës, duke
harruar mirësinë. E ti, duke qenë i ndershëm lëndohesh. Në një çast vjen
situata kur të përbuzin. Dhe vjen ajo më e rënda, situata më e verbët, në të
cilën ti mund të gjendesh: të të shembet kryevepra jote e jetës. Të prishet dhe
ti gjendesh, siç mund t’i ndodhë njeriut të ndershëm: “Ajo që për vite ke
ndërtuar mund në një çast të prishet”.
Në
të gjitha rastet, pra, ajo këshillon: “s’ka rëndësi, ndërto.” Në vend të
prirjes për shkatërrim, degjenerim, shprishje të qenies e të çdo gjëje me
vlerë, ajo porosit ndërtimin.
E
mahnitshmja, e bukura, vlera e madhërishme estetike dhe etike, gjenden te zemra
e thjeshtësisë. Aty ti e ndërton vetveten, harmoninë, paqen e brendshme dhe
paqen mes njerëzve. Aty ajo e gjen
shkëlqimin e saj, të jetuarit me shpirtin e thjeshtësisë., mirësisë, nderit,
ndërtimit, solidarësisë, ndihmës dhe, mbi të gjitha, të dhurimit të më të mirës
nga vetvetja. E kjo madhështi etike e estetike, jetësore e shoqërore, arrijnë
vlerat e tyre kulmore pikërisht me postulatet që i shënjuam si kika mbi të
cilat strukturoret kjo poezi në formë këshillimi. Lirika këshillimore
parapëlqehet shumë në botën moderne, për shkak të komunikimit mirëdashës, sepse
ajo nuk merr vendime me urdhër të prerë, nuk imponohet, por vetëm sugjeron,
qorton, jep vërejtje, inspiron, frymëzon, forcon. Dhe sepse, me komunikimin e tillë, je
përgjigje për çështjet më të ndërlikuara të botës e të ekzistencës, të
provanisë hyjnore e të botës njerëzore. Ligjëron me afrinë e një këshille
amësore. E tillë, përplot amësi të jashtëzakonshme, mu ashtu siç quhet ajo-
Nënë; e tillë, si Nëna më e mirë e botës, ajo na shfaqet edhe te kjo poezi. Aty
ajo derdh e sintetizon portretin e saj prej nëne të botës, sakrificën e mundin
e saj pranë të varfërve më të varfër. Ajo është e rrethuar me njerëzit më të
mënjanuar e më të përbuzur në botë.
Vrapimi
a shtegtimi i saj jetësor ishte si një vrapim për dashuri kundër kohës. Ajo
mund të shtronte pyetjet më të forta, më të ashpra kundruall njerëzimit, tek i
shqiptonte fjalët më të buta, më
delikate e më të përsosura; sikundër janë tmerri social i të gërbulurve, lagjet
e të sëmurëve, të varfërve nga më të varfrit, apo plagë të tjera të njerëzimit
sikundër janë aborti, shtypjet politike dhe luftërat. Ajo sikur dëshironte t’i
ngërthejë në qenien e saj pikërisht antipodet e ekzistimit të qenies së kësaj
bote: fluiditetin, dhimbjen, vuajtjen, vdekjen, Të Bukurën dhe Dashurinë,
Dritën dhe Errësirën.
Ajo
e ka jetuar ferrin social të këtyre shtresave, jashtë konfigurimeve zbukuruese
a stolisëse të jetës së përditshme, atëherë nuk ka se si të mos na shkojë
mendja tek betejat e saj me varfërinë e më të varfërve e me punën e saj me të
sëmurët e goditur ekstremisht nga gërbula, ku do të përfytyrosh trupa njerëzish
të shpërfytyruar nga sëmundjet, fëmijë lakuriq me brinjët jashtë, jetë nëpër
trotuare e skaje plot pluhur e mbeturina, nëpër kthina të paimagjinueshme për
të jetuar. Vepra e Anton N. Berishës, e paraqitur si rrëfim i Nënës Tereze, e
ka hallkën e vet të kësaj rrjedhe narrative pikërisht me filozofinë e vuajtjes
e të sëmundjes.
Dhe,
merreni me mend, ajo, me gjithë këtë sakrificë në vorbullat e tilla të ferrit
shoqëror, do të përbuzet nga shumë shkresa e qarqe. Te fundi i këtij ferri
sikur jemi ne vetë me përbuzjen tonë ndaj të sëmurëve të tillë!
Ndershmëria
dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm
s’ka
rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.
(...)
Jepi
botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma
s’ka
rëndësi, jep… çka ke më të mirë
Ajo
ligjëron me këtë shpirt të madh mirësie. Me mirësi ti je shembull për të
tjerët, kur ajo shfaqet në çastet më ekstreme, të përbuzjes, harrimit, apo
armiqësisë. "Mirësia është investimi i vetëm që nuk dështon kurrë."
(Henry David Thoreau).
Ajo,
në botën e rrathëve të ferrit social, shkruhet si një qiri me mirësinë e saj.
Ajo digjet, duke dhuruar dritën e mirësisë. Duket sikur ka mësuar shumë jo
vetëm nga filozofia e krishterë, por
edhe nga urtia e Lindjes: “Trajtoji ata që janë të mirë me mirësi, dhe
gjithashtu trajtoji ata që nuk janë të mirë me mirësi. Kështu mirësia
arrihet." (Lao Tzu). Por ndryshe nga urtakët lindorë, që vetëm meditojnë e
nuk veprojnë, Nëna Tereze mirësinë nuk e shihte të shkëputur nga jeta, si një
stoli në ajër, por si veprim, si etikë në jetësim. Si dashuri në vepër. Te
veprimi i tillë, terezian, njerëzit shohin mirësinë e Hyjit, mirësinë që
rrezaton edhe brenda teje.
(5 shtator 2021)
=
====
Nëna TEREZE
JEP ÇKA KE ME TË MIRË…
Njeriu
është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist
nuk
ka rëndësi, duaje.
Po
bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste
s’ka
rëndësi, bëj mirë.
Po
realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë
s’ka
rëndësi, realizoji.
E
mira që bën do të harrohet nesër
s’ka
rëndësi, bëj mirë.
Ndershmëria
dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm
s’ka
rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.
Ajo
që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet
s’ka
rëndësi, ndërto.
Nëse
ndihmon njerëzit, do të lodhesh
s’ka
rëndësi, ndihmoji.
Jepi
botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma
s’ka
rëndësi, jep… çka ke më të mirë