Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Një kasaphane e vertetë njerzish

| E diele, 29.08.2021, 12:53 PM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XXXV.)

B.B. (Burgu Burrel)

Një kasaphane e vertetë njerzish...

Per çdo njeri që komunistët mendonin se nuk duhet të dalin ma nga burgjet e mnershme të diktaturës së Everit, ishte një nga qendrat e zhdukjes së tyne që thirrej Burgu Burrel...(B.B.)

Ata që e provuen edhe vetem një ditë.., mund të flasin një vit!

Ndersa rinia Shqiptare që vuejti me vite aty, mund të tregojnë një jetë në thertoren e një Bote të papersëritëshme kurrma!

Nuk ishin të paktë as Profesorat e pranguem, dhe as breznitë e tana që provuen dhunen ma barbare të komunizmit vrastar...

Klerikët e të gjitha besimeve ishin dijetarë të provuem në jetë.

Një prej Tyne ishte edhe Hafiz Ali Tari (Kraja) nga Shkodra.

Kujtimet e rinisë shkodrane dhe asaj Shqiptare per Hafizin, ishin ma të perkryemet tue fillue nga fjala e Tij në pak vite të shkueme, me rasen e vorrimit t’ At Gjergjit Madh në fundin e vitit 1940 në qytetin e Shkodres. E rinia nuk kishte si mos me e kujtue nderimin e Hafizit per At Fishten e pavdekshem!

Hafizi nderohej dhe respektohej edhe per mardhanjet e mira që kishte me besimtarët e të gjitha Besimeve tjera në Shqipni.

Në burgun e Burrelit Hafizi kishte krijue rrethin e vet me atë brez rinije që edhe Ata, i nderonin dhe respektonin Klerikët e Besimeve të tjera, ashtusi i mësonte vazhdimisht “Mësuesi”...

Vlera e madhe e atyne mësimeve të mrekullueshme vazhdon edhe sot me kenë e panjoftun per Shqiptarët. Pa hy në mësime Shpirtnore, unë do të ndalohem tek “mësimet e dashunisë së rinisë sonë me parimet e Vllaznimit dhe të qendresës së Saj”.

“Jemi të gjithë Vllazen të të gjitha Besimeve pa asnjë dallim. Të gjithë jemi Shqiptarë dhe pasues të Heroit tonë kombtar, të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Të gjithë së bashku këtu, kemi vetem një Atdhe, Atdheu i ynë asht Shqipnia! Prandej, duhet të qendrojmë si Burrat, që neser me i sherbye Këtij Atdheu! Shpresa e Atdheut jeni vetem Ju Rinia Shqiptare, me parimet e shndoshta Europjane të moralit dhe të Fesë!

Ju flas me fjalët e daluna prej zemres sime!”...

Dhe në mbyllje Hafizi Ju thonte: “Kjo nuk asht vetem porosia e ime... Kjo asht porosia e të gjithve ne që presin nga Ju! Mbasi, kështu si po tham unë, ashtu ka thanë edhe Pader Mëshkalla!”

***

Gurë granitit kishte kultura Atdhetare e Fetare Shqiptare.

Të pathyeshem po, por edhe të vendosun deri në fundin e jetës së Tyne të pafund nder burgje dhe, pa asnjë shpresë Lirije!

Morali i Tyne edhe sot shndritë mu në mes vuejtjes, torturës dhe errsinës barbare e shnjerzore si një rreze drite brilanti, që nuk e shuejnë as e dobsojnë rrezatimin e Tyne, asnjë nga ato vepra të dhunëshme që ka ushtrue ndaj Asaj Rinije heroike, perbindshi ma i mnershem i marksizem leninizmit si dhe ai shkelës i pashpirt i të gjitha të drejtave të Njeriut, ndaj të gjithë Shqiptarve.., mos i harroni kurr ata qinda e mija të vramë, të zhdukun e të vujtun nder hetuesi, burgje e kampe pune e interrnimi, me dhjetra vite vetem krime nga tirani e krimineli, vrastar e barbar i pashpirtë: Tradhtari Ever Hoxha.

***

Shqiptarë të Nderuem e t’ vuejtun nga diktatura shnjerzore!

Qendroni të pathyeshem ashtusi patne qendrue “Gurt’ e Parë”!

Kurr mos e harroni porosinë e të nderuemit Hafiz Ali Tarit që:

“Kështu asht... Se, kështu, ka thanë edhe Pader Meshkalla!”

Melbourne, 28 Gusht 2021.