E enjte, 28.03.2024, 01:25 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Libër emblematik në poezinë shqipe

E diele, 29.08.2021, 05:32 PM


Libër emblematik në poezinë shqipe

REFLEKSIONI I DHIMBJES DHE DASHURISË THËNË  ME FORCEN E ZEMRËS, PREZANTON  MADHËSHTINË E  INDIVIDUALITETIT KRIJUES TË SEJDI BERISHËS

Sejdi Berisha: “Lotët e Posedionit”, poezi, botoi “Club Kultura”-Pejë, 2021

“ Kur vdesin njerëz, e di ku janë

Por nuk e di ku shkojnë”

(Sejdi Berisha)

Nga Tahir Bezhani

Kur lexuesi ka para vetes cilëndo vepër të poetit Sejdi Berisha, besoj se është i vetëdijshëm për figurën  madhore e emblematike të një krijuesi me përmasa gjithëkombëtare, i cili, deri me tani, letërsisë sonë ia ka dhuruar  mbi dyzet tituj librash, në të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë, publicistikë, dramë, eseistikë, kritikë letrare etj, ku penda e tij, përherë është pritur e adhuruar nga lexues shqipfolës kudo në hapësirën tonë gjeografike.Pos krijimtarisë, z.Sejdi Berisha, gjatë karrierës së tij të gjatë, ka qenë i përzgjedhuri i shumë krijuesve të rinj letrar si redaktor apo recensent librash, ku vetëdijshëm e ballëlartës, ka afirmuar penda të reja e cilësore kudo në hapësirat tona. Për çiltërsinë e tij redaktuese dhe recensat,kurrë nuk i kanë munguar falënderimet nga autorët të rinj.

Poeti Berisha, falë cilësisë së vargut, është i  përkthyer edhe në disa gjuhë si në greqisht ,anglisht etj. Komunikimi edhe në gjuhët tjera të botës, na bind akoma më tepër për vlerën e këtij poeti brilant.

Vepra më e re poetike e z. Sejdi Berisha,”Lotët e Poseidonit”,botuar para ca kohësh, ka gjetur shtrirje te masat e gjëra lexuesish kudo dhe se avancimet krijuese e cilësore në artin poetik të pendës së Berishës, na bëjnë krenarë që në mesin tonë kemi një poet me një potencial të pashtershëm krijues, anise në moshë të shtyrë, tani duket në pikën e zenitit krijues.Emërtimi i veprës poetike” Lotët e Posedionit” nga autori Berisha, bart një simbolikë domethënëse në brendinë e kuptimit, për faktin se Berisha, jo rastësisht rikthehet në mitin grek,pikërisht Posedionit,Zotit të detit,tredhëmbëshit, duke aluduar në një mbinjeri analogjik, që ka zotësinë e ndalimit të këqijave ndaj njerëzimit, e këtij populli. Këtë mund ta bëjë vetëm një Posedion i mitologjisë greke,sipas veprën e z. Sejdi Berisha. Një sinjifikativë e kohës....

Duke lexuar poezitë nga libri më i ri ,”Lotët e Poseidonit”,të z, Berisha, që në fillim, ndeshemi me “aortën e zemrës së rebeluar” ku rebelimi poetik përplaset valëve të lumit për të thënë  fjalët që fshehen thellë në pellgun e zemrës së njeriut poet ,ku dhimbja, dashuria, liria, harta gjeografike,  varret,lotët, bukuritë e natyrës,  burojnë nga madhështia e shpirtit te begatuar me plot fisnikëri njerëzore e krijuese. Shprushja nëpër kohë apo zierja në tema të tilla madhore, e bëjnë poetin pjesë të pandashme njerëzore, të dashur, të adhuruar dhe të kërkuar përherë, në secilën kohë....

Duke filluar që nga poema “Peja, dhembja dhe krenaria ime....”në faqen e parë të librit në fjalë,lexuesi has në një kronikan poetik, ku penda e tij hallakat çdo gjymtyrë të jetës së njeriut brenda këtij qytetit historik e krenarë, duke ia përshkruar (në vargje) të gjitha plagët, vuajtjet, varret, lotët,  qëndresën, përjetimet dhe tmerret që falë jeta, por edhe  krenarinë e vlera tjera të pasosura. Duke u ndier i magjepsur dhe emocionalisht i ndikuar nga vlerat e qytetit ku u rrit dhe u afirmua si njeri e krijues, duke ndier dashurinë ndaj Pejës së dashur, poeti Berisha, na shkruan vargje skajshmërisht të ndjeshme :

“Pejë/Nata në ty është e gjatë/e Dita shumë e shkurtër/Se ti nuk e duron gjumin e parehatshëm/Por nuk e duron as heshtjen/Kurrë nuk ke qenë memece....”

Poeti Berisha ka dëshmuar gjithmonë vetën e tij si pjesë e pandashme e momenteve të rënda kur qytetarët janë goditur nga ndonjë e pamirë e cilësdo natyre. Lëngata e stërzgjatur pandemie,  korona virusi 19,i cili mori shumë jetë në tërë botën, por  edhe në vendin tonë, duke sjellë një trishtim e frikë për jetën,duke u izoluar  dhunshëm gjithë njerëzit e botës,poeti i përjetimeve të thella,shkruan:

“Qetësohu të lutem e ta bëjmë lumturinë e re” shkruan: ” ...Por unë dhe Ti/Ta bëjmë lumturinë e re/Qetësohu të lutem/Se nuk ka as arkivole për të vdekur/As gurra për lotët e pashterur....”

Sa e thellë është ndjeshmëria e poetit Berisha, çfarë peshe bart brenda shpirtit njerëzor e njerëzores si tërësi,në këto vargje emblematike për kohën. Penda e poetit kurdoherë është  vërejtur e ngjyer në dhimbjen e njeriut, të popullit që i takon. Dhe, kjo është një nga vlerat fondamentale për një krijues bashkohorë  i cili synon të mbërrijë majat e lartësive në art. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë, thotë Tolstoi i madh. Si rrjedhim apo botëkuptimi kësaj fraze të cekur, nuk mund të ikim një karakteristike me elemente migjeniane që z. Berisha e ndjen dhe e thekson fuqishëm në poezitë e tij brenda këtij libri e jo vetëm. Duke u ndjerë i uritur me të uriturin, duke derdhë lotin për lotin e dhimbjes, vetëm sa bëhet madhështor e i ngjizur në shpirtin njerëzor,duke u ndier pjesë e secilës brengosje, por edhe secilit gëzim në raste gëzimesh. Zaten kjo është “barra” që poetët e mbajnë  në kurrizin e intelektit krijues. I tillë reflektohet poeti Berisha edhe tek poezia “Fytyra e saj i ngjante një qershize....”.Lexojmë:

” Janë këto vargje/Jo se i desha unë/Por m’u imponuan në këtë shekull mjeran/Një vajzë filiz/Me rroba zdralë/Edhe të leckosura/Përskaj qebaptores kaloi/Në xhame hante mish dhe qebapë /Që piqeshin në skarë/ Nuk ia ç’kapa shikimin/Se më dhëmbë diçka...”

Mendoj se filozofia dhe pesha poetike e vargut berishian, duke ndier e përjetuar aspekte migjeniane edhe në këtë fillim shekulli, merr dimensionin e një krijuesi të  përmasës elitare në shkallë vendi e jo vetëm.  Me  preferenca të tilla poetike, duke përfshi tërësinë e librit, me një përkushtim të thellë emocional, poeti është pjesë e pandashme e popullit të tij,  duke u thërrmuar thërrmimeve të përbashkëta, kudo e kurdoherë, si mishi me ashtin. Këtë mënyrë të përjetuarit të gjërave në hapësirën shoqërore, do e quaj si një a version psikologjik, i cili z. Berisha e përcjellë në gjithë krijimtarinë letrare, si në prozë e poezi.

Vetëm të kujtojmë romanin autobiografik, “Njeriu pa vendlindje”, nga i cili kuptojmë  gjithëpeshën e jetës së një njeriu,suptilitetin e tij shpirtëror, krijues e njerëzor...

VETMIA SI REFLEKSION POETIK E FIKLOZOFIK  NE POEZINË E SEJDI BERISHËS

-Ose si do të interpretohet nga lexuesi fenomeni i vetmisë apo i heshtjes në poezinë e Sejdi Berishës?....

Vetmia si konotacion në vargun poetik, te secili poet ka kuptimin e  veçantë. Mendoj se edhe tek poezia e poetit Sejdi Berisha, vetmia ka kuptimin shumëdimensional, ku brendësia shpirtërore e autorit shpesh gjendet në “ngushticën” e një intimiteti personal, shtrënguar në rrethana të rënduara të durimit apo mos durimit, për të shprehur apo heshtur ndaj një ngjarje apo fenomeni. Mendoj se edhe poeti Sejdi  Berisha,i gjendur shpesh në rrethana të këtyre “ngushticave” të jetës, mik i bëhet vetmia, me të cilën dialogon:

” nëse dikush troket/Me sytë e kujtimeve/ Mos e hap derën/ Derisa pritja të bëhet qelës....”

Pra,vërejmë një situatë të dukshme psikologjike e imagjinatave të poetit kur durimi dëshiron hapësirë veprimi, e do kohën....(Poezia “Mos e hap atë derë....”).

Jo gjithmonë, poeti nuk gjendet i vetmuar në heshtje e pa derdalje . Berisha nuk është poet që i “shërben” pesimizmit, por ka një tharm brenda si revoltë që thërret lirinë, dashurinë, mirësinë në shërbim të njerëzores. Këtë e kuptojmë më së miri tek poezia ”Nganjëherë...(ose unë e vetëmia)”,ku lexojmë:

”Muzgu ma zë frymën/Si fjala që nuk kapërdihet/E nata fle mbi mua/Me atë dihatjen e tokës ”, pastaj; ” Në ag/lind diçka si shpresë/por që e thërret vetminë /Si i robëruari i lirisë.

I tër opusi  poetik i z. Sejdi Berisha,  shprehur në disa vepra, fjala vetmi fërkohet kudo si sintagmë domethënëse për rastet dhe momentet  gjithëpërfshirëse, e posaçërisht  therë anemiken shoqërore-politike, nga e cila mbarten fajet kryesore deri tek klasa e ulët e shtresës njerëzore, ku poeti Berisha përherë është pjesë e pandashme e saj. Kjo trajtesë(vetmia) nuk është vetëm tek libri “ Lotët e Posedionit”,kur e dimë se poeti ka një libër  me titull” Kaq shumë vetmi” ,botuar ne vitin 2007. Aty e lexojmë Berishen  akoma më të përfshirë në situata  vetmie e dhimbje të paparë,si arsye e  daljes nga një luftë e përgjakshme, nga një rrugëtim nga skëterra deri te liria.

Në poezinë “Vetëm e pa shokë” nga libri “Kaq shumë vetmi” padyshim se vërehet dhimbja për njerëzit që kanë humbur jetë, andaj i  përdëllesur ç’ fryhet në vargje:” Ecën,ecën..../Unë vetëm e pa shokë/Sa lumturi /Kam shumë miq/Një ordi”. Ka momente kur poetit i vjen frymëzimi si ngërç,atëherë plas vargu plot  dhimbje në vetmi.  Në poezinë “Nuk e di pse kështu,”(“Kaq shumë vemi”), takojmë frekuencën e tensionit të lartë kur poeti shtrydhë lëngun e shpirtit me tërë fuqinë e mendjes. Lexojmë këtë mrekulli:” Ka kohë/Që nuk kam shkruar/ Asnjë  fjalë/Posa mbështes në letër/Më digjet mendimi/Flakë bëhet letra/ Atëherë udhëtimi çmendet”

Janë këto vargje emblematike të kësaj natyre në poezinë e poetit Sejdi Berisha, të cilat për lexuesin e mirëfilltë janë perla poetike.Si për kujtesë, dua të ceki se pejsazhi-natyra, bukuritë  e vendit,  bjeshkët, lumenjtë, arat e të bukës, livadhet, reliefët malore etj. Këto përmbajnë ciklin e posaçëm të artit berishian, i cili si një rilindas i mrekulluar, krijon dashuri për atdheun, në vend të ikjes..

Poezia e z. Sejdi Berisha, mbetet  një rrugëtim i hapur studimi për gjeneratat e reja, nga lexues të devotshëm të artit poetik, të cilët mund të gjejnë kurdoherë atë vargun emblematik për të cilin mund të thuhen e të shkruhen edhe libra. Tek e fundit, kënaqësia e leximit të vargut berishian, mbetet gjithmonë kënaqësi në shpirte e zemër, kujtesë e artit poetik.

Gjakovë, gusht, 2021



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora