Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Benjamini kishte të drejtë

| E premte, 27.08.2021, 08:09 PM |


Benjamini kishte të drejtë

Nga Blerim Latifi

Njerëzit që shajnë, ofendojnë, kërcënojnë e bëjnë thirrje linçuese kanë ekzistuar gjithmonë. Qysh se njerëzimi ka filluar t’i shkruaj analet e tij. Në kohë të ndryshme mendimtarët janë munduar të bëjnë definimin e tyre. Dikush i ka quajtur “barbarë”, dikush “primitivë”, dikush “të pakulturuar e të paedukuar”. Dikush ka shkuar edhe më larg dhe i ka quajtur “llum social”.

Të tjerë janë munduar edhe t’i japin zgjidhje problemit të gjuhës dhe mllefit të këtij “llumi social”.

Platoni mendonte se zgjidhja ishte që këtij llumi t’i mbylleshin të gjitha rrugët e depërtimit në nivelet e vendimmarrjes politike.

Iluministët modernë mendonin se me arsimimin racional të të gjithë shoqërisë, edhe problemi i “llumit social” do të zgjidhej vetvetiu.

Të dy zgjidhjet kanë dështuar.

Zgjidhja platonike ka dështuar sepse gjithmonë gjenden demagogë të cilët e mobilizojnë “llumin social” për qëllimet e tyre të marrjes së pushtetit.

Edhe zgjidhja iluministe ka dështuar, sepse edukimi racional i qytetarëve kurrë nuk mund të jetë i plotë, shto kësaj faktin se edhe të edukuarit shpesh bëjnë aleanca me “llumin social” për qëllime të ndryshme, kryesisht politike.

Iluministët gabonin kur e barazonin edukimin racional me edukimin moral. Shpesh, për nga shkalla e mizorisë, krimet e të diturve ua kanë kaluar krimeve të të paditurve.

Sot problemi i “llumit social” është bërë edhe më i madh, sepse demagogët e të gjitha ngjyrave nuk kanë nevojë të bredhin skutave të qyteteve e fshatrave për ta gjetur atë. Mjafton ta kenë një telefon ose kompjuter afër vetës për t’ia ndezur atij zemrat e mllefosura e të etura për hakmarrje.

Filozofi gjermano-hebraik Walter Benjamin thoshte se të gjitha dokumentet e qytetërimit janë njëkohësisht edhe dokumente të barbarisë. Interneti është dëshmia ma e re që na tregon se Benjamin kishte të drejtë, sepse, interneti, kjo shpikje gjeniale e civilizimit, sot po shërben si platforma kryesore e përhapjes së gjuhës së barbarisë.

__________

Ata që deri me 14 shkurt e çonin në qiell Albin Kurtin “e gjithdijshëm” dhe tani kanë filluar të hedhin vrer mbi të, ta dini se nuk janë të atillë që u dhemb zemra për këtë vend, duke parë gabimet e qeverisjes së tij. Jo, ata janë soji i njerëzve që kanë pritur të shpërblehen me poste nga Kurti për elozhet që i kanë thurur atij ndër vite, dhe kur e kanë parë se Kurti i ka harruar në ditën e shpërndarjes së posteve, i janë kthyer me kritika e akuza, të cilat nuk i pushojnë as ditën as natën.

E kam parë me sytë e mi sojin e këtyre njerëzve gjatë viteve 2007 e 2008. Llojlloj servilësh i shkonin pas Hashim Thaçit, shkruanin e shpërndanin elozhe gjithandej për të, pastaj kur Thaçi nuk ua mbushi gushën me poste e privilegje, ndërruan menjëherë fytyrën dhe filluan ta shanin poshtë e lart, ditën dhe natën.

Në këtë vend, kryesisht, njerëzit e kritikojnë pushtetin jo për atë se çfarë bën ai, por për faktin se nuk janë edhe ata pjesë e tij.

Parimet morale dhe interesi i përgjithshëm i shtetit janë gjërat e fundit për ta cilat njerëzit e lodhin mendjen e në këtë vend.

Prandaj edhe i kemi punët kështu siç i kemi, për faqe të zezë.

__________

Deklarata e Edi Ramës se në familjen e tij të ngushtë ekzistojnë tri fe të ndryshme, më kujtoi një dëshmi që e sjell Noel Malcolm në librin e tij të fundit "Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit": "Në vitin 1637 një misionar françeskan shkoi në Kosovë. Në një shtëpi, në një fshat jashtë Gjakovës, ai dhe shoqëruesi i tij u pritën me fjalët: "Ejanj etër në shtëpinë tonë, ne kemi katolicizëm, islam dhe ortodoksi". I tronditur, Fra Cherubino-ja, u raportoi eprorëve të tij: "Dukej se ata lavdëroheshin me këtë larmi fesh, sikur të ishin më të mençur se njerëzit e tjerë të kësaj bote". Në fakt përgjegjja që duhej dhënë Cherubinos është: Po, janë më të mençurit, sepse është mençuri e madhe kur dallimet fetare nuk i konsideron si arsye për t'u futur në sherre dhe konflikte.Noli e thotë shumë qartë: problemi i shqiptarëve me fenë nuk qëndron në faktin se ata kanë disa fe.Problemi shqiptar me fenë shfaqet atëherë kur klerikët shqiptarë lejojnë të bëhen vegla qorre të klerikëve të huaj. Ajo që po ndodhë sot ndër ne e vërteton plotësisht diagnozën e Nolit.

__________

CNN e paska cituar një zëdhënës të talebanëve, i cili u paska bërë thirrje grave afgane të qëndrojnë të fshehura në shtëpi, ngase ushtarët e tyre "nuk janë të trajnuar për t'i respektuar gratë". Kjo deklaratë na e qartëson edhe njëherë faktin se fjala është për një grup njerëzish të armatosur që standartet e barbarizmit i kanë të njëjta me ato të hordhive të Attilës e Alarikut, të cilat në kohën e rënies së Perandorisë Romake i sulmonin qytetet e saj dhe vrisnin e dhunonin secilën qenie njerëzore që u dilte përpara. Dhe për koincidencë, njësoj si talebanët që e përdorin emrin e Zotit për t'i arsyetuar barbaritë e tyre, edhe Attila e quante veten "Kamzhiku i Zotit".