| E diele, 05.09.2021, 10:50 AM |
QENËSIA E MESAZHIT: “UN MÂ ME SODJET / SHQYPTAR NUK JAM”
Rreth satirës së Fishtës “Metamorphosis”, botuar
më 1907
“Fundi
i shekllit të nandëmbëdhetë, mund të thuhet se e gjet popullin shqiptar gati
krejt të mpím; vetëm vepra e disa atdhetarve të pakët e zgjoi nga gjumi, e nji
pjesë shum të randsishme në ket zgjim kombëtar e ka sigurisht puna e ndritun e
prodhimtare e At Gjergjit.” - KARL GURAKUQI
Nga
Anton Nikë Berisha
Arsyeja
e shqyrtimit
Poezia
e Fishtës Metamorphosis, botuar në
përmbledhjen “Anzat e Parnasit” (1907), hyn në rrethin më të ngushtë të
krijimeve më cilësore të satirës fishtiane. Ajo është dëshmi e pandërmjeme e
konceptit krijues satirik, por edhe poetik e kombëtar të Fishtës. Disa nga
vargjet e kësaj poezie si “T’a dijë
Shqypnija / Prá, e sheklli mbarë, / Se mâ mbas sodit / Un s’ jam Shqyptár”
ose “Un mâ me sodjet / Shqyptár nuk jam”
tash gati një shekull përdoren në biseda dhe në shkrime me kuptime të ndryshme:
herë për të dëshmuar ndjenjën kombëtare të poetit, herë për të mohuar atë e për
ta shpallur autorin antishqiptar (siç u veprua gjatë sistemit komunist), herë
për të mohuar vetë kombin shqiptar dhe shqiptarizmën. Me pak fjalë, ky mesazh,
që shqiptohet nëpërmjet disa vargjeve të përdorura në poezinë Metamorphosis, u shfrytëzua e u keqpërdor
në mënyra e në raste të ndryshme, më së shpeshti duke i shkëputur vargjet nga
konteksti ku ato gjenden, nga koncepti krijues satirik fishtian ose edhe nga
koncepti krijues poetik i tij në përgjithësi. Interpretimet e këtilla, herë nga
mosdija e herë nga qëllime të ndryshme, bënë ndikimin e tyre dhe shkaktuan
mëdyshje, mbështjellime dhe ngatërresa. Së këndejmi, jo një herë dhe jo vetëm
në një kohë, kam menduar rreth këtij mesazhi të poetit e atdhetarit tonë të
madh. Mirëpo, herë-herë krijuesi me vështirësi i shpjegon disa punë që i
zvarris prej një dite në tjerën dhe prej një viti në tjetrin!
Konteksti
ynë i sotëm më bëri që t’i kthehem poezisë Metamorphosis
të Fishtës dhe t’i shpreh disa mendime e përsiatje rreth saj.
Satira
fishtiane - jehonë e realitetit konkret shqiptar
Në
fillim të shekullit tonë, kur Fishta shkroi e botoi disa nga poezitë e veta
patriotike e satirike, pastaj këngët e para të epit Lahuta e Malcís si
dhe shkrime të llojeve të tjera, jetën e përditshme shqiptare e cilësonte një
gjendje e rëndë, qoftë në rrafshin shoqëror, ekonomik e politik, qoftë në atë
shpirtëror e moral. Për këtë arsye është fare e natyrshme që krijimet e para të
Fishtës, siç ndodh edhe me ato të shkruara e të botuara më vonë, të jenë të
lidhura me ngjarjet dhe me gjendjen konkrete ose jehonë e pandërmjeme e tyre.
Fishtën,
si dhe intelektualët e tjerë shqiptarë, e shqetësonte pa masë gjendja e
popullit dhe e atdheut, për shumëçka e padurueshme, prandaj ai gjakoi forma të
ndryshme për t’i bërë të ditur njeriut të tij domosdonë e një veprimi aktiv për
ndërrimin e kësaj gjendje – për një zotim më këmbëngulës për mirëqenien e botës
e të jetës shqiptare si dhe përparimin e atdheut, Shqipërisë.
Fishta
ishte i vetëdijshëm për faktin se sundimi i gjatë osmano-turk kishte lënë
pasoja të rënda në mendësinë shqiptare, prandaj ishte i bindur se te një
shtresë e shqiptarëve, te të cilët ishin shuar në një masë të ndjeshme fryma
patrotike e epike si dhe cilësitë dhe virtytet që i kishin dalluar paraardhësit
e tyre, Të Parët tanë, poezia
satirike, e gërshetuar me sarkazmë, me ironi e me groteskë, mund të ndikonte në
mënyrë të veçantë. Pra, vetëm nëpërmjet kritikës, përqeshjes e thumbimit dhe
prekjes në sedër, do të mund të “trokitej” në ndërgjegjen e përfaqësuesve të
kësaj shtrese, e cila edhe kishte rol të rëndësishëm në mirëvajtjen dhe në
zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Së këndejmi, kritika e drejtpërdrejtë
dhe e ashpër do t’i nxitte ata të mendonin një herë e mirë për fatin dhe
përparimin e botës e të atdheut të tyre.
Duke
u përcaktuar për një gjë të tillë dhe duke qenë i vetëdijshëm për mundësinë e
ndikimit të artit të fjalës, sidomos të poezisë, Fishta sikur kishte parasysh
mendimin e Eliotit, i cili, duke bërë fjalë për kritikën që bëjnë shkrimtarët,
për rëndësinë dhe rolin e saj, shkruante: “Kritika
është po aq e pashmangëshme sa edhe frymëmarrja… Unë jam i mendimit se kritika
e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më
qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë
superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore.”
Njëjtësim
e vijimësi
Në
vitin 1907 Fishta shkroi poezitë satirike Metamorphosis, Nakdomonicipedija dhe Koha e arit në Shqypni, të cilat
ndërlidhen mes veti për shumë tipare.
Në
poezinë satirike Nakdomonicipedija
(satira Metamorphosis për herën e
parë u botua si pjesë e fundit e kësaj; më vonë poeti e botoi si poezi më vete)
Fishta vë në thumb të kritikës gjendjen e rëndë shoqërore e shpirtërore të
shqiptarëve, të cilët, të dhënë pas fitimit e interesave vetjake, kishin lënë
anash kujdesin ndaj atdheut. Poezia është shtjelluar në formën e një letre,
dërguar Dom Ndoc Nikajt, intelektual e shkrimtar i shquar, i cili atë kohë
kishte botuar një libër të historisë së popullit shqiptar. Në fillim të kësaj
satire Fishta i përkujton autorit të librit të historisë:
Sod n’Shqynpi, more lum
miku,
Histori âsht meteliku.
dhe
se shqiptarët po ia thoshin këngës “Haja
qênit - pija qênit, / Edhè bjer karaduzênit!”. Pra, gjërat që nuk
“pjellnin” napoleona, siç ishte historia, shkrimi e botimi i vjershave ose
veprimtari të tjera artistike e shpirtërore, s’kishin asnjë vlerë. Me fjalë të
tjera, siç shprehet Fishta, në Shqipëri dija, kënga e historia merreshin për
punë dokrrash!
Nga
fakti se në Shqipëri njerëzit mirreshin vetëm me punë dhe interesa vetjakë,
përbuznin dhe mohonin të mirën kombëtare dhe mirëqenien e atdheut, gjallimin e
përditshëm e cilësonte një situatë e rëndë dhe e pazakonshme: të mirës i thuhej
e keqe ose të bardhës i thuhej e zezë dhe anasjelltas. Domethënë, në kontekstin
përkatës ishte përmbysur logjika normale dhe e natyrshme e veprimit dhe e
mendimit.
Pse nder né kjo kohë ká
ardhë,
Qi nji e zezë me u
thirrë e bardhë:
M’êmen t’vet sendet
s’duen qujtë
Per n’don qyqja mos me t’mujtë
E me t’frý era n’kuletë…
Pra,
ndër shqiptarë punët po shkonin si ishte më keq “Ke na shkojn pûnët kambë e krye” dhe një shkallëzim më i
rrezikshëm e me pasoja“Shoqi shoqit m’ia
xjerrë trût.” Një kohë e tillë kishte shkaktuar përsëritjen e së keqes e
tragjikës, që ishte dëshmuar edhe në të kaluarën: mospërfillja e njëri-tjetrit,
kundërvënia, përçarja, mashtrimi, tradhtia: “Medét
per né! Pse heret si n’e s’ vonit / Skem’ mujtë dy vetë me u vû kurr m’ nji
hulli: / Njani bje thumbit, tjetri patkonit” ose dy vargjet e njohura të
Fishtës “Sod mâ shpejt nji thes me
pleshta / Ti bân bashkë se dy Shqyptarë.”(nga satira “Koha e arit në
Shqypni”).
Po
qe se do të vazhdonte edhe më tej kjo gjendje dhe kjo sjellje e shqiptarëve,
thekson poeti, atëherë për ta s’do të ketë as mëkëmbje e as përparim kombëtar;
në qoftë se ata nuk do të kthehen për së mbari e nuk do të bashkohen dhe nuk do
të kujdesen për atdheun e tyre, për ta nuk do të ketë më agim, po natë, varfëri
dhe turp. Këtë Fishta e thotë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë:
Pá nji bashkim t’vertetë
s’ká per t’ague
Per né agimi kurr;
gjithmonë por nata
E marrja e skami kanë
per t’na ngushtue.
(Nakdomonicipedija)
Rrënimi
i logjikës së natyrshme
Poezia
Metamorphosis dëshmon me një anë
jehonën e drejtpërdrejtë të gjendjes së rëndë shoqërore, shpirtërore e morale
të botës e të gjallimit konkret shqiptar dhe, më anë tjetër, ndjenjën e madhe
atdhedashëse të Fishtës. Poeti është i shqetësuar deri në paskaj për shkallën e
ulët të vetëdijes kombëtare te një pjese të shqiptarëve, për përmasën e
shprishjes e të rrënimit shpirtëror të tyre, për qëndrimin mëdyshës po shpesh
edhe përbuzëz ndaj atdheut dhe ndaj trashëgimisë shpirtërore e materiale, për
zvetënimin ose lënien anash të virtyteve: burrërisë, besës, bujarisë,
mikpritjes, gjë që vërehej sidomos tek ata që ishin në pushtet ose që ishin
pasuruar e po pasuroheshin në mënyra të ulëta, duke shfrytëzuar djersën e të
tjerëve dhe gjendjen e vështirë në të cilën po gjallonte pjesa dërrmuese e
popullit shqiptar. Pra korrupsioni, mitoja, mashtrimi, tradhtia kishin marrë
një përmasë të ndjeshme. Sa më shumë që individi tregonte indiferencë ose e
mohonte atdheun, prejardhjen dhe të kaluarën kombëtare, çmohej e nderohej më shumë,
zinte pozita më të larta dhe bënte një jetë të pasur e të rahatshme për t’u
shpallur më në fund edhe udhëheqës shpirtëror e kombëtar! Në të kundërtën e
kësaj, ai që bënte e vepronte për të mirën e popullit dhe të atdheut të vet, që
synonte në forma të ndryshme të nxiste e të zgjonte ndërgjegjen kombëtare pas
sundimit shumëshekullorë osmano-turk dhe zotohej për përparimin e vendit në
pajtim me kohën, merrej si njeri i dështuar, i mjerë, madje edhe i marrë!
Katër
vargjet e para të satirës Metamorphosis
e përcaktojnë dhe e shprehin në mënyrë të pamëdyshtë këtë gjendje të
pazakonshme të gjallimit konkret shqiptar. Poeti është i shqetësuar thellë,
prandaj me qëllim flet në veten e parë dhe që në këto vargje prek çështjen
thelbsore.
Qe besa, o burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sot derri dajë…
Domethënë, në një kontekst të tillë të jetës kishte
pushuar logjika e zakonshme dhe e natyrshme e gjallimit, e vlerësimit, e
mendimit dhe e veprimit. Derrit i thuhej dajë! Një krahasim e kontrast i
pazakonshëm: derr quhet daja, vëllai i nënës, njeriu më i afërt për nga vija e
qumështit dhe e gjakut! Pra, obstruksioni ishte bërë bazë e vlerësimit dhe e
gjallimit të përditshëm dhe kishte marrë përmasa gjithsunduese, për këtë arsye
çdo mendim e veprim jashtë asaj logjike çmohej si jo normal. Kështu, merrej
punë e parëndësishme, për të mos thënë e kotë ose e marrë, interesimi për
çështjen kombëtare dhe veprimi në të mirë të saj; përpjekja për ruajtjen e
trashëgimisë dhe pasurimin e mëtejshëm shpirtëror, kujdesi për gjuhën amtare,
për arsimin. Me një fjalë: çdo gjë që nënkuptonte përtëritjen e jetës shqiptare
në të gjitha rrafshet e saj.
Nëpërmjet
ligjërimit në veten e parë Fishta na bën të kuptojmë se, si individ, ai mjaft
kohë ishte përpjekur për t’i ardhur në ndihmë njeriut të tij dhe çështjes
kombëtare; kishte luftuar pa frikë kundër armiqve të Shqipërisë dhe kishte qenë
i gatshëm të presë e të durojë çdo ndëshkim e flijim.
Me anmiq t’Shqypnís
Un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,
Kacagjelue.
Pse kam pasë thânun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet
Per atme t’ vet.
Një
punë e këtillë për atdhe - brenda
logjikës së përmbysur - nuk ishte pranuar e nuk ishte çmuar, përkundrazi ishte
nënçmuar e përbuzur dhe si individ ai kishte pësuar për arsye se nuk kishte
gjetur përkrahjen pikërisht të atyre që ishin në pushtet dhe duhej të punonin e
të ndihmonin për mirëqenien e bashkimin kombëtar. Së këndejmi
Po, po; kujdesi
Per Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun
Si hút n’ketë prroskë…
Pra,
po të kishte punuar ndryshe, siç vepronin shumë të tjerë, atëherë edhe ai do të
ishte në një gjendje tjetër, do t’i kishte punuar kuleta e fjala; do të ndihej
pikërisht si ata, të cilëve nuk u interesonte as e kaluara, as të Parët, as
Shqipëria e kohës.
Porsi njatyne,
Qi ndêjë n’ Shqypni,
Kujtojn se gjinden
Shi n’Australi;
E per dhé t’Parvet
S’u bjen nder mend
Me sa per kpurdha
Qi bijn n’dervend.
Konteksti
i tillë kishte rrënuar qenësinë e veprimit të zakonshëm dhe të sjelljeve të
njerëzve dhe kishte kushtëzuar që të çmoheshin e të zgjedheshin në pozita me
rëndësi shoqërore e politike njerëz që ishin zhveshur nga cilësitë kombëtare
dhe si të tillë, më së paku, e meritonin të ishin në ato vende e t’u besoheshin
detyra të tilla. Fishta vë në dukje se ata “Kanë
spaten n’mjaltë” dhe përherë ngriten lart e më lart, po edhe
Per ditë t’u mâjun,
Si mâjet njala,
U punon n’shekull
Kuleta e fjala.
Ky
kod sociokulturor, mbi bazën e të cilit çmoheshin njerëzit dhe puna e tyre, e
shqetëson poetin dhe të thuash e rrënon shpirtërisht, prandaj shpreh sa
zhgënjimin, po aq mospajtimin dhe kundërshtimin e tij. Kjo nuk bëhet me mjete e
në mënyrë tradicionale, duke i dhënë përparësi vetëm pohimit të pandërmjemë. Të
keqes poeti i qaset këtu nga një strategji dhe nga një mënyrë e veçantë:
kalohet formalisht në anën e së keqes dhe prej andej rrëfehet e bëhet vlerësimi
për të, shqiptohet qenësia e saj.
Akti
i indentifikimit me bazën e kodit të tillë sociokulturor e me logjikën e
njerëzve të tillë, ku e keqja mirret për të mirë, antikombëtarja për kombëtare,
e bardha për të zezë, ka një shenjëzim të qenësishëm dhe thellësor. Poeti
deklaron se për arsye “Me kênë i vetit”
(lexo: ta shikojë vetëm punën dhe interesin vetjak) do të shporret nga
Shqipëria e do të heqë dorë nga ajo që kishte bërë deri në atë çast.
Shkallëzimi arrin pikën kulminante:
T’a dijë Shqypnija
Prá, e sheklli mbarë
Se mâ mbas sodit
U’ s’jam Shqyptár.
Këto
vargje japin qëndrimin dhe përcaktimin e poetit në një rrafsh të përgjithshëm.
Adresanti i mesazhit është, para së gjithash, atdheu, Shqipëria, por dhe më
gjerë: shekulli (lexo: bota). Shndërrimi, përkatësisht metamorfoza e tij nuk
duhet të kalojnë në heshtje; akti i tillë është për shumçka i rëndësishëm dhe
për të duhet t’u bëhet e ditur atyre që kanë pozita në jetën shoqërore e
politike, pra që heqin peshë dhe vendosin në Shqipëri për – zotërinjtë - sundimtarët. Katër vargjet
pasuese, që në esencë e përsëritin mesazhin e vargjeve të përmendura më lart,
përcaktojnë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë adresantin e vërtetë, të cilit
i drejtohet mesazhi fishtian.
A ndiet, Zotní,
Qi rrini n’ shkam?
Un mâ me sodjet
Shqyptár nuk jam.
“A ndiet, Zotni / “Qi rrini
n”shkam?”,
bëhet pyetja e prerë (shih shkrimin e fjalës Zotní me shkronjë të madhe), që
shenjëzon përcaktimin e rëndësishëm. Pra, mesazhi fishtian në qenësinë e vet u
drejtohet zotërinjve, njerëzve të pasur, atyre që pasuria u ishte bërë ideal
veprimi e jete, përkatësisht njerëzve të pushtetit, që me qëndrimet e tyre
kishin kushtëzuar gjendjen e tillë tejet të rëndë e të padurueshme të jetës
shqiptare.
Pse
zgjedhet kjo strategji e shqiptimit dhe e ligjërimit dhe pse veprohet në këtë
mënyrë? Pse ky mohim i përkatësisë kombëtare i atdhetarit të madh, pse ky
“shndërrim” në një person me qëndrime krejt të kundërta nga ato që i kishte
mbrojtur me aq këmbëngulësi deri në atë çast, pra që ishte “kacagjelue” (lexo:
kacafytur, luftuar) pa frikë me armiqtë e Shqipërisë? Pse ky përnjësim pohues
me atë grup individësh, të cilët nuk çanin kokën për punët e atdheut e të
mirëqenies shqiptare, me ata të cilët, edhe pse jetonin në Shqipëri, e ndienin
veten të huaj pikërisht në atdheun e vet: “Kujtojn
se gjinden ? Shi n’Australi”?
Ashpërsia
e protestës dhe thellësia e sarkazmës
Në
poezinë Metamorphosis Fishta dëshmon vetëdijësimin atdhetar e poetik,
strategjinë e krijuesit të madh, që jo vetëm e di detyrën e vet, por di ta
mbërrijë qëllimin në një mënyrë të veçantë e të rrallë: pohon identifikimin me
këtë shtresë njerëzish të zhveshur nga ndjenja kombëtare e morale për të
shprehur më plotnisht e më gjithashëm shpirtin e tyre, për t’i vënë në pah
veset dhe tiparet e ulëta: lakminë, karrierizmin, poshtërsinë, tradhtinë,
korrupcionin, dyfytyrësinë, zbrazëtinë shpirtërore dhe morale. Njësimi formal
me këta njerëz synohet të bëhet sa më i plotë për arsye se në këtë mënyrë
shpalohej më bindshëm, nga një anë, thelbi i veprimit, i karakterit dhe i
shpirtit të korruptuar, ndërsa, nga ana tjetër, shprehej ironizimi,
kundërshtimi dhe urretja ndaj tyre, pra vihet në pah shpirti i botës së kësaj
shtrese, po njëkohësisht ajo qëllohet mu në palcë dhe zhveshet deri në
paturpësi. Poeti, pasi njësohet formalisht, rrëfen nga “taborri” i atyre
njerëzve.
Per mue Shqypnija
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme
As fis as vllá,
Fis kam mâ t’fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.
Çfarë
mund të ishte kjo qenie, ky njeri që mohon ose që s’ka as atme (atdhe) e as fe,
as fis e as vëlla; që fis ka të fortin e vlla bujarin, që atdhe ka barkun dhe
erz e nder arin? Të jetë shqiptar? Po si mund ta mbante veten për shqiptar ai
që s’ka as fis e as vëlla, që barkun e ka në vend të atdheut, Shqipërisë, dhe
paranë (lekun) e ka në vend të nderit dhe të erzit? Shqiptar i tillë Fishta as
nuk donte të ishte e as nuk mund të ishte.
Nëpërmjet
një strategjie të këtillë të shqiptimit, mesazhi i Fishtës fiton kështu peshë e
të drejtë më të madhe morale dhe etnike, edhe efekti i ndikimit të vargut të
tij bëhet shumëfish më i madh dhe më shkallëzues. Pra, nëpërmjet identifikimit
si pohim, poeti rrëfen dhe shqipton botën nga brendësia e saj, gjë që e bën rrëfimin
më të bindshëm, më të natyrshëm dhe më të drejtpërdrejtë. Me fjalë të tjera,
nga pozicioni i tillë Fishta flet me shumësinë e zërave të shtresës me të cilën
njësohet formalisht; luftohet e keqja jo me të keqen personale, por nga pozita
e së keqes së përgjithshme. Me gjuhën që “ther e pret” ai përqesh, ironizon;
shpreh protestën e vet të pamëdyshtë. Gjithë këtë e bën për hir të ndryshimit,
të zgjimit e të krijimit të vetëdijes kombëtare, edhe pse mesazhi i tij
shqiptohet nga pozita e kundërt, e përmbysur, që në artin letrar përdoret
shpesh.
Fishta
i jepte rëndësi të jashtëzakonshme kritikës për arsye se nëpërmjet saj prekte
sedrën e këtyre njerëzve, të cilët duhej e mund të bënin shumë për popullin dhe
atdheun. Kjo strategji nuk është e rastit dhe atë e kanë vënë në dukje edhe
studiues të ndryshëm, njohës të mëdhenj të veprës së Fishtës. Kështu, Lasgush
Poradeci theksonte se “Nuk duhet
harruar trumbat me gjëmba e satirave, Anzat e Parnasit, të mbushura me
një shfryerje mendimtare të tharbët, të tmerrshme, dhe të cilave Fishta - më
rrëfen At Pali - iu jepte për veten e tij më shumë rëndësi sesa Lahutës”,
ndërsa Ernest Koliqi shkruante më 1956: “Vishkullen e sarkazmit Fishta e
përdori me qortue shqiptarin dhe me nxitë të rrahi udhen e drejtë të qytetnís dhe
fisnikoi në vepër të vet prirjen e talljes që nganjiherë ndër neshtihet në punë
me vra zemra dhe me përtrí ngatrresa e dasina. Gjuha shqipe sikur asht e pasun
në skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhen gjallní, ashtu ka
mundsí të lakohet e të përkulet në shprehje dykuptimshe ku xhixhillon ironia e
ku fjala në mbrendinë e vet që duket e mitun përmban thumbin ma shporrues.”
Pra, në këtë satirë fishtiane del ajo që thotë Poradeci, duke folur për
Fishtën, “Krijuesi kombëtar i vetdijshëm
prej kombësije shqiptare të pavetdishme”, i cili nuk kursei asgjë për ta
bërë edhe atë të vetëdijshme, që është synimi kryesor i gjithë veprës së tij
poetike.
Për
të qenë edhe më i bindshëm në shqiptimin e tipareve të kësaj shtrese shoqërore
shqiptare, Fishta shkon dhe e plotëson imazhin e saj edhe me disa elemente të
tjerë: njerëzit e kësaj shtrese si të tillë në mbrëmje binin si grekë, ndërsa
në mëngjes zgjoheshin “Shkjá ose Zebjek”, ashtu siç e kërkonte navoja dhe
interesi vetjak; flitnin në gjuhë të huaja (herë gjermanisht, herë italisht,
herë sllavisht, herë greqisht e herë turqisht) pa çarë kokën për gjuhën e nënës
- shqipen; prandaj historinë, ngjarjet e mëdha dhe heronjtë kombëtarë i merrnin
për dokrra; lavdëronin qyqarët, mashtruesit, pakurrizorët, puthadorët, të
gjithë ata që nuk e kishin as unin e as mendimin e vet; edhe kryetrimin
kombëtar, që në vetëdijen shqiptare kishte marrë përmasën mitike, e kishin
harruar dhe e merrnin për hiçgjë. Pra, mohonin krejt atë që dikur e kishte
dalluar e cilësuar botën shqiptare dhe shpirtin shqiptar. Pas shndërrimit edhe
atij do t’i ndodhë e njëjta gjë.
Luftët e Kastriotit
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra t’hînit.
Sot per mue Leka
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca
e Jaho Begu.
Përmes
rrëfimit cilësor satirik, sarkazmës dhe groteskut, Fishta vë në dukje edhe
çështjen e emërtimit dhe të gjinisë së këtyre njerëzve. Atyre u pëlqenin emrat
nga të cilët nuk mund të dallohej përkatësia nacionale e as ajo gjinore:
mashkull ose femër. Për ta ishte me rëndësi të bëjnë jetë të mirë, të hareshme
e të qejfit dhe të jenë hyj midis njerëzve, të sundojnë mbi të tjerët pa i
kursyer ata për asgjë. Ndodhte kështu për arsye se
Kemi për t’kênun
Si hyj në tokë,
Kem’ per t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë
qoftë
edhe duke shkelur mbi eshtrat e të vdekurve bashkëkombas: Kemi me shkelun / Mbi rrashtë t’Shqyptarve…gjëqë shenjëzon
shkallëzimin sa të tragjikës e të pësimit, po aq të shqetësimit e të protestës.
Pikërisht këta njerëz që vepronin brenda kësaj logjike të
përmbysur (obstruktive) çmoheshin e shpalleshin (natyrisht të nxitur e të
kushtëzuar kurdoherë nga ata vetë) edhe personalitete me rëndësi kombëtare. Për
të ndodhur edhe më e keqja, të tillët viheshin në këngë dhe u ngriteshin murana
e mbishkrime të ndryshme, ashtu si në kushte normale të gjallimit kishte
ndodhur me njerëz të shquar të historisë sonë kombëtare, flijuar për atdhe, për
fis, për nder të familjes e për fé. Pra, koha, në të cilën mbretëron logjika e
tillë e përmbysur, kushtëzon edhe paradoske të tilla: këndimin e personit të
tillë, as shqiptar, as turk, as femër e as mashkull:
E
ka me u gjetun
Ndo’i
far Orfeut
Qi
lavdet t’ua
T’i
a kndoje dheut.
Ose në pllakën e rrasës së varrit të personit të tillë do
t’i shënohen edhe këto fjalë
“Ktû
njaj fatbardhi
Âsht
tue pushue
Per
Fé e per Atme
Qi
pat jetue.”
Është ky perceptim e shqiptim sa i
veçantë, aq edhe dramatik e tragjik, i jetës dhe i gjallimit shqiptar në fillim
të shekullit XX dhe një nga demaskimet më të plota dhe më thellësore që i ka
bërë një gjendjeje të tillë ndonjë krijues shqiptar deri në ditët tona.
Vijimësia e aktualitetit
Poezia Metamorphosis,
ndër krijimet më të fuqishme që ka dalë prej penës së Fishtës dhe të satirës
shqiptare të të gjitha kohëve, në qenësinë e vet ka ruajtur edhe sot e gjithë
ditën aktualitetin e saj. Rrjedha dhe ndodhitë e viteve të fundit në botën
shqiptare dëshmuan se elemente të asaj gjendje e të asaj mendësie, që Fishta me
aq mjeshtëri e ashpërsi i kishte vënë në thumb të kritikës në poezinë e tij dhe
i kishte demaskuar e ironizuar pa kursim, u përsëritën e po përsëriten në forma
të ndryshme. Fishta intelektual e poet i madh kishte kryer për gjeneratën e vet
(e jo vetëm për atë gjeneratë) detyrën e shenjtë që e theksonte Sartre: “Intelektuali
është i shtyrë të bëjë vetëdijesimin për vetveten dhe, rrjedhimisht, për të
gjithë”. Nevoja e këtij vetëdijesimi është e mbetet një detyrë qenësore edhe në
kontekstin e gjallimit të sotëm.