E premte, 29.03.2024, 09:01 AM (GMT)

Faleminderit

Sadik Bejko: Sherif Merdani - Askush nuk do të kthehet në vendin e fatkeqësisë

E merkure, 01.09.2021, 05:27 PM


SHERIF MERDANI - ASKUSH NUK DO TË KTHEHET NË VENDIN E FATKEQËSISË

Nga Sadik Bejko

Sherif Merdani u nda nga jeta më 29 gusht 2021. 81 vjeç. Ai ishte një nga zërat më të bukur të muzikës së lehtë në Shqipërinë e viteve ‘60-‘70 të shekullit që shkoi. Ai bëri 16 vjet burg se këndonte bukur këngët e muzikës së lehtë shqiptare dhe këngë të Al Banos, të Tom Xhons etj.

Për atë u bënë kallëzime nga njerëz të vënë prej Sigurimit. Ata e denonconin në fshehtësi për mendimet që Sherifi shprehte në bisedat me ta, mendime që i pëlqenin autorët e njohur botërorë të muzikës së lehtë. Që nuk i pëlqente muzika me curle e me daulle e fshatrave të Shipërisë, etj. Këto ishin “krimet” e Sherifit për të cilat më 1973 u dënua me 8 vjet burg.

Sherifi në ato vite të suksesit ishte i ri, i pashëm, bojë gruri në fytyrën me sy të mëdhenj në një blu plot shkëlqim. E donin vajzat. E donte jetën. Ishte i kënaqur nga që e kishin lejuar të këndonte, të dëgjohej në skena, në festivale, në Radio-televizion. Sherifi nuk kishte ndërmend të dilte kundër shtetit. Kundër rendit apo ligjeve të kohës.

Sherifi vërtet që as nuk e shkonte ndërmend një përplasje me shtetin, por shteti atij i ishte vënë pas me spiunë, me sekretarë partie, me mbledhje të fshehta gjer në mesnatë, mbledhje në Librazhd, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në Radiotelevizion, mbledhje me relacione vrasëse, sekrete, që shkonin deri në kupolën më të lartë të Partisë. Shteti po kërkonte kokën e artistëve dhe të shkrimtarëve, i kishte shpallur armiq dhe i kishte hedhur ata në thonjtë e zyrtarëve të pashpirt, në duart e partiakëve të mykur, të sigurimsave dhe të gjyqtarëve të cilët vërtet kujtonin se me këngë, me poezi, me drama mund të rrëzohej pushteti i tyre. Këtyre zyrtarëve u erdhi dita t’u vinin hakut artistëve, të cilët ishin aq hundëpërpjetë e të paespektueshëm me ta ngaqë i donte e çmendej për ta publiku.

Me Sherifin shteti i kohës kishte dhe një armiqësi të fshehtë, armiqësi që nuk buronte nga mospëlqimi i tij për këngët e barinjve dhe të bujqve, apo nga pëlqimi i tij për bitëllsat dhe grupet më të njojhura muzikore të viteve ‘70. Ku duket kjo? Te ajo që nuk u mjaftuan me dënimin me 8 vjet burg, shoqëruar me punë të rëndë nëntoke në Spaç që ia dhanë më 1973. Atje në burg atë e ridënuan edhe me 10 vjet të tjerë se nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit.

Cila ishte kjo arsye e fshehtë?

Sherif Merdani ishte me origjinë nga një familje e pasur korçare. Me këtë prejardhje familjare ai nuk mund të merrte arsim të lartë, ... por diçka ndryshoi.

Me ardhjen e Hrushovit në pushtet u hoq lufta e klasave për brezin e dytë dhe të tretë të familjeve “me biografi të keqe”. Fëmijtë me prejardhje pronarësh e tregtarësh do të lejoheshin të vazhdonin universitetin dhe më pas të punësoheshin në administratën e shtetit. Nga kjo zbutje e luftës së klasave përfituan fëmijët e familjeve korçare të Fundove, të Merdanëve, të Hysenbegasve etj.

Më pas shteti shqiptar do të pendohej për këtë lëshim politik. Disa nga këta bij të të pasurve të dikurshëm do të pushoheshin nga puna për shkak të origjinës së familjeve të tyre. Disa do të bëheshin shembull për keq e do të degdiseshin zi e më zi burgjeve, internimeve sa të mos ngrinin më kokë.

Në narativën e gjithë së majtës botërore përmendet F. G. Lorka si poeti i vrarë e i dhunuar nga fashizmi.

Nuk dua të vë shenjë barazimi me Lorkën, ai e pagoi për bindjet e tij të majta, por komunizmi shqiptar dënoi me eliminim të talentit artistik poetë, piktorë, shkrimtarë, këngëtarë. Stavri Rafael, Llukë Kaçaj, Sherif Merdani janë disa nga zërat e bukur të skenave shqiptare që u kalbën burgjeve, me një urrejtje ndaj tyre sa ata duhet të dënoheshin e ridënoheshin derisa të vdisnin edhe fizikisht, të mbeteshin burgjeve. Këta u dënuan me etiketa politike, por në fakt ishin thjesht artistë të papërshtatshëm me shijet e shtetit për artin. Vetëm kaq.

Në Shqipëri përmendet me shenjën e negativitetit maksimal togfjalëshat "terrori fashist", "fushatë fashiste", "fashizmi i zi" etj. Po nuk thuhet "komunizmi i zi" (Libri i zi i Komunizmit), "terrorizëm komunist", . .. Antikomunizmi u përdor në politikë nga klani i ish-komunistëve në pushtet kundër klanit tjetër po komunist, por në opozitë.

Nuk di sa shembuj të një politike të tillë mund të ketë në botë. Për dje dhe për sot. Këtu tek ne komunizmi (i zi) vazhdon të mbetet i bardhë. Dalëngadalë pinjollët e familjeve të mëdha komuniste erdhën në pushtet. I ke edhe sot. Disa nga ata që denoncuan Sherifin apo Lukë Kaçajn u dekoruan si Mjeshtra të mëdhenj, si Nder i Kombit.

Sherifi dhe shokët e tij duhet të kërkonin punë për të jetuar te pushtetarët e rinj, të cilët ishin bij të etërve që Sherifin e patën ndëshkuar. Bota e pasburgut pak kishte ndryshuar.

Burgu i gjatë, puna e detyruar, përndjekjeja e verbër, kjo situatë mosndëshkimi, bënë atë që tek disa prej artistëve si Sherifi u vra nervi për të urryer të keqen, për të protestuar kundër saj.

Sherifi nuk denoncoi asnjeri, nuk kërkoi drejtësi, nuk kërkoi që të evidenconte ato vlera që ai dhe një brez artistësh si ai, i ngritën në një lartësi që nuk kishin qenë më parë. Disa si Justina Aliaj etj, ikën jashtë vendit. Këta artistë të shquar që e pësuan, nuk bën koncerte retrospektive që të rikëndonin këngët e tyre dhe të autorëve botërorë të kohës së tyre, këngë për të cilat dhe u dënuan dhe e paguan keq. Ata duhet ta tregonin veten dhe duhet t’i afishonin vlerat që mbeten të tilla edhe sot. Vlera që, së paku, mbeten të pashlyera në vijën historike të artit muzikor shqiptar.

Por komunizmi dhe burgjet ata i vranë edhe pas burgut. Nuk u kthyen te vlerat e dikurshme, mbase se askush nuk do të kthehet në vendin, në kohën e fatkeqësisë. Nuk do të vihet në rrethanat, në shoqëritë ndër njerëzit ende mbartës të shenjave të fatkeqësisë.

E ftova, po nuk më erdhi në koncertin tim recital, tha Justina Aliaj.

Këta ishin autorë që i ikën, iu fshehën historisë. Mbase ata nuk besonin më tek ajo. Historia i kishte braktisur dikur dhe tani ajo nuk mund të ishte një zonjë te e cila mund të kesh besim dhe prej së cilës mund të shpaguhesh me drejtësi.

Shumë nga këta autorë e panë se ishin zbuar me fshesë nga skena dhe provuan të jetojnë të vetmuar, në fshehtësi, të zgjidhin halle të jetës së përditshme, t’u përulen gëzimeve të vogla jetike, të ulin kokat që mos t’i shohin kur jetojnë si të harruar e të mallkuar nga ajo jetë, nga jeta artistike së cilës dikur i besuan dhe i dhanë aq shumë talent, energji.

https://www.facebook.com/sadik.bejko.3



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kastriot Dervishi, zëri i fuqishëm i të vërtetave Nue Oroshi: Edhe një shkëmb i fortë i Arbërisë iu shkëput tokës së Dardanisë Prend Buzhala: Homazh për Kolë Berishën Lekë Mrijaj: Prof. Pal Canaj, një emër i spikatur në rrafshin intelektual Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë rapsodi i ditëve tona, Demir Krasniqi Dorian Koçi: 17 gushti shënon helmimin e martirit të kombit, Petro Nini Luarasit Fran Gjoka: Regjina Zefaj, një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte model, një profesioniste e rrallë Jahja Drançolli: Një humbje e pakthyeshme e madhështisë së vërtetë! Albert Vataj: Havzi Nela, martiri i fjalës së lirë Bajram Çeliku: 200 vjetori i lindjes të Komandant - Gjeneralit me kësulë të bardhë Emin Çeliku Kastriot Dervishi: Kosova të nderojë Dom Shtjefën Kurtin dhe jo adhuruesit e vrasësve të tij Ilir Çumani: Atdheu i mban ne? gji dinjitare?t stoik si ti...! Vilhelme Vrana Haxhiraj: Uran Kostreci, i fundmi autor i sonetit, u nda nga jeta Bedri Tahiri: Shotë Galica dhe hilet e jetës Idriz Zeqiraj: Përkujtesë për Teki Dervishin, mjeshtrin e letrave Gjekë Gjonaj: Malësia përherë do ta kujtojë mjekun e saj të përkushtuar Abedin Axhoviqin Pashk Alia: Fran Gjoka - Një figurë esenciale në mësuesi dhe gazetari Nue Oroshi: 75 vjet nga rënia heroike e komandantit legjendar Kapidan Mark Gjon Markut Fran Gjoka: Zojë Zefej, një emër i njohur dhe i nderuar i mjekësisë lezhjane Bedri Tahiri: Shukri Qorri (1972-1999)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora