E diele, 16.01.2022, 06:40 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Veprimet financiare i fshehin organizatat mafioze dhe terroriste

E marte, 31.08.2021, 05:33 PM


Veprimet financiare i fshehin organizatat mafioze dhe terroriste, jo shtetet kur japin e marrin ndihma humanitare

Nga Kastriot Myftaraj

Që prej 15 gushtit qeveria “Rama” ka thënë e ç’ nuk ka thënë për strehimin e afganëve në Shqipëri, por vetëm një gjë nuk ka thënë, atë se kush pikërisht e përballon koston financiare të pritjes së tyre. Dhe kur një qeveri e thotë këtë gjë, e bën duke treguar marrëveshjet dhe vendimet zyrtare përkatëse që për më tepër ka detyrim t’ i botojë në fletoren zyrtare.

Brigada “Endri Fuga” (e emërtuar nga vetë Edi Rama sipas emrit të drejtorit të tij të komunikimit) e luftës speciale në rrjetet shoqërore është mobilizuar për të sulmuar dhe fyer çdokënd që arsyeton si më sipër. Kjo brigadë këto ditë ka qenë aktive me komente edhe në faqen time me shabllone si: “Paratë për mbajtjen e afganëve na i jep Amerika.”, “Marrëveshjet e tilla nuk bëhen publike për arsye të caktuara.”“Pse ty do t’ i tregojnë këto marrëveshje.” etj.

E përbashkëta e të gjithë këtyre komentuesve është se pëlqejnë rregullisht postimet në rrjetet shoqërore në faqet e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Në të vërtetë nuk ka ndodhur kurrë në botë që shtetet të fshehin financimet për qëllime humanitare, aq më tepër kur ata angazhohen publikisht në një çështje humanitare, siç është rasti i ambasadores amerikane në Shqipëri që është e pranishme kur vjen cdo aeroplan me afganë për t’ iu uruar mirëserardhjen në emër të SHBA në… Shqipëri.

Përse duhej pra që SHBA të mbante sekret se po paguan shpenzimet e mbajtjes së afganëve në Shqipëri, nëse kjo gjë do të kishte qenë e vërtetë? Veprimet financiare i fshehin organizatat mafioze dhe terroriste, jo shtetet, aq më tepër në rastin e ndihmave humanitare.

SHBA ka një institucion shtetëror të posaçëm për dhënien e ndihmave të quajtur Ndihma Amerikane. (US-AID)

Aq më pak do të kishte arsye qeveria shqiptare për të fshehur financimin amerikan për mbajtjen e afganëve.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 501 të datës 25 gusht 2021 “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm dhe të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit dhe për krijimin e task forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare” të nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama është krijuar një task forcë qeveritare për zbatimin e këtij vendimi, ku bën pjesë edhe Ministri I Financave dhe Ekonomisë.

Në gërmën (d) të vendimit thuhet se kjo task forcë ndër të tjera ka këtë detyrë:

“analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale si dhe kordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim.”

Pra, sipas këtij vendimi që është botuar në fletoren zyrtare dhe që ka fuqi ligjore çdo ndihmë financiare e huaj për mbajtjen e afganëve kalon nëpër kanalin zyrtar qeveritar shqiptar. Dhe kështu duhet të jetë.

Që do të thotë se edhe ndihma financiare shtetërore amerikane që në raste të tilla jepet nëpërmjet USAID duhet të kanalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje ndërqeveritare.

Vendimi nuk bën dallim mes donatorëve shtetërorë dhe privatë, e gjithë ndihma duhet të kalojë në kanalin qeveritar shqiptar.

Pra qeveria shqiptare administron ndihmat financiare të huaja shtetërore dhe private që mund të vijnë për përballimin e kostos së mbajtjes së afganëve në Shqipëri.

Çdo qeveri në botë që merr një vendim si ky më lart e ndjen për detyrim që të bëjë transparencë, fjalë që në shqip do të thotë “tejqartësi” për shumën e mënyrën e përdorimit të ndihmës financiare ndërkombëtare që e ka marrë për qëllime humanitare.

Ndryshe do të mendohet se kjo qeveri i ka vjedhur këto ndihma financiare me qëllime humanitare.

Në rastin tonë Qeveria “Rama” nuk ka vjedhur ende asgjë nga ndihmat financiare ndërkombëtare për mbajtjen e afganëve sepse nuk ka marrë ende asgjë.

Nëse do të kishte marrë qoftë edhe një milion dollarë këtë gjë do ta kishim lexuar së paku si lajm nga Edi Rama në Facebook apo Twitter, bashkë me qortimet dhe sharjet ndaj atyre që kanë pasur dyshime për përballimin e kostos financiare të mbajtjes së afganëve.

Deri më tani koston e mbajtjes së afganëve po e përballojnë taksapaguesit shqiptarë. Dhe ky është turpi i përbashkët i SHBA dhe i Qeverisë “Rama” sepse amerikanët po përdorim një regjim klient të korruptuar për të vjedhur popullin e varfër shqiptar, për të strehuar në Shqipëri në kushte të privilegjuara grupimin e gjerë të ish-regjimit të korruptuar e të përmbysur afgan.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora