Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Dahri: Të mbështeturit tek natyra

| E diele, 05.09.2021, 10:23 AM |


TË MBËSHTETURIT TEK NATYRA, GJENDEN GJITHË ELEMENTET PËR PLOTËSIMIN E KËRKESAVE TONA

Pak ndjesi-aromë fshati

Nga Fahri Dahri

Nëse ndonjëherë ju bie rasti që të ndodheni në fillim të pranverës pranë ndonjë are ku bujku plugon arën, të jeni të sigurtë që do të ndjeni aromën e veçantë të dheut që lërohet. Do të ndjeni aromën e grurit kur fillon korrja, anagjore do të ndjeni aromën e fiqve kur janë në periudhën e pekjes, të qershive, dardhave, bostanoreve. Mos harroni të kujtoni ndjerjen e aromës të bagëtive në kohën e pjelljes, të qethjes së bagëtive, kujtoni emocionet pozitive që ju keni ndjerë kur qengjat, apo kecat lozin, vrapojnë dhe blegërijnë lëndinave në kohë pranverore.

Mos harroni gurgullimën e rrjedhjes së ujrave të përrenjëve dhe lumenjëve, sillni ndërmend freskinë e erërave buzëmbrëmjeve që vijnë nga kodrat a malet, pranoni kënaqësinë që sjell perëndimi i diellit, që ngadalë- ngadalë përpihet nga deti Adriatik dhe Jon.

Të gjitha këto ndodhi gjenden kudo, por ato bëhen të gjalla, të forta dhe të dëshirueshme, kur i ke jetuar dikur dhe për dekada je larg tyre. Ato nuk janë pranë teje, nuk i shikon, nuk i prek, nuk i ndjen; por ato dhe gjithë hapësira tokësore, ujore dhe ajrore ku ti i ke jetuar dikur jo që nuk harrohen, por në kujtimet e tua ato renditen në vend të parë. Pse? Sepse ti je produkt i tyre. Ke pirë ujin e lumenjëve, je larë, je ushqyer, je pjesë përbërëse e hapësire ku mpleksen përbërësit e jetës, ato nuk shqiten as pas ndërrimit të jetës. Ato trashëgohet, na shoqërojnë kudo.

A e dini pse mbeten të pashqitura? Sepse këdo kur pyet nga je me origjinë? Përgjia është e shpejtë, e menjëhershme duke treguar rajonin, vendin e të parëve, pavarësisht se unë, ti apo kushdo, ndodhet larg asaj hapësire, atij rajoni, vendi, shteti apo kontinenti.

Kjo është lidhja mes njeriut dhe tokës së prindërve dhe paraardhësve të tij, trashëgimi të lashta të strehuara me vijimësi zemrash, lidhje që nuk zgjidhen as nga kohërat!!.

Pse trajtova disa ndjenja që lidhen me fshatin:

- sepse këto ndjesi i takojnë mjedisit “bio” që ndodhet në katunde, ndërsa në mjediset e qyteteve, nuk ka ndjesi “bio”. Në qytete ndeshesh me ndjesinë e nënprodukteve të rrjedhura nga “biot” e katundeve, të cilat përfitohen nëpërmjet përpunimeve të ndryshme.

- sepse atje ka lindur kjo, e sotmja, qytetërimi, "civilizimi"!.

Mos nënvlerësoni", "mostrat"', "modelet", "shëmbëlltirat" e natyrës, ato duhen vrojtuar me kujdes dhe adabtuar sipas kohës dhe nivelit të zhvillimit të njerëzimit, ndryshe kalohet në fallsitete që shpejtojnë shpërbërjen.

Vini re: Përse janë vendosur halat tek peshqit?, Pse janë vendosur brinjët tek kafshët dhe njerëzit, po kockat tek shpendët?. Apo unazat kurrizore?. Sigurisht të gjithë e kanë të gjetur përgjigjen. Por vrojtimi i kujdesshëm dhe tepër i vëmëndshëm ndaj gjithçkaje që na rrethon, është i paplotë prej shumicës, përveç të "përzgjedhurve".

Le të ndalemi tek bujqit, apo fermerët të cilët gjatë mbjelljeve të pemëve, vreshtave, bostanoreve, etj. përdorin me kujdes distancat ndaj njëra-tjetrës dhe në një kohë mbas mbirjeve përdor rrallimin, sqetulloret, sipas rasteve edhe shartesat, etj. që ato të rriten të shëndetshme. Kujtohuni se bujku përdor edhe "taracat", si mbrojtëse për të mos rrëshqitur dherat, ashtu si natyra ka vendosur halat tek peshqit, apo brinjët e bagëtive, tonat, nese nuk do ishin halat dhe brinjët, sado të fortë të ishin muskujt, të gjithë trupat do të ishin si "pelte"- të qullta!.

Po në qytete? Në qytete mes njerëzve ka shum rremujë, kaos, nuk mbahen distanca, kjo domosdoshmëri për një shoqëri të shëndetshme. Është një nga rastet e vënies në veprim të mundësive, marrje shembulli që natyra nuk na i kursen.

Shpresohet që COVID-19 të na bëjë të vetëdijshëm, të ndryshohen sjelljet, të rrisim masat mbrojtëse ndaj vetes dhe shoqërisë në tërësi.

Shtimi i popullsisë rrit kontaktet mes njerëzve të ndryshëm, shtohen lëvizjet, marrëdhëniet mes tyre zgjerohen në hapësira të mëdha, dikur të kufizuara. Të gjithë këta faktorë kërkojnë, ose i bëjnë të detyrueshme ndryshimet e sjelljeve tona ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.  Le të "vrasin pak mendjen" specialistët, profesionistët e këtyre profileve, për të përputhur sjelljet, rregullat që i duhen njerëzimit, me stadin e sotëm hapësinor, sasior dhe cilësor të arritur. Le ti "vjedhim" natyrës  më të mirat që i ka dhe të vihen në shërbim të jetës. Kjo do të na ndihmojë të gjithëve drejt më të mirave, duke u larguar pak nga "politika", e cila ka dekada dhe shekuj që është kthyer në "opium", me ndikim negativ në shumë aspekte të jetës shoqërore.

Meqënë se nuk na ndahet politika dhe meqënë se përmendëm “opiumin”, të ndalemi tek ç’farë është politika: Nga Wikipedia lexojmë: “Politika është përgjigje ndaj problemeve të shoqërisë me anë të vendimeve të detyrueshme për gjithë shoqërinë, është marrëdhënie ndermjet njerëzve, grupeve a shoqërive lidhur me vendime a mosvendime të detyrueshme për gjithë shoqërinë ose ndërmjet shoqërive si dhe për zbatimin dhe ndryshimin e këtyre vendimeve”.

Nëse i marrim me radhë përgjigjet që duhet të japë politika, dallojmë se aktualisht “Politika “, të paktën tek, ne nuk jep asnjë përgjigje. Vërtet vendimet merren të detyrueshme, por ja që nuk zbatohen njelloj për të gjithë;  por as marrëdhëniet ndërmjet njerëzve nuk ka treguar se i pëlqen, përkundrazi, stimulon dhe mbron anëtarësimin e grupimit të saj partiak edhe kur vjedhin, manipulojnë, fallsifikojnë, terrorizojnë dhe shkatërrojnë. Nëse je i kësaj apo asaj partie, edhe kur del nga binarët e ligjeve, apo sjelljeve dhe rregullave të shoqërisë, je i mbrojtur nga grupi që aderon. Dhe Janë pikërisht këto “mbrojtje” të padrejta që kanë dëmtuar shoqërinë tonë për dekada të tëra në ekonomi, në drejtësi, në jetën sociale deri edhe vetë politikën, duke i çuar në atë derexhe sa që nuk mbetet njeri për të treguar sadopak respekt apo interes. Pikërisht këto sjellje të partive kanë çvlerësuar profesionin e politikës dhe rrjedhoja është e dukshme tek përkeqësimet e shumë natyrshme të shoqërisë tonë.

U ndalëm pak tek politika aktuale, sepse ajo na është "qepur" dhe nuk na ndahet edhe kur pihet kafe me miq dhe shokë.

Aftësia jonë, në raport me njohjen e ekzistencave në natyrë dhe vënien e tyre në favor të njerëzimit, nuk mund të themi se është e thjeshte. Dihet ajo është shumë e vështirë. Ato aftësi arrihen vetëm nga individë tepër të rrallë. Vetëm nga të përzgjedhurit, as nga pasanikët dhe as nga të varfërit.

Këto arrita të konstatoj dhe ti rendis si më të rëndësishmet për aktualitetin.

Tiranë, më 04/09/2021- Fahri Dahri.-