Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Genc Llakaj: Çështja çame, çështje e Tiranës dhe e Evropës!

| E shtune, 06.12.2008, 06:52 PM |


Çështja çame, çështje e Tiranës dhe e Evropës!

Nga Genc Llakaj

Zgjidhja e munguar e një problemi jetik për kombin tonë, siç është problemi i Çamërisë, duhet të gjejë realizim institucional vetëm mbi një praktikë këmbëngulëse e të vazhdueshme, qoftë nga ligjvënësi shqiptar, qoftë nga strukturat e diplomacisë shqiptare. Kjo zgjidhje nuk duhet të trajtohet më vetëm në planin teorik, s‘duhet të jetë thjesht një retorikë boshe, amatore, duke u bërë viktimë e hipokrizisë demagogjike të patriotizmit folkloristik, siç ka ndodhur deri tani.

Kështu që, në këto kushte, është i domosdoshëm jo vetëm një kurs i ri drejtimi, një pragmatizëm institucional i problemit, i munguar prej më tepër se 63 vjet. E një rëndësie të veçantë është edhe një ngjyrosje e tij me koloritin e të drejtave historike, legjitime, morale dhe së drejtës të vetëvendosjes së popujve edhe nga media shqiptare. Që të ndodhë një "çudi" e tillë, medoemos nevojitet një ndërgjegjësim gjithëtrupor, më së pari, i politikës shqiptare, qoftë kjo politikë e majtë a e djathtë. Kjo detyrë shtëpie për politikën shqiptare, vjen si detyrim moral, për faktin se, si dje, si sot, ishte dhe është qëndrimi indiferent i kësaj politike me gjenezë të njëjtë, që falë gabimeve historike të saj, ka bërë që popullata çame të endet në një rrugë pa krye.

Si dhe pse duhet ta mbajë këtë peshë gabimesh dhe detyrimesh moralo-kombëtare politika shqiptare e afro gjysmëshekullit të fundit?

Kujtoj: Ashtu si në periudhën e sistemit totalitar, kur dritëshkurtësia, izolimi dhe frika nga kapitalizmi ‘dhuruan‘ atë që çamëve nuk u duhej, nënshtetësinë shqiptare, duke ua privuar atë greke (që do të thotë gabim strategjik që në vijimësi, i cili u shoqërua edhe nga anestezia e problemit për afro 40 vjet), edhe sot, pasardhësit e tyre, vazhdojnë me konsekuencë të njëjtin ritëm mes dyshimeve të së njëjtës heshtje-zyrtare (edhe pse të favorizuar nga sistemi demokratik), si rrjedhojë sabotim, me dashje apo jo, të problemit çam, përmes aneksimit të tij nga problemi shqiptar në tërësi dhe, duke e konsideruar atë vetëm një çështje teknike mes palës greke e asaj shqiptare.

Mbishtresat, por edhe nënshtresat e politikës së sotme, përkatësisht, politika zyrtare dhe jo zyrtare, me praktikat e saj po shfaq hapur paaftësi, neglizhencë dhe jolargpamësi. Duke e parë atë si një problem të veçuar e të korracuar, pra duke e izoluar atë, pse jo, ndoshta qëllimisht. Kjo strategji, për mendimin tim, nuk është e rastësishme, nuk është vepër e harresës. Përkundrazi, kjo strategji, që ushqehet nga frika e presionit të Athinës zyrtare nga njëra anë dhe e biznesit-patriotik grek nga ana tjetër, është jo pak e dyshimtë.

Ku konsiston bashkëpunimi i heshtur midis amatorizmit politik shqiptar dhe djallëzisë profesionale të politikës greke në dëm të popullsisë çame?

Është i dukshëm ky bashkëpunim në hedhjen e themeleve monopolistike të përbashkëta. Politikanët shqiptarë bashkëpunojnë me ata grekë e më tej me elemente të qarqeve ultranacionaliste të shtetit kontradiktor. Ajo që të bën më shumë të dyshosh nuk është fakti që "tanët" bashkëmonopolojnë me gjithëfarë tipash të shtetit grek, por fakti se si i kanë ndarë përgjysmë këto marrëdhënie ekonomike. Të etur nga afshi i pangopësisë reciproke, "tanët" po shkëmbejnë, bashkë me interesat ekonomike, edhe ato kombëtare që, në rastin në fjalë lidhen drejtpërsëdrejti me interesat e popullsisë çame, ndërsa grekët e Kalit të Trojës, siç kanë bërë përgjatë historisë së tyre, edhe sot, nuk po komprometojnë aspak as interesat e pakicës minoritare në Shqipëri, por as ato të fantashkencës së Vorio-Epirit. Pra, ndryshimi, mes palës shqiptare dhe asaj greke qëndron, jo pak, por në cilësi.

Nga institucionet e Evropës problemi çam duhet konsideruar, jo më si një fenomen mëshire, por si një padrejtësi juridike e faktuar nga një tragjedi historike, si një e drejtë legjitime e, si rrjedhojë, një domosdoshmëri për stabilitetin në Ballkan. Problemi çam duhet me patjetër të ushqehet, së pari nga angazhimi cipëtrashë i politikës së Tiranës zyrtare. Vlerësuar si një nga rastet e rralla në botë, jo vetëm për faktin e tmerrshëm të gjenocidit fashist në dëm të kësaj popullate, por edhe për faktin e qenësisë aktuale të një ligji-lufte (26/36-1940) nga shteti fqinj (ligj ky që mban peng çështjen e pazgjidhur), mendoj se ky problem duhet të merret në analizë logjike e diskutim të drejtë institucional nga forumet demokratike të Evropës.

Këto forume, që ta lehtësojnë punën e tyre pa qejfmbetje të palës greke, kanë ku të bazohen. Mjaftojnë faktet që Greqia bën pjesë në konventat dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut, është anëtare me të drejta reciproke në Forumet Paqeruajtëse Botërore (siç është NATO) etj., etj., si rrjedhojë ka detyrim juridiko-institucional të respektojë rregullat e lojës së përbashkët. Pa harruar edhe ndërhyrjen legjitime të Prishtinës zyrtare, Tetovës, si dhe të gjitha lobeve politike shqiptare në Ballkan e më gjerë.

Kjo filozofi e qartë e të qenit faktorizues në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm na bën të fuqishëm si komb, por edhe bashkëpromotorë të aleatit tonë më të madh, SHBA, që përmes fjalës së Presidentit Bush, në Tiranë, më 10 qershor 2007, mëshoi haptazi rëndësinë e fuqizimit të faktorit shqiptar, në shërbim të stabilitetit përfundimtar të Ballkanit. Vetëm në këtë mënyrë, opinioni i politikës evropiane mund të ndezë motorët e lëvizjes institucionale për zgjidhjen e këtij problemi, sa të padrejtë për shqiptarët, po aq edhe legjitim, duke pasur si pikë të Arkimedit faktet historike dhe të drejtat juridike të popujve, në rastin konkret, të drejtat e një popullsie me kombësi shqiptare. Pra, edhe politika e Tiranës, bazuar në "armët" e përmendura më lart, duhet të marrë guximin e ta ftojë Athinën në ringun e një beteje të paqshme për zgjidhjen demokratike të të drejtave të bashkëkombësve të vet. Kështu që, nga ky "sulm katëranësh" politika greke duhet të ndërgjegjësohet për dhe mbi demokracinë që duhet të institucionalizojë edhe në shtetin amë, duke njohur dhe respektuar të drejtat e ish-qytetarëve të saj. Në të kundërt, presioni politiko-ekonomik ndaj tyre, si nga Komuniteti Evropian, ashtu edhe nga politika Tiranë-Prishtinë-Tetovë, do të jetë rruga e fundit dhe dara shkundëse për ndërgjegjësimin e Athinës.

Athina, për interesa të saj, e kupton fare mirë se nuk duhet të bëhet shënjestër as e presioneve politiko-ekonomike, por as e institucioneve,apo aleancave ushtarake, ashtu siç ndodhi me Beogradin kokëfortë në luftën e ‘99-ës në Kosovë.

G. Shqip