E enjte, 18.04.2024, 07:42 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: 12 gjëra interesante në vendimin e Qeverisë “Rama” për ardhjen e afganëve

E enjte, 26.08.2021, 06:33 PM


Dymbëdhjetë gjëra interesante në vendimin e Qeverisë “Rama” për ardhjen e afganëve

Nga Kastriot Myftaraj

1)Në vendim nuk jepet shifra e personave që do të vijnë. Këta njerëz po vijnë në mënyrë të organizuar duke udhëtuar me aeroplanët ushtarakë amerikanë nga Kabuli në Shqipëri. Pra shifra dihet por qeveria shqiptare e mban sekret qëllimisht atë sepse shifra reale është shumë më e lartë se ajo që ka thënë Kryeministri Rama. Ai në fillim ka thënë se do të vijnë 250 vetë bashkë me familjet pastaj 1000 vetë bashkë me familjet, më pas është thënë se gjithsej do të vijnë 3000 afganë. Tani që doli vendimi në të nuk ka asnjë shifër.

2)Në vendim bëhet fjalë për persona “me shtetësi apo kombësi afgane dhe persona pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit”

Kjo do të thotë se nuk do të vijnë vetëm shtetas afganë por edhe të tjerë që nuk nuk kanë shtetësi afgane, por që pretendojnë se kanë prejardhje afgane si dhe persona që mund të jenë pa shtetësi ose që deklarohen si të tillë për arsye që i dijnë ata dhe të cilët gjenden në Afganistan dreqi e di përse. Pra do të vijnë njerëz me të kaluar shumë të dyshimtë.

3) Në vendim bëhet bëhet fjalë për persona “që hyjnë masivisht dhe të kordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Kjo mënyrë ardhjeje është në kundërshtim me Konventën e Gjenevës të vitit 1951 për refugjatët, pasi te ardhurit po sillen në mënyrë të organizuar nga një shtet i tretë, SHBA nëpërmjet aviacionit ushtarak amerikan.

4)Në vendim flitet për ardhje nga një shtet për të cilin vetë amerikanët e pranojnë zyrtarisht se nuk ekziston më që prej 15 gushtit. Në vendim flitet për shtetas Republikës Islamike të Afganistanit, apo për persona pa shtetësi me vendqëndrim të përhershëm apo të përkohshëm atje. Por në 25 gusht 2021, në ditën kur qeveria shqiptare mori këtë vendim dhe e shpalli atë, tashmë nuk ekzistonte më prej dhjetë ditësh një shtet me emrin Republika Islamike e Afganistanit. Presidenti është arratisur jashtë vendit bashkë me ministrat, deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë. Zyrtarisht sot ekziston Emirati Islamik i Afganistanit i shpallur nga talibanët. SHBA dhe qeveritë e vendeve të NATO-s po negocionjnë me këtë regjim dhe kanë thënë se regjimin e ri do ta gjykojnë sipas sjelljes së tij duke përcaktuar një numër kriteresh. Gjithsesi, Republika Islamike e Afganistanit nuk ekziston më.

5)Në vendimin e qeverisë shqiptare thuhet se të ardhurve do t’ u jepet strehim në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare. Me këtë qeveria jonë pohon se kryeministri Rama gënjeu kur na tha se 15 gusht se afganët do të vijnë në Shqipëri tranzit, pra në kalim e sipër për në SHBA dhe që do të qëndrojnë për aq kohë sa u duhet që të pajisen me viza. Tranziti për këtë qëllim nuk zgjat një vit. Aq më tepër kur sot ka viza elektronike dhe një personi të pajisur me këtë lloj vize mund t’ i bëhet identifikim gjenetik sipas të dhënave biometrike që mund t’ i merren që në aeroportin e Kabulit. Kuptohet se kemi të bëjmë me një gënjeshtër. Strehimi i afganëve për një afat më së paku njëvjeçar do të thotë se studentët tanë të mbetur në Qytetin “Studenti” do të jetojnë bashkë me afganët e strehuar atje së paku për një vit.

6)Në vendimin e qeverisë thuhet se statusi ligjor i të ardhurve është ai i mbrojtjes së përkohshme. Brenda guackës të fjalorit burokratik është fshehur e vërteta se qeveria shqiptare merr përsipër që t’ i mbrojë këta persona si persona të rrezikuar, kuptohet nga talibanët, Aq-Qaeda, ISIS, të cilët i quajnë dezertorë, tradhtarë. Pra qeveria shqiptare ka pohuar në vendim se Shqipëria me pranimin e këtyre personave rrezikon seriozisht që të pësojë sulme terroriste islamike. Këtë gjë ta kenë veçanërisht parasysh prindërit e studentëve që do të banojnë në Qytetin “Studenti” bashkë me këta miq të paftuar që na ka sjellë Aviacioni Ushtarak Amerikan.

7)Në vendim nuk thuhet gjë për koston e shpenzimeve të mbajtjes së të ardhurve gjatë një viti dhe kush do ta përballojë këtë kosto. Nëse do të ishte rënë dakord me qeverinë amerikane për përballimin e shpenzimeve kjo gjë me siguri që do të ishte pasqyruar në një farë mënyre në vendim.

8)Vendimi i sotëm i qeverisë nuk i referohet dhe as citon asnjë nen të traktatit të NATO-s duke pohuar kështu se Rama dhe kori mashtrues mediatik i paguar prej tij gënjyen shqiptarët kur thanë se pranimi i afganëve bën pjesë në detyrimet që i kemi ndaj NATO-s.

9)Ligji shqiptar në të cilin është bazuar vendimi i qeverisë, Ligji nr. 10 i vitit 2021 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” u ndryshua rrënjësisht para zgjedhjeve në shkurt të këtij viti pikërisht duke pasur parasysh ardhjen e afganëve. Ligji u miratua në Kuvend në 1 shkurt të këtij viti. Presidenti Meta ushtroi të drejtën kushtetuese për ta kthyer mbrapsht ligjin duke paralajmëruar për rreziqet e tij, por Kuvendi me shumicë socialiste dhe me votat e gjuzopozitës parlamentare e miratoi përsëri. Ndryshimi i ligjit u bë me kërkesën e amerikanëve duke u ofruar si shpërblim njohja e mandatit të tretë qeverisës të fituar me metoda afgane. Kjo gjë kuptohet nga fakti se në 11 shkurt ambasadorja amerikane deklaroi se ka biseduar me Kryeministrin Rama për krijimin e qeverisë së paszgjedhjeve.

10)Sipas ligjit 10/2021 periudha njëvjeçare e mbrojtjes së përkohshme mund të zgjatet deri në tre vjet. Pra nga gushti 2021 deri në gusht 2024. Dhe në gusht 2024 janë afër zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 kur Rama do të kërkojë mandatin e katërt. Pra qeveria do të gjejë një zgjidhje. Dhe ambasadori amerikan që do të jetë në atë kohë në Shqipëri do të thotë se ka biseduar me Ramën për krijimin e qeverisë së paszgjedhjeve të vitit 2025. Dhe kështu vjen viti 2029. Edi Rama në janar ka thënë se do ta mbajë pushtetin deri në 2030, apo jo?

11)Nga vendimi nuk kuptohet gjë nëse Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë ndonjë akt sa iu përket të ardhurve. Por ka detyrim që të miratojë së paku marrëveshjen për ardhjen forcave ushtarake amerikane në Shqipëri që do të bëjnë shërbimin taksi me aeroplanët ushtarakë amerikanë për afganët dhe joafganët e ardhur, me ushtarët amerikanë si steëard, përkatësisht steëardess, sipas përkatësisë seksuale të ushtarëve. Kështu e kërkon legjislacioni i NATO-s, që është në fuqi edhe në Shqipëri.

12)Vendimi i qeverisë thotë se e drejta e strehimit dhe mbrojtjes nuk iu njihet personave që sipas nenit 83 të ligjit përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshme. Neni 83 nuk ua njeh këtë të drejtë katër kategorive të personave që janë: Ata që kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit, ata që kanë kryer krime ordinere të rënda (ata që kanë kryer krime të quajtur jo të rëndë lejohen) jashtë Shqipërisë, si dhe ata që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Republikës së Shqipërisë.

Bukur! Por çfarë ndodh pasi vihet re se mes të ardhurve ka edhe persona me këto cilësi? Ku do të dërgohen ata? Amerikanët kuptohet që nuk do t’ i marrin ata. Në Afganistan nuk mund të kthehen mbrapsht më thotë logjika ime sepse Aviacioni Ushtarak Amerikan vështirë se do të pranojë të bëjë shërbimin taksi për kthimin e tyre. Pra këta persona do t’ u mbeten në dorë autoriteteve shqiptare.

Një ide mund t’ ua ofroj unë. Le të ndërtohet një kamp në truallin që ka në Yzberisht në periferi të Tiranës Drejtori i Antiterrorit Gledis Nano i sapo dekoruar nga ambasada amerikane, dhe të cilin truall e ka fituar ndershmërisht në sajë të regjistrimit dikur si kooperativist me mbiemrin Nanaj, të cilin e ndryshoi pastaj se ashtu i kishte disa halle që ia di Guri Lekloti (arkivi i gjallë i ambasadës), nëse ka kureshtje ambasadorja t’ i mësojë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora