Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Dhuna ndaj grave në Kosovë shënoi viktimën e rradhës
E hene, 23.08.2021, 08:00 PM
Blerim Latifi:
Dhuna
ndaj grave në Kosovë dje shënoi viktimën e rradhës. Një vajze 18 vjeçare iu mor
jeta në mënyrën më makabre të mundshme nga dy monstra me fytyrë njerëzore.
Dhe,
siç edhe jemi mësuar tashmë, me të dalë lajmi, nisi kori i reagimeve dhe
dënimeve verbale të krimit.
Pas
dy-tre ditësh lajmi vjetërohet, krimi harrohet dhe askush më nuk merret me
shkaqet e dhunës ndaj grave, e cila vazhdon të marrë jetë dhe të rrënojë
familje gjithandej Kosovës.
Ah,
më falni, se e bëra një "gabim" në këtë që sapo thashë. Është dikush
që shqetësohet për dhunën ndaj grave, janë politikanët që njëherë në vit, në
ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për dhunën ndaj grave, shfaqen me fjalime
te bukura kundër kësaj dhune dhe në fund të ditës i fusin në sirtar ato fjalime
për t'i lexuar një vit më pas.
Të
mos ua mohojmë meritat a!
Dhunuesit,
ndërkaq, e shfrytëzojnë indiferencën patriarkale të shoqërisë e të shtetit,
gjejnë diku ndonjë gjykatës të korruptuar e me mentalitet mizogjin, i shpëtojnë
dënimit dhe pastaj jeta vazhdon. Bashkë me hipokrizinë e një shoqërie që ka
dëshirë të duket e emancipuar, por që nuk lodhet fare të bëhet e tillë.
______________
Të
gjitha kodet ligjore që janë krijuar para epokës moderne e legjitimojnë në
mënyra të ndryshme dhunën e burrave ndaj grave. Për një arsye të thjeshtë: ato
janë kode të shkruara nga burrat, pa i pyetur gratë.
Dhe
ata nuk janë ndalur me kaq.
Kanë
shkuar edhe më tej: "të drejtës" së tyre për të ushtruar dhunë mbi
gratë, i kanë mveshur edhe justifikime hyjnore apo natyrore: "Zoti ka
thanë se gruaja që si bindet burrit duhet me u shtru n'dajak". Ose:
"Vetë natyra e ka bërë burrin fizikisht më të fortë se gruan, prandaj
nënshtrimi i saj është i natyrshëm".
Për
shekuj me rradhë këto dogma kanë shërbyer për ta mirëmbajtur pushtetin
diktatorial të burrave mbi gratë dhe rrjedhimisht edhe për ta justifikuar
dhunën mbi to.
Do
duhej të vinte Iluminizmi europian i para dy shekujve që këto dogma të rrëzoheshin
dhe bota të fillonte të kuptonte se as në qiell e as në tokë nuk është
parashkruar që burrat kanë të drejtën e dhunës mbi gratë.
Emancipimi
i grave dhe kualifikimi i dhunës së burrave mbi to si krim i dënueshëm, janë
produkte të këtij iluminizmi europian dhe secili që mendon se mund të flas për
emancipimin dhe të drejtat e grave jashtë kuadrit moral të këtij Iluminizmi,
thjesht nuk bën tjetër veçse tregon se nuk merr vesh gjë nga kjo punë.
______________
Kur
europianët e parë shkelën në kontinentin amerikan, këtu e 530 vite më parë, mes
shumë gjërave të panjohura më parë prej tyre, panë edhe një bimë me një fryt të
çuditshëm, që nuk ekzistonte as në Europë, as në Azi e as në Afrikë. Popujt
indigjenë, të cilët europianët i gjetën në kontinentin e sapo zbuluar, këtë
bimë e quanin Mahiz. Për ta ajo nuk ishte thjesht një bimë ushqyese, por edhe
një bimë e shenjtë, prej të cilës prodhonin pijet e shenjta, që i përdornin në
ritualet e tyre fetare. Madje, Majat besonin edhe në një perëndi që kujdesej për
këtë bimë.
Në
fillim europianëve ajo u dukej një bimë e kotë, ndërsa ritualet fetare të
indigjenëve që lidheshin me të, u dukeshin marrëzi të thjeshta të popujve
barbarë. Mirëpo, më pas, ata filluan të mësoheshin me të, filluan ta përdornin
edhe për ushqim dhe një ditë prej ditësh farat e saj i hipën në anije dhe i
sollën në Europë. Meqë kultivimi i saj nuk kërkonte shumë mund, ajo shpejt u
përhap gjithandej Europës dhe një ditë tregtarët e sollën edhe në
Ballkan.Shqiptarët i vunë dy emra: në toskërisht e quajtën misër, ndërsa në
gegnisht i vunë emrin kallamoç.
Zbulimi
i Amerikës prej europianëve i kishte privuar banorët e saj të lashtë nga
pavarësia e tyre, por bima e tyre e shenjtë ia kishte dalë të pushtonte botën.
Mbase për të mbetur si një shenjë e kulturës së tyre tanimë e shndërruar në
gërmadhë.
______________
Sistemi
gjyqësor në Kosovë është i mbushur me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, me
dembelë, me frikacakë, me jokompetentë, me të atillë që s'kanë hapur libër që
nga dita kur e kanë dhënë provimin e fundit në fakultet.Prandaj ky sistem
ndikohet aq lehtë nga presionet e njerëzve të fortë të politikës, të bizneseve
të zeza dhe nga ato të kriminelëve të të gjitha kategorive. Një gjë mund ta
themi me siguri: nëse nuk intervenohet me një reformë serioze dhe të thellë,
pasoja e fundit e këtij sistemi të kalbur gjyqësor do të jetë rikthimi i
vetëgjyqësisë.