E enjte, 25.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Anrila Spahia: Letërsi-Juridik-Gjermanistikë, trekëndëshi i rrugëtimit tim

E premte, 05.12.2008, 01:44 PM


Anrila Spahia: Në kohët e sotme komunikimi mes kulturave është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe i domosdoshëm
 
Letërsi-Juridik-Gjermanistikë, trekëndëshi i rrugëtimit tim

 

Nga Albert Zholi
 
Emri i saj letrar është Anna Kove. Ndërkohë që ndër formularë e letra idenditeti quhet Anrila Spahia. Është një nga përkthyeset më cilësore femra për gjermanishten ndërkohë që lakohet dhe si një ndër krijueset femra më premtuese. Libri i saj më i fundit quhet “Shën Valentin ku ishe” dhe është një prozë bashkëkohore e shkruar me një frymë me gjuhë lakonike...
 
Një identitet i ndarë në dysh. Ju thërrasin Ana, ndërkohë që emri juaj është ndryshe. A ka ndonjë efekt psikologjik tek ju ky fakt?


Mendoj se edhe pse nuk e zgjedhim vetë, emri është identiteti ynë. Nuk do më pëlqente të thosha që identiteti im është i ndarë më dysh. Është si një gjethe “gingko biloba”; një trupth që i mban dy fletë. Pak a shumë, me një apo dy emra, ne të gjithë jemi paksa dualë. Ata që jemi dhe ata që s’duam të jemi. Ajo që duket nga ne dhe ajo që nuk duket ose që ne vetë e fshehim me kujdes. Anna është emri im i pagëzimit, i cili nuk m’u regjistrua në gjendjen civile nga marrëdhëniet e shtetit me fenë në kohën kur linda unë. Anrila është emri im i regjistrave dhe certifikatave. Në jetën e përditshme dhe në ato pak gjëra që shkruaj dua të jem Anna, dua të jem vetvetja dhe deri në fund e sinqertë. Anrila, paksa më larg dhe e distancuar, jam në zyrë, me instancat, ku jo gjithmonë të krijohet komoditeti të jesh vetvetja dhe ndonjëherë thua dhe gjëra që s’i mendon ashtu, ose nuk i thua dot gjërat që mendon.
E sheh, as vetë s’e kisha menduar se do t’i jepja një interpretim të tillë këtij fakti. Bashkëjetoja me të, duke shkruar Anna Kove dhe përkthyer Anrila Spahija, por nuk e dija që këto të dyja paskan probleme me njëra tjetrën!!!
Sidoqoftë, janë të dy të veçantë: njëri botërisht i përdorur dhe frymëzues dhe tjetri shumë i rrallë. Të dy më rrinë mirë, si pjesë e tipikes dhe individuales që ngërthen çdo njeri në personalitetin e tij.

Jeni një grua që keni eksperimentuar shumë si në profesion dhe në zhanret artistike që keni përcjellë tek lexuesi. Janë ndryshime për mbijetesë apo burojnë nga vetë natyra juaj?


-Kam përshtypjen se e dyta. Gjithmonë pyes “Çfarë ka pas atij muri?” dhe ka ndodhur të dal “e humbur”. Nga dëshira për ndryshim gjendjesh kam përfunduar nga pedagoge në mësuese fshati, ose nga punonjëse në ambasadën e një shteti të huaj në redaktore të thjeshtë në Kuvend. Por edhe kam fituar realitete jetësore që nuk vegjetojnë. Pra, kam fituar mundësinë të jetoj dhe kjo nuk është pak. Ndonjëherë edhe për mbijetesë. Ja, këtë punë që bëj tani kurrë nuk do ta kisha zgjedhur Ndërsa në zhanret artistike them se të gjithë eksperimentojmë, duam të eksperimentojmë. Deri në kufirin që ne vetë e caktojmë.
 
Punoni në një sektor ku rëndësi të madhe i kushtohet etikës parlamentare, ndërkohë që Parlamenti nga një auditor debatesh dhe ligjesh kthehet shpesh në zënka rrugësh. Sa fyhet profesioni që bëni në këto raste?


-Them se nga kjo fyet çdo shqiptar që ka respekt për institucionet dhe për veten. Natyrisht që kush merret me artin e fjalës fyhet edhe më shumë. Detyra ime në sektorin ku punoj nuk është ajo e krijueses apo ideueses, ndaj, sipas përshkrimit të punës, nuk kemi detyrë dhe as mundësi të ndikojmë në formatet gjuhësore të politikës, përkundrazi vetëm i riprodhojmë ato për efekte dokumentare-historike. Puna është se krijuesja brenda meje vuan. Vuan, sepse në mënyrë të pavetëdijshme sikur të mpaken energjitë dhe frymëzimi që kërkon sublimiteti i aktit të krijimit. Po punoj për temën “Retorika në politikën shqiptare”, thellim i temës sime studimore për “Master” dhe duke e parë edhe në plan krahasimor, agresiviteti i gjuhës politike nuk është vetëm fenomen shqiptar. Puna është se ne shqiptarët jemi më të ndikueshëm dhe jo aq indiferentë sa evropianët e tjerë.
 
Jeta juaj zhvillohet shpesh në një trekëndësh. A mund të përmendim disa trekëndësha të rëndësishëm që sjellin ekuilibrin në jetën tuaj personale dhe profesionale.


-E kam thënë diku se “Bermuda” ime është trekëndëshi Pogradec-Vlorë-Shkodër; barabrinjësin Beni-Kevin-Bojana; Tre diplomat e mia universitare që nuk kanë pasur kurrë mundësinë e barabrinjësisë:Letërsi-Juridik-Gjermanistikë: Kafe “Kimbo”, ku nis dita ime-godina e Kuvendit, ku kaloj 8 orët e ditës-Instituti Goethe, puna ime e dytë; 3 vendet e pushimeve ëndërr: Saint Tropez-Santorini-San Peterburg, nevojë për shenjtorë pranë. Kush s’e mendon “mëkatin” me pushime!!! Tre miket e jetës sime: Johana-Dori-Eva, me të cilat komunikoj edhe në heshtje. Miqtë nuk i bëj dot trekëndësh, do të duhej të shpikja ndonjë figurë gjeometrike!!!ha..ha..ha..

Çfarë jeni duke shkruar gjatë kësaj kohe?


Po them se e përditshmja kërkon jo vetëm të ushqehesh me emocione, por të ushqehesh vërtet. Letërsia dhe përkthimi nuk janë profesione që të mund të të ushqejnë. Ndaj, kohën time më të madhe të krijimit ia kam kushtuar teksteve shkollore. Jam autore e gjuhës në letërsinë artistike së bashku me Profesor Gjovalin Shkurtajn, te Letërsia 4 dhe redaktore shkencore e disa teksteve shkollore. Po punoj për një tekst tjetër me një grup autorësh, që do të paraqitet në konkurrim këtë vit në Ministrinë e Arsimit. Kohë pas kohe u rikthehem disa poezive që kam shkruar para disa vitesh dhe herë shtoj e herë heq ndonjë varg. Besoj se do t’i botoj këtë vit.
Po përkthej një shkrimtar hebre që ka shkruar në gjermanisht, Paul Celan, i cili nuk është i njohur për lexuesin shqiptar. Kam botuar disa cikle me poezi të tij dhe janë pëlqyer, ndaj edhe vendosa të përkthej një vëllim të plotë të tij.
 
Duke qenë se jeni familjare si ia dilni të bëni dhe nënën, dhe përkthyesen, dhe zyrtaren, por dhe të krijoni?


-Nuk është aq e lehtë të jesh nënë e mirë për dy fëmijë adoleshentë. Kam marrëdhënie shumë të mira me fëmijët, por me shumë përpjekje dhe mund. Shpesh u lejoj gjëra kundër mendimeve të mia. Nuk ka rrugë tjetër. Ne bëjmë shpesh kompromise me të tjerët, jo më me fëmijët tanë. Ndaj, nuk e gjykoj veten keq. Shpresoj të më kuptojnë një ditë, kur detyrohem të jem edhe ndëshkuese.
Pretendimi im për Anën krijuese dhe përkthyese është maksimal. Nuk bëj dot gjëra sa për ta mbajtur emrin në lojë. Bëj vetëm gjëra që më pëlqejnë edhe pse kjo ka riskun e të mosqenit shpesh në lakoret e shtypit. I lë gjërat që bëj të flenë gjatë dhe ka boll të tilla në kompjuterin tim që presin të zgjohen. Në se do të zgjohen. Edhe pritja është e bukur. ..


Për të bërë zyrtaren? I takoj një brezi që investimet në arsimimin universitar pasuniversitar dhe njohjen e gjuhëve të huaja na kanë kushtuar shumë mund, pasi u diplomuam në një regjim që nuk na lejonte të ishim të konkurrueshëm. Përvojat profesionale dhe investimet e mia e tejkalojnë nivelin punës, ndaj nuk e kam fare të vështirë të bëj atë që përmbledh përshkrimi i punës sipas statusit që kam. Përkundrazi, e vështirë është, besoj jo vetëm për mua, të mos jesh në vendin që të takon, të shohësh indiferencë ndaj energjive, mundësive dhe investimeve që bëhen dhe të mos flasësh dot. Kjo po, krijon efekte psikologjike. Por, di të jem optimiste, sepse shoh se gjërat në këtë vend kanë filluar të lëvizin. Dhe patjetër do të lëvizin, Kush tha se shpresa vdes e fundit? Dëshira, ajo vdes e fundit.
 
Frymëzimi Anën për të shkruar


Jam unë që frymëzoj veten. Nuk janë temat e mëdha. Nuk mund të shkruaj dot për gjëra që nuk i kalojnë filtrit të përjetimeve të mia. Njëherë shkrova një poezi për Ëeimarin-qytetin e Goethes, Schiler-it, Bach-ut, Anna Amalias, një qytet më histori, poezi, muzikë pa dashuri. E unë nuk thashë dot asgjë që t’i ngjasonte. Nuk doli asgjë e bukur. “Kështu nuk duhet të shkruaj kurrë”, i thashë vetes. Për të shkruar, duke e nxjerrë tharmin vetëm nga jeta jote, duhet ta jetosh cilësisht atë. E ke vënë re që nuk po shkruaj? Nuk do jem kurrë në këtë moshë që kam e ndërkohë mosha e shkrimit më ka venë në shënjestër. Tmerr!
 
Përkthimi nga gjermanishtja dhe stili i të shkruarit


Ndikimi është i pashmangshëm. Çdo ballafaqim në lexim me letërsinë evropiane të rrit hapësirën e shikueshmërisë së gjërave, të përsos shijet. Kur t’i bëhesh përcjellës i kësaj kulture në gjuhën tënde, atëherë përthithja është në një raport edhe më të madh. Këtë e venë re të tjerët, ata që na njohin përmes shkrimeve. Ka edhe diçka: mendoj se ndikimi është subkoshient. Ti nuk e kupton që je ndikuar, por ja që ka ndodhur. Dhe është mirë që ka ndodhur. Në kohët e sotme komunikimi mes kulturave është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe i domosdoshëm. Për fat të keq, tek ne shkruhet shumë pak për krahasimin mes letërsive.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora