Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Fytyra e vërtetë e Serbisë

| E diele, 05.09.2021, 06:07 PM |


Blerim Latifi:

Mali i Zi vazhdimisht ka qenë i ndarë midis dy linjave të politikës nacionale: linjës independiste dhe linjës proserbe. Kur në vitin 1878 Mali i Zi u njoh shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit, linja e parë u konsolidua nën sundimin e Krajl Nikollës.

Në vitin 1918 shteti malazez u zhduk duke u bërë pjesë e Serbisë dhe Nikolla i kaloi vitet e fundit të jetës në mërgim.

Pas vitit 1945 falë faktit se njëri nga katërshja e madhe që kishte pushtetin në Jugosllavinë socialiste, ishte malazez, Milovan Gjilasi, Mali i Zi sërish u bë njëra nga gjashtë republikat jugosllave.

Me rënien e Gjilasit, linja proserbe, tash nën maskën e nomenklaturës komuniste, e riktheu ndikimin e saj në Mal të Zi.

Pas rënies së Jugosllavisë socialiste, linja independiste, nën udhëheqjen e djaloshit guximtar Milo Gjukanoviç, ia doli që gradualisht ta merrte pushtetin dhe ta shkëpuste përfundimisht Malin e Zi nga tutela e Serbisë me shpalljen e pavarësisë në vitin 2006. Megjithatë Gjukanoviçi kishte dështuar aty ku kishte dështuar edhe Krajl Nikolla:në pavarësimin e Kishës Ortodokse Malazeze nga Kisha Ortodokse Serbe.

Humbja e Gjukanoviçit në zgjedhjet e fundit dhe rikthimi në pushtet i linjës proserbe e kanë vënë realisht në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia. Ngjarjet e sotme në Cetinje e shpërfaqin edhe një herë thelbin e gjithë kësaj historie. Po ashtu këto ngjarje tregojnë edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë, e kjo është fytyra e një shteti që vazhdon të ushqej ëndrrën e supremacisë në rajonin tonë.

______

Shqipëria duhet t'ua di për nder Fan Nolit dhe Ahmet Zogut që në kohën e duhur e pavarësuan Kishën Ortodokse Shqiptare nga Kisha Ortodokse Greke.

Po të mos arrihej kjo, sot Kisha Ortodokse Greke do t'ua bënte shqiptarëve edhe ma zi se që është duke ua bërë malazezëve Kisha Ortodokse Serbe.

______

Arat që shihni në foto kanë një emër të çuditshëm. Quhen Troja. Menjëherë duhet ta them se nuk e kam ndërmend ndonjë aventurë etimologjike në të cilën do ta lidhja emrin e këtyre arave me Trojën e Homerit.

Atëherë çfarë historie fshihet pas këtij emri? Të vetmin instrument për ta gjurmuar enigmën e kemi legjendën popullore. Thuhet se aty dikur moti jetonin disa familje, të cilat një ditë morën çfarë mund të merrnin dhe u larguan. Thuhet se u vendosën diku në rrethinat e Ferizajt. Shtëpitë e tyre u shndërruan në gërmadhë dhe u mbuluan nga vegjetacioni.

A ikën për shkak të ndonjë gjakmarrje apo thjesht nga presioni i djemëve të Prenk Kuçit që po kërkonin zgjerimin e tokave të tyre, legjenda nuk e thotë qartë. Pastaj gurët e rrënojave u hoqën nga aty pak e ngapak dhe krejt çfarë mbeti ishte emri "Trojet e..." Harresa e ka gëlltitur pjesën toponimit ku tregohet se trojet e kujt ishin dhe me kalimin e kohës "Trojet" u bënë "Troja".

Po kaq e errët sa historia e vërtetë e këtij toponimi, është edhe vetë etimologjia e fjalës "troje". Përpjekjet e Çabejt dhe Orelit për ta shpjeguar sikur nuk duken bindëse. Njëjtë duket edhe shpjegimi i Jereçekut që e lidhë fjalën "troje" me vendbanimet e ndërtuara nga perandori romak Trajan, të cilat quheshin Trajana, prej nga modifikimi shqip i ka shndërruar në trojana dhe troje. Kush e di.