Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Domethënëse që asnjë nga grupet e afganëve që vijnë në Shqipëri nuk mban flamurin afgan

| E diele, 05.09.2021, 09:47 AM |


Domethënëse që asnjë nga grupet e afganëve që vijnë në Shqipëri nuk mban flamurin afgan

Nga Kastriot Myftaraj

Deri tani kanë ardhur disa grupe afganësh në Shqipëri, të gjithë në mënyrë të organizuar, por të bën të përshtypje se asnjë prej tyre nuk mban flamurin e Republikës Islamike të Afganistanit, shtetit që përmbysën talibanët, të cilët pas 15 gushtit vendosën në vend një regjim monarkik islamik, të quajtur emirat (principatë).

E pra, këta afganë të ikur nga vendi i tyre janë pikërisht elita sunduese e këtij shteti që u përmbys. A nuk duhej që ata t’ i tregonin botës përkushtimin e tyre ndaj shtetit të përmbysur? Ndaj asaj republike afgane për të cilën SHBA dhe vendet europiane të NATO-s shpenzuan mijëra miliardë dollarë dhe euro?

Simbolet kanë domethënien e tyre dhe qëndrimi ndaj tyre flet shumë. Këta afganë me mungesën e plotë të përkushtimit ndaj flamurit të shtetit të tyre tregojnë se për ta ai flamur ka qenë i huaj.

Si asnjë vend tjetër në botë, Afganistani ka ndryshuar nëntëmbëdhjetë flamurë gjatë shekullit XX. Këta kanë qenë eksperimente nën ndikimin e të huajve.

Në 1928 mbreti i Afganistanit Amanullah Khan bëri një udhëtim në Europë i shoqëruar nga njëra prej grave të tij. Një nga qëllimet e tij ishte që të gjente një model flamuri për shtetin e tij. Zgjedhja që bëri ishte fatkeqe: Trengjyrëshi horizontal i Republikës së Weimarit, një flamur i sajuar për Gjermaninë pasmonarkiste. Mbreti afgan ruajti shiritin e zi dhe atë të kuq, ndërsa të verdhin e zëvendësoi me të gjelbër. Në mes vendosi stemën e sajuar të shtetit me një xhami.

Simboli i ri nuk u prit mirë në Afganistan. Një vit më pas mbreti u detyrua që të arratiset nga vendi i tij duke marrë me vete flamurin e sajuar prej tij dhe iku në mërgim në Europë, ku vdiq në 1960.

Regjimi i vendosur në Afganistan nga amerikanët në 2001 e mori flamurin e vitit 1928 dhe e ndryshoi në atë që shiritat i bëri vertikale nga horizontale që kishin qenë, duke ruajtur në njëjtat ngjyra si dhe emblemën në mes të tij. Ky ishte flamuri i Republikës Islamike të Afganistanit nga viti 2002 e deri më sot.

Ky është pra edhe flamuri i afganëve të ikur që kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në Shqipëri. Shpërfillja e tyre e plotë ndaj këtij flamuri tregon më shumë se çdo gjë tjetër dështimin dhe kotësinë e investimit perëndimor për shtetndërtim në Afganistan gjatë njëzet viteve të fundit.

Një nga investimet perëndimore në Afganistan ishte që vendi të mbushej me flamurin tringjyrësh të shtetit  afgan. Afganistani i viteve 2002-2021 ishte me siguri vendi ku gjeje më shumë flamurë shtetërorë se në çdo vend tjetër të botës, por edhe vendi ku flamuri shpërfillej më shumë se kudo në botë. Ironia është se asnjë nga të ikurit nuk mori me vete një flamur afgan në bagazhet e tyre.

Në Shqipërinë e vitit 1991 ishte praktikisht e pamundur që të gjeje flamur shqiptar. Gjatë periudhës  komuniste në treg nuk gjendej flamuri kombëtar shtetëror shqiptar. Madje edhe publikisht ky flamur ishte shumë rrallë i ekspozuar në krahasim me flamurët në ngjyrë krejt të kuqe, simbole ideologjike komuniste. Flamuri kombëtar shtetëror nuk ishte i ekspozuar në selitë e institucioneve shtetërore. Edhe nëse arrije të gjeje një flamur kombëtar shtetëror shqiptar në 1991, ai ishte me yllin komunist.

Nuk ishte çudi pra që refugjatët shqiptarë që u dyndën në Europë në 1991 të mos ishin në gjendje të mbanin flamurin kombëtar shtetëror shqiptar.

Por në rastin e afganëve që vijnë sot është çudi që nuk mbajnë flamurin shtetëror të tyre.

Dhe këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se ndaj cilit flamur janë të përkushtuar këta njerëz? Talibanët kanë flamurin islamik me Shahadën, formulën e shpalljes së besimit te Allahu. Ky në fakt nuk është një simbol që dallon një bashkësi kombëtare, siç është flamuri i republikës afgane. Flamuri i talibanëve është një simbol fetar që nuk e dallon afganin nga arabi, nga turku apo nga çdo musliman në botë.

Afganët që kanë ardhur dhe po vijnë në Shqipëri dhe në SHBA e Europë duke shprehur mohimin e flamurit të tyre kombëtar tregojnë se ata kanë një mendësi të njëjtë si talibanët.