E premte, 19.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Mendime

Wim van Meurs: Plani gjashtëpikësh, 6 me 0 për Serbinë

E premte, 05.12.2008, 02:22 PM


Plani gjashtëpikësh, 6 me 0 për Serbinë

Nga Wim van Meurs

Të mërkurën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së njëzëri vendosi për një plan gjashtëpikësh për Kosovën. Ky vendim u festua si një kthesë në situatën e krijuar më parë, për shkak të refuzimit të Rusisë e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Por plani është e kundërta e një mandati të fortë për misionin evropian EULEX dhe një shenjë e dobësisë ndërkombëtare.

Beogradi kërcënohej, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, me një bojkot tregtar kundër Kosovës dhe me sanksione diplomatike kundër secilit vend që do ta njihte Kosovën. Bashkësia ndërkombëtare i druhej një përshkallëzimi të dhunës, i nxitur nga Beogradi, mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Strategjia serbe (me mbështetjen e Moskës) rezultoi shumë më e rafinuar -dhe shumë më e rrezikshme -si për Kosovën, ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Serbia vendosi për një kundërsulm diplomatik-juridik, që ngulmonte në integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror.

Brukseli ndërkaq thoshte me druajtje që Kosova është një rast i veçantë dhe jo një precedent. Disa shtete anëtare të BE-së, me pakicat e tyre, si Rumania dhe Spanja, dëshirojnë të përjashtojnë çdo rrezik dhe kështu nuk pranojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. 1 me 0 për Serbinë.

Në këtë mënyrë, BE tani është detyruar të bëjë një "spageti diplomatik": Edhe shtetet anëtare, që nuk e njohin Kosovën si shtet, e njohin megjithatë misionin EULEX, i cili do të marrë përsipër detyrat e misionit të OKB-së, pra UNMIK-ut, i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999. Holandezi Peter Feith dhe ekipi i tij EULEX duhet ta kryejnë këtë detyrë të vështirë me një dorë pas shpine, gjithnjë duke menduar në përkrahjen e gjithë 27 shteteve anëtare. 2 me 0 për Serbinë.

Puna aktive lobiste e Serbisë dhe Rusisë ka çuar deri aty sa vetëm një e katërta e të gjitha shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Por goditjen e vërtetë për vdekje të ambicieve të BE-së në Kosovë e paraqesin megjithatë rrjedhojat praktike të njohjes jo të plotë. Një kosovar, me pasaportën e tij të re, mund të udhëtojë për në Amsterdam, por nuk guxon të udhëtojë më tej për në Madrid, edhe pse kontrolli kufitar në zonën e Shengen-it është hequr. Ose: si mund të zhvillojë negociata Brukseli me një shtet, i cili nuk është i njohur nga gjithë 27 shtetet anëtare? Beogradi (por edhe Prishtina) mund t‘ia dalë mbanë me këtë status-paradoks shumë më mirë se sa një organizatë burokratike si BE. 3 me 0 për Serbinë.

Por edhe kjo nuk është mjaft. Në tetor, Beogradit dhe Moskës u eci fati për të marrë votat e shumicës në Mbledhjen e Përgjithshme të OKB-së për një peticion, që kërkon të shqyrtohet shpallja e pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës: 4:0 për Presidentin Tadiç. Pak gjasa ka që kjo gjykatë të anulojë shpalljen e pavarësisë, mirëpo është afërmendsh që gjatë kohës së shqyrtimit juridik, që kërkon shumë kohë, fare pak shtete do të vendosin për njohjen. E njëjta gjë vlen edhe për investitorët e huaj, për të cilët Kosova ka nevojë urgjentisht. Kjo politikë aktive e bllokadës nga ana e Beogradit do të jetë një barrë shtesë për kosovarët dhe, me siguri, edhe për pakicën serbe. Një situatë bizare: Në Beograd dihet që Serbia më kurrë në jetë nuk do të mund ta qeverisë e vetme Kosovën. Bashkësisë ndërkombëtare si "guvernatore" i ngarkohet problemi, por në të njëjtën kohë sabotohet realizimi i përgjegjësisë ndërkombëtare.

Kohabitacioni i një misioni të ri të BE-së nuk do të mund të fillonte me të vërtetë nga puna, sepse nuk ekziston një mandat i ri i OKB-së, kurse misioni i vjetër i OKB-së nuk mund të shuhet, sepse mandati i saj (Rezoluta 1244) për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit nuk mund të ndryshohet, ndaj kërcënon të kthehet në një gozhdë arkivoli për ambiciet e BE-së. UNMIK-u ka kohë që e ka humbur egon e tij për reforma dhe integrim. Ndarja e detyrave të UNMIK-ut mes "shtyllave" që barten nga OSBE, OKB dhe BE që prej fillimit kishte një veprim ngadalësues, edhe përkundër mandatit përkatës. Veç kësaj, BE-ja, e nisur me ëndrrën për një dorëzim të rregullt nga UNMIK-u te BE-ja, ka ndërtuar shtyllën e BE-së për zhvillim ekonomik. Një autogol për 5 me 0 për Serbinë.

Zgjidhja nga halli e Ban Ki Mun-it ishte një rikonfigurim

("reconfiguration"), përmes të cilit EULEX-i do të duhej të shndërrohej në një subndërmarrje. Rezultati i parashikueshëm i një misioni të organizuar në mënyrë burokratike, i cili do të vepronte në skeletin e zgavruar të misionit të OKB-së, bashkësinë ndërkombëtare e vinte gjithnjë e më tepër nën trysni, sa më shumë afrohej data e dorëzimit në dhjetor. Plani gjashtëpikësh, i miratuar tani, do të thotë që EULEX-i vepron mbi bazën e rezolutës 1244 dhe së këndejmi duhet të bëjë sikur Kosova nuk është e pavarur. Veç kësaj, përcaktohet një ndarje e tillë detyrash që UNMIK-u e mban përgjegjësinë për Kosovën Veriore me pakicën serbe, kurse EULEX-i mandatin për pjesën tjetër të Kosovës. Me këtë kemi 6 me 0 për Serbinë dhe bashkësia ndërkombëtare e realizon vetë skenarin, të cilin mbi të gjitha deshi ta pengonte - ndarjen e Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora